| Plani sekret i “Paja Patakut” me rr’xu shpija! |
| Publikuar më 20 janar, 2009 në orën 02:12 ( ) |
Isa Mulaj | Të ndryshme | |
|
|
|
Analizë e skandaleve të MTPT-së dhe K.K. të Istogut në infrastrukturën rrugore dhe çështje tjera
( PJESA E PARË )
Përmbledhje
Në momentet kritike kur shteti ishte në formim, ka ndodhur që studentët e atij vendi në botën e jashtme të ndajnë më shumë se gjysmën e bursave së tyre për forcimin e tij. Kontributi krejt i vogël, megjithatë kishte shkuar në vend dhe ka dhënë efektet e synuara. Në shtetin e ri të Kosovës, përkundër rreziqeve të përgjithshme dhe kushteve të pafavorshme për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, përparësia në infrastrukturën rrugore duket se mbetet asfaltimi i rrugicave dhe qorrsokaqeve deri tek WC-të dhe kotecet e pulave të zyrtarëve në pushtet, me çmim shumë më të lartë se i rrugëve regjionale. I tillë është rasti me një projekt që ka filluar të zbatohet nga disa matrapazë të Kuvendit Komunal (K.K.) të Istogut me buxhet të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT). Çfarë rëndësie ekonomike ka aslfaltimi i rrugëve lokale dhe anashkalimi i atyre regjionale, kush përfiton dhe humb nga këto përparësi, çfarë mësimesh duhet të nxjerren, dhe çfarë masash duhet të ndërmerren? Ky artikull shtjellon disa nga këto probleme dhe provon të ofroj disa zgjidhje.
Fjalët kyçe: K.K. i Istogut, infrastruktura rrugore, MTPT, “Paja Pataku”, rrugica Rakosh – Uçë.
Personat kyç: Fadil Ferati & Co., Agim Haxhiaj, Bedri Hajzeraj, Fatmir Limaj, “Paja Pataku”
Klasifikimi sipas JEL: D37, H54, H76, L90, N94, R53.
1. Hyrje dhe metodologjia
Qyteza e Istogut shtrihet në përendim të Kosovës. Vlerësohet se i ka afër 7.000 banorë, ndërsa si komunë rreth 65.000. Statusin e komunës e ka fituar pas Luftës së Dytë Botërore. Para asaj kohe i përkiste komunës së Gurrakocit, ose fshatit të sotëm në kuadër të komunës së Istogut. Nga Gurrakoci vjen Kryetari i tanishëm dhe i më shumë se gjashtë viteve rresht të Kuvendit Komunal (K.K.) të Istogut, Fadil Ferati, i cili njëkohësisht ka edhe disa funksionet tjera të shumëfishta, ku në mesin e tyre, dy janë më kryesore: i) zëvendëskryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK); dhe ii) anëtar i Bordit të Agjencionit Kosovar për Privatizim.
Për dallim nga pushteti qendror ku LDK-ja është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në K.K. të Istogut LDK-ja bashkëqeverisë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ky diversitet në strukturën politike ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal ka shkaktuar mospajtime në punët e përbashkëta, sidomos në infrastrukturën rrugore. Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT) udhëhiqet nga PDK-ja, e cila krahas asfaltimit të rrugëve regjionale nepër Kosovë ndan mjete në formë të granteve edhe për komunat. MTPT-ja në kuptimin e gjërë të fjalës nuk e ka për detyrë të përzihet në rrugët lokale, me përjashtim të rasteve kur buxheti i komunave nuk mjafton, atëherë paraqitet si bashkëfinancuese. Buxheti i komunave të Kosovës në përgjithësi është i pamjaftueshëm për infrastrukturën rrugore. Për vitin 2008, buxheti i përgjithshëm i K.K. të Istogut ishte planifikuar të jetë 588.500 euro.
MTPT-ja përmes granteve i ndihmon ato në asfaltimin e rrugëve regjionale sipas përparësisë dhe rëndësisë që kanë për komunat. Mirëpo, ka fakte të bollshme se MTPT-ja shpesh herë i ka anashkaluar kriteret e përparësisë për rrugët regjionale dhe u ka ndarë mjete komunave për asfaltimin e rrugëve të rëndësisë së dytë ose më të vogël. Në disa rajone rurale kjo ndërhyrje është bërë në shenjë lojaliteti ndaj politikanëve duke asfaltuar rrugët e fshatrave të tyre, dhe për mundësi më të madhe të korrupsionit. Me përjashtim të ndonjë lajmi sot për nesër, nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për ta ndaluar këtë praktikë shumë të njohur. Rasti që është duke u shqyrtuar në këtë analizë, përkundër kundërthënieve dhe mosmarrëveshjeve politike që i kishte në fillim, është bukur shumë ndryshe. Mësimi kryesor nga ky rast është se, kur janë në pyetje përfitimet e përbashkëta duke abuzuar me mjetet financiare, politikanët me qëndrime diametralisht krejt të kundërta dhe të hasmuar ndërmjet vete, bashkohen dhe nuk u intereson nëse puna në terren rezulton me të meta apo dobia nga projekti i realizuar është fare e vogël që nuk ia vlen barra qiranë.
MTPT-ja nuk ishte befasuar me kërkesën e K.K. të Istogut për shumën prej afër 2 milionë euro, por me projektin e asfaltimit të një rruge lokale që kalon nepër fshatrat Rakosh – Uçë ku do të shpenzohej shuma e mjeteve të cekura. Për gati një vit, K.K. të Istogut i ishte treguar prerazi se nuk do t’i merr mjetet për rrugën në fjalë me arsyetimin se nuk ishte kurrfarë përparësie. Sidoqoftë, në fund të vitit 2008 projekti filloj të zbatohet me mjetet e dhëna nga Ministria.
Kjo analizë mbështetet në shumë burime zyrtare e jo zyrtare. Kam qenë edhe më herët i informuar rreth kundërthënieve ndërmjet Ministrisë dhe K.K. të Istogut për këtë rrugë, ndërsa më vonë edhe i angazhuar drejtëpërdrejt në disa procese të saj siç janë, pyetjet që ia kam bërë Fadil Feratit në debatin e parë me qyetarë kur rastësisht u gjinda në vendin e duhur dhe kohën e duhur, bisedat me zyrtarët tjerë komunal, dhe informatat nga shumë fshatarë që shprehnin mllefin kundër selektivitetit të skajshëm të zyrtarëve komunal në projektet e infrastrukturës rrugore. Më së shumti më ka rastisur të hasi se sa lehtë është të manipulohet me ata fshatarë të gjorë vetëm me fjalë. Nëse jeni zyrtarë komunal, fshatrëve mund t’iu thuani se kjo rrugë do të asfaltohet nesër ose në pranverë, dhe atyre u duket punë e kryer. Në të njëjtën kohë, për projektin e shpallur në tender mund t’iu thuani se ka thënë Fatmir Limaj (ministri i MTPT-së) që nuk do të zbatohet dhe ata besojnë. Në përgjithësi, me disa përjashtime, nëse jeni pushtetar në nivel lokal ose qendror, mund t’i merrni Istogasit me autobusa, iu thoni se po i dërgoni diku për të punuar ose në botën e jashtme, dhe lirisht mund t’i transportoni në kampe të përqendrimit ose ndonjë vend për ekzekutim. Aq është përgjegjësia qytetare e Istogasve të huptë. “Përgjegjësia” e tillë qytetare bazohet në thashethemet e momentit të cilat edhe po të kenë gjasa të jenë të vërteta, nuk llogariten nëse mund të sjellin të mira, zhgënjim ose pasoja.
Më së shumti më ka nevrikosur varshmëria shumë e madhe dhe botëkuptimi i Istogasve të zakonshëm ndaj thashethemeve që kryesisht i marrin në formë gojore, por edhe nga televizioni kur transmeton deklarata e politikanëve. Nuk mendojnë në mënyrë kritike se sa ato deklarime përkojnë me realitetin në terren. Shkaku i një rrethi të tillë të mbyllur në informim mund të jetë numri i kufizuar i televizioneve dhe lajmet me përmbajtje të ngjashme, emisionet me personalitete të kufizuara, propaganda dhe gënjeshtrat e përdorura nga politikanët.
Pos burimeve të shumta, analiza është bazuar në vizitat e shpeshta në terren ku planifikohej dhe tani zbatohet projekti, si dhe rrugët tjera me përparësi më të madhe por të anashkaluara qëllimshëm. Më tutje janë shfrytëzuar fotografitë e Google Earth nga ajri që tregojnë qartë përzgjedhjen selektive të një rruge të ngushtë për t’u asfaltuar. Është diçka që shihet edhe nga aeroplani se kemi të bëjmë e një përzgjedhje të mprapshtë të përparësive në infrastrukturën rrugore. Fotografi e përbashkët e disa fshatrave të rajonit verilindor të komunës së Istogut në lartësi prej 7,62km pastaj është zbërthyer në fotografi të zmadhuara për fshatrat veç e veç, me theks të veçantë tek rrugët. Me këtë rast është ruajtur lartësia e njëjtë nga ajri prej 1,5km për secilën fotografi të rajoneve të ndryshme me qëllim që krahasimi të jetë sa më i mirë dhe objektiv.
Pas fillimit të punimeve ose përgatitjeve të terrenit për asfaltim, rruga Rakosh – Uçë është vizituar edhe një herë me 21 dhjetor 2008 për ta vështruar gjendjen. Natën e vitit të ri rastësisht kam takuar arkitektin ose njeriun kryesor prapa të cilit qëndron projekti. Është fjala për një mik timin të kryqëzuar ose të dyfishtë – ish arsimatri i fizikës dhe kujdestari im i klasës me të cilin kam edhe miqësi familjare të tërthortë. Më përshendeti me fjalët “ku je Paja Patak”. Informata më e fundit në këtë analizë përfshinë bisedën me një zyrtar komunal për të vërtetuar nëse Fadil Feratin e kanë rrahur Klinakët në Gurrakoc me datën 30 dhjetor 2008 rreth një projekti në infrastrukturën e ujësjellësit.
Ndonëse është rast në vete dhe i veçantë, është bërë përpjekje për ta përshkruar ndonjë rast të ngjashëm për krahasim në rajone tjera të Kosovës për të trguar se ku do të investoheshin një shumë e madhe e mjeteve në një rrugë lokale duke i lënë rrugët regjionale si çështje e rëndësisë më të vogël. Që publiku të jetë edhe më shumë në dijeni se çfarë lloj skandali është në pyetje, është supozuar krahasimi i përparësive në infrastrukturën rrugore të disa fshatra të komunës së Durrësit dhe Shijakut në Shqipëri.
2.1 Rreth Istogut dhe infrastrukturës së tij rrugore
Istogu ishte lavdëruar si komuna që më së miri i ka përmbushur të ashtuquajturat “Standarde për Kosovën” në raport me komunat tjera. Deri në fund të vitit 2007, vlerësohej se kishte bërë përparime të dukshme në ndreqjen e infrastrukturës rrugore. Buxhetin komunal nga të hyrat vetanake e kishte dhe ende e ka shumë të vogël, por kishte përfituar dhe ende përfiton nga organizatat e huaja që veprojnë në Kosovë. Infrastruktura rrugore megjithatë nuk është përmirësuar aq sa është propaganduar dhe si duhet. Kjo vlen sidomos për fshatrat që kishin një rrjet të mirë të rrugëve që K.K. i ka lënë me qëllim pa u asfaltuar, edhe pse nga çdo këndvështrim ato ishin përparësi. Në vend të tyre janë asfaltuar rrugë dytësore ose lokale, dhe kjo ka ndodhur për shkak të grupeve të interesit brenda K.K. dhe jashtë tij.
Istogu më tepër njihet për pozitën e tij të përshtatshme gjeografike, çka i bën shumë vizitorë të mendojnë pozitivisht edhe për infrastrukturën e tij. Ndërtimet private pas luftës në Kosovë 1998-99 i kanë dhënë atij pamjen e një qyteze. Në aspektin ekonomik nuk qëndron ndryshe me komunat tjera të madhësisë së ngjashme. Papunësia është masive dhe varfëria e theksuar. Rajoni si komunë dallohet për shkatërrimin e madh të pyjeve gjeth rënëse dhe atyre halore. Prerjen e jashtëligjshme të pyjeve gjeth rënëse e bëjnë fshatarët për nevojat e tyre për ngrohje dhe shitje. Lëndet drurore të pyjeve gjeth rënëse shumë pak përdoren në industri nga shkaku se janë pakësuar dukshëm. Mungesën e tyre e plotësojnë lëndët e pyjeve halore nga mali i Radushës dhe Moknës, ku janë regjistruar një numër i incidenteve që i kanë shkaktuar serbët nga Serbia.
Edhe pse gjindet afër Pejës në kuadër të së cilës edhe hyn si komunë e qarkut të Pejës, siguria pas luftës në Istog ka qenë shumë më ndryshe. Peja u bë Përendimi i Egër i Kosovës për shkak të numrit të madh të vrasjeve që kishin ndodhur për interesa korruptive dhe qërim hesapesh ndërmjet grupeve të interesit. Peja deri vonë radhitej si komuna me numrin më të madh të vrasjeve pas Prishtinës në tregues absolut, dhe e para në Kosovë për nga vrasjet në raport me numrin e popullsisë. Pse Istogu ka pasur numër relativisht shumë më të vogël të vrasjeve jo vetëm se Peja por edhe komunat tjera, nuk është hulumtuar ndonjëherë për t’i treguar shkaqet e përgjithshme. Derisa në Pejë vrasjet ishin qërim hesapesh ndërmjet “mafisë së biznesit” dhe reketeve, në komunën e Istogut ato më së shumti kanë ndodhur për ngatërresa tjera që kanë lindur spontanisht. Nuk është se njerëzit e Istogut janë më të “butë” dhe më të “ndershëm” siç i perceptojnë shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të shteteve tjera. Sqarimi është tek inteligjenca e pamjaftueshme e Istogasve për të “përparuar” në qërimin e hesapeve sipas metodës më “natyrale” të Pejës, e që ka gjasa të ndodhë në të ardhmen, si fazë e “domosdoshme” për tranzicion në demokraci. Peja deri diku i plotëson këto kushte, ndërsa Istogu është shumë larg. Kjo vërtetohet me investimet e K.K. të Istogut në infrastrukturën rrugore sipas miqësisë, anashkalimin e qëllimshëm të rrugëve me përparësi të lartë dhe të gatshme për t’u asfaltuar, si dhe me planin sekret të Paja Patakut me rr’xu shpija që është ndër temat kyçe të analizës në këtë artikull. Të gjitha këto kanë kaluar pa rezistencë dhe ankesa nga Istogasit e “huptë” (hutuar). K.K. i Istogut i ka mbuluar këto me raporte të pavërteta ndaj të cilave askush nuk ka reaguar në formën e duhur.
3.1. Gjendja e rrugëve të asfaltuara në komunën e Istogut
Rrugët regjionale më të mira dhe më standarde mbesin ato që janë asfaltuar para disa dekadave gjatë socializmit vetqeverisës, ku hyn rruga Istog – Gurrakoc – Klinë, dhe Pejë – Banjë – Gurrakoc – Rakosh që shpie në Mitrovicë. Ndër rrugët regjionale të asfaltuara pas luftës 1998-99 vlen të përmendet ajo në relacionin Vrellë – Banjë e asfaltuar para një viti. Rruga Istog – Cerrcë – Vrellë megjithë se duket e fortë dhe me cilësinë e duhur të asfaltit, ka një mangësi të theksuar. Asaj nuk i janë vënë mbrojtëset anash prej betoni dhe i mungojnë kanalizimet përfundi. Sa herë bie shi, rrugët e pa asfaltuara të lagjeve në fshatrat Cerrcë dhe Lubozhdë që lëshohen nga ana veriore sjellin me bollëk llum, rërë dhe gurë duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Nëse fshatarët nuk e heqin materialin e grumbulluar mbi asfalt, gjatë ditëve me diell në komunikacion bëhet pluhur. Ky proces rrezikon dëmtimin e asfaltit sikur para dy dekadave që kishte ndikuar në shkatërrimin e rrugës së asfaltuar. Secili vizitor i rastit, mos të flasim për arkitektët dhe inxhierrët, do ta pyeste veten se për çfarë arsye nuk janë ndërtuar kanalizimet e domosdoshme nën asfalt për rrugicat që sjellin baltën, rërën dhe gurët. Nuk ka pasur ndonjë përgjigje konkrete deri më sot për arsyet e mungesës së atyre kanalizimeve. Duke u bazuar në vlerësimin e përgjithshëm rreth manipulimeve në tendere për asfaltimin e rrugëve me qëllim përfitimi privat siç janë trashësia më e hollë e asfaltit, rruga më e ngushtë se që është planifikuar dhe shpallur në tender, e shumë elemente tjera shoqruese për rrugët sipas standardeve, atëherë mund të supozohet se mjetet parapara për mënjanimin e mangësive ekzistuese në rrugën Istog – Cerrcë – Vrellë kanë mundur të përfundojnë në xhepa të dikujt. Ky supozim megjithatë duhet të vërtetohet, ose së paku të jipet përgjigje e drejtë për mungesën e kanalizimeve.
Rruga Istog – Dubravë e (ri)asfaltuar para 4 viteve ka filluar të plasaritet dhe të shfaqen gropat. “Kjo rrugë tash vonë është asfaltuar dhe ja, si ka filluar ta lëshoj për shkak të cilësisë së dobët të asfaltit”, po më thoshte shoferi, një zyrtar i K.K. të Istogut gjersa po udhëtoja me të në atë rrugë. Vështirë se kjo rrugë do të qëndroj edhe 4 vite tjera pa pasur nevojë për t’u riasfaltuar. Vazhdimin e saj prej Dubravës deri te Hani i Sarës në Bellopojë ose në dalje të magjistrales Pejë – Mitrovicë, me gjatësi më të shkurtë se 2km, më vonë e kishte bërë KFOR-i spanjoll. Baza e KFOR-it spanjoll gjindet pikërisht në Dubravë buzë asaj rruge, dhe ai bëri punën për t’ia lehtësuar së pari vetes qarkullimin.
Për rrugën Muzhevinë – Llukavc ankohen shumica e qytetarëve se nuk është punuar si duhet dhe është e ngushtë. Fajin kryesor ia hedhin ndërmarrjes e cila e i ka kryer punimet. Është me rëndësi të theksohet se e njëjta ndërmarrje që nuk ka bazë dhe kapacitete për asfalt është kontraktuar për asfaltimin e rrugës Rakosh – Uçë. Pronarët e saj janë fshati Uçë.
Edhe për rrugën Istog – Istog i Poshtëm qytetarët ankohen shumë se është lënë më e ngushtë se që ishte dashur të jetë ose planifikuar. Në biseda private ata akuzojnë pushtetin lokal të Istogut se e ka “hangër” një pjesë të asfaltit. Rrugët lokale të asfaltuara për lidhjen e fshatrave janë të ngushta. Për vendbanimet e Istogut i plotësojnë standardet krahasuar me rrugët regjionale në fshatrat verilindore që mbesin të paasfaltuara edhe pse janë me përparësi më të lartë, kushtojnë më pak, dhe janë të gatshme për t’u asfaltuar. Brenda qyetzës së Istogut, trotuaret janë të rregulluara mirë dhe përgjatë tyre janë mbjellur drunjë. Rruga prej stacionit të autobusëve deri në hyrje të rrugës për Gurrakoc ende i përngjan një terreni ku duket se kanë shpërthyer granatat; asfalti është i çarë dhe në dalje ka gropa.
3. Asfaltimi i rrugëve kah dera e shtëpisë së pushtetarëve qendror dhe lokal si përparësi: Istogu dhe viset tjera të Kosovës
Kur Ibrahim Rugova ishte Kryetar i Kosovës, gjatë mandatit të tij kishte ndikuar, apo pse jo edhe urdhëruar, ish-ministrin e MTPT-së Zef Morina që vinte nga Partia Shqiptare Demokristiane (partner i atëhershëm qeveritar i LDK-së në pushtet) ta bëjë asfaltimin e rrugës Istog – Cerrcë – Vrellë. Cerrca është vendlindja e Ibrahim Rugovës. Duke mos e paragjykuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e asfaltimit të kësaj rruge, kishte edhe dy arsye tjera me ndikim vendimtar. E para, Istogu ishte bastioni kryesor i LDK-së; dhe e dyta, kryeshefi ekzekutiv i atëhershëm dhe nënkryetari i tanishëm i K.K. të Istogut, Haki Rugova, është nga Cerrca.
Me ardhjen e Fatmir Limajt në krye të MTPT-së, jo rastësisht fillon asfaltimi i rrugëve në Malishevë ose komunën nga vjen vet ministri. Pastaj vazhdohet me rrugët lokale në fshatrat prej nga vijnë politikanët tjerë të PDK-së dhe gratë e tyre. E para është gruaja e Kryeministrit Hashim Thaçi. Ajo vjen nga fshati Studime e Vushtrisë. MTPT-ja dhe K.K. i Vushtrrisë do të përkujdesen për asfaltimin e rrugës në gjatësi prej 5,9km dhe gjerësi 5m kah dera e familjes dhe farefisit të gruas së Hashim Thaçit. Projekti ka kushtuar 457.000€, prej të cilave mbi 80 përqind i kishte siguruar MTPT-ja, mbi 15 përqind K.K. i Vushtrrisë dhe pjesëmarrja e qyetarëve 4,4 përqind. Shuma e mjeteve të pjesëmarrjes së qyetetarëve në tregues monetar ishte 20.000€, ose e sasisë që gruaja e Hashimit ndoshta ka mundur t’i siguroj si bakshish po që se i kishte hallakatur xhepat mirë.
Në kohën kur ishte Kryeministër, Bajram Kosumi kishte devijuar një fond prej qëllimit të përcaktuar duke e shfrytëzuar atë për asfaltimin e rrugës Kamenicë – Tugjec (fshati i lindjes së Bajram Kosumit), me gjatësi prej 18km. Për shkak se nuk qëndroj shumë në krye të Qeverisë së Kosovës, nuk kishte arritur ta zbuloj i pari praktikën e asfaltimit të rrugëve kah dera e miqëve sikur Hashim Thaçi. Po të vazhdonte mandatin pak më gjatë, ndoshta do të ishim dëshmitar të asfaltimit të rrugës në fshatin Prigodë të Istogut prej nga Bajrami e ka gruan. Asfaltimi i rrugëve në fshatrat e Istogut ndodhë vetëm në rastet kur nga ai fshat vjen ndonjë funksionar i pushtetit qendror dhe/ose lokal. Rruga në fshatin Staradran u aslafltua pasi Adem Grabovci u bë zëvendësministër i MTPT-së dhe vjen nga po ai fshat.
Klientelizimi dhe nepotizmi si parime themelore në investimet e infrastrukturës rrugore marrin të gjitha format dhe kombinatorikën e mundshme. Shumica e qyetarëve të Istogut që kishin njohuri elementare rreth projekteve të infrastrukturës rrugore të K.K. të Istogut vazhdimisht e theksonin mospajtimin që udhëheqësia e komunës e kishte me MTPT-në. K.K. i Istogut insistonte fuqishëm në asfaltimin e rrugës lokale Rakosh-Uçë dhe për këtë kërkonte mjete nga MTPT-ja. Ministri Limaj kishte vizituar rrugët e Istogut. Kur e dërgojnë në rrugën e Paja Patakut, ministri u kishte deklaruar zyrtarëve komunal: “kjo nuk qenka rrugë; kjo është rrugë lagjesh. Kjo nuk vie në shprehje hiq”. Më pas ministri kishte shikuar rrugët tjera në gjendje më të mirë, dhe për rrugën Dubravë – Shushicë e Epërme kishte thënë: “Kjo qenka e gatshme dhe e lehtë për ta asfaltuar. Nëse filloni këtu, menjëherë ua jepim mjetet”. Mirëpo, K.K. të Istogut edhe sikur t’i jipeshin milionat për asfaltimin e rrugëve në gjendje më të mirë dhe me përparësi, ishte i vendosur të refuzoj. Synimi i tyre ishte dhe mbeti rruga lokale Rakosh – Uçë me të vetmin shkak; nga Rakoshi është drejtori i drejtoratit të K.K. të Istogut Agim Haxhiaj, ndërsa nga Uça Bedri Hajzeraj, udhëheqës i sektorit komunal për çështje të rinisë dhe sportit. Sipas burimeve të sigurta, refuzimit kategorik të ministrit Limaj për ndarjen e mjeteve për rrugicën e Paja Patakut, Fadil Ferati i është përgjigjur duke intervenuar tek Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu. Sjediu pastaj ka ushtruar presion tek eprori i tij Hashim Thaçi që ta detyroj Fatmir Limajn t’i ndajë mjetet. Pas këtij intervenimi, MTPT-ja i dhënë 1.890.000 euro K.K. të Istogut, për rrugicën e Paja Patakut që vlerësohej se kushton afër 2 milionë euro. Sqarim tjetër për mjetet e dhëna nga Ministria, e cila edhe ashtu nuk e kishte për obligim t’i jepte për rrugët pa përparësi, nuk ka. Disa shkojnë edhe më larg në spekulime se arsyeja gjindet në vendosshmërinë e një pjese të udhëheqësisë së LDK-së për t’iu nështruar më shumë PDK-së dhe në heshtje të bëhet vetëm vegël e saj. Por më e arsyeshmja ndër të gjitha dyshohet të jetë përfitimi privat i jashtëligjshëm i një pjese të mjeteve si qëllim i parë dhe i fundit përmes bashkëpunimit të fshehtë. Fakte tjera se kur janë në pyetje këto raporte interesash të ngushta dhe personale në dëm të shtetit dhe demokracisë, ka sa të duash. Më 19 dhjetor 2008 PDK-ja kishte rrëzuar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për Kryetarin e Kosovës, me arsyetimin se përmbajtja e tij duhet të ndryshohet rrënjësisht, ndërkaq opozita e kishte cilësuar projektligjin si jo demokratik, të keq, dhe kishte kërkuar që i njëjti mos të vijë kurrë në Kuvend. Vetëm një ditë pasi që PDK-ja kishte kërkuar dhe arritur heqjen nga rendi i ditës të projektligjit, Kryetari Sejdiu kushtëzoj Kryeministrin Thaçi me mosnënshkrimin e projektbuxhetit për vitin 2009. Projektligji (famëkeq sipas vlerësimeve të Kuvendit) për Kryetarin u rikthye në Kuvend me urdhërin e Kryeministrit Thaçi dhe u miratua. Kryetari Sejdiu si shpërblim përmbushi zotimin për kushtëzimin që e kishte bërë – nënshkroj projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009 – buxhet të cilin nuk e përkrahi Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këso marrëveshje kanë ndodhur vazhdimisht. Rasti më i freskët është më 11 janar 2009 kur LDK-ja mbështeti raportin me plot gënjeshtra të Qeverisë për punën një vjeçare. Nuk ia vlen të përmenden rastet e tilla prej se ka ardhur në pushtet ky koalicion sepse do të duhej një libër i tërë për analizën e tyre.
Ministri Limaj vazhdimisht krekoset nepër media përtej nivelit të arsyeshëm për punën në asfaltimin e rrugëve të Kosovës. Po të bisedoni me shumicën e qytetarëve të Kosovës, ata mendojnë se të gjitha ministritë e Qeverisë së tanishme janë të shquara për dështime të hatashme, me përjashtim të MTPT-së dhe deri diku Ministrisë së Arsimit për kufizimin e krimit të organizuar në arsimin e lartë privat. Nuk e di se për cilat arritje bëhet fjalë në arsimin e lartë kur termi intelektual në praktikë nuk ekziston. Po të kishte Kosova intelektual, korrupsioni dhe gënjështrat ashiqare nuk do të ishin shndërruar në mënyrën “hyjnore” dhe më e zakonshme të jetës. Për “arritjet” në arsimin e lartë dhe pseudo intelektualët e Kosovës ekziston vetëm një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjet edhe njerëzimi: A ka pasur periudhë më të errët historike për dijen në Kosovë se sot?
Çfarë pune në të vërtetë ka bërë MTPT-ja nën mandatin e Fatmir Limajt deri më sot dhe si është gjendja me infrastrukturën rrugore? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje në kuptimin e gjërë të fjalës dhe në vija të trasha, është e domosdoshme të merret parasysh gjendja me buxhetin e Kosovës para se të vie në pushtet koalicioni qeveritar PDK-LDK. Në vitin 2007 buxheti i Kosovës kishte trashëguar një suficit (tepricë) të grumbulluar nga vitet paraprake prej 300 milionë euro, ose një shumë sa 40 përqind e buxhetit të përgjithshëm për atë vit. Në fund të vitit 2008 kishte arritur 444 milionë euro. Të kujtojmë se suficiti buxhetor ose mos shpenzimi i mjeteve ka lënë pasoja në shërbimet publike dhe funksionimin e shtetit. Qeveria e re vendosi që shumicën e atyre mjeteve t’i orientoj në infrastrukturën rrugore. Sado që gjendja e këtij sektori me ndikim të tërthortë në ekonomi ishte dhe është vërtetë a pakënaqshme, shpenzimi i madh i mjeteve në këtë sektor gjithsesi linte mangësi në sektorët tjerë. Qeveria mund ta shpezoj jo vetëm suficitin e mbledhur për vite me radhë, por edhe gjysmën e buxhetit të tanishëm në asfaltimin e rrugëve. Pasojat nga kjo përndarje e mjeteve dihen paraprakisht në sektorët tjerë. Përveç kësaj, Qeveria në periudhën janar – shtator 2008 ose për 8 muaj ka shpenzuar 134 milionë euro për investime kapitale (kryesisht rrugë), ndërsa vetëm gjatë muajit dhjetor të të njëjtit vit shpenzoj 135 milionë ose një milionë më shumë. A thua pse? Besoj i dini shkaqet dhe nuk ka nevojë të diskutohen këtu.
Deri më tani, MTPT-ja e Fatmir Limajt ka shpenzuar mbi 100 milionë euro në rrugët e Kosovës. Për vitin 2009 ministri deklaroj se janë ndarë diku 115 milionë euro për rrugë, ose 8 përqind e buxhetit të përgjithshëm, ndërkohë për bujqësinë më pak se 1 përqind. Dhe çfarë rezultatesh u arritën me 100 milionë euro në asfaltimin e rrugëve që shumë qytetarëve u ka bërë përshtypje se po punohet shumë? Mandej, sa janë reale vet lavdërimet e Qeverisë së ka asfaltuar 600 km rrugë, dhe emërtimet e opozitës për “Qeverinë e asfaltit”? E tërë kjo krijon përshtypjen se në Kosovë është duke ndodhur një përmirësim i dukshëm i infrastrukturës rrugore. Përveq propagandës në media, gjendja në terren është ndryshe. Çfarë zhvillimi i infrastrukturës është arritur me asfaltimin e rrugëve nepër Malishevë, Studime, Starandran, dhe së fundi me rrugicën e Paja Patakut? Si është gjendja me rrugët kryesore të Kosovës?
Autostrada Merdar – Vërmicë ose prej kufirit me Serbinë deri në pikën kufitare me Shqipërinë, e rëndësisë jetike për Kosovën, është kerkah hiq. Rruga tjetër kryesore Prishtinë – Pejë ku MTPT-ja para 3-4 muajve ka filluar zgjerimin prej Fushë Kosovës deri në aeroportin e Prshtinës, mbetet shumë larg realizimit. Çfarë të mire i kanë sjellur komunikacionit punimet e gjertanishme në këtë rrugë? Në vend të më së shumti një ore e gjysmë sa iu duhej për të shkuar me veturë prej Prishtine në Pejë, tani iu duhen afër 2 orë, dhe kjo për shkakun e tollovisë në komunikacion që ka shkaktuar rruga alternative deri sa vazhdojnë punimet në rrugën kryesore prej daljes së Fushë Kosovës e deri në vendin ku ndahet për në aeroport. Ata që mendojnë se ky është sukses gabojnë. Suksesi matet pasi të përfundoj projekti, i cili me punë intensive nuk ka gjasa të mbaroj deri në verë. Kthimi në gjendje më të keqe se që ishte më herët nuk është sukses por dëm që po bëhet me shpresën se në të ardhmen do të shpaguhet për rrugë më të mirë. Rrugët tjera që lidhin qyetet kryesore si ajo Mitrovicë – Prishtinë, është shumë e vjetëruar dhe e arrnuar në shumë vende. Rrugën Prishtinë – Kaçanik Qeveria planifikon ta renovojë. A mbeti ndonjë rrugë tjetër kryesore nacionale që lidhë qyetet e nuk ka nevojë për renovim? Rruga Pejë – Gjakovë – Prizren? Edhe kjo ka nevojë për renovim dhe zgjerim. Për cilën Qeveri të asfaltit e ka fjalën opozita qeveritare? A nuk gjeti tjetër emër indentifikues opozita për ta përshkruar ashtu si është Qeverinë, ta zëmë, “Qeveria e korrupsionit”, “kampioni i gënjeshtrave”, “Qeveri e nepotizmit”, “Qeveri e shkatërrimit të funksionalitetit të shtetit”, “Qeveri 100 përqind mercenare”, “Qeveri e (ç)orientimeve të shumëfishta seksuale (parashihen me Kushtetutë)”, “Qeveri e territ informativ dhe elektrik”, “Qeveri e planeve shfarorëse të popullsisë shumicë”, e shumë e shumë emërtime tjera më të drejta? Sa janë reale deklaratat e opozitës për Qeverinë e asfaltit? Ku po i sheh gjithë ato rrugë të asfaltuara opozita gjatë vitit 2008? A udhëton ndonjëherë opozita në relacionin Prishtinë – Pejë, dhe a e ka llogaritur për sa kohë e përshkon këtë rrugë gjatë këtyre ditëve të dimrit dhe një vit më parë?
Rrugët e Kosovës ende janë nën çdo nivel jo vetëm të BE-së por edhe të vendeve në rajon. Së paku këtë mund ta dëshmojnë të gjithë ata që kanë sy. Arsyetimet e Qeverisë se është duke bërë revolucion në këtë drejtim dhe akuzat për gjendjen e mëparshme të rrugëve, janë banale. Lavdërimet e Qeverisë janë të tejfryera dhe nuk qëndrojnë. Krahasuar me mjetet e shpenzuara dhe përparësitë në asfaltimin e rrugëve lokale dhe qorrsokaqeve sipas afërsisë familjare, janë më tepër fushatë në funksion të propagandës. Kush i sheh dhe i shfrytëzon më së shumti ato rrugë? Diplomatët ndërkombëtar, bizneset e mëdha apo investitorët e huaj?!
4. Problemi i ndërtimeve me dhe pa leje në zhvillimin e infrastrukturës rrugore
Në këtë nëntitull së pari futet teza e ndërtimeve pa leje dhe mbi ndërtimeve në ndërlidhje me infrastrukturën rrugore, sidomos në Prishtinë. Pastaj përshkruhet problemi i rrënimit të ndërtimeve pa leje, me qëllim të ndërlidhjes dhe krahasimit logjik me dy nëntituj në vijim për synimin e Paja Patakut në zgjerimin e rrugës lokale Rakosh-Uçë, ku ai ende mendon t’i bind bashkëfshatarët e tij refuzues për t’ua marrë ngapak tokë dhe eventualisht për t’ua rrënoj disa mure të oborrit dhe ndonjë pjesë të shtëpisë. E tërë kjo në një zonë rurale ku nuk ka dhe nuk kërkohet plan urbanistik.
Ndërtimet e objekteve skaj rrugëve janë hasur si problem me rastin e zgjerimit të rrugës Prishtinë – Aeroport. Problem tjetër më i madh është paraqitur për autostradën Merdar – Vërmicë ku duhet të bëhet shpronësimi i pronave dhe kompenzimi i tyre. Qeveria ka vlerësuar se 40 milionë euro do të duhen për kompenzim. Kosova ende nuk ka ligj të vetin për shpronësim. Duke u bazuar në rregulloren e UNMIK-un nr. 2000/54 mbi Ligjin e Zbatueshëm në Kosovë, shpronësimi mund të bëhet edhe me ligjet e ish-Jugosllavisë dhe të ish-KSAK-së.
Turrja masive për ndërtime pa leje dhe mbindërtime në qytetin e Prishtinës filloj menjëherë pas gjysmës së dytë të vitit 1999. Shkaqet e kësaj turrje ishin të shumëfishta, më së shumti të mbizotëruara nga shkatërrimi i venbanimeve rurale gjatë luftës dhe fluksi i madh i banorëve në qytete. Duke e vërejtur se Prishtina mund të shndërrohet në një kaos ndërtimesh të egra, kryearkitekti i Drejtorisë për Planifikim, Zhvillim dhe Urbanizëm të Komunës së Prishtinës, Rexhep Luci ndërmori iniciativën e quajtur “Vizioni për Prishtinën 2000-2005”. Atë e prezntoj në një konferencë në Hotelin Grand të Prishtinës me datën 11 shtator 2000. Qëllimi ose vizioni i tij ishte një plan i ri urban për qyetetin. Krahas planit ai kishte lëshuar tri vendime me të cilat këkronte ndihmë nga Administrata e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në rrënimin e shumicës së ndërtimeve të egra më të dukshme. Pas përfundimit të konferencës, gjatë rrugës për në shtëpi ai ishte vrarë në hyrje të banesës së tij nga persona të paidentifikuar deri më sot, pavarësisht se më herët e kishte informuar policinë e UNMIK-ut disa herë për kërcënime. UNMIK-u në shenjë “respekti” me 27 shator nxori Rregulloren nr. 2000/53 mbi Ndërtimet në Kosovë të cilës ia zgjati emrin “Rregullorja Rexhep Luci mbi Ndërtimet”. Dikush më vonë, me gjasë K.K. i Prishtinës, një rruge te sheshi “Nënë Tereza” ia vë emrin “Rexhep Luci”. Është ajo rruga tek kinemaja e qytetit ABC.
E meta më serioze tek shqiptarët e sotëm në përgjithësi është se tentojnë të identifikohen ose mburren me emra të personaliteteve historike dhe të tregojnë respekt verbal për ta ose bustet e tyre, ndërkohë që konkretisht veprojnë kundër. Për shmebull, çfarë kuptimi ka busti i Skënderbeut afër ndërtesës së Qeverisë mercenare dhe Kuvendit “captive” të Kosovës? Mos ka qenë Skënderbeu mercenar, gënjështar, mashtues, hajdut? Çka shërben busti i tij aty për politikanët trushpërlarë? Njësoj, për çfarë arsye mbahet busti i Nënë Terezës pak më poshtë? Mos ka qenë edhe Nënë Tereza hajdute sikur pushtetarët tanë dhe ka zbatuar politika ekonomike shfarorëse kundër popullsisë të atilla që ia tejkalojnë regjimit të Millosheviqit. Mos i ka vjedhur Nënë Tereza të varfërit sikur pushtetarët tanë? Apo, mos ka shkuar Nënë Tereza edhe më larg duke bërë eksperimente me organet trupore të njerëzve (transplantime ilegale të veshkeve) dhe sjelljen e mjekëve serb dhe maqedon për fekondime artificiale me spermë lope e gomari në femra shqiptare siç bëri pushteti i Kosovës? Çfarë rëndësie ka emërtimi i një rregullorje, një rruge apo 100 tjera me emrin Rexhep Luci kur pas vdekjes së tij ndërtimet pa leje e intensifikuan deri në atë masë që, nëse vazhdojnë edhe për një kohë, mund të shkaktojnë kaos të përgjithshëm në Prishtinë? Kjo qasje e gabuar duhet të ndryshojë radikalisht. Më mirë do të ishte të vazhdohej plani dhe vizioni i Rexhep Lucit se të thuhet “ka qenë njeri i mirë, profesional, me vizion, emrin e tij e mban me krenari kjo rrgullore dhe ajo rrugë, e tjera”, ndërsa të njëjtit njerëz vazhdojnë të veprojnë praktikisht kundër atij plani dhe vizioni. Vlerësime të ngjashme mund të ofrojnë edhe ata që e kanë vrarë. Nuk u kushton dot gjë.
Prefekti i tanishëm i Prishtinës, Isa Mustafa para zgjedhjes në këtë post kishte premtuar se Prishtinën do ta bëjë një metropol ose qendër financiare të Evropës juglindore. E ka bërë, ose më mirë të themi i ka ndihmuar të bëhet sepse e gjeti pak a shumë ashtu, qëndër të plehrave dhe ndërtimeve pa leje. Këto të fundit filloj t’i reklamoj nepër media se po ndërmerr diçka tyre. Në fakt, intensiteti i atyre ndërtimeve vend e pa vend shtohej. Një termet i fuqisë mesatare rrezikon ta shndërroj një pjesë të mirë të Prishtinës si qytet në gërmadhë për shkak të këtyre ndërtimeve pa kritere. Aq janë shqetësuese përmasat e ndërtimeve të egra dhe mbindërtimet në Prishtinë sa që edhe pa nevojën e ndonjë tërmeti shkaktojnë rrezik. Me datën 4 dhejtor, një erë (frymë) kishte rrëzuar një mbindërtim në lagjen Ulpiana, në banesën D-9 Hyrja 8. Për fat të mirë, askush nuk kishte qenë aty pranë kur ra mbindërtimi në formë të çatisë prej llamarine dhe hekuri që dëmtoj 7 makina të pakuara në tokë. Gazetat ditore për këtë rast vënin tituj interesant në ballinë si “I rrëzon Zoti, e jo Isa [Mustafa]”, Era [Fryma] kryen punën e funksionarëve komunal, e të ngjashëm. Disa qyetetar të asaj ndërtese ku ra mbindërtimi pa leje, u shprehen: “Aa ku s’ka qëllu Isa Mustafa me të tjerët e Komunës n’ven t’kerreve ku o ra çatia, e me t’i ba papq”.
Asnjë qytet në Evropën juglindore nuk është më në rrezik se Prishtina nga ndërtimet pa leje dhe mbindërtimet. Ngarkesa shumë e madhe e rritur dukshëm problemin e furnizimit me ujë. Gjatë stinës së verës, pjesa më e madhe e Prishtinë ka reduktime të rregullta në furnizimin me ujë që zgjasin orës 22 deri 6 të mëngjesit. Alarmi për rrezikun e mbetjes së Prishtinës pa furnizim me ujë shpesh herë transmetohet në media, duke dhënë edhe informacione për vlerësimin e rezrevave, prej më së shumti 6 muaj e deri më së pak 3 muaj nëse nuk ka reshje të maftueshme atmosferike. Edhe këtu si me rastin e rrëzimit të ndërtimeve pa leje po kërkohet ndihma e Zotit, e jo Isa Mustafës. Mbetet të shihet nëse Prishtinasit do të orientohen më shumë kah “hazreti” Isa (Jezusi) i rrejshëm i Prishtinës apo Zoti! Deri më tani, rezultati është 2:0 në favor të Zotit!
Problemi i furnizimit më ujë në Prishtinë që vjen duke u shtuar si pasojë e e mbindërtimeve, rrezikon të shkaktoj epidemi në shkallë të gjërë. Ujë është burim jetik për ndërtesat shumëkatëshe, sidomos për kuzhinën dhe banjon si pjesë e banesës. Mund ta merrni me mend se çfarë pasojash mund të ketë mungesa një ditore e ujit në ditët e nxehta të verës për familjet që banojnë në blloqe ndërtesash. Një ekspert i hidrologjisë, i cili dukej se ishte më i spikaturi në Kosovë për këtë lëmi (Sulejman Daka) po më tregonte vërejtje të shumta rreth një ndërtese mbi 40 katëshe që planifikohet të ndërtohet në Prishtinë. Tek po argumentonte vërjetjen e tij për vështirësitë e furnizim me ujë të gjithë asaj ndërtese në Prishtinën me ujë të pamjaftueshëm për ndërtesat ekzistuese, profesori e përmbylli diskutimin e tij me këtë deklaratë: “Nëse dekada e parë e shekullit 21 mund të cilësohet si luftë për naftë, dekada e dytë do të jetë luftë për ujë”. Një lloj konflikti për ujë është edhe në Istog dhe fshatrat verilindore të tij, ku hyn edhe fshati i Paja Patakut, që do të diskutohet me vonë në këtë analizë. Kjo ishte arsyeja që në këtë paragraf si jashtë teme u parashtrua problemi i furnizimit me ujë.
Ngarkesa e madhe e Prishtinës me ndërtime dhe popullsi e ka rënduar shumë edhe komunikacionin. Në ditët normale të punës, kolonat e automjeteve në udhëkryqe me semafore mund t’iu detyrojnë të prisni dy ose më shumë herë dritën e gjëlbërt deri sa të hyni në radhë për të kaluar. Shumica e trotuareve janë vazhdimisht përplot me automjete të pakruara. Këmbësorët kanë vështirësi të përbirojnë ndërmjet veturave të parkuara ngat-a-ngat në trotuare.
5. Kush dhe çka është Paja Pataku?
Termi Paja Patak është në gjuhën serbokroate. Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, televizioni i Beogradit shikohej edhe në Kosovë. Në mesin e shumë emisioneve që transmetonte ai televizion, shqiptarët e Kosovës shikonin filma vizatimor. Ata shqiptarë që kanë preferuar të mvaren më shumë në filmat vizatimor se në emisionet tjera të TV Beogradit, kanë vepruar mirë. E vetmja e metë ishte se shprehjet orgjinale në serbisht “Paja Patak” dhe “cerrtani film” (film i vizatuar) u futen si zhargone në gjuhë e folur shqipe dhe shpesh përdoren edhe sot. Edhe pse më vonë televizioni i Prishtinës filloj transmetimin e filmave vizatimor me atë personazh pataku dhe e përkthej në shqip si “Ros Rosaku”, në opinionin e gjërë mbeti termi “Paja Patak” e më pak “cerrtani film”. Televizioni i Prishtinës në kuadër të filmave vizatimor më së shumti transmetonte “Tomi dhe Xheri”. Ky film në Kosovë deri diku ishte bërë sinonim i filmave vizatimor në përgjithësi.
Paja Pataku është animim i një pataku në filmin e kompanisë Walt Disney nga Holivudi i SHBA-ve. Emrin e vërtetë në origjinal pataku i animuar e ka Donald Duck (Donald Pataku). Krijimin e Patakut të animuar dhe bashkëlidhjen e emrit Donald e kishte bërë themeluesi i kompanisë Walt Disney, Walt Disney. Karakteristikat e Paja Patakut janë shfrytëzuar nga një grup humoristësh nga Kosova të quajtur Stupcat, ku luajnë Vedat Bajrami, Osman Azemi, dhe Mensur Safqiu. Skeçi humoristik i përgatitur nuk është vetëm shfaqje për zbavitjen e shikuesve sa është pasqyrim i realitetit të rrezikshëm që bart përpjekja për rrëzimin e ndërtimeve pa leje.
Le ta kujtojmë edhe një herë atë që u tha më herët – kryearkitekti i K.K. të Prishtinës ishte vrarë në të njëjtën ditë pasi bëri një prezentim të planit kundër ndërtimeve pa leje. Kërcënim i njëjtë i ka përcjellur edhe punëtorët në terren të kontraktuar nga K.K. i Prishtinës për rrënimin e disa objekteve pa leje. Policia e armatosur mirë shpesh herë i ka shoqëruar punëtorët e ngarkuar për rrënime. Problemi megjithatë nuk ka mundur të mënjanohet vetëm me përcjelljen e policisë të rrënuesve në terren. Ndërtuesit pa leje nuk kanë reaguar gjatë rrënimit të objekteve të tyre pa leje, por kanë mbajtur mend personat e angazhuar. E meqenëse Kosova është vend i vogël ku shumica e njohin njëri tjetrin lidhje pas lidhje, ndërtuesit u janë hakmarrur më vonë rrënuesve të kontraktuar nga komuna. Pikërisht për këtë tragjedi Stupcat kanë dalur me një komedi se si ta kryejnë punën – rrënimin e objekteve pa leje – por të maskohen disi që pronarët e ndërtimeve pa leje të mos munden t’i identifikojnë më vonë për hakmarrje.
Vedati luan rolin e policit, Osmani të Paja Patakut ose punëtorit të bagerit për rrënim me emrin Agron, ndërsa Mensuri të pronarit të shtëpisë që me vendimin e komunës është pa leje dhe duhet të rrënohet. Polici e njofton Agronin për planin: “Sot me datën tremdhet tet dy mi e tetë, duke pas parasysh me vendimin e komuns,...një përgjegjsi e madhe do të ndërmarrim sot. Do t’i rrënojmë t’gjitha objektet pa leje, e sidmos kjo vlen për matrapazat dhe hajdutë; që ja prishën bukurinë e qyetit dhe ja nxunën frymën, dhe e keqpërdoren djersën”. Agroni i shqetësuar i ankohet policit se duhet të ketë përforcime shtesë nga frika se kur e rrënojnë shtëpinë e dikujt mund të ketë sulme. “Po tutna se ai pronari i shpisë kur t’um sheh mu, ai nashta nuk um sulmon sot, po ai nesër munet me m’sulmu se ma man men figurën; edhe nesër t’u dalë me ble bukë unë, ai munet me dalë me m’sulmu”. Polici si zgjidhje ia jep një maskë Agronit ta vëjë në fytyrë dhe i tregon se nuk je më Agroni – je Paja Pataki[u]. Polici refuzon vërejtjen e Paja Patakut se maska ka vetëm një sy të hapur, me arsyetimin se me dy sy “e shkatrron krejt” (edhe ndërtimet me leje). Kur shkojnë ta rrënojnë shtëpinë, del pronari nga shtëpia dhe, në bazë zhargonit dhe sinonimit për filmat vizatimor që janë kultivuar tek një pjesë e madhe e opinionit publik siç u theksua më lartë, i drejtohet shoferit të bagerit me maskë në fytyrë:
- O cerrtan! Zhdryp, zhdryp! Ka je nisë o Tomixher?
- Jo, unë nuk jam Tomixheri, unë jam Paja Pataku!
Pasi ia ngrit maskën, pronari fillon ta godasë fytyrës. Polici pastaj inkuadrohet në bisedë gjersa Paja Pataku merr goditje. Pronari me agresivetitin e tij frikëson edhe policin i cili kalon në anën e pronarit në dëm të Paja Patakut.
Polici: Ni sekond! Kush t’ka thanë me hi n’oborr t’huj?
Paja Pataku: O zotni, mu m’kanë thanë ashtë ni plan sekret..
Polici: çfarë plani?
Pronari: Plan sekret n’shpi teme patak, n’shpi teme patak a?
Polici: Viq pak! A i bon planet sekret policia e shteti, a ti?
Pronari: Tii mor pataku, cerrtani i keq!
Polici më vonë, pasi shkon pronari dhe pajtohet me të që Paja Pataku në vend të rrënimit të shtëpisë do t’ia paçllais oborrin nga bërllogu, i thotë se Paja Patakut se do ta dërgojnë pronarin në Burg të Dubravës (gjindet në Istog). Më tutje polici i tregon Paja Patakut se një herë dështuam por në kuadër të planit strategjik ende nuk kanë dështuar. “Tash shkojmë me opcionin Cipiripi”. Cipiripi është një karakter i animuar serb.
VAZHDON...
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 127 vizitorë |
| Lexuar:
4,601 herë
|
|
|
|
|
|
|
|
|
| |
| Duam Përgjegjësi |
E mart, 23 mars 2021 - 21:08 Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le... |
| 40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ... |
E diel, 21 mars 2021 - 15:45 40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit
Poliklinika 3L, hist... |
| NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q... |
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04 JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA... |
| NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE... |
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01 Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda!
Profesorin e nderuar, pata fatin që t... |
më shumë nga - Të ndryshme » |
|
|
|
|
|