Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
TUNGJATJETA, KOMPJUTER!
Publikuar më 20 dhjetor, 2020 në orën 20:01 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Tregim)

”Tungjatjeta, kompjuter!”
Kështu e përshëndeta mikun e porsaardhur në banesën time nga një shitore e qytetit me titullin ”Gjiganti”. E vendosa në tryezën e punës, ku më parë kisha makinën e shkrimit, me të cilën shkruaja duke shtypur mbi tastierë. Unë e falënderoj makinën e shkrimit, bukur shumë më ka ndihmuar në shkrimet a mia letrare. Ishte një komentues i kujdesshëm, që mendimet e shkrimtarit i zbërthente në shkronja. Bibliotekarët thonë se makina e shkrimit ka qenë një mal me shumë zogj që fluturonin mbi fushën e bardhë të letrës. Eh, sa libra me vlerë kanë dalë nga goja e këtij aparati memec! Të vetmin problem të vogël kam pasur me shiritin e ngjyrosur, shpejt më harxhohej shiriti, prandaj më duhej të mbaja rezervë nga dy-tri copë në syzën e tryezës. Ngjashëm siç ka qenë dikur dyçikleta mjet i privilegjuar për udhëtarin, ka qenë edhe makina e shkrimit për shkrimtarin. Sot është më lehtë që njeriu të bëhet me një kompjuter luksoz se dikur me një makinë shkrimi të thjeshtë. Të tillët që kishin makinë shkrimi, mbaheshin në mend.
Me makinën e shkrimit nuk guxoja të shtyp natën, për shkak të zhurmës nga krismat e shkronjave mbi tastierë. Jo vetëm që i pengoja anëtarët e familjes, por i pengoja edhe fqinjët. Njëherë gjatë tërë natës kisha bërë zhurmë me makinën e shkrimit, - “trak, trak, trak…”, prandaj fqinji, me të cilin më ndante një mur, më paraqiti në organet policore. Fqinji kishte të drejtë, sepse herët në agim duhej të shkonte në punë. Mirëpo edhe polici nuk e bëri problem çështjen, fqinjit i tha se me rëndësi është që unë nuk kisha thyer gota të pijes, siç veprojnë të tjerët. Megjithatë më takonte mua t’i kërkoj falje fqinjit, sepse ai është traktorist që lëron dhe mbjellë farën në arë. Po nuk lëroi dhe nuk mbjellë traktoristi, nuk dihet si do të mund të riprodhoheshin këto shkronja të arta në kompjuter. Fëmijët e mi ishin mësuar me zhurmën e makinës së shkrimit, ashtu siç isha mësuar edhe unë më zhurmën serike të makinës qepëse të nënës sime. Dikur nëna qepte rroba deri në orët e vona të natës, sidomos me rastin e festave, mirëpo zhurma e makinës qepëse për mua ishte si muzika e kitarës dhe aspak nuk më pengonte. Tani me tastierën e kompjuterit mund të shkruaj tërë natën, meqë zhurma e saj nuk dëgjohet as brenda në dhomë, jo më tek fqinji im, traktorist.
Në fillim i shtypa disa pulla në tastierë, mirëpo në ekranin e kompjuterit asgjë nuk duket. Rastësisht, sikur të bashkëbisedoja me ndonjë mik, e preka tastierën dhe i thash: ”Fol!”. Prapëseprapë kompjuteri nuk më përgjigjet. Siç duket faji është imi, nuk e kam lidhur përçuesin elektrik.
”Më fal, kompjuter! Më duket se unë gabova, jam hutuar nga gëzimi që ke ardhur tek unë. Tani së shpejti do takohemi,” thashë unë duke i kërkuar ndjesë.
E vendosa përçuesin në vendin e përshtatshëm, dhe pas pak vërejta dy yllthe të verdha në tastierën e shkronjave latine. Gëzimi nuk zgjati shumë, përsëri kompjuteri nuk përgjigjet, thënë konkretisht, nuk flet. Sa vështirë është të njihesh me aparatin që vjen nga një fabrikë e largët. Tani e fika kompjuterin duke përsëdytur shtypjen me gishtin e Jupiterit, që sipas fjalorit sportiv i thonë, gishti i kampionit; kurse sipas fjalorit ushtarak i thonë gishti i pushkës dhe gishti tregues sipas fjalorit policor, por edhe gishti i identifikimit sipas rrethit shoqëror. Pastaj e preka diskun e fortë dhe papritmas fytyra ime ndriçohet. Kompjuteri është hapur dhe shkronjat gumëzhijnë porsi zgjoi bletësh.
Megjithëse unë e përshëndeta, kompjuteri nuk përgjigjet. Nuk vonoi dhe në ekran u duk një fjalë e vetme me shkronja të kaltra vezulluese në gjuhën angleze ”Welcome”. Kjo përshëndetje më mjaftonte të kuptoj se po takohem me një ”qytetar” shumë të kulturuar. Sipas udhëzimit të fabrikës mësova se edhe kompjuteri përshëndetet me zë. Kështu duhet të sillemi të gjithë njerëzit; duhet edukuar edhe teknikën informatike që të përshëndetemi në mënyrë të kulturuar. Ditën kur hyra në këtë qytet, kam parë tabelën në rrugë ”Mirë se vini!”, ndërsa sa herë që udhëtoj jashtë qytetit, shikoja tabelën ”Udhë e mbarë!”. Megjithatë kjo përshëndetje e ka vështirë të ngulitet tek disa kokëfortë, të cilët aspak nuk kujtohen të përshëndeten në mënyrë të kulturuar”, - fola unë sikur të flisja me ndonjë mik timin.
Ndërkohë kompjuteri më paralajmëroi me një vërejtje anglisht. Halli është që unë nuk di anglisht, megjithatë më detyron të merrem veshë mirë me të. Shfletova fjalorët e bibliotekës sime në dhomë dhe menjëherë e kuptova qëllimin. Kjo do të thotë se kush pyet nuk tretet. Për këtë shërbim fisnik i falënderohem librave. Asnjë aparat i përkryer nuk do të mund t’i flakë librat nga dhoma ime. Nëse ndokush do të më detyronte të zgjedhë në mes librave dhe kompjuterit, do të merrja librat. Të mbetesh pa libra do të thotë të mbetesh pa bukën e gojës, pa dritën e syve. Besoj se edhe kompjuteri pajtohet rreth vlerësimit tim të drejtë, sepse duke iu falënderuar librave, kompjuteri ka dalë në dritë dhe shumë shpejt ka vërshuar në tërë rruzullin tokësor.
Pas dy-tri paraqitjeve, kompjuteri më priti mirë, mirëpo përsëri bëj gabime. Atëherë kompjuteri më dha ultimatum: ”Thirre mjeshtrin!”. Unë ia prita: ”Ç’ mjeshtër kërkon, të lutem?! Unë mezi të bleva me paratë duke ndarë kafshatën e gojës, tani ti më kërcënohesh. Nëse Anshtajni e zbuloi teorinë e relativitetit pa ndihmën e ndonjë mjeshtri, mbase do t’ia dal edhe unë”, kundërshtova unë. Mua më hipi gjaku në kokë, u shqetësova, sa nga hidhërimi e qëllova me grusht. Kompjuteri sillet me mua sikur unë ta kisha atë të vetmin djalë, prandaj kërkon që unë t’i përulem me lepe e me peqe.
”Mos u nxeh, de, unë posa të solla në shtëpinë time, së pakut as bukë nuk kam ngrënë nga padurimi që të njoftohemi; ndaj ti më kërcënohesh dhe më detyron thërrasë mjeshtrin. Javën e kaluar më dhembnin këmbët dhe tek unë fare nuk erdh mjeku, kurse ti ende pa i bërë as 24 orë, kërkon mjeshtrin. Ti kujton sikur mjeshtri do të vije fluturim pas hallit tënd”, prandaj papritmas nga dëshpërimi e shtypa një pullë, as vetë nuk isha në gjendje të kujtohem se cilën pullë e preka… Nejse, kalojmë me tutje. Pas ultimatumit kalimtar ”Defekt serioz, thirre mjeshtrin!” më doli lajmërimi: ”Vëre diskun!”. Sa shumë u gëzova. Normalisht që unë veproj sipas udhëzimit, mora diskun ”Windows 2000” dhe menjëherë e futa në vatrën e kompjuterit. Ky veprim më dha kurajë dhe tani jam i qetë.
Në paraqitje, disketa më përshëndet, pastaj më pyet se cilën gjuhë dëshiroj. Mendova, a ka më mirë së në gjuhën shqipe, gjuhën e bilbilit, gjuhën e Naimit… Pak më tutje preka pullën e gjuhëve evropiane anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj., mirëpo shqipja askund nuk duket. Kjo gjë më brengos, prandaj më duhet të zgjedh frëngjishten, të cilën e kam mësuar në bankat e gjimnazit.
Në kompjuter janë paraqitur disa viza që herë pas here vezullojnë si shenja pengese. Në rreshtat e fundit lexoj udhëzimin se cilat shenja duhet shtypur mbi tastierë. Pas kësaj më pyet se a dëshiroj të instaloj ”Windowsin”, shqip i thonë dritare, ku hyn drita e diellit. Pa dyshim që i përgjigjem ”po” dhe e shtyp pullën në tastierë, e cila më lajmëron të vazhdoj të njëjtën gjë me radhë.
Në çastin kur unë desha ta vë kompjuterin në qarkullim, kompjuteri më ktheu sërish mbrapa dhe më detyroi të shënoj emrin dhe mbiemrin tim, si pronar i tij. Me të shënuar emrin, dukej sikur i plotësova kushtet të bëhem baba i fëmijës së adoptuar. Kompjuteri mezi kishte pritur të marrë emrin tim. Ka shtatë vjet që jam martuar dhe gruaja ime ende e mban mbiemrin e vajzërisë, kurse ky teknikumi superior pranoi që tani e pas të thirret me mbiemrin tim. Pasi e kreva punën me birësimin e kompjuterit, në ekran u paraqit një shkëndijë alarmuese fap-fap. Mu duk sikur më pickoi një mizë. Më këshillon të instaloj programin për mbrojtje kundër virusit. U habita! Me vete thashë, mirë që në botën biologjike ka virus, meqë ka të bëj me qeniet e gjalla, po në teknikë si mund të ketë virus? E pabesueshme! Të them të drejtën, kur doli paralajmërimi për virus, një e treta e gëzimit mu fundos. E pashë se nuk paska gëzim të përsosur. Ky mikroorganizëm i rrezikshëm që krejt botën shtazore e trondit, tani ka hyrë edhe në teknikën e informatikës. Po a griset fjala e hekurt prej virusit?! Nuk besoj, prandaj edhe e mohova me një goditje që sjellë dëshpërim.
Isha lodhur dhe u shtriva në shtrat. Kafeja nuk kishte mundur të më zhdavaritë gjumin, prandaj menjëherë fjeta. Pashë një ëndërr se si librat ishin vënë në lëvizje, ishin bërë trup me gjymtyrë - me këmbë e duar. Prej raftit në dhomën e pritjes, mu aty ku ishte vendosur kompjuteri, si ushtarët e faraonit në operën „Aida“ të Gjuzepe Verdit, librat po zbritnin në dysheme. Pastaj një pas një gjuanin me shkronja të zeza në kompjuter. Pas pak të gjitha librat e mbuluan kompjuterin. Kompjuteri bërtiste: „Ndihmë, ndihmë…! Librat më sulmojnë!“ Me të dëgjuar klithmat e kompjuterit për ndihmë, vrapova drejt dhomës, ç’të shoh: librat - nga enciklopedia deri te romanet shqiptare e kishin mbuluar kompjuterin. Jo vetëm kaq, sepse edhe abetarja e Albulenës, bijës sime që mëson në klasën e parë kishte marrë pjesë në sulm. Me të parë këtë pamje të llahtarshme i qortova librat dhe një nga një i largova prej mysafirit të porsaardhur.
„Së pakut, ju librat, nuk duhet ta sulmoni teknikën bashkëkohor. Si nuk u dhimbset kompjuteri që është fryt i juaj. Ju duhet pasur mirëkuptim ndaj njëri tjetrit. Ju lutem, nëse edhe ju silleni si bishat e malit, atëherë nuk më mbetet tjetër pos t’i jap fund jetës sime”. Si thash këto fjalë prekëse, të gjitha librat e revoltuar dolën përdere jashtë si një armatë. I shqetësuar vrapova pas librave ushtarë në oborr dhe vazhdova: ”Unë nuk e kam ditur që ju do të zemëroheni, përndryshe më me ëndje do pranoja të mbetem pa kompjuter se pa libra, prandaj qysh sot kompjuterin do ta kthej në shitore. Ju jeni arti i shpirtit tim. Pa juve jeta ime është si natyra pa diell. Prandaj, ju lutem, kthehuni të gjithë nëpër vendet tuaja”. Pas kësaj ngjarje të tmerrshme nuk mund t’i përmbahesha emocioneve, menjëherë më pikuan lotët dhe brofa nga gjumi. Kisha qenë në ëndërr, u ngrita prej shtratit dhe vrapova tek dhoma e pritjes, me dritën e dobët. I shikova librat në vitrinë dhe kompjuterin e ndezur. Kisha harruar të fik kompjuterin, dhe ç’të shoh në ekran, një intermexo me disa peshq ngjyra-ngjyra po shëtisnin në ujërat e kthjellëta të liqenit.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Nuk është vlerësuar deri më tani!
Lexuar: 192 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi