Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ku i ka “vijat e kuqe” Qeveria e Kosovës?
Publikuar më 20 qershor, 2011 në orën 15:25 ( ) Driton Avdiu | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Është qesharake sjellja e Qeverisë së Kosovës karshi gjendjes në terren, e me theks të veçantë në veri të vendit. Kjo nuk vlen vetëm për këtë qeveri në pushtet, por për të gjitha radhazi që nga paslufta. Megjithatë, ajo që e bën kontrastin më të mprehtë për këtë qeveri është vazhdimi i indiferencës së plotë të saj përballë përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes në terren matanë lumit Ibër. Duke u nxituar turravrap në të ashtuquajturat “tema teknike” të bisedimeve me Beogradin, pa e përfillur asnjë normë më themelore demokratike ndaj institucioneve të vendit - Kuvendit të Kosovës, duke mos menduar fare për interesat e vendit, duke i injoruar me vetëdije të plotë komunat shqiptare në Kosovën Lindore, qeveria e Kosovës i ngjan njeriut që me plot fuqinë e lëvizjes së vet të mbrapshtë përplas kokën për muri.

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëvendëskryeministres Tahiri thirret në disa “vija të kuqe”, që në këtë rast simbolizojnë murin e lartpërmendur. Sipas Qeverisë, vijat të cilat ia ka “vendosur” Serbisë dhe mbi të cilat nuk mund të kalohet me asnjë kusht janë: integriteti territorial i Kosovës, që sipas saj është i paprekshëm, dhe rregullimi kushtetues i Kosovës, që po ashtu sipas saj është i panegociueshëm. Shto këtu edhe parullën e fundit në këtë seri se nuk do të flasin për “ndarjen e Kosovës” e as për “shkëmbim territoresh” me Serbinë (kjo e fundit e aktualizuar më vonë) apo për bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër (lexo: Republikën e Shqipërisë)(sic!).
Këto vija të kuqe janë vetëm në fjalorin dhe në letrat nëpër sirtarët e zyrave të qeverisë, e assesi nuk janë vija që mund t’i vendosë apo t’i zbatojë në terren Qeveria e Kosovës. Në fakt, disa vija i ka vendosur qysh në qershor 1999 Qeveria e Serbisë, e cila e ka kontrollin faktik mbi lumin Ibër dhe i ka forcuar në vijimësi me kalimin e viteve, që sot e kanë marrë karakterin e një muri mjaft të fortë, vija përtej të cilave Qeveria e Kosovës mund të depërtojë vetëm përmes valëve të mjeteve të komunikimit masiv: TV, radiove apo komunikimit tjetër elektronik; vija të cilat Qeveria e Kosovës e di fort mirë se nuk mund t’i kalojë; vija të status quo-së, të cilat jo vetëm që funksionojnë e mbrohen nga strukturat e Serbisë në veri, por edhe tolerohen me vite nga faktorët ndërkombëtarë të cilët (përkundër të gjitha kapaciteteve ushtarako-policore që i kanë) nuk i fshijnë ato, për shkak se ato vija janë një realitet i pashmangshëm në terren dhe janë në përputhje me interesat e një pjese të faktorëve ndërkombëtarë në Kosovë.
Këto vija, që me kohë janë forcuar nga Serbia dhe toleruar në heshtje nga ndërkombëtarët, janë forcuar edhe nga mosveprimet e Qeverisë së Kosovës. P.sh. qytetarët shqiptarë nga veriu i Mitrovicës, që u dëbuan me dhunë nga serbët në shkurt të vitit 2000 para hundëve të pranisë ndërkombëtare, u lanë që atëherë në mëshirë të fatit. As edhe mbështetja më minimale nuk u dha për këta njerëz, të cilët brenda natës u shndërruan në refugjatë në shtetin e vet. Ndryshimi i dhunshëm i strukturës etnike të qytetit të Mitrovicës sipër Ibrit nga ana e strukturave administrative të mbështetura nga Serbia u përcoll me indiferencë të plotë institucionale nga Qeveria e Kosovës. Kaluan tre vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe nuk është e njohur as edhe një nismë e vetme nga ana e institucioneve të shtetit për kthimin e njerëzve në vatrat e veta në pjesën urbane të qytetit të Mitrovicës, prej nga ata u larguan me dhunë. Këto nisma do të mund të ishin këmbëngulja-presioni ndaj institucioneve ndërkombëtare përgjegjëse për sigurinë dhe qetësinë në atë pjesë të Kosovës, që njerëzit e përndjekur të kthehen në pronat e veta. E drejta e pronës është një e drejtë e patjetërsueshme themelore, të cilën, ashtu siç e kanë shfrytëzuar serbët e shpërngulur nga Kosova pas v. 1999, duhet ta shfrytëzojnë edhe shqiptarët e përndjekur nga pronat e veta në veri. Si hap i parë në këtë drejtim do të ishte zbatimi i programit “Shko, shiko dhe kthehu!”, që është zbatuar shpesh nga serbët që kanë vazhduar për vite t’i vizitojnë pronat e veta nëpër Kosovë, nën përcjelljen e trupave të KFOR-it. Nuk ka asnjë pengesë ligjore apo politike që kjo të fillojë të vlejë edhe për shqiptarët. Duhet vetëm vullnet politik nga institucionet e Kosovës dhe kjo realizohet pa vështirësi të madhe.
Gjepurat e mos-heqjes dorë nga “vijat e kuqe” në bisedimet “teknike” me Serbinë, të cilat po synojnë t’i shndërrojnë në dogmë, nuk janë asgjë tjetër veç një përpjekje për mashtrimin dhe shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit publik nga pozita tejet e rëndë politike ku e ka futur vendin Qeveria e Kosovës përmes nisjes së bisedimeve në këtë mënyrë. Bisedimet që bëhen në emër të “përmirësimit të jetës së qytetarëve në veri” janë në të vërtetë bisedime që bëhen për ta legjitimuar situatën në terren, situatë kjo e cila është plotësisht në dëmin e interesit kombëtar shqiptar, duke pasur parasysh situatën e krijuar në veri të qytetit të Mitrovicës dhe të fshatrave shqiptare përreth, situatë e cila është rezultat i spastrimit etnik të kryer gjatë ngjarjeve të shkurtit 2000, ku rreth 12000 qytetarë shqiptarë u dëbuan me dhunë nga kjo pjesë e qytetit. Qeveria, duke biseduar “teknikisht” me Serbinë për “përmirësimin e jetës së qytetarëve të veriut”, në fakt i ka mbyllur sytë para këtij dëbimi. Në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës godet rëndë interesin tonë kombëtar në këtë pjesë të vendit, duke i mbyllur sytë e veshët nga rreziku potencial - e pse jo edhe real - që e kërcënon vendin dhe qytetarët shqiptarë të kësaj pjese të Kosovës, pjesë kjo e cila, për shkak të shpopullimit të saj nga popullata autoktone shqiptare, me kalimin e çdo dite po mbetet gjithnjë e më pak shqiptare.
Këto bisedime “teknike”, edhe nëse kurorëzohen me marrëveshje “teknike”, do të kenë pasoja të drejtpërdrejta politike. Në situatën e dhënë dhe me politikën e ndjekur nga ana e Qeverisë së Kosovës gjatë zhvillimit të këtyre bisedimeve, pozita e rëndë e Kosovës do të përkeqësohet më tej. Në vend se të ulet dhe të bashkëpunojë me forcat politike për këtë çështje kaq të rëndësishme që i tejkalon të gjitha ngjyrat partiake, Qeveria zgjodhi rrugën e injorimit dhe arrogancës ndaj Kuvendit dhe vullnetit politik të shumicës shqiptare në Kosovë. Në vend që ta hartonte platformën politike në bashkëpunim me të gjitha forcat politike, ajo vendosi të ecë e vetme në bisedime me Serbinë. Qeveria i pati të gjitha mundësitë që të mos e vërë veten dhe - çka është edhe më me rëndësi - vendin, në këtë pozitë shumë të papëlqyeshme.

Driton Avdiu
Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i LB-së
dritonavdiu@levizjaperbashkim.com

Prishtinë, 19.6.2011

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Driton Avdiu
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 41 vizitorë
Lexuar: 1,031 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi