Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Masakra e Tivarit, 3000 faqet që mora në arkiva
Publikuar më 15 korrik, 2010 në orën 19:59 ( ) Prof. Dr. Muhamet Pirraku | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Rrëfimi i studiuesit për zbulimin e dokumenteve të ish-Jugosllavisë në vitet '60 rreth masakrës së marsit 1945.

Gjetja e materialeve të rezervuara, fotokopjimi dhe marrja e tyre për tu publikuar pas rënies së regjimit. Analizat shkencore të jugosllavëve për eleminimin e shqiptarëve të Kosovës në vitet 1941-1944 dhe mënyrat e realizimit.


Sa pushoi "Afera" e zhurmshme e z. Nait Hasanit në Prishtinë, për "Gjykimin e krimeve të regjimit komunist në Kosovë", plasi "Afera" me bubullimë e z. Sali Berisha në Tiranë (shih:"Berisha akuzon Ramiz Alinë për Masakrën e Tivarit", Koha Ditore, 8 Qershor 2010 dhe "Në kërkim të urdhëruesve", Express, 10 Qershor 2010 (!?!?!).

Për "Aferën Hasani", për fatin tim nuk më pyeti kush, kurse për "Aferën Berisha", "TV Klan Kosova", më 10 Qershor kërkoi një Prononcim timin për "Përgjegjësinë e Enver Hoxhës, të Fadil Hoxhës dhe të Ramiz Alisë në përgatitjen dhe zbatimin e Masakrës së Tivarit".

Para kamerës fola 10-15 minuta dhe, sa mund të mbahet në kujtesë, nënvizova këto fakte: "Strukturat politike dhe ushtarake të Shqipërisë Londineze dhe të Kosovës, sot Unmikiane, që simbolizoheshin me Enver Hoxhën dhe me Fadil Hoxhën, nuk kanë asnjë faj për Masakrën e Tivarit, sepse as janë planifikues dhe as zbatues, e madje për atë krim kanë mësuar, si nëpër mjegull, shumë më vonë.

Ndërkaq, të rangut politik e ushtarak të Ramiz Alisë në radhët e LANÇSH-së kanë qenë dhjetëra veta. Ngjarja nuk ka ndodhur në terrenin e Shqipërisë dhe në informatat e para "Enveri" me shokët kanë "mësuar" se vrasja është shkaktuar "në një mal...në një luginë... etj"!?!

Megjithatë, Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha mund të kenë një përgjegjësi morale relative pse nuk kanë kërkuar nga aleatët: Ruzvelt, Çërcill dhe Stalin zbardhjen e tragjedisë dhe dënimin e fajtorit.

Them "përgjegjësi relative" për faktin se tashti në Kosovë ishin mbi 40 mijë ushtarë jugosllavë të njësive më elite çetnike (të amnistuara nga Tito) e komuniste, të cilët kishin urdhra të qarta të vepronin kundër qenies shqiptare të Kosovës, të Kosovës Lindore, të Iliridës, të Sanxhakut dhe të Malësisë shqiptare në Mal të Zi. Kosova, që nga 8 Shkurti, vuante nën "Pushtetin ushtarak " me firmë të J.B. Titos.

Mirëpo, për hir të realitetit historik duhet të konstatojmë se Enver Hoxha, megjithatë, ka bërë disa përpjekje për të mësuar për tragjedinë e Tivarit dhe për vrasjet e tjera të shqiptarëve nga ushtria jugosllave.

Madje ka bërë përpjekje të mësojë nga Jugosllavet edhe për qëllimin vendosjes së "Pushtetit Ushtarak në Kosovë", duke ua kujtuar faktin se Kosova sipas Marrëveshjeve të "Dy partive komuniste aleate", për fatin e saj "duhet të përcaktohet me Referendum se kujt do t'i bashkohet!".

Dhe, me kompetencë shkencore mund të konstatojë se z. Ramiz Alia nuk ka asnjë përgjegjësi në ketë ngjarje, kurse LANÇSH-ja, deshëm apo nuk deshëm, është luftë e drejt që e nderon kombin tonë. Me këtë konstatim nuk u bie fshesë krimeve ndaj shqiptarëve që kanë ndjekur rrugën tjetër.

Të themi pa ekuivok: Për ndarjen në dy taborë të atyre që ishin të gatshëm të vdisnin për lirinë e kombit, si dhe për mos plotësimin e kërkesave legjitime të kombit shqiptar në gjakderdhjen shqiptare të Periudhës së Luftës së Dytë Botërore, qartë janë fajtorë tri forcat kryesore të Bllokut fitimtar të Luftës së Dytë botërore: Rusia, Anglia dhe SHBA (shih marrëveshjet e tyre të viteve 1941/45!).

Këta aleatë të LANÇSH-së kanë pasur njohuri për krimet serbo-jugosllave duke filluar me Bihorin, Çamërinë, Gjilanin, Drenicën, Vërshacin, por edhe për Masakrën e Tivarit. Heshtën, kurrë nuk reaguan. Pse?

Të spikas edhe këtë fakt: Fadil Hoxha, në pamundësi për të kërkuar llogari nga Aleati Jugosllav, ngase Fadili (dhe komunistët shqiptarë) tashti nuk kishin asnjërin nga postet kryesore në ushtri, në politikë (pushtet) dhe as në siguri (OZNA) të Kosovës, ndaj zgjodhi rrugën qe e kam vënë moto të librit tim: "Tivari 1945- Kalvari i Kosovës": "Ne, në udhëheqjen kosovare i kemi ikur që të bisedojmë për atë. E kemi gjykuar atë sjellje dhe e kemi përfunduar çështjen me atë. Nuk di se ku do të na çonte shqyrtimi!"

Jam njëri ndër njohësit e mirë të burimeve ushtarake e politike jugosllave për "Masakrën e Tivarit" të 1 Prillit 1945, dhe gjithsesi njohësi më i mirë i kujtesës historike të popullit për këtë masakër, me të cilën kam nisur të merrem qysh nga viti i parë i studimeve në histori, më 1963. Nga tetori i viti 1967 kam filluar edhe me hulumtimin e lëndës arkivore, por vetëm në vitin 1975 kam pasur fatin t'i evidencoj të gjitha raportet e njësive ushtarake të Serbisë, dhe të Kosovës në fondet e Arkivit të Institutit Ushtarak të Jugosllavisë, të cilat lejoheshin të konsultoheshin për interesa të dijes historiografike të LANÇJ-së.

Vetëm pas një viti, pikërisht më 25 Shtator 1976, mu lejua që ato dokumente të fotokopjoheshin për nevoja të Entit të Historisë së Kosovës, ku punoja si "Hulumtues shkencor...".

Mirëpo, për faktin se nga viti 1971, e në vijim, me disa paraqitje në shtyp e pasqyrova fuqimisht "Rezolutën e Bujanit", dhe në simpoziume për LANÇ të Kosovës "Luftën e Drenicës" e quajta Revoltë të Partizanëve nën udhëheqjen e kreut antifashist Shaban Palluzha, komandant nominal, e jo "Kundërrevolucion", si dhe hodha dritë mbi shumë masakra të UNÇJ-së ndaj shqiptarëve, dhe kritikova doktoratën e Dr, Ali Hadrit, pse e kishte përfillur tezën e "kundërrevolucionit"; pse nuk e kishte paraqitur pjesën e Rezolutës së Bujanit për të drejtën e Kosovës në Vetëvendosje, pas fitores së përbashkët Jugosllave-Shqiptare mbi okupatorin...!"; pse nuk kishte shkruar për masakrat në Bihor, Gjilan, Drenicë, Tivar etj. - nuk mu lejua të merrem (me program shkencor të Entit), me historinë shqiptare të Kosovës së periudhës së "Luftës së Dytë Botërore" as më "Lëvizjen Kaçake" të viteve të 20-ta, që u bë pretekst të largohem nga EHK.

Në fillim të tetorit të vitit 1967, kalova me punë në Institutin Albanologjik (i cili nuk merrej me LANÇ-në) ndaj dokumentet për "Luftën e Drenicës" dhe për "Masakrën e Tivarit" detyrimisht i deponova në "Arkivin e Entit të Historisë". Mirëpo, që të mos mbetem pa "bazën" e një pjese të punëve të mia publicistike e shkencore, pa dijen e drejtorit, i fotokopjova të mbi 3000 faqet e dokumenteve, të cilat, për fat, i posedoj edhe sot.

Pas fillimit të shthurjes së censurës komuniste jugosllave në vitet e 90-ta, do të më hapen mundësitë për të "devijuar", nganjëherë, nga "projektet shkencore të detyrueshme" dhe për të prekur temat për gjenocidin Jugosllav ndaj shqiptarësisë së Kosovës, gjithsesi në shërbim të përpjekjeve tona për çlirimin dhe ribashkimin e kombit shqiptar.

Në disa momente hodha dritë edhe mbi Masakrën e Tivarit të 1 Prillit 1945, gjithmonë i mbështetur në burime relevante.
Nuk e shoh të udhës të sjell shumë fakte për numrin e eshalonëve të marsit dhe të prillit. Do të ndalem pak më shumë në Platformën politike serbo-jugosllave që çoi në Masakrën e Tivarit. Në librin tim të fundit për këtë krim, i mbështetur në burime relevante, kam konstatuar:

"Ploja e ushtrisë jugosllave, serbomalazeze komunisto çentike mbi "rekrutët" shqiptarë, më 1 Prill 1945, në Tivar, është vetëm një ndër sekuencat e gjenocidit sistematik serbomadh nën flamurin e ortodoksisë shënsaviane mesjetare mbi shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti mbi shqiptarët nën okupimin jugosllav versajas e avnojist, e që kishte për qëllim spastrimin etnik shqiptar dhe serbizimin e Kosovës dhe të viseve shqiptare etnike përreth". Kësaj nuk kam se çka t'i shtoj.

"...Kosova, së paku nga vjeshta e vitit 1941 deri në vjeshtën e vitit 1944, në dokumentet oficiale politike e ushtarake të Centralës kominterniste - Tito, është krahinë autonome (politike dhe ushtarake), e një rangu me Krahinën e Serbisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Bosnje Hercegovinës, dhe u printe Sanxhakut, Vojvodinës e Maqedonisë.

Misionarët e KQ të PKJ së dhe të Shtabit Suprem të APJ së, që dërgoheshin në Kosovë dhe në Shqipëri, sabotuan masivizimin e LANÇ së së Kosovës, dhe pikërisht me propagandë nëntokësore komunisto çetnike serbomadhe, kontestuan Rezolutën e Bujanit të 2 janarit 1944, e duke inskenuar vrasjen e komunistëve dhe të antifashistëve shqiptarë më të shquar dhe të komunistëve serbë e malazes internacionalistë, përgatitën aktin e ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të ndara Jugosllavisë Versajase, më 1919". As për këto probleme nuk kam gjykim tjetër.

***"...Analizat shkencore kritike e të dhënave burimore -politike e ushtarake serbe të periudhës shtator 1941 shtator 1944 tregojnë se platforma antishqiptare serbe e LANÇJ së, e dëshmuar në Elaboratin: "Problemi i pakicave në Jugosllavi" të ministrit në qeverinë e Serbisë, akademikut Vasa Çubriloviq, të 3 Nëntorit 1944, ishte jo vetëm opinion politik, shoqëror e ushtarak i LNAÇ së Serbisë Jugosllavisë, por ishte synim i qartë për vazhdimin e gjenocidit serbomadh mbi shqiptarët, i ndërprerë pas vendosjes së pushtetit okupues nazifashist në Kosovë, por ishte edhe pikë e vetme, më kryesorja, që bashkonte elementët kundërshtarë komunistë e ultranacionalistë drazhisto çetnikë serbë, malazias e bullgaro-maqedonas në luftë për Jugosllavinë Avnojiste në llogari të kërkesave të përnjëhershme të Serbisë së Madhe, të Malit të Zi të Madh dhe të Maqedonisë së Madhe - të zgjeruara me toka shqiptare!" Me asnjë të dhënë shtesë nuk mund të ndryshohen këto përfundime shkencore të qëndrueshme.

"...Në Elaboratin e 3 Nëntorit 1944 V. Çubriloviq e avancoi amanetin se serbët "nga Kosova e Metohia kurrë nuk mund të heqin dorë edhe për shkak të rolit të saj historik edhe të rëndësisë për edukimin kombëtar" dhe do të konstatojë se "derisa Kosova dhe Metohia të mos jenë përfundimisht serbe, deri atëherë serbët dinarikë nuk do të kenë paqe!" Sipas Çubriloviqit, "ideale do të ishte sikur të mund t'i qëronim të gjithë shqiptarët e vendit tonë edhe atë përnjëherë".

Për ta realizuar këtë kërkesë serbe historike, sipas Çubriloviqit: "janë dy mënyra të cilat do të merreshin në konsiderim për largimin radikal të shqiptarëve: t'i zhdukim ose t'i shpërngulim!" Kuadri i kësaj platformë serbe antishqiptare mund të plotësohet vetëm me fragmente të tjera nga Projekti i Çubrilloviqit.

Dëshmitë e komandantëve sllavë

Rrëfimi i studiuesit nga Kosova për dokumentet arkivore të ish-Jugosllavisë në vitet '60 rreth masakrës së marsit 1945.

Çfarë kishin deklaruar drejtuesit e ushtrisë jugosllave që morën pjesë në masakër dhe si është abuzuar me numrin e viktimave dhe shpikjen e "heronjve".

Urdhëresën për mobilizimin e "njerëzve"(ljudstvo) dhe dërgimin e tyre për plotësimin e njësive të Armatës IV të AJ së ( komandant Petar Drapshin) e dha Shtabi Operativ i UNÇ së dhe i AP së së Kosmetit (komandant Sava Drleviq) mbi bazë të urdhëresës së Shtabit Suprem të Armatës Jugosllave (Komandant J. B. Tito).

Për realizimin e këtij plani antishqiptar në Kosovë, deri më 20 Mars 1945, ishin stacionuar forcat e Divizioni i AJ-së 41, 46, 52, të "Grupit të brigadave" (malazezo-kosovare) dhe të Komandës Ushtarake Krahinore të Kosmetit.

Komandanti S. Drleviq u sugjeronte dhe u urdhëronte njësive që do të ngarkoheshin për t'i "transportuar njerëzit e mobilizuar": "Gjatë transportit të njerëzve komandantët e eshalonëve të kenë kujdes që njerëzve t'ua pamundësojnë dezertimin, kurse gjatë pushimit të bëhet bllokimi i kuarteteve të banimit.

Komandantët dhe komisarët politikë të eshalonëve do të jenë personalisht përgjegjës, nëse nga pakujdesia ua mundësojnë ikjen!"

Përmbajtja e citatit na mjafton të kuptojmë se "njerëzit" (ljudstvo) shqiptarë paraprakisht ishin të apostrofuar si armiq dhe si të tillë po deportoheshin nga Kosova, kurse ushtarakët dhe ushtarët përcjellës të eshalonëve shqiptare i kishin duart e lira dhe jetën e çdo shqiptari të "mobilizuar" me dhunë mund ta vlerësonin me vlerën e një plumbi.

Me shumë saktësi dihet numri i rekrutëve në Eshalonët e Marsit dhe të Prillit 1944, të nisur nga Prizreni; përafërsisht dihet edhe numri i atyre që kanë arritur në Shkodër; si edhe numri i të arriturve në Ulqin; por edhe numri i atyre që arritën në radhët e Armatës IV të AJ-së.

Ka informata bukur të sakta edhe për numrin e atyre që kanë pësuan në kurthet e Përcjellësve serbë, maqedonas dhe malazias të Eshalonëve. Megjithatë për këtu më duhet të bëjë një përjashtim vetëm për Eshalonin e Dytë, i cili e përjetoi masakrën e Një Prillit 1944 , në Oborrin e Monopollit të Duhanit në Tivarin e Ri.

Sipas të dhënave më të sigurta nga Prizreni në këtë Eshalon u nisën, më 26 mars, "rreth 2400", më saktë: "2382 përkatësisht 2380 shqiptarë" kurse në Shkodër arriti më 30 mars në orën 8, kurse rreth orës 11 "Eshaloni me 2370 shqiptarë i është dorëzuar Brigadës X Malazeze".

Tashti detyrimisht pyes: Edhe sikur të ishte pushkatuar i tërë efektivi i Eshalonit të Dytë, a mund të thuhet se në "Tivar i masakruan 4000 shqiptarë"? Sipas Shtabit të Divizionit 46 më 8.IV.1945 në "incidentin e pakëndshëm", në Tivar u vranë "rreth 450 dhe u plagosën rreth 120 shqiptarë".

Nuk është numër i papërfillshëm. Mirëpo, një pasqyrim më të plotë Masakrës së Tivarit ia bëri Zëvendëskomandanti i Divizionit të Armatës IV"- dalmatinase, majori Gjuro Çetnik, i ngarkuar me detyrën e komandantit të Shtabit të Kolonës së Armatës IV për shoqërimin nga Tivari deri në Armatën IV, në Dalmaci të "njerëzve të mobilizuar...". Ai midis të tjerash, saktësoi:

"Rezultat i tërë kësaj është: 550 të nxjerrë nga radhët, prej të cilëve 150 të plagosur, të tjerët të vdekur dhe pak diçka që u fshehën nëpër shtëpi ose ikën. Llogaritet në rreth 430 të vrarë.

Në tërë këtë morën pjesë komandanti (Gasha Markoviq) dhe komisari i Brigadës X dhe gati të gjitha institucionet ushtarake e civile të cilat gjenden në Tivarin e Ri. Shumë prej tyre morën pjesë aktive në atë plojë pushkësh mbi njerëzit..!"

Në vijim komandanti Gj.Çetnik, i saktësoi edhe këto fakte: "Që e tërë kjo të mos bëhej edhe më drastike, ishte fakti se në momentin kur po bëhej ploja arriti një "xhip" automobil me amerikanë deri në afërsi të vendit të plojës.

Për fat, disa udhëheqës tanë u gjendën aty, i kthyen dhe i drejtuan në drejtim të Ulqinit, pa i lënë që të hetonin diçka!? U panë edhe disa civilë, të cilët e fotografuan tërë plojën, por ata më vonë humbën në këtë tollovi.

Për të gjitha këto po bëhen hetime të mëtutjeshme".
Para se të shkonim më tutje kërkohet një sqarim material për konstatimin e Majorit Gjuro Çetnik:"Në tërë këtë morën pjesë komandanti dhe komisari i Brigadës X (malaziase) dhe gati të gjitha institucionet ushtarake e civile të cilat gjenden në Tivarin e Ri. Shumë prej tyre morën pjesë aktive në atë plojë pushkësh mbi njerëzit!".

Pjesëmarrja gjakpirëse ushtarake, e pushtetit dhe e civile malazias të Tivarit të Ri u bë në shenjë hakmarrje e gjakmarrje për humbjet katastrofale të Brigadës së Bokelit në Drenicë në janar dhe shkurt të vitit 1945, si dhe të motivuar nga propaganda serbe për hakmarrjen ndaj shqiptarëve - "...për vrasjen e Miladin Popoviqit..." më 13 Mars 1945.

Është e vërtetë se njësitë partizane malazeze lanë në Drenicë disa qindra "partizanë", por këta këtu kishin ardhur si ushtri e okupatorit, kurse Miladin Popoviqi nuk u vra nga dora shqiptare.

Qartë e saktë: Miladin Popoviqin e vrau serbi Vasa Bogdanoviq nga Gorazhdeci i Pejës, sipas urdhrit të kryeoznasit të Kosmetit, Spasoje Gjakoviq, i cili e zbatoi diktatin e kryeoznasit të Serbisë, Aleksandër Rankoviq, por për vrasës u shpall Mësuesi patriot, Haki Taha, i cili ishte ekzekutuar me plumb në tëmth pikërisht në zyrat e OZN-as, në natën e 12-13 Marsit 1945.

Për instinktin gjakpirës të malazezëve për hakmarrje ndaj shqiptarëve për këto dy humbje malaziase, la një pasqyrim edhe kapiteni i JNA-së, tetovari Bajram Gola, i cili, më 2 Prill 1944, mori pjesë në grupin ushtarak hetimor të JNA-së (në vendin e krimit), për shkaqet dhe përmasat e Masakrës së Tivarit. Kapiteni Gola do të saktësojë: "Klithma luftarake e këtyre shovenëve të tërbuar ka qenë: 'živela osveta! Tako vam je trebalo, Šiptari! (Rroftë hakmarrja!, "Kështu ju është dashur, shqiptarë!" etj.

Pasi e dimë se Masakra e Tivarit është pasqyruar, shkencërisht, ani mirë, detyrimisht duhet të shtrojmë së paku dy pyetje kruciale: E para, a ka logjikë materiale, morale dhe politike që të akuzohet për planifikues dhe zbatues të Masakrës së Tivarit një "komisar i divizioneve (shqiptare) që shkuan në Kosovë", i cili në kohën e krimit ishte në Bosnjë, në luftë për krah forcave jugosllave aleate për çlirimin e Jugosllavisë?!?!; Presidenti Berisha është kategorik se "ka fakte", se "ka dëshmitarë" se ka "dokumente"!?.

Habitëm prej nga ato"fakte"(!?), ata "dëshmitarë" në Shqipëri(!?), ato dokumente në Arkivat e Shqipërisë(?!), kur dihet se LANÇSH-ja nuk e ka pjesën e përgjegjësisë as në planifikim, as në zbatim.

Dhe pse të mos pyesim: Ku ishin historianët akademikë të shumtë të Tiranës që nuk i publikuan ato, të gjitha, tash e njëzet vjet që kur "krimineli" Ramiz Alia ia dorëzoi pushttin pa luftë "demokratit" Sali Berisha. Por, këtu më duhet ta thërras në ndihmë një urti që nuk më ndahet: "Kur debatoni për ndonjë gjë mundohuni të fitoj e vërteta, e jo vetvetja!".

Në burimet historiografike të zëna ngoje përmasat e Masakrës së Tivarit janë treguar më shumë për efekte propagandistike, për efekte politike kundër pushtuesit jugosllav të tokave shqiptare. Në këtë funksion edhe i kam përdor, pa hequr dorë nga përpjekja për të dëshmuar me kokëfortësi, së në Masakrën e Tivarit të 1 Prillit 1945, serbo- malazezet i masakruan 1560-1700 rekrutë, kryesisht shqiptarë.

Por më duhet të saktësoj se përmasat e tragjedisë që i "shpikU" Xani (e të cilave, fatkeqësisht, u jep besueshmëri hajvanllëky ynë medial), janë në funksion të luftës kundër së vërtetës historike, së këndejmi edhe kundër interesave të kombit tonë, për faktin se, nisur nga mësimi i Volterit, "E vërteta mund të plaket, por ajo kurrë nuk vdes"! Një Eshalon prej 2370 vetave nuk mund të prodhoj 4000 të masakruar, e dihet se nuk janë vrarë shumica e pjesëtarëve të Eshalonit të Dytë.

Këtë pjesë të ndihmesës sime në vijim do ta filloj me sentencën e filozofit Karl Popper: "Dija fillon aty ku fillon tensioni midis dijes dhe padijes!"

Meqë të vdekurve u flet vepra që duhet t'ua dëshmojnë të gjallët, në interes të zbardhjes të asaj që diktojnë deputeti N. Hasani dhe presidenti S. Berisha, lidhur me pasojat e krimit serbo-malazias të Marsit-Prillit 1945, e ndie për obligim moral të preki me dorën time një përpjekje të Fadil Hoxhës me shokë' së paku, për t'i rehabilituar, në "heshtje", e për t'i kompensuar viktimat e Masakrës së Tivarit:

Në shkurt të vitit 1971, më ftoi në Lidhjen e Luftëtarëve të LANÇ" të Kosovës "Shoku" Tafil Hoxha, i cili ndonëse qytetar, i kishte të gjitha tiparet e Malësorit, jo aq i dijshëm, por i sinqertë, (i lidhur me nostalgji për Drenicën) dhe patriot vetëm si Ai.

Gati me një ton urdhërues ma shqiptoi detyrën e besuar në "Konfidencë": "Drenicë, Ti po e shëtit Kosovën për hulumtime të historisë, Ta kemi për lakmi! Sipas kërkesës së Shokut Fadil, ta ngarkoj një detyrë që do kujdesë: Ku të arrish, bëre evidencimin e të vrarëve dhe të plagosurve në Masakrën e Tivarit, si dhe të personave që e kanë ndihmuar LANÇ-në, e të cilët më vonë kanë pësuar nga regjimi i Rankoviqit.

Porositi familjarët e tyre të bëjnë kërkesa me shkrim në Zyrat komunale të Lidhjes së Luftëtarëve dhe të bëjnë Lutjet për pranimin e statusit të Luftëtarit të LANÇ-së, njëkohësisht të bëjnë kërkesa për pensione familjare dhe invalidore...!

Këtë kërkesë shtrije gjithandej në Kosovë, por puna të kryhet pa zhurmë, në rrjedh të qetë, që të mos bie në sy të atyre që nuk na donë të mirën...!". Pas tri dite, së bashku me Bacën Tafil shkuam në Katundin e Ri në majebjeshkës së Drenicës, në konak të Bardhec Kajës, jataku i Aradhës së Rakoshit nga mesi i tetorit deri në mesin e nëntorit të vitit 1944, i persekutuar si "jatak" i Bajram e Halit Berishës nga maji i vitit 1949. Mund të konstatojë se, që nga ajo natë Bardhecit iu pranua statusi i Luftëtarit të LANÇ-së, me të gjitha beneficionet që rrjedhin nga ai status.

Atë natë i evidencova shumë emra të Dëshmorëve nga Drenica dhe Llapusha, të rënë në Masakrën e Tivarit, dhe këtu e tutje, sa herë që pata kohë e mundësi materiale të gjurmoj në terren, krejt deri në fund të marsit të vitit 1981, dhe gjatë viteve të 90-ta, i shkela të gjitha viset e Kosovës, dhe i evidencova emrat e shumë dëshmorëve të rënë në Plojën e Tivarit, më 1 Prill 1945.

Nuk kam evidencuar asnjë të plagosur i cili nuk e kishte të rregulluar statusin e Luftëtarit të LANÇ-re. Meqë i besoj porosisë së Alfred N. Ëhitehead: "Të gjitha të vërtetat janë gjysmë të vërteta!"- nuk flas publikisht "gjetjet" e mia për përmasën e Masakrës së Tivarit.

Shekulli


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Dr. Muhamet Pirraku
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 73 vizitorë
Lexuar: 2,165 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi