| TA PËRKUJTOJMË 7 MARSIN 1887, HAPJEN E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE |
| Publikuar më 07 mars, 2013 në orën 21:28 ( ) |
Kulturë | |
|
|
|
Figura e mësuesit nderohet dhe adhurohet që nga kohët e lashta të kohës Antike greke. Aleksandri i Madh thoshte se më shumë kamë obligime ndaj mësuesit tim Aristotelit, se sa, ndaj prindit tim Filipit. Edhe i Dërguari i fundit i Zotit, Muhamedi a. s. i jepte rëndësi të madhe arsimit. Ai kishte zakon që robërit e luftës të cilët dininë shkrim dhe lexim t’i lirojë, po qe se ata i mësojnë nga dhjet vet shkrim dhe lexim. Ndërsa shkrimtari i madh Viktor Hygo arsimin e vlerësonte deri në shkallën më të lartë kur thoshte: “Mësuesi bënë njeriun.”
Çdo popull, i vogël apo i madh, ka krijuar kulturën e vet origjinale, varësisht nga kushtet historike, gjeografike-natyrore, shoqërore-ekonomike dhe politike ku ka jetuar. Kështu edhe kombi jonë shqiptar ka krijuar kulturën e vet materiale dhe shpirtërore në suazat e bashkësisë së vet etnike, përkatësisht nacionale. Në këtë mënyrë edhe historia e popullit tonë është e mbushur me plot e përplot veprimtari vetëmohuese për liri, pavarësi, arsim dhe progres të gjithanshëm shoqëror
Shqiptarët asnjëherë gjatë historisë nuk e patën për zakon që të nënshtrohen, poshtërohen, dhunohen, e punë tjera antinjerëzore me çka armiqtë e ndryshëm gjatë pushtimit të tyre mjaft u munduan, çakë edhe ti fshijnë tërësisht nga sipërfaqja e dheut, por si të tillë dhe me aq forca sa kishin ata gjithmonë luftuan me armë apo pa të për mbrojtjen e identitetit të vet. Aty nga gjysma e shek. XIX qëndresa e paepur e popullit tonë mori një karakter të ri. Idetë e rilindësve tanë shqiptar se pa gjuhë të shkruar dhe pa kulturë një komb nuk mund të çlirohej dhe as që mund të ecën përpara, filluan me të madhe të përhapen dhe të pranohen nga masat e gjera të popullit. Në këto kushte mjaft të vështira deshi Zoti që nga gjiri i popullit shqiptar dolën një varg atdhetarësh të flaktë që iu përveshën punës për përhapjen e arsimit shqip në popull dhe për krijimin e shkollave në gjuhën amtare. Prej tyre më së shumti u dalluan: Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Zef Jubani, De Rada, vëllezërit Naim e Sami Frashri, motrat Qiriazi, Hamdi Ohri, Hoxhë Said Najdeni, Murat Toptani etj. Dhe në këtë mënyrë duke iu kushtuar një vend të posaçëm gjuhës amtare, që ishte mjeti më i rëndësishëm për zhvillimin e vetëdijes dhe të kulturës kombëtare, ata në gjuhën shqipe shihnin armën më të fuqishme që e shquante dhe e kishte ruajtur kombin tonë. Humbja e gjuhës për ta ishte e barabartë me humbjen e kombit. Por nga ana e forcave reaksionare që nuk ishin të pakët, kjo iniciativë e rilindëseve të dalluar dhe guximtar nuk pritej mirë. Ata propagandonin se po qe se hapen shkollat në gjuhën shqipe dhe fillon mësimi me tekste të tilla, atëherë duhet ditur se ato shkolla kanë për qëllim që shqiptarët mysliman t’i bëjnë kaurë e të krishterë masonë. Ndërsa patrioti, atdhetari dhe intelektuali Said Najdeni i njohur si Hoxhë Vogli thoshte: “Nëse shqiptari e pranon alfabetin latin nuk bënë kurrfarë mëkati, sepse mund të mbetet përsëri besimtar i devotshëm.”
Mbas përpjekjeve, sakrificave dhe mundimeve të shumta u arit që për një kohë të shndrit drita e diturisë edhe në gjuhën shqipe, pasi që në këtë kohë e sidomos pas Reformave të Tanzimatit, Perandoria Osmane premtoi lejimin e hapjeve të shkollave për të gjithë të huajt, me çrrastë më së shumti pati shkolla greke, dhe bullgare. Ndërkaq që kjo sikur nuk vlente edhe aq për shqiptarët, të cilët arsimoheshin nëpër medrese dhe shkolla tjera të larta në gjuhën turke, dhe në shkollat greke në gjuhën greqishte. Sipas informatave që i kemi thuhet se në Berat, Durrës, dhe Korçë në vitin 1879 kishte 125 shkolla fillore greke dhe 1 shkollë të mesme, ndërsa në Janinë dhe në Jugun e Shqipërisë më 1882 kishte 643 shkolla greke për djem me 736 mësues, 22 për vajza me 40 mësues, dhe në katër vilajetet shqiptare (Manastir, Janinë, Kosovë, Shkodër), kishte 1187 shkolla turke, prej tyre 1125 ishin fillore, 57 gjysmë të mesme, 5 të mesme të plota, 1000 shkolla greke dhe 300 bullgare.
Ndonëse në fillim rilindësit si Konstantin Kristoforidhi në Elbasan dhe Hasan Tahsini në Berat, jepnin fshehurazi gjuhë shqipe në shkollat greke dhe turke. Po ashtu me anë të abetares së Naum Veqilharxhit, Jani Vretoja dhe Spiro Dino mësuan shkrimin shqip. Në anën tjetër edhe Koto Hoxhi një atdhetar i shquar për veprimtarin e tij kombëtare, në shkollën e Qestoratit të Gjirokastrës, u ngjallte fshehurazi nxënësve të tij dashurinë për atdheun, shkollën dhe gjuhën amtare-midis të cilëve ishin edhe patriotët e ardhshëm si Pandeli Sotiri për të cilin do të bëjmë fjalë poshtë më shumë dhe Petro Nini Luarasi.
Mësimi në gjuhën amtare shqipe edhe pse punohej fshehurazi mori një hov të madh. Kështu që në Elbasan, Dibër, Prizren, Pejë, Gjakovë etj., që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, u hapën kudo nëpër shtëpitë dhe dyqanet e qytetarëve shkolla të fshehta ku mësohej gjuha shqipe. (Lexo: një rast shumë identikë me atë të viteve 90-ta, të shek. XX në Kosovë, shënim i autorit). Sidomos nga të gjitha vendet veçohej Elbasani ku punonte patrioti rilindës K. Kristoforidhi, dhe në të cilën mjaft dyqane, shtëpi dhe magazina ishin kthyer në fole të fshehta ku mësohej shkrimi dhe leximi në gjuhën shqipe. Rreth viti 1890 magazina e mallrave prapa dyqanit të bojaxhiut Losh Papamihali ishte shndërruar në një mësonjëtore të fshehtë. Aty Kristoforidhi mblidhte një numër qytetarësh të besuar si Ali Çaushin, Alush Saraçin Emin Haxhiademin etj., të cilëve u mësonte shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe, kurse këta ua mësonin të tjerëve e kështu me radhë.
Pas Lidhjes së Prizrenit, mësimi i gjuhës shqipe, megjithëse në forma ende ilegale u përhap edhe në qendra të tjera të vendit, si në Dibër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Çamëri etj. Fjalët e fuqishme dhe shumë ndikuese të Sami Frashrit bënë jehonë mjaftë të madhe: “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja.” Një veprimtari të gjallë patriotike në fushën e arsimit kombëtar në krahinat e Dibrës Gostivarit, Starovës, Elbasanit, Tiranës, Krujës, Matit etj., zhvillonte edhe Dervish Hima (Ibrahim Naxhi). Më vonë në vitin 1897 për shkak aktivitetit të tij të madh në fushën e arsimit kombëtar Hima u detyrua më në fund të largohej nga Shqipëria, duke vazhduar veprimtarin e tij jashtë atdheut në Rumani, Bullgari dhe vend tjera.
Naim Frashri i cili punonte në Ministrinë e Arsimit të Portës shtroi kërkesën tek personat kompetent-zyrtar të lartë duke kërkuar që edhe shqiptarëve tu lejohet të hapin shkollat shqipe. Leja u lëshua më 1887, por vetëm për fëmijët shqiptar ortodoks. Mirëpo krahas kësaj me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, aty mësonin edhe shqiptarët e besimit islam. Shkolla filloi punën me 7 mars 1887, në një objekt e cila ishte shtëpia apo prona e Diamand Tërpos. Drejtor i parë i saj u zgjodh aktivisti dhe punëtori i pa lodhur për arsimin në gjuhën shqipe Pandeli Sotiri, i cili njëherë ishte edhe mësuesi i par i kësaj shkolle. Kjo shkollë në fillim punën e nisi me 35 nxënës. Hapja e shkollës me mësim në gjuhën shqipe shënoi një ngjarje dhe fitore të madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Pra me një fjalë kjo shkollë pati fizionomi kombëtare. Shkolla kishte një klasë përgatitore dhe katër klasë të rregullta. Mësimi jepej falas. Aty mbaheshin lëndët: shkrim dhe këndim, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, mësimi natyror, etj. Ndërsa më vonë filluan të mësohen edhe gjuhë të huaja, si turqishtja, frëngjishtja, dhe greqishtja. Mësonjëtorja e Parë e gjuhës shqipe në Korçë funksionoj vetëm për 15 vjet.
Lindi në fshatin Seleckë të Gjirokastrës. Pas mbarimit të shkollës fillore në gjuhën greke ai vazhdoi shkollën normale greke në Qestorat. Gjuhën amtare e mësoi nga patrioti i dëgjuar Koto Hoxhi. Studimet e mjekësisë i vazhdoi në Vjenë. Ishte drejtor dhe mësues në shkollën e parë kombëtare “Mësonjëtorja e Parë e Korçës”, drejtor i revistave “Dituria” dhe anëtar i Kryesisë së “ Shoqërisë së Stanbollit”. Me ndihmën e tij u formuan edhe degët në Bukuresht dhe Egjipt. Vdiq në rrethana misterioze në Stamboll. Disa të dhëna na bëjnë me dije se bashkëshortja e tij e cila ishte greke, me ndihmën e disa pushtetarëve grek dhe të një prifti po ashtu grek e kishin helmuar.
SHEFKI VOCA
DY FOTOGRAFI TË RRALLA TË SHKOLLËS SË PARË SHQIPE – KORÇË 1899
KRISTO SULIDHI ishte ai që me guxim të pashoq për kohën, kur ndiqej e kërcënohej me jetë, me aparatin e tij të sapo blerë në krah, fiksoi në celuloid dy momente që historia jonë do t‘i mbajë mend shumë gjatë në analet e saj, dy momente për të cilat historiografia jonë duhet t‘i thotë "FALEMINDERIT" mjeshtrit SULIDHI
Në vitin1899, mes shumë fotokronikash, ai kreu dy fotografi me vlerë të rrallë kombëtare:
- MËSONJËTOREN E PARË SHQIPE TË DJEMVE me drejtor Nuçi Naçin, nxënësit si dhe mësuesit Thanas Nona e Kristo Vodica.
Përveç kësaj, po këtë vit, ai fotografoi edhe SHKOLLËN E PARË SHQIPE TË VASHAVE, ku dallohen mësuesja Poliksena Luarasi dhe mësuesi patriot Thanas Sina.
Vlen të përmendim këtu se fotografia e MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE TË DJEMVE është e vetmja që kemi të trashëguar deri më sot për këtë shkollë. Nëse shihet me vëmendje kjo fotografi, në krye të saj duket figura e Sulltan Abdyl Hamitit dhe fjalët e shkruara në shqip "Mësonjëtore Shqipe ndë Korçë 1899".
Ndërsa në të djathtë të kësaj tabele shohim të pikturuar një djalë me rroba të kohës, i cili përfaqëson në mënyrë figurative nxënësit e kësaj shkolle. Pikërisht kjo pikturë ka për autor Kristo Sulidhin. Është interesant fakti që ky detaj është fiksuar në këtë fotografi dhe falë saj, ne sot shohim një punim në pikturë të Kristos. Nga të parët që kanë dhënë lajmin se kjo foto (pra pamja e MËSONJËTORES SË DJEMVE) është me autor Sulidhin, është patrioti dhe studiuesi ILO MITKË QAFËZEZI, i cili, në veprën e tij "Dhaskal Gjoka", të botuar më 1936,shkruan se "vetëm fotografinë e këtij viti shkollor të Mësonjëtores muntmë të zbulojmë, tek plaku fotograf e nacionalist i vjetër z. Kristo Sulidhi i Korçës..." ("Dhaskal Gjoka" - Ilo Mitkë Qafëzezi. Korçë,1936, faqe 155).
Origjinali i kësaj fotografie ka një përbërje të veçantë, sepse në shtresat e saj, materiali që përbën këtë letër fotografike, është i pajisur me një lloj plastike të veçantë, material ky që e ka sjellë foton deri në ditët tona pak të dëmtuar.
Veprimtarinë e tij patriotike, Kristo Sulidhi e vazhdoi edhe me më shumë vrull. Për arsye se ai punonte pa pushim në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar, u çkishërua nga kisha greke. Si i tillë, ai s‘mund të shkelte në kishë. Kur i vdiq i biri, kisha nuk e lejoi ta varrosë atë në oborrin e kishës e as në varrezat e qytetit, si dhe nuk lejoi të zhvillojë ceremoninë mortore për nder të të ndjerit. Por këto nuk e mposhtën karakterin e "plakut nacionalist". Ai vazhdonte të shpërndante libra në gjuhën shqipe, botime për shkollat, si dhe tekste të tjera që botoheshin në kolonitë e ndryshme të shqiptarëve nëpër botë. Nga dokumentet që disponojmë, mësojmë se "Kristo P. Shuli është persekutuar, është burgosur dhe i është sekuestruar pasuri para vitit 1912, sepse ka punuar me veprimtari patriotike".
Veterani i shquar, mbrojtësi i çështjes kombëtare, ai që bashkëpunoi me mjaft atdhetarë brenda e jashtë atdheut,"plaku nacionalist" Kristo Sulidhi vdiq në maj të vitit 1938. Në qytetin e Korçës iu organizua dhe iu zhvillua një ceremoni madhështore varrimi. Në arkivolin e tij, të punuar me shqiponjë, u shpalos flamuri kombëtar, në shenjë respekti ndaj veprës së tij të pavdekshme. U dekorua me rastin e 80-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me urdhrin "Për veprimtari patriotike të klasit III".
Rrugëtim i vështirë i shkollës shqipe
Gjysmën e dytë të shek. XIX, pozita e shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane, kishte mbetur e pandryshuar. Shteti osman, vazhdonte t’u mohonte shqiptarëve të drejtat më elementare kombëtare.
Ndërsa qeveria e Stambollit njohu disa kombe në Ballkan, si bullgarët, serbët, grekët, të cilët kishin pasur vazhdimisht mbështetjen e Fuqive të Mëdha, e sidomos të Rusisë, shqiptarëve jo vetëm që u mungoi mbështetja e ndonjërës Fuqi të Madhe, por të drejtat e tyre kombëtare u nëpërkëmbën edhe nga vetë Perandoria Osmane.
Porta e Lartë, vazhdonte t’i identifikonte shqiptarët sipas përkatësisë së tyre fetare. Kështu, shqiptarët e fesë myslimane, i quante osman. Shqiptarët ortodoksë konsideroheshin grekë, kurse shqiptarët katolikë quheshin “katolik-milet”.
Përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), për të siguruar të drejtën e arsimimit në gjuhën shqipe dhe autonominë e Shqipërisë, përfunduan pa sukses. Perandoria Osmane përdori të gjitha mjetet për ta shkatërruar Lidhjen Shqiptare, derisa në prill 1881 arriti ta shuante atë.
Çdo kërkesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për avancimin e të drejtave kombëtare, luftohej me ashpërsinë më të madhe nga ana e autoriteteve osmane.
Ndërsa shqiptarëve u mohoheshin të gjitha të drejtat kombëtare, përfshirë edhe të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare, në territoret e tyre hapeshin shkolla në gjuhë të huaj. Krahas Fuqive të Mëdha, qeveria osmane u njohu edhe shteteve ballkanike të drejtën e hapjes së shkollave në Shqipëri. Kështu, në kuadër të Kultusprotektoratit, Austro-Hungaria kishte hapur një varg shkollash “katolike”, në territoret e banuara nga popullsia shqiptare e besimit katolik.
Gjithashtu, shtetet ballkanike, të cilat kishin pretendime territoriale mbi territoret shqiptare, me lejen e Portës së Lartë hapën shkollat e tyre në Shqipëri. Serbia, Greqia dhe Bullgaria nëpërmjet shkollës dhe kishës së tyre zhvillonin propagandë të ethshme për të asimiluar popullsinë shqiptare. Priftërinjtë grekë arrinin deri aty sa deklaronin se: “Lutjet në gjuhën shqipe ishin të papranueshme te Zoti, pasi Zoti nuk e kuptonte atë gjuhë”, sipas tyre ishte e domosdoshme që “lutjet të bëheshin në greqisht, pasi ajo ishte gjuhë e Zotit”.
Përhapjen e shkollave në gjuhë të huaj, në Shqipëri, atdhetarët tanë e konsideronin si shumë të dëmshme për interesat kombëtare. Konstantin Kristoforidhi, në atë periudhë shkruante: “Shqipëria nuk mësohet dot, as nuk ndritet sot, as nuk qytetërohet dot me gjuhë të huaj, përveç me gjuhën e mëmës”.
Shtypja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i bindi atdhetarët tanë, se pa zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, shqiptarët e kishin të vështirë të çliroheshin nga sundimi osman. Njëri ndër rilindësit tanë më të shquar Sami Frashëri, kishte shkruar se “Arsimi i zgjon njeriut kujtesën, ia ndriçon mendjen, ia shton zgjuarsinë”. Prandaj, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare i dhanë rëndësi të veçantë zbatimit të programit të tyre kulturor, i cili ishte pjesë përbërëse e programit kombëtar të Rilindjes.
Përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat osmane dhe të huaja në Shqipëri, nuk dhanë rezultat. Prandaj, ata vendosën të shtonin kërkesat e tyre drejtuar Portës së Lartë për hapjen e shkollave shqipe. Atdhetarët e Korçës dhe të Bukureshtit morën përsipër të siguronin pajisjet, librat dhe lokalin për shkollën, kurse vëllezërit Sami dhe Naim Frashëri i paraqitën kërkesa të reja qeverisë osmane për lejimin e hapjes së shkollës në gjuhën shqipe.
Pas një përpjekje këmbëngulëse dyvjeçare vëllezërit Frashëri arritën të merrnin nga qeveria osmane leje në emër të Pandeli Sotirit për hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe, në Korçë.
Më 7 Mars 1887, u hap shkolla e parë shqipe e Korçës, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari i mërguar korçar Mandi Tërpo. Si mësues në këtë shkollë punuan: Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj.
Mësonjëtorja e Korçës ishte shkollë fillore, me karakter laik, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Në ditën e parë në atë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Në vitin e dytë të funksionimit të shkollës numri i nxënësve arriti në 200.
Si libra shkollorë përdoreshin tekstet e përgatitura nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., të cilat ishin shtypur në Bukuresht dhe iu dhuruan shkollës nga kolonia shqiptare e Bukureshtit.
Hapja e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave atdhetare të të mërguarëve shqiptarë dhe të atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e Korçës nuk varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua dhe u mbrojt nga populli dhe shoqëritë shqiptare të mërgimit.
Mësonjëtorja e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit dhe këndimit të gjuhës shqipe. Ajo ishte qendër e përhapjes së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte në bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.
Dr. Fahri Ramadani
Pak histori per shkollen shqipe
Niveli i zhvillimit arsimor të një vendi është tregues i qartë i zhvillimit shoqëror të tij. Arsimimi në gjuhën shqipe i pati fillesat në kohën e lindjes së gjuhëve popullore në Evropë. Por në kushtet e pushtimit turk, ky proces eci ngadalë dhe përmes vështirësish të shumta. Ishin klerikët shqiptarë që përdorën të parët gjuhën shqipe (ngase në civilizimet e atëhershme vetëm kjo shtresë ishte e arsimuar), dhe që ngritën shkollat e para shqipe në trojet tona, por që në kushtet e veçanta të viseve shqiptare u detyruan për tre shekuj rresht të ishin edhe mësuesit e vetëm të shqipes në vend. Në fillim u hapen shkollat shqipe pranë kuvendeve françeskane: si shkolla e Kurbinit, Pdhanës, shkolla e mesme e Blinishtit dhe Shkolla e Velës. Pastaj u hapën edhe shkolla të tjera, ndonëse numri i tyre mbeti i kufizuar. (Nikoll Loka).
Shkolla e parë shqipe daton 405 vjet më parë të jetë hapur në Shkodër, ndërsa Shkolla e lartë të paktën 140 vjet më parë po ashtu në Shkodër. Dihet nga historia e arsimit shqip se në Shkodër ka pasur edhe observatorin e parë astronomik në Ballkan. (Mefemet Elezi; “Shkolla e parë shqipe”). (Është vërtetë çudi me ne shqiptarët që kur bëjmë gjurmime dhe zbulojmë diçka nga historia, kultura dhe e kaluara jonë të parën nuk e zëvendësojmë dhe të themi se shkolla e parë shqipe daton jo në shekullin e XIX por gjashtë shekuj më parë. Popujt mezi presin që të vjedhin diçka e të bëjnë histori).
Edhe pse është zyrtarizuar se shkolla e parë shqipe daton në vitin 1887 në Korçë me kërkimet e reja është zbuluar se shkolla shqipe ka pasur edhe shumë shekuj më parë por këto shkolla kanë qenë të hapur në oborret e kishave. Si arritje të historisë së pedagogjisë sonë mund të theksohen tezat se; “manastiret baziliane bizantine dhe benediktine katolike kanë qenë edhe në vendin tonë qendra të dijes dhe të kulturës, se në trevat shqiptare janë krijuar shkolla pranë manastireve, katedraleve dhe famullive, të cilat kanë arsimuar një masë njerëzish për nevoja fetare, por edhe nevoja të tjera, se veprimtaria e urdhrave domenikanë dhe françeskanë ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi u bënë nismëtarë të zhvillimit të arsimit elementar, të mesëm dhe të lartë, si dhe të shkrimit dhe arsimit shqip”. (Nikoll Loka).
At Donat Kurti në një studim te Hylli i Dritës më 1935 fletë për hapjen e një shkolle në vitin 1638. Edhe studiuesi amerikan Edvin Zhak në librin e tij “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” shkruan se në vitin 1632 kemi shkollën e parë shqipe, ku shkruan: “Shkolla e parë shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, duke numëruar edhe shkollat tjera që hapen më pas. Sipas autorit Edvin Zhak një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632, ku përveç shkrim leximit aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit. E. Zhak pohon se edhe të tjera shkolla u hapën në Pllanë një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshanё, më 1639, dhe në qytetin e Shkodrës më 1698. Po nga ky autor na sjell të dhëna edhe për mësuesit që kanë shërbyer në këto shkolla si Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani dhe Dhimitër Dhërmiu. Më 1878 autori përmend se në qytetet veriore shqiptare deri në Durrës “ishin hapur 21 shkolla fillore shqipe që zhvillonin veprimtarin e tyre”. Secila nga këto shkolla kishte me rreth 30 nxënës përveç asaj të Prizrenit që numëronte 80. Shkollat në fillim ishin fetare, katolike dhe kjo për kohën ishte e kuptueshme por në këto shkolla mësohej në gjuhën shqipe dhe në këtë mënyrë ruheshin shqiptarët nga asimilimi duke përhapur idetë përparimtare të qytetërimit. Këtë e pohon edhe një klerik françeskan me emrin Leonardo i cili lidhur me thelbin e katër shkollave pohon: “Ne jemi më shumë misionar të qytetërimit se sa të fesë”, kjo thënie e tij është tepër me rëndësi për historinë e arsimit dhe shkollës shqipe. (Teuta Lalla)
Kuvendi i Arbrit i kushtohet shkollës
“Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbrit, i mbajtur më 14-15 janar të vitit 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në kishën e Shën kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ky Kuvend u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptari fshihej edhe synimi i madh me e mbajt gjallë shqiptarizmin, në kushtet e pushtimit osman” (Teuta Lalla; Armiqt e gjuhës shqipe dhe fitorja e saj”). Dokumentet e këtij Kuvendi u botuan njëherësh latinisht dhe shqip me çka dëshmohet se njerëzit që shkruanin shqip nuk ishin të pakët. Hasim në shumë dokumentet se shkolla shqipe ka pasur të hapura edhe përpara shkollës që është e pranuar zyrtarisht si shkollë e parë shqipe ajo e Korçës e vitit 1878. (Këtë e pohon edhe Mehmet Elezi në një punim “Shkolla e parë shqipe”).
Gjuha shqipe kishte shumë armiq
Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë rregullisht e ashpër dhe shpesh herë edhe frontale. Të gjithë okupatorët që kanë shkelur në tokën Arbërore e kanë mohuar dhe luftuar gjuhën dhe shkollën shqipe duke ndryshuar edhe emrat e fshatrave, maleve e lumenjve dhe duke i quajtur shqiptarët si të pafe, të pa udhë e gjuhën e tyre gjuhë barbare. Në luftë për qëllime ekspansioniste për të përfituar sa më shumë nga tokat e shqiptarëve në këtë pikë të mohimit dhe asgjësimit të gjuhës shqipe puqeshin si osmanët, grekët dhe serbët. Grekët nëpërmjet kishës përhapnin kulturën dhe gjuhën e tyre dhe në të njëjtën kohë anatemonin të gjithë ato që guxonin të përdorin tjetër gjuhë veç asaj greke. Serbët të njëjtën punë e bënin në veri të tokave shqiptare duke luftuar që gjuha shqipe të mos përdoret në asnjë nga kishat të cilat ato i kishin përvetësuar si të vetat. Popullsia tjetër që ishte e besimit mysliman gjuhën shqipe e kishte të ndaluar dhe atë nuk e përdorte as nëpër medrese dhe as nuk e predikonte kleri mysliman nëpër xhami. Autoritete turke gjatë sundimit të tyre vetëm shqiptarëve nuk ua kishin njohur të drejtën e shkollimit në gjuhën e tyre amtare duke i llogaritur si elementin më të afërt për nga feja dhe se në këtë mënyrë ata mendonin se i kishin shkombëtarizuar. “Nëpërmjet fesë fillonte edhe përçarja e shqiptarëve të cilën përçarje e kishin llogaritur dhe programuar autoritetet osmane në bashkëpunim kishën greke dhe serbe”. (Teuta Lalla; po aty)
Abdul Hamiti sulltani i Perandorisë Osmane më 31.05.1779 kishte lëshuar një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare ku merrej në mbrojtje kultura dhe gjuha greke. Për shekuj me radhë gjuha shqipe nga osmanët qëllimisht dhe sistematikisht ishte luftuar me qëllim që popullata që e fliste këtë gjuhë të përçahet në grupe rivalësh të armiqësuar në anën fetare. Turqia kishte ndaluar çfarë do lloj botimi shqip jo vetëm të librave shkencor e shkollor por edhe të poemave të panumërta të krijuara nga populli, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta që ishin përcjellur brez pas brezi. Shqiptarët e të tre besimeve e kishin të ndaluar nga qeveria osmane që të mësonin në gjuhën shqipe. Fëmijët mysliman shkolloheshin në gjuhën turke në shkollat që ishin hapur pran xhamive por edhe këto shkolla ishin përhapur shumë pak, fëmijët e shqiptarëve ortodoks në Shqipëri mësonin në gjuhën greke ndërsa në viset veriore në gjuhën serbe, por kishte edhe në disa vende ku mësohej gjuha italiane dhe gjermane por ajo shqipe ishte rreptësisht e ndaluar. Ishte kjo metoda më e mirë e shkombëtarizimit të rinisë shqiptare e cila gjuhën shqipe e përdorte vetëm për nevojat brenda familjes dhe në jetën e përditshme duke përjashtuar përdorimin e gjuhës në jetën publike dhe politike.
Qeveria Osmane e luftoj vetëm shkollën dhe gjuhën shqipe
Përhapja e shkollës shqipe, botimi i librave dhe fillimi i kërkimit të alfabetit me të cilin do të shkruhet gjuha shqipe i vuri në lëvizje të gjithë armiqtë dhe i bashkojë në luftë kudër sajë. Qeveria Osmane, kisha ortodokse greke dhe serbe e luftonin barabar gjuhën dhe shkollën shqipe. Patriarku greke lëshoi një mallkim mbi letërsinë shqipe dhe i kërconi me shkishërim të gjithë besimtarët që guxonin të mësonin dhe të lexonin në gjuhën shqipe. Sulltani urdhëroi të gjitha postat doganore që të mos lejojnë asnjë libër i shkruar në gjuhën shqipe të depërtojë në Shqipëri. Në lëvizje ishte vënë edhe kisha ortodokse serbe e cila iu ndihmonte qeverisë Osmane në zbulimin e “armiqve” që merreshin me përhapjen e gjuhës shqipe. Dhunë e madhe përdorej nga Qeveritarët Osman ndërsa propaganda e hapur ishte e dirigjuar nga kisha greke dhe serbe por edhe lufta e fshehtë ndaj intelektualëve shqiptar vinte po nga këto dy subjekte fetare që kishin dorën e lirë nga ana e qeverisë osmane. Priftërinjtë grek dhe serb gjuhën shqipe e kishin shpallur si gjuhë “Shejtani” dhe përpiqeshin që ta ndalonin përhapjen e sajë si në shkolla, xhami dhe kisha. Atdhetarët shqiptar duke parë të gjithë këto armiq të gjuhës filluan më me ngul që të punojnë në kërkim të një alfabeti me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe si dhe hartimin e programeve dhe botimin e librave në gjuhën shqipe. Vala kundër shqiptare ishte shtuar nga fqinjët pas përpilimit të programit të Lidhjes së Prizrenit e cila Lidhje kishte qëllimin e çeljes së shkollave shqipe në të 4 Vilajetet shqiptare që përbënin tërësinë e Shqipërisë. Pas Lidhjes shqiptarët e patën shumë vështirë që të hapnin shkolla ngase dhuna dhe terrori kundër fjalës së shkruar shqipe kishte marr hovin e ndjekjes së tmerrshme dhe kujtdo që t’i gjendej diçka e shkruar e pësonte shumë. Në këtë kohë filluan që kundër intelektualëve shqiptarë të përdoren metodat më të egra si dhe dënimet me varje. Edhe për një kohë shqiptarët do të drejtohen që të mësojnë në shkollat e kishave shqiptare të cilat në këtë kohë u bënë çerdhe të diturisë. Edhe Faik Konica do të marr diturit e para në shkollën e jezuitëve në Shkodër. Në veri dhe në jug të Shqipërisë përhapja e arsimit shqip si dhe çelja e shkollës shqipe pengohej edhe nga propaganda greke dhe serbe të cilët i vinin në ndihmë qeverisë turke e cila e mbështetur në asnjë ligj, morri masa të rrepta duke persekutuar arsimtarët shqiptar. Qeveria greke dhe ajo serbe me anë të Patriarkanës së Stambollit dhe të Fanaroitëve kishin siguruar të drejtën që në veri dhe jug të Shqipërisë të hapin shkollat për të krishterët në gjuhën greke dhe serbe. Kështu që Qeveria greke në trollinë e Shqipërisë çeli me qindra shkolla në gjuhën greke për të futur edhe te brezat e rinj shqiptar ndjenjën greke të njëjtën metodë e bënte në veri edhe qeveria serbe. Shqiptarët e krishterë që nuk i përuleshin gjuhës greke dhe serbe mallkoheshin dhe shpalleshin armiq të kishës.
Shumë dokumente flasin për shkrimin e gjuhës shqipe
Është e vërtetë se gjuha shqipe nuk u shkrua mbi pergrame, por mbi gur të pavdekshëm, këtë na e vërteton edhe Prof. Dhimitër Shuteriqi për gjetjen e një fjale të vetme të gdhendur në një mozaik të Liknidit, sot Ohri i lashtë, që ka qenë kryeqytet i fisit të Desharetëve. Është fjala GJON dhe është shkruar dhe shqiptuar njësoj vetëm nga shqiptarët, si në lashtësi dhe në kohën e sotme. Profesor Shuteriqi me këtë rast ka vënë në dukje se “fjala e lasht GJON e zbuluar në Ohër është shkruar me të gjitha normat e njohura drejtshkrimore shqipe”. (T. Lalla; po aty)
Në vitin 879 pas e.s. ndeshet emri i qytetit të Krujës në kështjellën franceze të Shantilisë. Studiuesit kanë gjetur një dorëshkrimi, i cili në faqen 153 përmban një tekst prej tetë rreshtash me shkrim dore dhe që është një poemë e vogël në gjuhën shqipe. Dëshmia më e hershme për ekzistencën e letërsisë shqipe është një thënie e shkruar nga prifti dominikan francez Broharti, arqipeshkivi i Tivarit më 1332 i cili thoshte “NDONËSE ARMËRIT KANË NJË GJUHË KREJTËSISHT TË NDRYSHME NGA LATINISHTJA, PRAPASEPRAP ATA PËRDORIN SHKRONJA LATINE NË TË GJITHA LIBRAT”. (T. Lalla; poa aty)
Kjo tregon se gjuha shqipe përdorej gjerësisht dhe shkruhej me shkronja latine në fillim të shekullit XIV. Shumica e dokumenteve të shkruara në gjuhën shqipe kanë humbur, por disa sish kanë arrit që të mbijetojnë edhe atë jashtë Shqipërisë nëpër bibliotekat, arkivat dhe muzetë e perëndimit. Studiuesi rumun Nikolla Jorgan ë vitin 1915 zbuloi në Bibliotekën Laurentine të Firencës një letër qarkore, të shkruar më 1462 nga Pal Engjëlli (1416-1470), Arqipeshkivi katolik i Durrësit. Teksti origjinal thotë: “UNË TË PAGËZOJ NË EMNIN E ATIT E T’BIRIT TË SHPIRTIT TË SHENJTË”. Libri më i vjetër është vepra e Gjon Buzukut, titulluar “MESHARI”. Meshari u shtyp në vitin 1555, kopja e vetme ekzistuese u zbulua në vitin 1740 nga arqipeshkivi shqiptar i Shkupit Gjon Kazazi. Ky libër më vonë shkoi në Bibliotekën e Vatikanit, ku u rizbulua më 1909 nga arbëreshi Pal Skiroi. Librit nga gjithsej 220 faqe i mungojnë 32. Kemi edhe dokumente të tjerë kryesisht nga njerëz të fes si Frank Bardhi (1606-1643) që shërbeu si ipeshkvi i Sapës. Bardhi hartoi fjalorin e parë shqip-latinisht me 2544 fjalë shqipe dhe 5000 fjalë latine. Ky fjalor është botuar në Romë më 1625. Një dijetar tjetër që u lind në Prizren (1625-1689) është Pjetër Bogdani i cili në fillim shërbeu si ipeshkiv i Shkodrës dhe pastaj arqipeshkiv i Shkupit. Ai shkroi veprën “E VËRTETA E PAGABUESHME E BESIMIT KATOLIK” e cila u botua disa herë në Padovë dhe Venedik. Dëshira e tij ishte “AH, SIKUR TË KISHA NJË KANDIL TË NDEZUR E TË NDRIÇOJA ATË TOKË TË VARFËR TË SHQIPNISË DHE TË SERBISË, NJË PJESË E MADHE E SË CILËS FLETË SHQIP”.
Shkollat e para dhe sakrifikimi në mbrojtje të gjuhës
Shkolla e parë shqipe që njihet deri më tani është hapur në Veljet të Mirditës më 1632. Më pas janë hapur edhe shkolla të tjera në Pllanë, një fshat afër lumit Mat më 1638, në Troshanë më 1639 dhe në qytetin e Shkodrës më 1698. Mësuesit e parë që shërbyen në këto shkolla ishin Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani dhe Dhimitër Dhërmiu. Arsimi i shqiptarëve katolik morri hov në Shkodër më 1855, kur u hap shkolla “Franceskane” që më vonë u quajt ILYRIKUM. Këto shkolla mbaheshin me fonde austriake. Më vonë ua hap edhe “Qendra Kulturore në Moskopojë (Voskopojë)” në vitin 1744, e cila pati një ndikim të fuqishëm në kulturën shqiptare. Në Moskopojë më 1744 u themelua AKADEMIA E RE e cila pati një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e gjuhës dhe ndërgjegjes kombëtare.
Atdhetarët e shquar në shënjestër të armiqve të gjuhës
Pas një lufte të madhe për jetesën dhe zhvillimin e gjuhës shqipe dolën atdhetarë të shquar shumica e të cilëve u vranë nga armiqtë e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Tedhor Kavalioti (1718-1797) nga Voskopoja në vitin 1771 botoi “Fjalori i gjuhës sllave-greke-shqipe” si dhe një studim shkencor të veçantë të shqipes. Tedhori ishte drejtor i AKADEMISË SË RE. Por ky punëtor i palodhshëm u vra nga të dërguarit e Fanarit (të krishterë ortodoks të Satmbollit), rrugës për të sjell shkronjat latine shqipe të bëra prej plumbi, për shtypshkronjën ku do të shtypeshin librat në gjuhën shqipe.
Naum Veqilharxhi (1767-1846) botoi në Bukuresht të Rumanisë më 1844 një abetare të quajtur EVETARI një libër me 8 faqe, që në vitin 1645 u botua më i zgjeruar. Abetarja e Veqilharxhit u bë dritë e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Kjo abetare ngjalli frikë te kleri grek, dhe me urdhër të Patriarkut klerik të Satmbollit u helmua Naum Veqilharxhi.
Konstadin Kristoforidhi (1827-1895) i lindur në Skampa të Elbasanit u bë një nga gjuhëtarët më të shquar të Shqipërisë, duke fituar titullin PISHTAR I GJUHËS SHQIPE. Studimet e para i morri në Janinë dhe më vonë në Kolegjin Protestant në Maltë. Kristoforidhi një kohë i ka dhënë mësim në shqip, Kristoforidhi do të jap mësim në Maltë, Tunizi, Tiranë dhe në Skampa të Elbasanit. Në Stamboll më 1882, botoi një abetare në shqip, të quajtur “ALVAVITAR SHQIP” në gegërisht dhe toskërisht. Puna e ti 20 vjeçare shqiptarëve dhe gjuhës shqipe u dhurojë një Fjalor me 40.000 fjalë të mbledhura dhe të klasifikuara. Fjalori u botua në vitin 1904 në Athinë pas vdekjes së Konstadin Kristoforidhit. Për të lëvruar gjuhën shqipe filloi që të rritet interesi edhe i intelektualëve tjerë shqiptar dhe brenda pak vitesh u botuan disa gramatika të mira shqipe. Jermonim De Rada botoi në Firence gramatikën e gjuhës shqipe ndërsa nga Konstadin Kristoforidhi u botua edhe Gramatika e Gjuhës Shqipe në Greqisht. Gramatika e tretë u botua në Bukuresht nga Sami Frashri në vitin 1886, kurse në vitin 1887 Pashko Vas Shkodrani botoi një gramatikë në Londër në gjuhën frënge.
Në botimin e librave përdoreshin shumë alfabete
Shkollat ortodokes greke që vepronin në zonat ku popullata ishte shqiptare për të shkruar gjuhën shqipe përdornin alfabetin greke, ndërsa shkollat shqipe te popullata myslimane përdornin shkronjat arabe. Atdhetarët shqiptarë dhe ato që ishin marr përpara me shkrimin e gjuhës shqipe dëshironin dhe preferonin që gjuha shqipe të shkruhet me shkronjat e alfabetit latin. Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe janë hartuar shumë alfabete nga individ, grupe e shoqata shqiptarësh. Duke i pasur të gjithë në shqyrtim dhe duke marr si përvojë të kaluarën, shoqëria “Bashkimi” në Manastir thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar për gjuhën shqipe. Më 14 Nëntor 1908 në manastir u mblodh “KONGRESI I ALFABETIT”, ku merrnin pjesë 150 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqatat dhe bashkësitë shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Bullgari, Egjypt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri i cili ishte redaktor i dy gazetave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë, nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në Kongres kishte përfaqësues të të gjitha feve si mysliman, ortodoks, katolik, protestan, njerëz të ditur të cilët vepruan të bashkuar si vëllezër për një qëllim. Kërkesa e nacionalistëve shqiptarë ngadhënjeu që gjuha jonë shqipe të shkruhet me alfabetin latin me 36 shkronja që përdoren deri më tani. Para Kongresit të Manastirit gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke dhe sllave. Ishte vendosmëria e delegatëve që të kthenin syrin dhe kulturën e popullit shqiptarë drejtë kulturës dhe civilizimit evropian gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria osmane dhe aleatët e sajë; kisha greke dhe serbe. Në Manastir u hap edhe shtypshkronja ku punonin 17 vetë dhe ku botoheshin librat dhe gazetat shqiptare që shpërndaheshin në gjithë Shqipërinë. Prej kësaj shtypshkronje e cila financohej nga mërgimtarët shqiptar furnizoheshin të gjitha shkollat shqipe. Këtu botohej edhe gazeta e përjavshme “Bashkimi i Kombit” si dhe abetaret dhe tekstet tjera shkollore.
Shkas i shpërthimit të dhunës shkolla shqipe
Shkas i shpërthimit të dhunës gjatë historisë së Ballkanit shpesh është bërë gjuha dhe shkolla shqipe. Menjëherë pas formimit të alfabetit dhe të çeljes së shkollave shqipe armiqtë e gjuhës i koordinuan veprimet e tyre për ta godit gjuhën dhe shkollën shqipe pa mëshirë. Viktimë e parë do të bëhet Babë Dudë Karabunari (1842-1917) i lindur në Berat, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë me Konstadin Kristofroridhin. Baba Dudë Karabunari gjatë kremtimit të meshës ungjillin e lexonte në gjuhën shqipe, kështu që kleri ortodoks grek organizoi dhe më 1895 i dogji shtëpinë.
Papa Kristo Negovani, një prift ortodoks u masakrua më 12 shkurt 1909 me sëpatë e thika nga të dërguarit e vet peshkopit ortodoksë grek. Papa Kristo Negovanit po të njëjtën natë i vranë edhe të vëllanë Thedhos Negovanin. Vrasja erdhi pas disa kërcimeve pasi që Papa Kristo Negovani ishte përhapës i gjuhës shqipe. Poeti i kohës Loni Logri shkroi një vajtim për të:
Papa Kriston e viran.
Dhe s’ra për të një këmbanë,
Por malet e Shqipnisë
Dhe shpellat e malësisë
Thërrisninë an e mbanë
Papa Kriston e vranë!
Viktima e radhës do të jetë prifti ortodoks Stathi Melani i cili vraponte me librat shqip në gji dhe me pushkën në krah për të përhap gjuhën dhe shkollën në Shqipërinë e jugut. Veprimtaria e ti ra në sy të autoriteteve osmane dhe Fanariotëve të Stambollit të cilët tri herë ia dogjën shtëpinë dhe librat shqip. Por At Stath Mellani nuk e ndërpreu veprimtarinë e ti prej atdhetari dhe më 24 dhjetor 1917 banda greke i pret kokën dhe e çojnë në Athinë tek paguesit e vrasjes.
Më 20 shtator 1892 peshkopi i Kosturit, Fillaterri nxori një lajmërim me titull “Mallkimi i shkronjave shqipe”. Qëndrimi i kishës ortodokse greke ishte aq armiqësor ndaj shkronjave dhe gjuhës shqipe sa që çdo kush që provonte ta përhap apo shkruaj gjuhën shqipe përfundonte me vdekje. Më 1909 një vit pas “Kongresit të Manastirit”, Qeveria osmane në bashkëpunim me kishën greke dhe serbe, mbylli të gjitha shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë që të digjen në zjarr të gjitha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe.
Rryma të ndryshme shqiptarësh këndellen
Veprimet e përbashkëta të autoriteteve osmane, greke dhe sllave që marrin kundër gjuhës dhe shkollës shqipe sikur i këndellin intelektualët shqiptarë dhe atdhetarët që kishin mendime të kundërta dhe gjykonin ndryshe për armiqtë që kishin po të njëjtin qëndrim. Gjendja politike sa vinte e rëndohej ndërsa rinia shqiptare që kishte qenë objekt i propagandës së huaj dalëngadalë po kuptonte se kishte rënë preh e qëllimeve që kundërshtonin gjuhën, dinjitetin dhe kulturën autoktone. Tani më u kuptua se shqiptarët pa formimin e shkollës së vërtete nuk do të mund të vetëdijesohen dhe të ndërgjegjësohen pa krijimin e sistemit të pavarur shkollor i cili sistem do të veprojë me programe kombëtare që do t’iu përgjigjen nevojave të vendit të robëruar.
Kongresi i Elbasanit nevojë ë kohës
Duke parë se në çfarë problemesh rrethanash kushtesh dhe nevojash përballet shkolla shqipe Klubi i Selanikut thirri një Kongres në Elbasan i cili u mbajt më 20 deri më 27 1909. Qëllimi i Kongresit ishte zhvillimi i lëvizjes arsimore anembanë tokave shqiptare. Në këtë Kongres u vendos që të themelohet Shkolla Normale e Elbasanit një shkollë 6 vjeçare qëllimi i së cilës ishte përgatitja e kuadrit arsimor. Në këtë shkollë u ftuan që mësim të japin njerëz të mësuar në Universitetet e huaja Evropiane. Në këtë Kongres u caktua që Klubi i Manastirit të jetë një qendër për krijimin e një “Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe mërgim”. Duke parë se çdo veprim në drejtim të përhapjes së gjuhës dhe kulturës prek edhe interesat politike në Ballkan dhe më gjerë Kongresi vendosi që publikisht të deklarojë se nuk përzihemi në politikë. Në këtë Kongres iu dhe një detyrë mjaft e vështirë Klubit korçar “Përparimi” që të merret me financat dhe administrimin e tyre. Kongresi i Elbasanit nxiti që në të gjitha shkollat që ishin hapur deri më atëherë dhe ku nuk mësohej në gjuhën shqipe menjëherë të zbatohet vendimi i këtij Kongresi dhe gjuha shqipe të jetë gjuha që do të përdoret në çdo shkollë. Më 18 nëntor 1909 për opinion u lëshua thirrja “Për mbajtjen e SHKOLLËS NORMALE TË ELBASANIT duhet para, para e më shumë para”. Drejtor i para i shkollës u caktua Luigj Gurakuqi dhe vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me emrin e tij. Shkolla Normale u hap në dhjetor 1909 dhe fillimisht u regjistruan 143 nxënës. Një veprim i tillë kombëtar i tejkaloj pozitivisht të gjithë parashikimet duke shpërthyer shqiptarizmi në të gjitha anët e Shqipërisë dhe në diasporën shqiptare. Në atë kohë dolën në dritë 90 gazeta dhe revista që botoheshin në Shqipëri dhe jashtë sajë nga kolonitë shqiptare. Edhe pushteti i ri osman me xhonturqit dhe kryetarin Ferit Pashën u tregua i ashpër dhe iu frikua arsimimit të shqiptarëve dhe dha urdhër për të ndaluar shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes që me çdo kusht të luftojnë dhe të shporrin të gjithë ato që merren me shkrimin dhe kultivimin e shkollës dhe të gjuhës shqipe. Andaj menjëherë kaluan në aksion ku iu ndihmonin edhe kisha greke dhe ajo serbe. Në Vlorë u arrestuan dhe u internuan shumë atdhetar kurse drejtori i shkollës Loni Naçi u largua nga Shqipëria nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër Koto Hoxhi u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri themelues i shkollës shqipe në Korçë u internua në Selanik. Por autoritetet osmane nuk u ndalën vetëm me këto veprime por insistuan që të përçajnë shqiptarët e krishterë me ato mysliman duke hedhur në opinion një alfabet me shkronja arabe. Në këtë drejtim autoritetet osmane patën edhe përkrahjen e injorantëve dhe konservatorëve shqiptarë që nuk mundeshin të shkëputeshin nga sistemi vasal që kishte krijuar pushteti gjatë perandorisë osmane disa shekullore. Me ndihmën e autoriteteve osmane në Stamboll nga shqiptarë të paditur dhe bashkëpunëtor të pushtetit u formua shoqëria MAHFELI që për synim kishte përçarjen e shqiptarëve. Me një dekret qeveria osmane ndaloi që gjuha shqipe të shkruhet me alfabetin latin dhe për këtë ofroi alfabetin arab por edhe ky alfabet tani ofrohej jo për të shkruar por për të përçarë e sunduar më lehtë shqiptarët të cilët ishin zgjuar dhe kërkonin të drejtat e tyre. Po kjo shoqëri e formuar nga autoritetet osmane dhe me ndihmën e autoriteteve osmane shtypi dhe shpërndau abetaret e para me shkronja arabe. Shqiptarët që deri më atëherë kishin vepruar dhe kishin përhapur shkrim-leximin dhe shkollën shqipe në shkurt të vitit 1910 organizuan një miting proteste ku morrin pjesë më shumë se 7000 protestues. Protestat vazhduan edhe në qytetet tjera ku në Berat u mblodhën mbi 15000 vetë dhe dogjën abetaret e shkruara me germat arabe. Në Shkodër u organizua një miting i madhe ku merrnin pjesë rreth 60000 katolik e mysliman që kundërshtuan alfabetin arab. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet, Frashër, Konicë, Kolonjë, Tepelenë etje. Të gjitha këto lëvizje i detyruan atdhetarët shqiptarë që edhe njëherë të mblidhen në Manastir në mars të vitit 1910 dhe sërish u vendos që për të shkruar gjuhën shqipe të përdoret alfabeti latin që e kishin aprovuar dy vite më parë. Qeveria turke tani e ndodhur në mes të një zjarri e cila nuk kishte më forcë që të mbrojë tokat e aneksuara me shekuj dëmtonte imazhin e qeverisjes së vete dhe me këtë edhe shqiptarët dhe Shqipërinë duke vepruar në bazë të direktivave të kishave ortodokse të shteteve fqinjë të Shqipërisë që synimet e tyre grabitqare i kishin bërë të ditura. Në këto rrethana të palakmueshme për popullin shqiptar shpërthyen luftërat ballkanike ku një pjesë e tokave shqiptare fituan pavarësinë ndërsa shumë qendra, deri më atëherë që kishin pri në organizimin dhe kultivimin e kulturës dhe traditës do të bien nën pushtimin e fqinjëve. Qytetet historikisht të banuar me shqiptar Manastiri dhe Shkupi do të pushtohen nga serbët prej ku një pjesë e madhe e popullsisë myslimane do të shpërngulet ndërsa pjesa tjetër ajo ortodokse me kalimin e kohës do të asimilohen. Gjatë këtij pushtimi të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën ndërsa shumica e atdhetarëve shqiptar u therën nga thikat e ushtrisë serbe.
E dimë se arsimimi dhe shkollimi i shqiptarëve në gjuhën amtare është një çështje e rëndësishme kulturore, historike e pedagogjike e cila e për të cilën lypset punë vetëmohuese e hulumtuese e shkencore për të ndriçuarit e plotë të saj. Historia e çdo populli, pra edhe e shqiptarëve, është e gërshetuar edhe në zhvillimin e jetës kulturore-arsimore e cila jo vetëm që është produkt i kushteve të caktuara shoqërore-historike, por është edhe faktor me rëndësi, për njohjen dhe përparimin e visarit material e shpirtëror të një bashkësie të caktuar shoqërore të njerëzve. Çdo popull gjatë rrugës historike ka pasur heronj dhe tradhtar, ashtu kanë pas edhe shqiptarët,por përçarja që trumbetohet në çdo kohë ka edhe kuzhinat e veta ku përgatitet. Feja te shqiptarët duhet të merret si pasuri dhe jo përçarje, se përçarja ende ka qendrat e veta, ashtu siç i ka te kleri mysliman i sotëm që vjellin kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Nënë Terezës, por edhe te kleri katolik që në mënyrë të organizuar ka bartë mijëra vajza shqiptare për të argëtuar e martuar pleqtë sllav të Ballkanit.
Safet Hyseni
Referencat:
- Edvin Zhak ; “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”
- Teuta Llalla; “Armiqt e gjuhës shqipe dhe fitorja e saj”
- Mehemt Elezi “Shkolla e parë shqipe”
- Samir Lolja “Rrugë e gjatë gjer në Manastir”
- Ndue Bacaj “Histori sakate”
- Nikoll Loka “Zhvillimi i arsimit në trevat shqiptare gjatë mesjetës”
- Dr. Johan Fon Hanit, “Rreth gjuhës shqipe” i cili pas 40 vjet kërkimesh do të bëhet albanologu më i shquar shkencor në botë.
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 58 vizitorë |
| Lexuar:
6,948 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| NDËRMJETËSIME LETRARE |
E mart, 13 prill 2021 - 22:06 Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S... |
| Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër... |
E premt, 09 prill 2021 - 00:54 Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më... |
më shumë nga - Kulturë » |
|
|
|
|
|