| Realpolitika e Ibrahim Rugovës |
| Publikuar më 25 maj, 2008 në orën 12:39 ( ) |
Sheradin Berisha | Histori | |
|
|
|
(6)
Përmbajtja
- Pse Rugova, LDK-në e quante Shoqatë politike - kulturore?!
- Ibrahim Rugova ishte kundër protestave paqësore!
- Beograd 1991 / Ibrahim Rugova diplomatit gjerman i thotë: „Ne duam të qëndrojmë brendapërbrenda shtetit serbë. Ne duam vetëm të na rikthehet autonomia…“
- A ka udhëtuar Rugova edhe herë të tjera në Beograd, gjatë viteve të 90-ta?
- A ishte Ibrahim Rugova nismëtar i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, i Kushtetutës së Kaçanikut dhe i mbajtjes së Referendumit të vitit 1991?!
Shkruan: Sheradin BERISHA
Pse Rugova, LDK-në e quante Shoqatë politike - kulturore dhe ishte kundër protestave paqësore?!
Qysh në ditët e para, pas themelimit të LDK-së, kryetari Ibrahim Rugova, dëshmon qartë zotimin e vet se, do t'i kryej me përpikëri detyrat që dilnin nga Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më 30 dhjetor 1989, në një intervistë telefonike dhënë “Zërit të Amerikës”, z. Rugova ka deklaruar si vijon:“Ne para disa ditësh (23.12.1989-vërejtja ime) themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo është momentalisht shoqatë politike dhe kulturore. Në të ardhmen do të shikojmë se, kur të legalizohen me ligj këtu në Jugosllavi këto çështje të pluralizmit politik, ajo edhe mund të jetë edhe parti politike, kulturore etj. Megjithatë, kjo është organizatë e Prishtinës, mandej do të formojë degët e saj edhe në qendrat e tjera të Kosovës dhe të Jugosllavisë. Anëtarë të Lidhjes mund të jenë pjesëtarë, që pranojnë programin tonë. Programi i Lidhjes është mjaftë i gjerë. Ai përfshin të gjitha problemet që rëndojnë në momentin e tanishëm në Kosovë dhe në Jugosllavi. Për shembull kemi programin për çështjet sociale, për punësimin dhe zhvillimin ekonomik, pastaj për lirinë e shtypit dhe të të drejtave të njeriut, të kulturës, pastaj për pastërtinë e mjedisit dhe për çështje të tjera që janë aktuale në Kosovë, si dhe, natyrisht, qëndrimet tona politike, siç janë ato për demokraci, për zgjedhje të lira, të drejtpërdrejta. Ne konsiderojmë se Jugosllavia duhet të jetë Federatë Demokratike e kombeve dhe e kombësive, që duhet të ketë organizimin shtetëror të republikave dhe krahinave, pra, edhe Kosova të ketë vendin e vetë të barabartë në federatën e Jugosllavisë.”- përfundon citati.
Siç vihet në dukje, për Ibrahim Rugovën, LDK-ja fillimisht nuk ishte parti, por një shoqatë politike dhe kulturore, për të cilën thotë se, në të ardhmen me ligjet e Jugosllavisë mund të jetë edhe parti politike, kulturore etj (!!!) Për më tepër, kryetari Rugova, LDK-në, këtë shoqatë kulturore dhe politike, e cilëson si organizatë të Prishtinës, me synim të shtrirjes së saj jo vetëm në Kosovë, por edhe në qendrat tjera të Jugosllavisë, ashtu siç ishte e organizuar Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e cila në fillim të vitit 1990 ishte futur në fazën e shpërbërjes së saj.
„Programi i Lidhjes është mjaftë i gjerë“ dhe „përfshin të gjitha problemet që rëndojnë në momentin e tanishëm në Kosovë dhe në Jugosllavi“, konstaton politikani realist Ibrahim Rugova. Ai, fillimisht ka vu në spikamë programin „për çështjet sociale, për punësimin dhe zhvillimin ekonomik“, pastaj „për lirinë e shtypit dhe të të drejtave të njeriut, të kulturës, për pastërtinë e mjedisit…“, ndërsa qëndrimi i tij politik, është „për demokraci, për zgjedhje të lira, të drejtpërdrejta“, pa e thënë qartë statusin politik të Kosovës. Në të vërtet, Ibrahimi, ishte për një federatë demokratike jugosllave të kombeve dhe kombësive, me një organizim shtetëror të republikave dhe krahinave…“, ashtu siç ishin të definuara në Kushtetutën e RFJ-së, atë të Republikës së Serbisë dhe në Kushtetutën e KSA të Kosovës.
Pra, Ibrahim Rugova, edhe pas protestave gjithëpopullore të vitit 1988 - 1989 kur kërkohej avansimi i statusit politik të Kosovës, duket sheshazi se, Kosovën e konsideronte akoma si “krahinë”, ndërsa popullin shqiptar si „kombësi“. E, dihet mirëfilli se, me Kushtetutën në fuqi „kombësit“ trajtoheshin si pakica, përkundër faktit që shqiptarët ishin populli i tretë shumicë, pas serbëve dhe kroatëve!
Ibrahim Rugova ishte kundër protestave paqësore!
Në kohën e kthesave të mëdha në Kosovë 1988-1990, populli shqiptar nëpërmjet demonstratave kundërshtoi pushtimin klasik të Kosovës nga Serbia, u zgjua i madh e i vogël në këmbë, jo për ta mbrojtur “autonominë e suprimuar” më 23 mars 1989, por për ta mbrojtur në radhë të parë dinjitetin e nëpërkëmbur kombëtar dhe avansimin e statusit të Kosovës në Republikë, qoftë edhe me sakrifikimin e jetës së tyre.
Derisa, në dimrin e acartë të vitit 1990, populli protestonte nëpër rrugët e Kosovës, kundër regjimit pushtues serbë të Millosheviqit, kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova, doli kundër këtyre protestave. Kështu, më 31 janar 1990, nëpërmjet një deklarate të bërë në RTP (ku drejtor ishte Agim Mala), Ibrahim Rugova i bënte thirrje popullatës “që të hiqte dorë nga grumbullimet”, duke theksuar se: “Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e përkrah këtë formë të veprimit”.
Këto deklarata Ibrahim Rugova i përsëriste shpesh, shumë shpesh edhe në mediat e shkruara. Ai, madje përmes deklaratave i bënte thirrje popullit që të mos dalë në rrugë dhe t´i ndërpresin demonstratat, ndërsa shfajsonte veten dhe LDK-në se nuk janë organizatorë të demonstratave. P.sh. më 3 shkurt 1990 në gazetën “Vjesnik“ të Zagrebit, lidhur me demonstratat deklaron (po citoj):„Pas grumbullimeve dhe demonstratave të shqiptarëve përpara ndërtesës së Komitetit Krahinor, më 23 janar (1990), pasoi një ortek i vërtet dënimesh dhe diskreditimesh politike dhe të gjitha këto në fillim që alternativat, në radhë të parë LDK-ja, e cila ka më shumë anëtarë se sa Lidhja e Komunistëve të Kosovës, të eliminohet nga skena politike. Prandaj u bënë përpjekje që ta shpallin atë (LDK) si organizatore të këtyre demonstratave. Ne u përpoqëm, me anën e njoftimeve dhe thirrjeve, drejtuar opinionit publik, që qytetarët t´i ndërpresin demonstratat” (!!!)
Kjo nuk është as hera e parë as e fundit, që z.Rugova ishte kundër protestave të qeta dhe luante rolin e shuarjes së ndjenjës tek shqiptarët për t´u çliruar një herë e mirë nga sundimi shekullor serbë.
Ibrahim Rugova gjatë gjithë karierës së tij politike ka dëshmuar se është kundër organizimit të demonstratave paqësore, ndërsa ndiqte dhe propagandonte me fanatizëm një politikë krejtsisht pasive, madje shpesh herë në konferenca me gazetarë bënte thirrje, “për durim, që të mos tensionohet situata dhe të dalë nga kontrolli, sepse kemi ndërtuar tashmë një rend demokratik”, atë rend demokratik nën sundimin klasik të Kosovës nga regjimi policor-ushtarak i Millosheviqit (!!!)
Pra, kjo ishte realpolitika e Ibrahim Rugovës, e ndërtuar mbi bazën programit të LDK-së…
Beograd 1991 / Ibrahim Rugova diplomatit gjerman i thotë:
„Ne duam të qëndrojmë brendapërbrenda shtetit serbë.
Ne duam vetëm të na rikthehet autonomia…“
Ibrahim Rugova gjatë periudhës sa ishte shef i Institutit Albanologjik dhe sekretar i OTH të LKJ-së në këtë institut dhe së fundi Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ( nga 1987), shpesh ka udhëtuar për në Beograd. Udhëtimin e fundit e ka bërë në verën e vitit 1988, në cilësin e kryetarit të SHSHK-së në kuadër të një takimi që u mbajt në Beograd, në mes të shkrimtarëve serbë e shqiptarë.
Ka të dhëna që tregojnë se, Ibrahim Rugova edhe gjatë viteve të 90-ta ka udhëtuar për në Beograd, tani jo më në cilësinë intektualit- shkrimtarit, por në cilësinë e polikanit.
Sipas një dokumenti të Bundestagut gjermanë, në vitin 1991 Kryetari i Ibrahim Rugova, gjatë qëndrimit në Beograd ( në kuadër të disa takimeve) ka pasur një takim të veçantë edhe me diplomatë gjermanë.
Në pyetjen e diplomatit gjerman Leni Fischer, se: a mendoni, që dikur Kosova t´i bashkohet Shqipërisë, me kusht që situata e atëhershme në shqipëri të përmirësohet? Ibrahim Rugova përgjigjet:„ Jo, ne nuk mendojmë në përgjithësi për këtë. Ne duam të qëndrojmë brendapërbrenda shtetit serbë. Ne duam vetëm të na rikthehet autonomia. Ne duam, që të na respektojnë si njerëz dhe pakicë kombëtare. Ne duam që të na mundësohet ta flasim gjuhën tonë, të botojmë dhe lexojmë gazetat tona etj.“
Saktësisht në dokumentin origjinal të shkëputur nga libri zyrtar i Bundestagut gjermanë, lidhur me këtë takim thuhet si vijon:
“Als wir im Jahre 1991 in Belgrad mit Herrn Rugova gesprochen haben, habe ich ihm die Frage gestellt:
Denken sie daran, irgendwann den Anschluß des Kosovo an Albanien zu fordern, vorausgesetzt daß - aus damaliger Sicht – sish die Situation in Albanien verbessert? - Das war vorübergehend ja der Fall, - Darauf hat er gesagt: „Nein, wir denken überhaupt nicht daran. Wir wollen innerhalb des serbischen Staatenverbundes bleiben.
(Beifall der Abg.Leni Fischer (Unna) (CDU/CSU)
-Wir wollen nur unsere Autonomie wiederhaben. Wir wollen als Menschen und als nationale Minderheit geachtet und respektiert werden. Wir wollen uns entfalten können, unsere Sprache sprechen dürfen, unsere Zeitungen drucken und lesen dürfen usw”.
(Citat i shkëputur nga libri zyrtar i Bundestagut gjerman-Deutscher Bundestag - 13. Wahlperiode - 200. Sitzung Bonn, Donnerstag, den 30 Oktober 1997, seite 18139)
Dokument i shkëputur nga faqja zyrtare
Se kryetari LDK-së dhe përgjithësisht i „alternativës shqiptare“ Ibrahim Rugova, ishte kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ky fakt nuk ishte i panjohur, por se kërkonte, që Kosovës t´i rikthehet autonomia dhe të mbetet në kuadër të shtetit serbë, për t´i gëzuar vetëm të drejtat si pakicë kombëtare etj., edhe pas shpalljes së deklaratës së „2 korrikut“ dhe Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990, këtë fakt asokohe shumë pakë shqiptarë e kanë ditur.
A ka udhëtuar Rugova edhe herë të tjera në Beograd, gjatë viteve të 90-ta?!
Kur bëhet fjalë për shkuarjen e Ibrahim Rugovës në Beograd (edhe pas 2 korrikut e 7 shtatorit 1990), s´mund të thuhet se ky ka qenë itinerari i tij i fundit në relacionin Prishtinë - Beograd. Tashmë dihet publikisht se Ibrahim Rugova më 15 maj 1998 është takuar me Sllobodan Millosheviqin në Beograd ( në rezidencën e tij në Beli Dvor), por ekzistojnë disa fakte tjera, që hedhin dritë për kontaktet e vazhdueshme të Ibrahim Rugovës me Beogradin.
Për të dhënë një pasqyrim sipërfaqësor, me këtë rast po i referohem gazetës „Epoka e Re“. Në një shkrim të kësaj gazete me titull: “Rugova do të ketë telashe me faktet - Këto janë thënë në LDK…dhe janë bërë nga LDK“, thuhet (po citoj): “Mendon Rugova se nuk e dimë sa herë ka fjetur në shtëpinë e Millosheviqit? Mendon Rugova se shoqëruesit e tij (njëri i vrarë gjatë luftës, tjetri pas luftës, tjetri largë tij…) nuk kanë lënë asnjë gjurmë për vozitjet që ia bënin për në Beograd, ndërsa në Kurshumli ata mbeteshin e tutje vazhdonte rrugën me policinë serbe për Dedinje? Mos t´ia hajë mendja! Ne, dimë se është financuar nga Millosheviqi në aferën e telekomit serb. Paratë kanë përfunduar në Dardania Bankë, në fund.”( Burimi: gazeta “Epoka e re”, E enjte 27 shkurt 2003, fq.11.)
Ky informacion bën të kuptosh se Rugova ka pasur edhe takime të tjera me Millosheviqin dhe implikime në afera të pista. Ndërsa lidhur me takimet sekrete në mes të palës serbe dhe asaj shqiptare, të organizuara nga binomi Millosheviq - Rugova në periudhën 1994 – 1997, dhe rreth aferës së telekomit serbo-italian, do të bëjmë fjalë në një kapitull të veçantë.
A ishte Ibrahim Rugova nismëtar i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, i Kushtetutës së Kaçanikut dhe i mbajtjes së Referendumit të vitit 1991?!
Me rastin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2006, u mbajtën disa tubime përkujtimore dhe aty u ritheksuan shumë “merita” të tij.
Ta zëmë, më 23 janar 2006 në një fjalim përmortor, nënkryetar i LDK-së Kolë Berisha, (që u transmetua drejtpërdrejt në RTK), ndër të tjera thotë:“Në këtë janar, Kosova humbi nismëtarin e Deklaratës Kushtetuese të njohur si Deklarata e 2 Korrikut (1990), të Kushtetutës së Kaçanikut, të referendumit për Pavarësinë e Kosovës, organizatorin e zgjedhjeve të para nacionale dhe presidenciale, shumëpartiake, akte këto që vunë bazën e fortë formale-juridike për ndërtimin e institucioneve të para të pavarura në Kosovë dhe shënon fillimin e fundit të një regjimi satrap të fundshekullit XX”.- përfundon citati.
Sa janë të qëndrueshme këto konstatime të z.Berisha ?
Po t’i referohemi librit të Mehmet Krajës “Vitet e humbura” (njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ibrahim Rugovës deri në vitin 1995, dhe pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e LDK-së, së fundi edhe “ambasador” në Zyrën e Kosovës në Tiranë (1994), del se Ibrahim Rugova dhe LDK-ja si parti, nuk kanë marrë pjesë në asnjë mënyrë, në hartimin e “Deklaratës së 2 Korrikut”, të “Kushtetutës së Kaçanikut”! e as në aktin e shpalljes së vendimit për mbajtjen e referendimit në shtator 1991!
Mehmet Kraja
Ja se, çka shkruan M. Kraja Lidhur me këtë çështje:
“Delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese, teksti i së cilës është bërë i njohur që atëherë. Dy muaj më vonë, në një mbledhje të fshehtë në Kaçanik, po këta delegatë miratojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe detyrohen të dalin në ekzil. Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet edhe njërën edhe tjetrën. LDK-ja qëndron fuqimisht pas këtyre akteve. As njërin e as tjetrin nuk i ka hartuar vetë, nuk ka marrë pjesë në hartimin e tyre dhe vendimi për shpalljen e tyre, merret vesh, nuk është marrë nga LDK-ja. E di me saktësi se kryesia e LDK-së ishte e informuar pjesërisht për njërën dhe për tjetrën dhe as nuk mbajti mbledhje për këtë punë dhe as që kërkoi prej dikujt ndonjë shpjegim. Ajo kryesi, madje nuk shtroi as ndonjë pyetje të vetvetishme e as nuk bëri vërejtje, të cilat kishte arsye t´i bënte, sepse dihej që atëherë se pikërisht prej saj do të kërkohej t´i realizonte praktikisht dispozitat e po asaj Kushtetute, të miratuar pa dijen dhe pa vendimin e saj.( Lexo: M.Kraja: “Vite të humbura”, faqe 230) Pra, LDK-ja nuk e shpiku as Deklaratën Kushtetuese dhe as Kushtetutën e Kaçanikut. - thotë Mehmet Kraja.
Kjo besoj, nuk do koment tjetër!
Ibrahim Rugova nuk ka marrë pjesë në asnjë mënyrë, as në hartimin e as në marrjen e vendimit për mbajtjen e referendumit në shtator të vitit 1991. Këtë fakt e sipërfaëson dukshëm vendimi i legjslaturës së vjetër i Kuvendit të Republikës së Kosovës (01Nr. Prishtinë, më 22 shtator 1991) që kryesohej nga Ilaz Ramajli. Në këtë vendim përcaktohet qartë edhe teksti i pyetjes së Referendumit lidhur me statusin politik të Kosovës.
Në këtë vendim thuhet::
R E F E R E N D U M I
REPUBLIKA E KOSOVËS
Kuvendi i Republikës
01 Numër
Prishtinë, më 22 shtator 1991
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të nenit 97 alineja 1 pika 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 shtator 1991, pas miratimit të Vendimit mbi mbajtjen e Referendumit në Kosovë,
P Ë R C A K T I M
Tekstin e pyetjes në Referendumin mbi Republikën e Kosovës si Shtet Sovran dhe i Pavarur, me të drejt të pjesëmarrjes konstituive në Lidhjen e shteteve - republikave sovrane (në Jugosllavi) mbi bazën e lirisë dhe të barazisë së plotë të republikave-shteteve në lidhjen e tyre.
Teksti i pyetjes që u përcaktua nga Kuvendi është përsa vijon:
NË BAZË TË DEKLARIMIT TUAJ TË LIRË, LUTENI QË TË PËRGJIGJENI (DUKE RRETHUAR FJALËN ”PO” OSE “JO”) SE A E PRANONI, SI VENDIM TË VULLNETIT TUAJ POLITIK, REZOLUTËN E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS MBI REPUBLIKËN E KOSOVËS SI SHTET SOVRAN DHE I PAVARUR, ME TË DREJT TË PJESEMARRJES KONSTITUIVE NË LIDHJEN E SHTETEVE-REPUBLIKAVE SOVRANE (NË JUGOSLLAVI )
PO ............................................... JO
KRYETARI I KUVENDIT TË REPUBLIKËS,
Ilaz Ramajli, d.v
Lexo: vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, 22. 09. 1991
Realpolitika e Ibrahim Rugovës
( 7 )
A e ka ditur Rugova rrugën që të çonte kah çlirimi i Kosovës?!
Ibrahim Rugova, politikën e vet paqësore, të mosveprimit e të ndejtjes rahat, e konsideronte si të paalternativë, dhe duket se nuk ka menduar asnjëherë seriozisht në përgatitjen e popullit për çlirim edhe në rrugë tjera. Në të vërtet ai gjatë kontakteve me personalitete të huaja ka marrë edhe mendime të prera se si mund të çlirohet Kosova nga Serbia. Ta zëmë, Kristina Fon Kohl, në librin e saj ”Ballkani faktor qëndrueshmërie apo pështjellimi në Evropë” shkruan:
“Pothuajse menjëhere mbas shfuqizimit të së drejtës për autonomi, disa politikanë kosovarë, midis të cilëve dhe Ibrahim Rugova, kërkuan mendimin e ekspertit austriak të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, Feliks Ermakora (Felix Ermacora). Ata donin të dinin se cilat ishin mundësitë në rrafshin e së drejtës ndërkombëtare për një përkrahje ndërkombëtare të "luftës" së tyre kundër pushtimit serb… Feliks Ermakora, pas një shoshitjeje të thelluar dhe shfletimit të materialeve të ndryshme, u përgjigj me keqardhje: ”Sa kohë që në Kosovë nuk do të derdhet gjaku, në rrafshin ndërkombëtar nuk do të angazhohet askush“ - përfundon citati.
Dhe kështu ka ndodhur, sepse lufta e lavdishme e UÇK-së dhe gjaku i derdhur i mijëra dëshmorëve… futi në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare dhe forcën veriatlantike të quajtur NATO…!
Nga kjo mund të kuptojmë se Ibrahim Rugova, qysh në fillim të karierës së tij politike, si shef i LDK-së dhe i “alternativës kosovare“ e ka ditur shumë mirë, se cila ishte rruga që të çonte kah çlirimi përfundimtar i Kosovës !
Çka u bisedua në Takimin e Luganos në mes Xhavit Halitit dhe Ibrahim Rugovës ( 1991 ) ?!
Ndonëse realpolitika e Ibrahim Rugovës për “çlirimin” e Kosovës niste dhe përfundonte me konferencat e të premteve me gazetarë, kjo nënkuptonte padiskutueshëm edhe mosbashkëpunimin e Rugovës me të gjithë ata që ishin të gatshëm ta përgatisin popullin për luftë çlirimtare. Xhavit Haliti-Zeka, njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë dhënë gazetës “Zëri i ditës”, kujton një takim që ka pasur me Ibrahim Rugovën në vitin 1991 në Lugano të Zvicrës, ku e ka njoftuar atë lidhur me përgatitjet që po bëhen për luftë të armatosur.
Xhaviti thotë:
“Me Rugovën jemi takuar në Lugano. Kjo ishte një ndejë miqësore, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryetarët e degëve të LDK-së. Dhe, të nesërmen, pas asaj darke shoqërore, kërkova të bisedonim veç me Rugovën. I sqarova atij se ne po përpiqemi që të bëjmë diç në këtë drejtim dhe e informova se jemi duke futur armatim në Kosovë”. Në vijim z. Haliti nënvizon: “Biseda ishte normale, pa tension, shumë miqësore. Në fund, Rugova më tha: ‘Unë nuk i futem kësaj veprimtarie. Unë s’mund t’ju pengoj, por mos i thoni kujt se jeni marrë vesh me mua, sepse unë nuk dua të kem punë me këtë çështje!”-përfundon citati.(Lexo më shumë në gazetën “Zëri i ditës”, datë 8 shkurt 2001 faqe 11)
Ibrahim Rugova ( edhe pse nuk ka dasht të merret me këtë çështje) nga ky takim ka mësuar se si po bëhen përgatitjet për luftë të armatosur, duke u futur armatimi në Kosovë. Se Ibrahim Rugova ka ditur për përgatitjet që po bëheshin për luftë të armatosur, e pohon edhe Adnan Merovci, njëri nga njerëzit më të afërt të tij për dhjet vjet rresht. z. Merovci kujton një takim që ka pasur në Tiranë me Avni Klinakun, njërin nga veprimtarët e strukturave ilegale ushtarake.
Merovci deklaron:
„Avni Klinaku “erdhi në vilën ku banonim në Shqipëri, u takuam në oborrin e vilës, bëmë një ndejë në kafene një kohë të gjatë dhe, me një besim shumë të madh, ai ma bëri me dije që ekzistojnë grupe të armatosura në Kosovë, grupe të cilat janë të gatshme për luftë. Më tha se kemi nevojë për komunikim dhe bashkëpunim. Ai më obligoi t´ia përcillja këto informata z. Rugova. Tani, thotë z.Merovci,- nuk mund të themi se nuk është ditur asgjë, sepse kemi ditur që ka pasur grupe të armatosura dhe që ka pasur armë.”-përfundon citati.
(Lexo librin “Pa protokoll”, Bisedë me Adnan Merovcin, Zëri - Prishtinë 2003, fq. 88.)
Avni Klinaku ish drejtues i LKÇK-së
Se Ibrahim Rugova ka ditur për krerët e UÇK-së dhe aksionet e kryera në Drenicë, Dukagjin, Llap etj., këtë e pohon edhe znj. Edita Tahiri njëra nga bashkëpunëtoret më të afërt e tij.
Në një intervistë të botuar në librin „Libri i lirisë“, fq.224, në pyetjen për aksionet e sinkronizuara të UÇK-së dhe se çfarë është biseduar për këtë gjë në Kryesinë e LDK-së, Edita Tahiri përgjigjet: “Ne e kemi ditur se nga vijnë këto arsione. Kemi pasur kontakte me Sali Çekun, i cili ka qenë udhëheqës i aksioneve që janë zhvilluar në pjesën e Dukagjinit. Pastaj me kontaktet e pjesëve të tjera të Kosovës, kemi qenë të njoftuar për aksionet që zhvilloheshin në Drenicë, Llap dhe në pjesë të tjera, si dhe është ditur për Adem Jasharin, Zahir Pajazitin e për figura të tjera që kanë qenë bartës të këtyre aksioneve” - përfundon citati.
Nga këto fakte sa i vuna në pah, mjafton të konkludoi se Ibrahim Rugova e ka ditur saktësisht se kush qëndronte pas aksioneve të armatosura ndaj objekteve dhe forcave policore-ushtarake serbe, (gjatë viteve 1994 - 1998), dhe përkundër dijes së tij të plotë, nuk hezitonte të hidhte baltë mbi njerëzit e sakrificës, e të akuzonte UÇK-në, si: ”dorë e zgjatur e Serbisë”; ”Krijesë e shërbimit sekret serbë”, “individ të frustruar”, e çkamos tjetër.
Pavarësisht nga këto deklarime të Ibrahim Rugovës, UÇK-ja tashmë ishte realitet dhe hapi një faqe të re në arealin politik-ushtarak shqiptar, dhe këtë fakt e ka pohuar zëshëm edhe analisti i njohur anglez Tim Judah *. z. Judah në librin e tij “Kosovo – war and revange” shkruan: “Më në fund u bë e qartë për të gjithë se UÇK-ja është realitet e jo, siç insistonte Rugova, formë e vazhdimësisë konspirative të Serbisë”.
* Tim Judah is a journalist, author, and ISN Security Watch’s senior international correspondent. Based in London, Mr. Judah continues to cover the Balkans for the Economist and the New York Review of Books and other publications. In recent years he has also reported from Iraq, Iran, Afghanistan, North Korea and Africa. He is the author of "The Serbs: History, Myth and the Destruction of Yugoslavia" and "Kosovo: War and Revenge".
Si e survejonte zyra e LDK-së në Tiranë, veprimtarinë “terroriste” të UÇK-së në Shqipëri?!
Ibrahim Rugova tashmë e ka ditur mirë se kush është Xhavit Haliti - Zeka, me çka merret ai në Zvicër dhe në Shqipëri, e ka ditur madje se në Shqipëri përfaqëson Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe se është njëri nga njerëzit më përgjegjës për fuqizimin dhe armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj. Ibrahim Rugova e ka ditur edhe kush është Avni Klinaku dhe cilës organizatë ilegale i takonte. Pra, Ibrahim Rugova i ka ditur të gjitha zhvillimet rreth përgatitjeve të UÇK-së për luftë të armatosur, i ka ditur sepse për këtë punë është përkujdesur Shërbimi Informativ i LDK-së (dorë e zgjatur e UDB-së) gjithandej nëpër Kosovë, ndërsa në Shqipëri çdo gjë e ka mësuar përmes zyrës së LDK-së në Tiranë, e cila më vonë u shndërrua në Përfaqësi të Kosovës për tu mbikqyruar edhe nga “kryeministri” në exzil Bujar Bukoshi. Fillimisht shefa të kësaj zyreje ishin Ali Aliu, Mehmet Kraja, Anton Kolaj etj.
Kjo përfaqësi e Kosovës përpos punëve rutinë, në qendër të aktivitetit të saj ka pasur edhe survejimin e veprimtarisë së atyre që e quanin veten UÇK. Për të argumentuar këtë gjë, me këtë rast po i referohemi një dokumenti sekret të Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH) i cili shpalon një bisedë të inspektorit A.K të SHISH-it me shefin e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, në periudhën kur Sali Berisha ishte president i Republikës së Shqipërisë (1996).
Në dokumentin e skeduar nën numrin AT 317/ b të datës 21 janar 1996, e të protokolluar tri ditë më vonë (24 janar ´96), lartë në cepin e majtë të tij, është vënë shënimi i zëvendësshefit të SHISH-it:“Të kalojë për informim në presidencë…” ( është fjala për presidencën në Shqipëri).
Në këtë dokument thuhet:
”Në një informacion që ka paraqitur një inspektor i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, A.K, pas bisedës në përfaqësinë e Kosovës, në Tiranë, mes të tjerave, shefi i tij ka nënvizuar:
“Mendimi i zyrtarëve të Prishtinës (Lexo: Kreut të LDK-së me Ibrahim Rugovën në krye) është se kemi të bëjmë me njerëz të organizuar mirë dhe që kanë disa baza në Shqipëri, sidomos në Tiranë, Durrës – plazh, dhe në Tropojë. Veprimet e deritanishme të saj, që e quan veten UÇK, kanë qenë të përqëndruara në Drenicë dhe në rajonin e Dukagjinit, që mund të përkufizohej në vijat Prizren – Shtimje dhe në rrugën Pejë – Mitrovicë. Tash, me aksionet që janë zhvilluar para pakë ditësh, zyrtarët e Prishtinës mendojnë se ajo po vepron në një hapësirë krejt tjetër, që është më e gjerë. Gjithnjë sipas tyre, UÇK-ja është në tri zona, mirëpo nuk kanë dijeni të sakta se cilat janë shtrirjet e zonave, vetëm se, më parë, zoti A.A (Ali Aliu), u kishte thënë se zona e dytë është në Maçedoni. Në takimin që ka pasur njeriu i tyre, R.GJ (Rexhep Gjergji), me një përfaqësues të qeverisë serbe është pasur parasysh se aksione terroriste duhen pritur edhe në të ardhmen. Mendimi i tyre ëshët se fjala vjen për disa njerëz të veçantë, që mblidhen në organizata ilegale e që duhen survejuar, sidomos në Tiranë. Disa prej tyre nuk duhen lejuar të veprojnë në Shqipëri. Pas kërkesës sime, zyra e Kosovës do na paraqes një listë të emrave të njerëzve që dyshojnë se fshihen pas kësaj organizate terroriste”.
(Burimi: B.Islami “Enigma e një vrasje të trefishtë”, Focus, Prishtinë, 2007, faqe.129)
Çdo koment rreth këtij dokumenti duket se është i tepërt.
Disa ditë pas dhënies së këtij informacioni, zyra e përfaqësisë së Kosovës në Tiranë, SHISH-it ia ka dorëzuar një listë me emra të personave që mendohet se janë bartës të UÇK-së dhe që kryejnë veprimtari “ilegale subversive” në Shqipëri. Atë periudhë, disa nga të dhënat që i ishin dorëzuar SHISH-it, do të prezentoheshin edhe në një informacion të përgatitur nga ish - Shërbimi i Sigurimit ushtarak jugosllav me emrin e quajtur KOS, në të cilin janë shtuar edhe disa karakteristika të tjera, si gjendja shoqërore e atyre që e përbëjnë Grupin e Drenicës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, arsimi i tyre, vendndodhja, karakteristikat e zonës etj etj.
Këto argumente flasin qartë se njëshi i “institucioneve të Republikës së Kosovës” Ibrahim Rugova së bashku me “institucionet e Republikës së Serbisë”, e kanë përcjellur në vazhdimësi veprimtarinë e bartësve të UÇK-së në Kosovë, shqipëri dhe në vendet tjera perëndimore.
Prandaj, duke pas parasysh të gjitha këto arguente, natyrshëm mund të thuhet se Ibrahim Rugova me institucionet e tija ”fiktive”, me asnjë veprim konkret, nuk ka treguar gatishmëri se është për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kryetari i “Republikës së Kosovës” dhe i një vargë funksioneve të tjera, Ibrahim Rugova, madje ishte edhe kundër demonstratave paqësore që i organizonin studentët e Universitetit të Prishtinës, duke u arsyetuar tashmë me slloganin e shumëfamshëm, se “duhet të jemi të kujdesshëm e të mos e tensionojmë situatën pa nevojë, në mënyrë që të mos e prishim rendin e krijuar demokratik”. (!!!) Po, për cilin rend demokratik e kishte fjalën ky gajlegji i kujdesshëm se ?! Për atë rendin demokratik të krijuar nën sundimin klasik të Kosovës nga regjimi pushtues i Millosheviqit, ku mbretëronte vetëm frika, dhuna e përditshme, ku ndodhnin tmerrshëm burgosjet, persekutimet, vrasjet e shpërnguljet masovike të shqiptarëve nga Kosova etj, ndërkohë që atij personalisht por dhe elitës së tij politike (që rrethohej) s´i hynte asnjë therrë në këmbë, për më tepër ai me shpurën e tij dilte nga Kosova, shkonte kahmos nëpër botë dhe kthehej sërish në Kosovë (pas qëndrimit në Shqipëri të presidenti Sali Berisha) pa pasur pasoja nga regjimi pushtues serb!
(vijon)
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 5 vizitorë |
| Lexuar:
1,345 herë
|
|
|
|
|
|
|