Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
NËNA QAMË
Publikuar më 21 shtator, 2020 në orën 14:46 ( ) Prof. Hazir Mehmeti | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(tregim)

Mëngjesi në fund gusht ishte i nxehtë. Kishte muaj që nuk ishte pikatur shi në tokën e bërë shkrumb ku ishte tretur edhe vesa nga thatësia. Por, e mira e kësaj vere ishte me pemët e mbushura përplot fruta sa nuk i mbanin degët nën të cilat ishin vendosur shtyllat. Ishte rrezik që shumë prej tyre të shkonin të kalbura në dhe pa përdorura. Drithërat nuk e siguronin bukën dhe si pjesë e ushqimit e familjes Bardhi ishin pemët e përpunuara në ashaf, pekmeze, turshi apo ruajtjen e tyre të freskëta.
Sot do shkojmë për dardha, tha Jaha, duke shtrënguar opingat. Ai kishte telashe me opingën e majtë e cila ishte e veçantë nga e djathta. Qe kur ishte fëmijë e kishte kafshuar gjarpri dhe për pak kishte shpëtuar nga vdekja, dhe tani me këmbën e shkurtuar të tij.
Po, jemi te gatshme unë dhe Midja, tha Qama pak e shqetësuar para përgatitjeve të gjithë atyre enëve, druve, furrës, ujit, shtrydhësit.
Nuk vonoi shumë, kuajt i ngjitën në qerre me kanatat e thella. Të dy gratë, Qama dhe Midja u ulën në thasë të mbushur me kashtë së bashku me fëmijët: Shotën, Lulen, Shpatën, Aliun, Bujarin, Hamitin dhe Qyrrin. Mbi fundin e drunjtë vunë kashtë nga gruri i sapo fshirë në lamë. Udhëtimi në qerren e kuajve ishte përjetim i bukur për të gjithë, por edhe duhej kujdes i madh. Jaha e Hamiti u ulën të parët me këmbë varur mbi llozin e fallakët e drunjtë e të fortë të lidhur me dy zinxhirë anash trupit të kuajve në vjegëzën metalike të Jakave të lëkurta e të buta në qafën e kuajve. Jaha mori dizgjinit e rripte me të drejtonte kuajt, kurse Hamiti ishte i gatshëm të hidhet nga qerrja, në rast të ndonjë ndihme për kontrollimin e kuajve të cilët kur punonin rrallë azdiseshin dhe lehtë kacafyteshin mes veti dhe bënin rrëmujë çdo gjë.
Si duket do kemi punë shumë kësaj vere, tha Midja, do ishte mirë të thërrasim për ndihmë edhe ndonjë nga hallat. Ato janë më të lira, edhe ne do ju ndihmojmë në rast se iu duhet.
Do ia dalim disi, tha Qama, vjehrra e zonja e shtëpisë, e cila ishte e njohur me historinë e saj interesante të një gruaje trime.
Masivi i dardhave ishte në shpatin tjetër të fshatit i cili dallohej me pasurinë e tij me lloje të dardhave: pekmeze, pojakë, të kuqe, bishgata, bishje, pikaloshe, vjeshtore, turshie, kollanë e shumë tjera. Qerrja lëkundej gropave mbrapa së cilës Llapushi lazdrak kërcente pengesat dhe herë dilte para qerres e ndalej e priste duke shikuar nga qerrja sikur të fliste: “Unë jam me ju deri në skaj të botës”. Aty këtu laraskat dhe sojkat trembeshin nga kurorat e drurëve anash rrugicës në rrëpirën e shpatit.
Në krye të arave përplot me dardha priste Ahmet Smajli, njëri fisnik e i urtë i cili e kishte shtëpinë e vetmuar mes dy fshatrave rrëzë bjeshke nga mund të shiheshin dardhishtat deri në përrua.
Mirë që erdhët, dardhat janë pjekur mirë, tha Ahmeti pasi përshëndeti.
Të dy familjet ishin larg me shtëpi por të afërta me respektin e tyre, hynin e dilnin njëri tek tjetri sikurse në shtëpinë e vetë. Kjo i kishte ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të vështira të mungesës së drithit kur nuk jepte mundësi moti apo kur e shkatërronte breshëri, diçka e shpeshtë në këto anë. Atëherë huazonin drithë mes veti dhe nga miqtë e tyre në fshatrat e pa dëmtuara.
Që në ditën e parë dy qerre të mbushura me maje me dardha që pikonin sheqer, përgatitja e tyre kërkonte kohë. Të nesërmen herët në mëngjes ngrihen të rinj e fëmijë së bashku me Hamitin dhe sjellin qerren tjetër përplot dardha.
Qama ndau detyrat e ditës, dikush grinte dardhat, tjetri i vente në cedila stofi, tjetri ndizte zjarrin mbi të cilin vihej kazani i madh mbi tre gurët e zjarrit apo në furrë. Duhej dy-tre veta të bashkonin forcat që ta venin kazani mbi zjarr me dardha të grira. Puna më e kujdesshme ishte në qarjen e dardhave ajo fillonte me larjen e dardhave me ujë të pastër nga Kroni i Mollës në tre ujëra e pastaj fillonte grirja e tyre në copa të cilat viheshin në një kazan të pastër. Kur grumbullohej ashafi për një kazan zjarri, ishe mjaftë dhe merrej e fillohej në tjetrin.
Të rriturit grinin dardhat për zierje në kazan, të rinjtë nuk lejoheshin duhej kujdes i madh nga ndonjë hedhje e gjësendeve nga jashtë e cila do prishte imazhin e pastërtisë së pekmezit e gjithë punës së verës. Pastërtia ishte diçka e shenjtë, nuk guxohej të gabohej.
Qama ditën e parë, përgatiti llozin e drunjtë për shtrydhjen e dardhave të ziera: mori dërrasën e vjetër kurse mbi te vuri llozin në çengel i cili rrotullohej lehtë me pjesën e zgjeruar ku dardhat lëshonin lëngun e tyre nga ndrydhjet i cili binte curril në kazanin me mbulesë që të mos mbytet ndonjë anjzë, grerëz, kërcell apo bletë të cilat vlonin si në zgjua mbi dardhat e prera.
Kur u thumbua Bujari nga anëza, Qama si një gjyshe e dashur dhe e guximshme e afroi afër, ia pastroi shpejt e shpejtë me gjilpërë vendin e thumbuar, ia hoqi thimthin, e shtrydhi pak vendin e thumbuar që të rrjedh gjak me helm dhe pastaj ia vuri tehun e ftohtë të thikës që ta mban disa minuta. Vaji i Bujarit u ndal tek pasi e preku metali i ftohtë.
Aroma e pekmezit të sapo pjekur pushtoi hapësirë përtej oborrit e përtej kullës ku fillonte zabeli i pa skaj. Ishte koha kur tuboheshin të gjithë në freskinë e mbrëmjes rreth furrës me pekmezin e parë të pjekur kur zakonisht kryenin një ceremoni ndarje për shijim të ëmbëlsirës. Qama tha disa fjalë lutje nga të cilat u dëgjuan: Për mbarësi e mirësi në familje, me të gjithë miqtë e dashamirët e familjes! Lutem! Të gjithëve, duke filluar nga Dardani në djep dhe deri tek Jaha morën në pjatat e dheut nga një lugë ëmbëlsirë e cila u duk se zgjoi yjtë e natës së verës të cilët filluan të mbinin një nga një në qiell. Xixëllonjat filluan të duken me shkëlqimet e tyre, njëra prej të cilave shkëlqeu në ëmbëlsirën e Dardanit bashkë me avullin e ngrohtë. Kënga e çokthit dhe kukuvajkës nisi të dëgjohet në zabelin prapa kullës, ngadalë vinte pushteti i natës bashkë me ëndrra në botën e gjumit.
Në mesore pranë furrës me muret përplot dollapë të mbushur me kunguj, shtalba, dardha apo kumbulla dhe kur shijohej çlodhja rridhte biseda. Radhët e dardhave të vëna në mure për rreth mesores ashtu siç ishin rritur nga lulesat në tuba frytesh të ndryshme nga forma dhe pamja krijonin art natyre të këndshme në kujdesen e Lulës dhe Shotës.
Çdo mbrëmje vinin fqinjë e kushërinj për të biseduar dhe freskuar së bashku nga vapa e ditës. Jaha e Qama i pritnin me respekt gjithmonë duke u ngritur e përshëndetur duke iu ofruar vendin. Tani kjo hapësirë ishte fjala e odës, ku vjeshtë e dimër nuk kalon natë pa mysafir.
Ju shkoftë mbarë pjekja e pekmezit, tha Deliu sapo u ulë anësh në bankën e dërrastë e të gjatë.
Faleminderit, ia ktheu Jaha, i zënë në vënien e unëve brenda prushit i cili shkëlqente kuq me sy ylli.
Ka bereqet e histori pekmezi i shtëpisë suaj, e provuan edhe partizanët e kuq, dhe filloi të qeshte nga kujtimi i historisë së pekmezit për partizanët e Shqipërisë të cilët kishin ardhur në fshat dhe ishin vendosur në odën e Jahes pesë javë.
Shumë ushtri kaluan këndej, kurrë tymi nuk u hoq, e besa as loti, tha Qama e cila dëgjoi me kujdes Deliun derisa ai kreu fjalën e tij.
Po të mos ishte pekmezi e këta qypa, do kishim vdekur urie, vazhdoi ajo.
Ishte kohë dimri, gatuanim për partizan më çka kishim, ishim me shpresë se vinin nga Shqipëria. Një pasdreke unë e Midja gatuam pite, krelana, bukë kallamboqi dhe ua shtova një kalanicë pekmez nga më të mirët. Të nesërmen kërkuan prapë, ju thash nuk ka, është harxhuar, erdhën dy partizanë dhe kërkuan qypin, e gjeten të zbrazet. Unë e kisha qypin tjetër të fshehur në dhe në qiler dhe nuk e dinte askush, as Jaha. Ishin shumë partizanë, veç vlonin, një brigadë. E kishin zënë oden e madhe që e kishim larg kullës. Të nesërmen erdhi një partizane të dera e shtëpisë dhe u lut t’i jepja përsëri pekmez. ‘E mora pak aty ku e kisha fshehur, e trazova me ujë dhe ia dhashë. Në vend që të falënderon u kërcënua: Herë tjetër do i thyej të gjitha enët dhe do e kall qilarin, nëse nuk e sillni vet, tha me zë të lartë.
Ia kapa nga dora gjyveçin me pekmez dhe i thash hupë, ti nderin e kthen me kërcenim! Hup nuk do ta hash asnjë lugë! Nisi kinse po kërkon revole dhe u dridhte nga inati.
Nxirre!, bre në të pshurrsha, ia ktheva dhe isha e gatshme të kacafytesha me te.
Ajo u ndal.
Do t’i them komandantit nesër dhe ju do ia mbathni nga oda, ju kërcënova. Kujtoni se ne do ju mbajmë e ju të luani si të doni! Jo!
Partizania hapi sytë dhe më shikonte. Të lutem! Motër, nënë e çka të duash, mos i trego komandantit! Mos të lutem! Do të më vras. Të lutem!
Merre pekmezin e hup! Ia ktheva përsëri, më erdhi gjynah prej saj.
E mori dhe iku sikur pula e lagur. Kurrë nuk e kam pa më, ditë më vonë ikën dhe u liruam.
Ishin njerëz të mashtruar, e vazhdoi bisedën Deliu, shumë djem tanë, krejt të rinj, u lajmëruan në brigadat e tyre për të shpëtuar nga serbet, por ata i dorëzuan në brigadat serbe dhe nuk u kthyen kurrë, u zhdukën.
Ishte kohë e mashtrimeve të mëdha dhe vuajtjeve, tha Qama duke vënë pekmezin në kalanicë me dy lugë druri për mysafirët. Po u sjell edhe pak bukë çerepi, nëse u pëlqen ta ëmbëlsoni.
Po, po, tha Jaha, ua sjell!- duke treguar pajtimin e tij për këtë.
Qenka i shijshëm dhe i pjekur mirë! Ta gëzoni me të shëndoshë e të mira!- foli Raba, pasi shijoj lugën e parë, gruaja e cila kishte përjetuar hidhërime të rënda në zemrën e saj.
Ti ke provuar shumë peripeci dhe shpëtove, e vazhdoi Raba në fytyrën e së cilës drita e flakës valonte në hijet e natës. Nuk do e harroj kohën e luftës kur herë shkonte një ushtri herë vinte tjetra, nuk mund të flisje për asgjë, të shkonte koka, e mallkuara e hëngri djalin tim të vetëm Brahimin, i ndritë shpirti në parajsë!
Më e rënda ishte kur u rrethua fshati nga partizanët jugosllav, askush s’mund të lëvizte. Zhvilloheshin luftime të rrepta me forcat e shqiptare antikomuniste të Bislim Bajgorës dhe disa grupeve tjera. Plumbat ndaleshin në muret e kullës, krisma pa pushim. Ne kishim ushqim brenda në kullë, por kishim edhe dymbëdhjetë frymë bagëti që duhej të hanin e pinin. Zbrita në ahur dhe e pashë se dy prej tyre nuk mund të ngriheshin në këmbë, ishin prregë të uritura, u binda se shpejt do cofin dhe nuk do mund te rrimë brenda as nga kundërmimi i tyre. Të treten ditë e vendosa të dal, ani pse ishte rrezik, e hoqa shulin e portës dhe dola në oborr drejtë plemes ku e kishim yshymin me koshin në shpinë.
Ndal! Ku shkon! Me pushkë drejtë meje, mu drejtua partizani serb,
Nuk ndalem! E sheh që do ngordhin bagëtia pa ushqim, do shkoj të ju sjell nga plemja tek lama lartë. Në ballë kishte një yll të kuq i thyer në kapelën e tij shajkë e vjetër ku dallohej vendi i shenjës çetnike e zëvendësuar me yllin partizan. E dija mirë gjuhën e tyre. .
A je normal ti, e sheh çarë lufte, e dëgjon fishkëllimën e fishekëve gjithkah!
Gjuaj dhe vramë! Unë nuk ndalem, dhe eca tutje, duke e hëngër trupin se kur do më shponte plumbi.
Pak hapa më tutje tjetri partizan:
Ndal! Nuk kalohet, në gjuhën jugosllave.
Nuk ndalem, më vraj, gjaja po ngordhin urie tani e tri ditë dhe unë e gjallë e ti lë ashtu jo!
Lëshomë rrugën! Gjuaj dhe vramë! Eca tutje deri të dera e plemes së madhe e mbuluar me thekën dhe e mbushur me kashtë, sanë e tall. Në shpinë e kisha koshin zbrazët. Te dera e plemes, edhe aty e njëjta, partizani në roje më ndaloi. I thash se nuk mund t’i la pa ushqim shtazët, ato po ngordhin uri tani e ti ditë pa hëngër.
- Ti qenke e çmendur, unë nuk të vras, por plumbat që po vijnë nga shpati anash do të vrasin ty dhe gjanë tuaja. Tri roje në treqind metra. Hyra në pleme e mbusha koshin sanë, anash dhe sipër ia vura shtatë duaj tallë, edhe çfarë talle ishte atëherë, një dukë sa pesë të sodit.
Pak edhe nga frika të zmadhohen duajt, bëri shaka Jaha, i cili thithte duhan në qelibarin e tij të sermit dhe tymi humbiste në errësirë e cila shtrinte krahët gjithandej hapësirës së bashku me freskinë e natës. Një e qeshur përshkoi grupin shumica e tyre para veti kishin enë ku grinin dardha për t’i zier ditën tjetër.
Barra e madhe nga koshi dhe talla dukej si qerre me hapa njeriu, vazhdoi Qama, nga plemja deri në derën e kullës, shtatë plumba shpuan tallën me fishkëllimat e tyre rrëqethëse, por fati e ymri, mua asnjë në trup. Ushqimin ua shpërndava shtazëve dhe i shpëtova nga cofja, por kurrë nuk do ta harroj atë moment. Burrat nuk ishin në shtëpi, ishin në male.

Jaha, la qelibarin anash mbi rrasën e gurit ku ishte kalanica me pekmezin e ri. Ai me fytyrën e tij të vrenjtur vazhdoi:
Ato ditë ne ishim me brigadën e Shaban Polluzhës, ishte kohë e vështirë. Marshuam deri në Podujevë dhe kur na thanë të lëshojmë armët që kishim dhe të marrim të reja, ne dyshuam. Pas pak na kërcënuan me detyrim marrshin tonë në Serbi deri në Banat e Vojvodinë kinse për ta ndjekur okupatorin. Nuk pranuam, vazhdoi Jaha, dhe u kthyem prapë në anët tona, vazhduam luftën deri në fund. Me ne ishte: Haliti, Zeneli, Ferati, Ramadani, Halimi. Shyqyr që shpëtuam, por patëm vuajtje të mëdha, të zbathur e deshur, pa fishek si duhet, pa armë si duhet. Dani ishte i ri dhe nuk kishte pushkë, e gjeti një pushkë pa shul, e bajti disa ditë terreneve të luftës dhe një ditë tha: Çfarë më duhet kjo si stupc pa shul dhe e hodhi. Po atë natë arrijmë të lodhur në Rakinicë ku gjetëm një shtëpi me kulm të kallur që të pushonim ishim të këputur për gjumë. Dani duke rregulluar kashtën e çerges për të fjetur e gjen shulin e pushkës. E mori e mbajti disa ditë në çantë me shpresë se do ta gjanë pushkën, por kot, e hodhe edhe atë.
Një e lehur e qenve, tregonte se dikush i huaj u ofrua prapa avllisë së lartë, Hamiti vrapoi në katin e dytë kullës prej nga dukej çdo lëvizje, por tani nata kishte mbuluar çdo gjë.
Ndonjë ujk i uritur, shpesh dalin nga zabeli dhe vijnë pranë avllisë, Torishta në skajin e sipërm të oborrit, ku janë dhentë, është e sigurte, tha Deliu. Hëna shfaqi fytyrën e saj sipër bjeshke, ishte koha e saj t’i rrinte mbi kokë frytit të saj në dhe me rrezet e saja të praruara. Lakuriqët e natës me zigzaget e tyre dukeshin mbi koshin e zbrazët të misrit me aromën e minjve që vriste instinktin e tyre. Yjtë nga qielli përgjonin çdo gjë në tokë me dashamirësinë e tyre në shërimin e gjithë atyre telasheve që njeriu ka. Aty këtu lehje qenesh bashkohej me orkestrën e qokthit dhe bulkthit i cili kishte shtruar orkestrën e tij të zakontë. Kulla e gurtë në heshtje të natës shihte çdo gjë, me lapsin e saj mbushte kalendarin e saj mbi pergamentin e gurtë.

Qama ishte vërtetë një Nënëloke e respektuar jo vetëm në familjen, por edhe e fshatit të një barku, siç thoshin banorët e tij. Që në moshë të re në Banjskë, ku ishte rritur, kishte filluar të tymoste duhan duke vazhduar me pasion gjerë në pleqëri. Kutia e duhanit me gravura shenja e figurash gjeometrike të kombinuara me vijëzime simetrike flakëronte me shkëlqimin e saj sapo e nxirrte nga brendësia e xhamadanit ne xhepin e veçantë
Ulur në shkamin trekëmbësh vendoste kutinë mbi gjurin e majtë, e hapte dhe së pari nxirrte ngadalë një copë letre të bardhë si bora, e prerë katrorë, e vendoste në hapësirën mes gishtit të madh dhe tregues, ngadalë me të njëjtit gishta të dorës së djathtë nxirrte duhanin e grirë, i verdhë si zhapini, i cili varej gjatë dhe po të mos e shkëpuste me mundim, kur ke duart plotë punë, do dilte i tëri nga kutia. Ngadalë e vendoste mes letrës së bardhe, me gishtin e djathtë tregues e ngjeshtë disa herë në tërë gjatësinë e tij dhe pastaj me të dy duart e fillonte mbështjelljen e tij të njëtrajtshëm. Pasi e përgatiste skajin e lirë të fletës për ngjitje, e lagte me majën e gjuhës në tërë gjatësinë e saj, e paloste për pjesën e mbështjellë derisa shkriheshin dy shtresat në një. Me kujdes e lëmonte me gishtërinj deri në zhgungosjen e cigares nga duhani që i nxirrte ato mbi sipërfaqe dhe me radhë në të dy anët shkëpuste mbetjet jashtë të bishteve duhani duke i rrahitur mirë me një fortësi njëtrajtësh. E fuste mes dy buzëve të trasha e të rrudhura kurse nga xhepi i vogël i majtë i xhamadanit nxirrte çibritin, e hapte ngadalë por gjithmonë dëgjohej zëzhgrryerja mes trupit me kokrra dhe rreth shtëpizës e hapur në të dy anët e gjata. Nxirrte kokrrën, e drejtonte kokësulfurën në njërën nga anët ngushta të gjatësisë së çibritet, e shtrëngonte dhe me një lëvizje të rrufeshme fërkuese ndizej fija duke lëshuar erë squfuri në tërë dhomën. Me dorën e djathtë e ngrite fijen me flakë drejtë cigares, kurse me dorën e majtë mbante atë derisa ndizej pas disa thithjesh të fuqishme nga të cilat të parat pa fije tymi. Pas disa thithjesh skaji i cigares merrte flakë dhe goja mbushej tym të cilin e lironte për hundë e gojë duke krijuar re të brishta në ajrin e qetë deri në tretjen e tyre në pa dukje drejtë tavanit të drunjtë. E kthente çibritin në gjendje të zakontë e pastaj ngadalë e fuste në xhep, kurse kutia e duhanit lëshonte një kërcitje grrrram, kur mbyllej njëherë dhe pastaj e fuste në xhepi e posaçëm për te. Të gjithë ishin mësuar me tymosje duhani nga Qama, shumë thoshin se asaj i ka hije duhani ashtu sikurse zotërive të kohës dhe kjo merrej si diçka krejt normale.
Një pasdite në fund shtator para portës së oborrit thirrje:
Urdhëroni vegsha! Hajde vegsha! Janë nga Sanxhaku! U dëgjua zëri i vegshatarit, njeriu me dy kuajt e tij dori, ishte vizitor i shpeshtë i Tokëlartës. Sanxhaku me Peshterin e plisave, ishte i njohur për punimin e vegshave. Pasi Vegshatari e pa se nuk e hapi portën askush, trokiti lehtë. Deliu shkoi dhe e hapi.
Urdhëroni zotëri! Ne nuk kemi nevojë, i kemi blerë herën e kaluar, i tha vegshatarit.
Më kujtohet, tha ai i qetë. Jemi të uritur, nëse keni pak bukë, do u jemi mirënjohës, tha ai.
Deliu mori bukë e lang, qumësht, djathë, speca dhe sipas dëshirës se tyre ua shtroi për të ngrënë nën lisin e bungut para portës. Kësaj radhe ishin dy vegshatarë, i dyti nuk lente përshtypjen e njeriut që merret me zejtarinë e rëndë të baltës.
Po ky zotëria, nuk e kemi parë ndonjëherë në anët tona, -pyeti Deliu derisa ata hanin bukë?
Është vegshatari i ri, mëson rrugën për shitjen e vegshave, tha vegshari i njohur i këtyre viseve. Kështu më tha kur u takuam në udhëkryqin e madh.
Po, ndërhyri zotëria duke e ndërprerë bashkudhëtarin e tij. Unë do hapi një vegshatari, tani për tani mblidhi gjëra të vjetra nga punimet e vjetra me zhguna, Im at ka punuar shumë tirq e xhamadanë prej zhguni, unë i mbledh dhe i paguaj shtrenjtë, - tha ai duke larguar nga buka një buburrec të zi i cili futej në porët e bukë e herë dilte.
Të habitur vegshatari dhe Deliu e shikuan njëri tjetrin, sikur donin të thoshin: diç të tillë ne nuk kemi dëgjuar.
E keni marr gabim zotëri, foli sërish Deliu duke shikuar vegshatarin i cili hante bukën aq shijshëm sa dukej se edhe gishtat e lyer me lang do i haj nga uria.
Zotëri, në këto anë xhamadanë te vjetër kemi të gjithë, bile bile me njëqind arna njëri mbi tjetrin dhe kur i hedhim nuk i hyjnë në punë as miut, foli Deliu i habitur.
Qenkam i gabuar, më thanë që moti se familje e juaj keni xhamadan të vjetër të ruajtur me shumë gajtanë sa njeriu mund të fluturoj me te. Sipas disa burimeve gojore, këndej pari ka kaluar, në fluturim drejtë bjeshkës një krye prijës lufte.
Nuk po ju kuptoj, e keni marr gabim, kjo kullë ka kohë që ka filluar të zgjeron frëngjitë në dritare. Tan gogolët kanë ndërruar formë, çdo ditë të mashtruar e torturuar dëbohen shqiptarë nga Tokëlarta për Anadoll, aq sa një ditë as vegshat s’do duhen fare.
Pasi ikën vegshatarët, kaluan disa javë kur Qama mësoi nga Deliu për vizitorin që kërkonte xhamadanë të vjetër me krahë fluturues. Ajo e kuptoi rrezikun që i kanosej familjes dhe xhamadanit të cilin e ruante plotë tridhjetë vjet më parë. Xhamadani e prijësit të çetave kaçake të Tokëlartës. Ishte e re, nuse e Kullës kur kryetrimit të plagosur ia lidhi varret e përgjakur me stofin më të bardhë e të pastër që kishte. Xhamadani e skuqur nga gjaku do ta ruaj derisa të kthehet sërish me nusen e tij Shotën që ta veshur në dasmën e madhe të lirisë. Pushtuesi mbeti i njëjtë rreziku akoma më i madh, ai vetëm kishte ndryshuar formë, ishte bërë shumë herë më i ashpër e tinëzar. Qama i njihte prej kohësh dinakërinë e spiunëve serb, e ndiente rrezikun për familje. Asaj nuk i zihej vendi vend. Sigurimi jugosllav kishte dërguar gjithandej spiunë në të gjitha kullat e Tokëlartës për të shkatërruar çdo gjë shqiptare.
Hapi arkën dhe pa xhamadanin e kryetrimit, me njollat e kuqe të gjakut të cilat ishin nxirë nga koha. Me kujdes e shpalosi për pak ajrosje duke ndarë ngadalë anët e ngjitura nga shtypja dhe gjaku i terur. E mori në prehër. Sytë filluan të mjegullohen në thjerrëzorin e lotëve duke rikthyer kujtimin e retinës para shumë vjetëve.
“Ah, i mallkuari plumbi, i mallkuari plumbi! -dhe me mollëzat e gishtërinjve preku vrimën e xhamadanit ku plumbi i mallkuar kishte lënë gjurmën e tij. Ju duk se akoma ishte i ngrohtë i lagur e rridhte gjak trimi.
“Vrap nuse, vrap! Erdhi zëri i vjehrrit i cili hyri në oborr, kurse në qerre i mbështetur qëndronte Kryetrimi.
E kemi për ngutë! Shpejt nuse!
Ah, trimi ynë! Fshau Qama, sikur atë ditë kur iu ofrua ta mjekonte.
Me shëndet plaga Azem Galica! Trimat edhe plagosen!
Ah, motër, kësaj radhe, si duket, plagë në vend të rendë!, tha ai por do ia dalim.
Xhamadani duhet larguar nga varra, tha si dikur, dhe iu duk se pëlhura e bardhë u zgjatë nga arka e pajës përreth xhamadanit, në trup, qerre, mbuloi gjithë oborrin duke vazhduar gjerë te Kroi i Ftohtë në Bjeshkëqyqen e lartë.
Po motër, mund ta heqim, dëgjoi sërish zërin, trimi ngadalë nxori krahun e djathtë e pastaj të majtin, derisa rrjedha e gjakut ujiste shtrojën gjerë në tokën e zhuritur në pikë të korrikut.
. Qama e mori xhamadanin, kurse fashën e bardhë e mbante së bashku me Islamin dhe Rifatin, vjehrrin dhe vëllain e saj luftëtarë të njohur.
Mos u dridh Rifat Bajska, shijove gjashtë plagë pa qerpik të lagur! E sot!
Qamës, iu duk sikur sërish preku dorën e vëllait dhe filloi të pastronte varrën e thellë e të gjerë sa fishekorja e metaltë. Ju duk sikur filloi të qepte krahët e dragoit hipur në kalin e tij pullali i cili do niset drejtë betejës ashtu sikurse dikur në Fushën e Skenderajt kur ushtria armike u çmend nga frika deri në dorëzim.
Shotë, ku je moj! Të shoh edhe sot, po sikur ditën e fundit! Ah, të shkretat gra, duhej shpëtuar nga masakrimi. E di, nuk do qahesh, edhe ne jemi me ty, Nuse dhe Shota!
Shpejtë, na duhet lëvizje drejtë Bjeshkës! -tha vëzhguesi nga çatia e Kullës.
Xhamadanin, xhamadanin! Thirri së fundit Qama, iu duhet ta keni në fluturimin e ri.
E keni Porosi! Porosi, deri në kthimin tonë së bashku me Shotën, Nusen e Lirisë, tha kryetrimi nga qerrja e cila priste nisjen drejt bjeshkës.
Trimi e pret vdekjen sikur lindjen e tij, tha duke palosur xhamadanin sërish në zemrën e arkës.
Pasi shikoi me mall vëllezërit e saj në fotografinë e vjetër të dhuruar ditën e fundit të largimit të tyre, mbylli arkën. Ndjeu mungesë të madhe për ta, për përqafimin e tyre tani të tretur diku larg në kënetat buzë Adriatikut.
Nga jashtë u dëgjua troku i kalit në kërkim të kalorësit të tij. Hingëllima e tij u ngjiz në jehonë kujtimi e malli ndjenjave e shpresës në porosinë e shenjtë. Troku kalldrëmit vjen çdo korrik bashkë me jehonën e besës për liri.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Hazir Mehmeti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 241 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi