Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NJË QIRI PËR MËSUESIN E SHKOLLËS SHQIPE
Publikuar më 14 shkurt, 2015 në orën 21:49 ( ) Prof. Arben Llalla | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
Me rastin e vrasjes së Papa Kristo Negovanit, 12. 2. 1905 -12. 2. 2012

Gjatë revolucionit kulturor të shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe nga fundi i shek. XIX dhe fillimet e shek.XX janë vrarë nga turqit dhe grekët shumë mësues që hapën mësonjëtoret e para në gjuhën shqipe.

Një nga këta mësues që u masakruan nga grekët ishte edhe Papa Kristo Negovani, i cili lindi në vitin 1875 në fshatin Negovan që ndodhet afër Kosturit (Kastoria) rrugës për në Edesa. Sot ky fshat quhet Flamuria. Gjatë një vizite që bëra në vitin 2003, bisedova shqip me pleqtë e fshatit që ende e flisnin gjuhën e të parëve. Pra, nga ky katund ishte atdhetari Kristo Negovani (Harallambi). Në fshatin e lindje Papa Kristo mbaroi shkollën fillore në gjuhën greke duke vazhduar më tej gjimnazin në Athinë. Pas tre viteve studimesh në Athinë ai i braktis ato për arsye sepse një çetë kusarësh gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre i vranë babanë. Pasi u kthye në vendlindje papa Kristo filloi punë në shkollën greke të fshatit. Vitet shkonin dhe mësues Kristo Negovani shikonte se si brezi i ri në fshat po edukohej me kulturë dhe gjuhë greke duke humbur traditat dhe gjuhën e mëmës, shqipen. Në ato vite greqizimi i shqiptarëve po shtrihej në të gjitha trevat që banoheshin nga popullsia shqiptare. Ky greqizim përhapej në forma të ndryshme si në arsim, në kishë dhe politikë administrative. Edhe pse Papa Kristo ishte i edukuar në shkollat greke, edhe pse paguhej nga shteti grek për mësimin që jepte në shkollën e fshatit, të tëra këto nuk kishin ndikuar në zemrën e tij për të dashuruar kulturën dhe gjuhën e huaj greke. Gjatë mësimit të gjuhës greke në shkollën e katundit të tij ai u thoshte nxënësve: “Përmbi çdo gjë gjuha shqipe ishte ajo që duhej mësuar, sa më parë”. Me një vullnet dhe guxim djalërie ai vendosi të hapte shkollat e para në disa fshatra që banoheshin nga shqiptarët për rreth Kosturit dhe Follorinës. Shkrimin e gjuhës shqipe me Alfabetin e Stambollit Kristo Negovani e kishte mësuar në Rumani ku kishte punuar marangoz për tre vite. Ato vite ishte lidhur edhe me shoqatën “DRITA” dhe me disa anëtarë të shoqatës “DJALËRI” të Stambollit. Më 1897 u shugurua prift në fshatin e tij. Ky dalë i ri që për hir të çështjes kombëtare u bë prift do jetë pararendësi i frymëzimit për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Kisha dhe shtëpia e papa Kristos u bënë vatrat e para ku mësohej gjuha shqipe, por kjo gjë nuk u pëlqeu grekëve të cilën e kërcënuan disa herë. Ishte një natë e errët e 12 Shkurtit të vitit 1905. Mësonjësi Kristo Negovani po shpërndante naforën në kishë, një grup njerëzish të panjohur e rrëmbyen dhe e shpunë jashtë fshatit. Në errësirë të dërguarit e Dhespot Fotit filluan ta masakronin Papa Kriston me sopata e thika. Pasi e copëtuan trupin, i prenë kokën për t’ia dërguar porositësit të kësaj vrasje. Por kriminelët e dërguar nga Athina nuk u ndalën me kaq, po atë natë ata i vranë dhe të vëllanë, Theodhos Negovanin i cili edhe ky përhapte shkollën në gjuhën shqipe. Atdhetarët shqiptarë kudo që ishin u prekën shumë nga këto dy vrasje që ndodhën.

Histori e shkurtër e fshatit Negovan-Flamburo*

NEGOVANI, më 1928 iu ndërrua emri në Flamburo. Në këtë fshat ende banojnë shqiptar ortodoks dhe pak vlleh. Nga viti 1912 e deri 1928, në Negovan banonin rreth 1.100 njerëz.[1]
Fshati Negovan është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij, për hapjen e shkollës shqipe dhe mbajtjen meshën në gjuhën shqipe që në fillim të shek. XX. Në këtë fshat kanë lindur shumë figura kombëtare, ndër ta përmendim papa Kristo dhe Theodhos Harallambi Negovani, të cilët u vranë nga grekët më 1905, sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe. Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit. [2]
Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.[3]
Shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro Nini Luarasi. Në fund letra ka edhe vulën e pleqësisë së mësonjëtores me vitin e themelimit të saj 1909. Origjinali i kësaj letre gjendet në muzeun e qytetit të Elbasanit. Kjo shkollë u drejtua deri në vitin 1911 nga Petro Luarasi.[4]
Nga Negovani është dhe ish-ministri i brendshëm i Republikës së Shqipërisë Koçi Xoxe (1911-1949), njëri nga figurat qendrore të Partisë Komuniste. Gjatë kohës së diktaturës komuniste është shkruar se Koçi Xoxe ishte sllav-folës, por në Negovan nuk ka pasur asnjë familje sllav-folëse. Një kushëri i Koçi Xoxes i quajtur Mihal Xoxe, në fund të shek.XIX kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike. Aty janë botuar edhe librat e Frashëllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilat ndezën në ato vite shumë ndjenjat patriotike. Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.[5]
Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.[6]
Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.
Shina, 1.500 banorë të krishterë, kishë, shkollë dhe një han.[7]
Kënçov, 620 shqiptarë të krishterë dhe 100 vlleh.[8]
Brankof, 96 bullgarë të krishterë, 110 grek, 300 vlleh dhe 1.080 shqiptarë të krishterë. Fshati kishte dy shkolla fetare, tre mësues dhe 200 nxënës.[9]
Millojeviç, 110 shtëpi ku banojnë shqiptarë ortodoks dhe 3 shtëpi vlleh ortodoks.[10]
Në regjistrimin e vitit 1932, fshati kishte 210 familje të huaja që flisnin gjuhën shqipe dhe pak prej tyre gjuhën sllave dhe rumanishten, dhe 44 familje kanë deklaruar hapur se janë shqiptar.[11]
Riki Van Boeschoten dhe Helleen van der Minne, banorët e Negovanit janë deklaruar të gjithë shqiptarë. Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë.

(Marrë nga libri: “Demografia e Fiseve Shqiptare në Greqinë e Veriut”, Tetovë, 2013

Referencat:
1]. www.lithoksou.net/florina_gh.html
2]. Edwin Jacques, SHQIPTARËT-Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Tiranë, 1996, fq.349
3]. H. N. Brailsford, Macedonia- Its Races and Their Future, London, 1906, fq.115
4]. SHQIP, Tiranë, 12 Maj, 2013
5]. SHQIP, Tiranë, 4 Nëntor, 2012, fq.18
6]. DER SPIEGEL, 10 Nëntor, 2003, fq.156
7]. Νικόλαυ Θ. Σχινά, Οδοιπορικαί σημειώσεις Μακεδονίας, Ηπείρου, Νέας οροθετικής γραμμής και Θεσσαλίας,, Αθήναι, τόμοι B, 1886, fq.253
8]. Васил Кънчов, Македония етногрфия и статистика, София, 1900, fq.550
9]. D. M. Brancoff, La Macédoine et sa population chrétienne, Paris, 1905, fq.176
10]. Боривојe Милојевић, Јужна Македонја - Антропогеографска, Београд, 1920, fq.21
11]. www.lithoksou.net/florina_gh.html
12]. www.strates.revues.org/381?&id=381


Papa Theodhos Negovani

























Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Arben Llalla
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 34 vizitorë
Lexuar: 753 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi