AZEM BEJTË GALICA - Kryekomandant i Çetave Çlirimtare Shqiptare (1912- 1924) |
Publikuar më 02 korrik, 2009 në orën 16:26 ( ) |
Prof. Bedri Tahiri | Histori | |
|
|
(Pjesa - II)
Në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës
 Azem Bejtë Galica SERBIA DETYROHET TË BISEDOJË ME AZEM BEJTË GALICËN
Pasi u shua me gjak kryengritja në Kosovë, shumica e kaçakëve kaluan në Shqipëri. Ata u vendosën në Shkodër. Mirëpo në Kosovë filloi zullumi dhe represioni mbi familjet e tyre. Kështu pas pak kohësh u detyruan të kthehen grupe-grupe dhe përsëri t’ia fillojnë luftës me armikun gjakatar. Tashmë zhvillohej një luftë guerile. Grupe të vogla e sulmonin armikun aty-këtu dhe i shkaktonin humbje të mëdha.
Edhe Azemi me Shotën, pasi u takuan me anëtarët e Komitetit në Shkodër dhe, pasi u konsultuan me Hasan Prishtinën e Bajram Currin, u kthyen në Kosovë, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që po vuanin nën barbarinë serbe. Ata shkonin nga fshati në fshat, duke propaganduar kundër shpërnguljeve për në Turqi, kundër dërgimit të djemve ushtarë në ushtrinë serbe dhe mbi të gjitha kundër atyre që po bashkëpunonin me armikun. Kështu morali lfutarak, që për një moment kishte rënë, u ngrit përsëri.
Qeveria serbe, veçan Nikolë Pashiqi, i cili gjatë kohës së kryengritjes së madhe kishte qenë në Paris, duke e parë se përsëri do të ballafaqohet me ndonjë lëvizje të re u interesua që për një kohë ta qetësojë gjendjen në Kosovë. Qetësia i konvenonte, sepse po i bënte planet për çarmatim të përgjithshëm dhe për shpërngulje masive. Në anën tjetër donte të arsyetohej para Evropës se këtu gjendja ishte normale. Kështu filloi një metodë që edhe më parë ishte zbatuar, bisedimet dhe marrëveshjet me krerët e Lëvizjes.
Për ta qetësuar gjendjen dhe për t’i ndjekur kaçakët N. Pashiqi, nga Beogradi në Kosovë, e dërgon inspektorin e lartë e kriminelin e regjur, Mihajlo Ceroviqin. Ai vjen e vendoset në Mitrovicë, si rrethi më i rrezikshëm dhe i padëgjueshëm. Siç do të shihet më vonë, ky u tregua njeriu më i egër që e njeh historia. Torturat e tij kanë mbetur të paharruara në kujtesën tonë historike.
Posa vjen në Mitrovicë interesohet për Azem Galicën. Pas negociatave të shumta, takimi i tyre u bë në fshatin Zhabar, pranë Mitrovicës. Ç‘është e vërteta, Azemi shpesh ishte ftuar për këso bisedimesh, por nuk pranonte. Kësaj herë në konsultim me shokë dhe me udhëzimet e Komitetit vendosi të shkojë edhe një herë haptas t’ua bëjë me dije kërkesat dhe qëndrimet e shqiptarëve.
Pasi u bënë përgatitjet e duhura, u sigurua terreni dhe u vendosën rojet. Në fushën e Zhabarit filluan bisedimet. Nga pala serbe kishin ardhur: Mihajo Ceroviq, deputet i Mitrovicës në Beograd Gig Bozheviqi, kryetarët e komunave; Beqir Voca, Shaban Rexha, Rexhep Fejzullahu, etj.
Përballë tyre qëndronin: Azem Bejtë Galica, Fazli Barani, Ramadan Maliqi (Dan Derovci) Mehmet Delia, Ajet Koshutova (Bala), Sali e Mehmet Halili, etj.
Në fillim e mori fjalën Ceroviqi, i cili tha se me urdhrin e Pashiqit vjen për të vendosur njëfarë marrëveshje dhe qetësie me kaçakët (kryengritësit).
Pas tij e mori fjalën Azemi, i cili në emër të çetave të Drenicës i paraqiti kërkesat në tetë (8) pika, të cilat më vonë do të njiheni si “Tetë pikat e Azem Galicës”.
Kërkesat ishin këto:
1. Të njihet e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë.
2. Të ndalohen menjëherë vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet kundër shqiptarëve.
3. Të ndalohet grabitja e tokave të shqiptarëve, ardhja e kolonistëve serbë e malazezë dhe dëbimi i shqiptarëve jashtë vendit.
4. Të ndalohen operacionet ndëshkuese të ushtrisë kundër shqiptarëve nën pretekstin e marrjes së armëve dhe ndjekjes së çetave.
5. Të lejohet hapja e shkollave shqipe.
6. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë.
7. Të ndalohet burgimi dhe internimi i familjeve të luftëtarëve të çetave dhe të atyre që i përkrahin çetat.
8. Të ndalohet ndjekja e çetave shqiptare dhe të gjithë ata që ndiqen të mbrohen nga çeta.
Ceroviqi kur i dëgjoi kërkesat tha se, për këto nuk është kompetent, për to mund të vendosë krali në Beograd, por nëse keni diçka tjetër, na i thoni.
Azem B. Galica iu përgjigj se kërkesa tjera nuk kishte. Këto janë kërkesat tona që edhe ju i keni ditur, sepse ua kemi thënë sa e sa herë, përmes grykëhollës e sot ua paraqitëm edhe me shkrim. Politikën tuaj po e njohin edhe fëmijët në djep. Sa i përket kralit i thuaj se deri aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë është tokë shqiptare dhe nuk e lëshojmë pa dalë fare. “Nuk kemi dalë maleve për grada e pasuri, por për atdhe e për liri”.
Pasi nuk u arrit kurrfarë marrëveshjeje Ceroviqi u ngrit në këmbë dhe i nervozuar u nis për në Mitrovicë. Beqir Voca u mundua të ndërmjetësojë, për t’u arritur njëfarë kompromisi, por Azemi iu drejtua: “O, hundmadhi i Shalës, a bën të rrinë bashkë në një vend ujku e dashi? Edhe atë ditë, te livadhet e Ferizit, në Picël të pata thënë se me shka besë nuk ka. Me të duhet përdorur vetëm një politikë - politikën e pushkës”.
Azemi me shokë u nis për në Drenicë. Ende pa u bashkuar mirë çetat, nga malet përreth, në fshatin Braboniq sulmohen nga forcat serbe, me ç‘rast vritet vëllai i madh i Shotës, Neziri (është varrosur në Lubovec). Prej kësaj dite fillon lufta e çetave të Drenicës, të cilat do të ndiqen kudo nga pushteti serb dhe bashkëpunëtorët e tij. Në të njëjtën kohë filloi edhe represioni dhe mundimi i familjeve të pafajshme.
Çeta e Azem dhe Shotë Galicës do të ndeshet me forcat armike në shumë vende si në: Kollë, Galicë, Zhilivodë, Gradicë, Kozhicë, Brojë, Turiqec, Qirez, Baks, Likoshan, Rakinicë, Bukosh, etj.
MASAKRA NË KOLLË DHE VRASJA E NËNË SHERIFES ME BIJA
Viti 1920 konsiderohet si shumë i vështirë për shqiptarët e Kosovës. Pas kryengritjes së përgjithshme, që shpërtheu në maj të vitit 1919, në gjithë Kosovën dhe pas bisedimeve të pasuksesshme që u zhvilluan në Zhabar, midis Azem B. Galicës dhe Ceroviqit, qeveria e SKS-së ndërmori një varg masash kundër shqiptarëve. Vetë N. Pashiqi, i cili gjatë kryengritjes kishte qenë në Paris posa u kthye u angazhua me të gjitha mjetet dhe forcat për ta shtypur dhe shuar Lëvizjen kaçake.
Si masë të parë ai planifikoi çarmatimin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Më 2 janar 1920 u bë plani për çarmatim. Ai do të bëhej sipas këtij rendi:
a) Së pari Drenica dhe Llapusha me një pjesë të Prizrenit dhe Peja me rrethinë,
b) Në radhë të dytë Llapi, Shala, Suhareka (Theranda), Mitrovica dhe Peshteri...
Këtë punë do ta kryejnë ushtria dhe xhandarmëria serbe. Krahas çarmatimit, të kapen edhe kaçakët, veçmas Azem B. Galica, Sadik Rama, Ramadan Shabani, Mehmet Konjuhi, Habib Lupçi - Mengjiqi. Brenda një kohë të shkurtër këto operacione përfshin tërë Kosovën. Çarmatimi përcillej edhe me rrahje, plagosje, burgime, internime, me vrasje e ndonjëherë edhe me djegien dhe zhdukjen e fshatrave në tërësi.
Masa e dytë ishte rekrutimi i të rinjve prej moshës 18 deri në 25 vjet në ushtrinë serbe. Kjo nuk dha rezultate. Këtu ndikoi kushtrimi i Azemit dhe i Shotës, që i fituan të rinjtë të mos u përgjigjen ftesave për rekrutim por të dilnin maleve dhe të inkuadroheshin në çetat çlirimtare. Ata, posa e merrnin thirrjen, shkonin dhe lajmëroheshin në çeta dhe bëheshin ushtarë të Azem B. Galicës, ose fëmijët të Lokës së Kosovës, siç e quanin ata Azemin. Është me rëndësi të ceket se në ushtrinë serbe u paraqitën disa të paaftë, qorra e sakata, të cilët komisioni i lironte menjëherë. Mirëpo për mosshkuarje ushtarë shpeshherë pësonin prindërit dhe familjet e tyre. Kushtrimi i lëshuar nga kryetrimi i Kosovës vlente edhe për kryetarët e komunave, të cilët i bënin këto thirrje, për çka brenda një kohe të shkurtër u likuiduan disa prej tyre që nuk e kishin përfillë atë.
Dhe, si masë e tretë, që e shpiku vetë Pashiqi, ishte formimi i të ashtuquajturve “kaçakë të shtetit”, të cilët në emër të çetave çlirimtare bënin zullume në popull, plaçkitnin dhe maltretonin. Në këtë mënyrë u munduan ta komprimitojnë Lëvizjen. Çeta të tilla u formuan në disa vende (në Drenicë nuk pati të tilla). Në marrëveshje me Ceroviqin, Islam agë Batusha e formoi grupin prej 27 vetash. As kjo nuk dha rezultate, sepse populli i dallonte mirë këta të shitur nga njerëzit e çetave çlirimtare.
Krahas këtyre u formuan edhe disa grupe dhe formacione vullnetarësh. Këto grupe ndëshkuese përbëheshin nga njerëz kriminelë e zullumqarë, që krahas xhandarmërisë dhe ushtrisë bënin krime në njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur. Në krye të tyre qëndronin gjakpirësit e tipit si Miliq Kerstiq, Filip Cariqi, etj. Këto grupe do të mbahen mend edhe për djegien dhe shkatërrimin e disa fshatrave kosovare.
Njëri ndër fshatrat që u dogj rrafsh me tokë dhe për disa vjet pushoi së ekzistuari është edhe Kolla e Artakollit të Vushtrrisë, që shtrihet në këmbët e Qyqavicës plakë. Dëshmitarët e gjallë të asaj lufte. Miftar Shaqiri dhe Mehmet Hamiti, me rrëqethje e përkujtojnë atë ditë të tmerrshme janari, të vitit 1920.
Tragjedia e asaj dite kishte këtë rrjedhë:
Azem Bejtë Galica, si strateg i mirë luftarak, varësisht nga koha dhe momenti, e ndërronte taktikën e luftës dhe të veprimit. Për t’i zbuluar planet e armikut u sugjeroi disa njerëzve, të cilët ende s’kishin rënë në sy të armikut, të futeshin në radhët e xhandarmërisë. Ata fshehtas do të mbanin lidhje me çetat, do të informonin për çdo gjë dhe njëkohësisht do të siguronin municion për luftëtarët. Kështu vepruan Lutë Gllanasella dhe Selim Drevinja. Vërtet Selimi kishte qenë çaush edhe më herët, por pas kushtrimit të Azemit u kthye me Lëvizjen, dhe do t’i qëndrojë besnik deri në vdekje.
Më 12 janar 1920 Azemi e dërgon Lutën për të marrë fishekë nga Selimi. Ata takohen në fshatin Shalc. Luta posa i merr fishekët niset për në Qyqavicë, ku po e pritnin shokët, ndërsa Selimi ndalet në Kollë, në shtëpinë e Vesel Sheshivarit.
Po atë natë njerëzit e pushtetit, spiunët, shkojnë në Vushtrri dhe e lajmërojnë. Xhandarët e Vushtrrisë, që edhe më parë kishin dyshuar në të, shkojnë dhe e lajmërojnë një tog ndëshkues që e kishte rrethuar fshatin Kçiq dhe po bëheshin gati për ta djegur pse kishin refuzuar për t’i dërguar djemtë ushtarë. Ata e lënë Kçiqin dhe ia mësyjnë Kollës.
Ende pa zbardhur dita fshati gjendet i rrethuar. Pushkët e para krisen në shtëpinë e Veselit, ku ishte Selimi. Atëherë u ndez lufta. Ata që kishin armë luftonin, kurse të tjerët iknin kah mundnin për ta shpëtuar kokën. Të mobilizuar, çetnikë e xhandarë, si të tërbuar, filluan masakrën mbi popullsinë e pafajshme. Vrisnin kë e gjenin në ara, livadhe, oborre pa i dalluar fare: pleq e plaka, gra e fëmijë. Disa i lidhën dhe më vonë i pushkatuan. Me duar të lidhura arriti të shpëtojë nga vdekja Tafë Jashari, i cili ashtu duarlidhur e kaloi Qyqavicën dhe doli në Drenicë, në Likoshan.
Gratë dhe fëmijët, rreth 30, i grumbullojnë në odën e Vesel Sheshivarit për t’i djegur të gjithë. Kur po bëheshin gati t’ua jepnin flakën, kolonisti serb i fshatit të tyre, Marko Bozhoviqi, i shpëton të gjithë. Pasi u liruan gra e fëmijë shkuan për të pirë e për të bërë qejf në shtëpinë e Lupqe Llazoviqit, në fund të fshatit Kollë (edhe sot gjendet kjo shtëpi). Selimi, pas një lufte ishte tërhequr në Çipavicë. Atje, pasi merr Lutën me shokë, kthehen dhe i sulmojnë kriminelët, duke vrarë 15 veta. Nga kaçakët mbeti i vrarë Ramadan Qirezi.
Të nesërmen vijnë forca të reja, me topa dhe rrënojnë fshatin rrafsh me tokë. Pasi nuk gjejnë njeri të gjallë (ata që shpëtuan shkuan nëpër miq e nëpër shokë) i morën të vrarët e vet dhe i varrosën në fund të fshatit Vërnicë. Më vonë ua ngritën një përmendore, të cilën gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e shkatërruan rrafsh me tokë.
Epilogu i kësaj tragjedie ishte tmerrues. Atë ditë në këtë fshat u masakruan këta njerëz:
1. Hysen Hasani,
2. Hasan Hasani,
3. Sinan Hasani,
4. Osman Osmani,
5. Xhemail Osmani,
6. Zeqir Osmani,
7. Zenë Osmani,
8. Ramadan Beqiri,
9. Beqir Beqiri
10. Sahit Beqiri,
11. Hamit Demiri,
12. Rexhep Hamiti
13. Zenel Sheshivari,
14. Rexhep Fazliu
15. Arif Azemi,
16. Latif Azemi
17. Sejdi Azemi,
18. Idriz Bajrami
19. Rrahman Behrami,
20. Smail Behrami,
21. Fazli Behrami,
22. Salih Miftari,
23. Hazir Haziri
24. Nezir Hajredini,
25. Mahmut Hajredini,
26. Hajriz Hajredini,
27. Avdi Ramadani,
28. Islam Islami,
29. Murat Islami,
30. Ferat Islami,
31. Fetah Musliu,
32. Fazli Drevinja,
33. Ali Drevinja,
34. Shaban Ferizi (Galicë),
35. Hasan Bajgora dhe
36. Abit Bajgora.
Të gjitha këto viktima u varrosën në këtër varreza të përbashkëta nga burrat e fshatrave përreth. Fshati mbeti shkret për disa vjet me radhë.
Azem Bejtë Galica me çetën e vet kreshnike, që numëronte rreth 60 luftëtarë, ishte përqëndruar kryesisht në Qyqavicë dhe në fshatrat përreth. Luftëtarët e çetave të tjera i kishte shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre. Ata ende nuk kishin rënë në sy si kaçakë. Çeta e tij dhe e Shotës, me trimat më në zë si: Bajram e Xhemë Tërnavci, Mehmet Delia, Met Halili, Fazli Berani, Selim Drevinja, Ajet Çaushi, Abaz Kurrumeli, Bajram Zena, Emin Lati, Zenel Ujkani e shumë të tjerë, një luftë të rreptë e zhvillon në fshatin Gradicë. Aty forca të mëdha serbe e rrethojnë Azemin, por ai disi arrin të dalë nga rrethimi me humbje të vogla. Beteja kryesore zhvillohet midis fshatrave Gradicë e Zhilivodë, ku armiku pati humbje të mëdha. Mu për këtë disfatë serbët u hakmorën në popullsinë e pafajshme, duke i vrarë 78 veta, të vendi I quajtur Llazi I Jazbinave. Vetëm nga Zhilivodë 14 veta, në mesin e tyre edhe Zylfijen, që deri atë ditë, të gjithë e dinin për mashkull, me emrin Sylë..
Në ndërkohë arrijnë forca të reja dhe e rrethojnë Qyqavicën. Forcat që erdhën nga Mitrovica me vete e marrin edhe kryetarin e Polacit, Shaban Polluzhën që t’ua tregojë rrugën. Kur po nisej, gruaja e tij, Hanifja nga Zhilivoda, i tha Shabanit:
- Si po shkon atje ta rrethosh mikun tënd, Azem Bejtën?
- Jo? - iu përgjigj Shabani, ju gratë nuk dini. Unë nuk po shkoj ta rrethoj Azemin, se ai gjendet në krye të Qyqavicës, e ata do t’i dërgoj në fund të Çiçavicës.
Në të vërtetë ata shkojnë dhe e rrethojnë vendin e quajtur “Guri i Gradicës” ku ishte luftëtari i njohur nga Baica, Zenel Leku - Baica, vetë i shtati. Ata duke e përdorur parullën luftarake “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICËN!” luftuan tërë ditën, derisa me bomba dore (shumicën ua kthenin të paeksploduara) i mbysin të gjithë. Pra, ata duke e kërkuar Azemin hasin në Zenelin. Kënga thotë:
... Po na e lypin Azem Galicën
e po e gjejnë Zenel Baincën..
Aty mbesin të shtatë komitët, por armiku pati mbi 30 të vrarë, e shumë të plagosur. Duke menduar se e likuiduan Azem B. Galicën, serbët ishin të kënaqur dhe po festonin. Nga ana tjetër Azemi i sulmon dhe i tmerron. Nga frika dhe paniku ata thoshin se Azemi ishte dragua dhe nuk vritej.
Qeveria serbe, krahas forces, përdorte edhe dredhinë e dinakërinë. Për kapjen ose vrasjen e krerëve të Lëvizjes, veçanërisht për kryekomandantin e saj, ishin paraparë shuma të mëdha të hollash. Nga Beogradi Pashiqi i shkruante Ceroviqit në Mitrovicë: “Mos kurse asgjë, se ku nuk bën punë plumbi, bën punë paraja”. Për të gjitha këto ishte në dijeni edhe Azemi. Ai në biseda me njerëz thoshte: “Për kokën time është dhënë një qyp me lira, por me këta shokë që i kam e me këtë popull që na mban në zemër, e kanë kot”.
Në pamundësi për t’i kapur kaçakët soldateska serbe i vuri në zbatim metodat e vjetra mesjetare - ndëshkimin dhe masakrimin e familjeve të tyre. Kështu u veprua edhe me familjen e Azemit, të cilën e pushkatuan dhe përsekutuan pamëshirshëm në malet e Dubovcit.
Që nga viti 1917, kur Azemi e likuidoi postëkomandën e xhandarmërisë austriake në Mikushnicë, forcat austriake në shenjë hakmarrjeje ia dogjën shtëpinë dhe ia pushkatuan dy vëllezërit: Seferin dhe Zenelin, (familja e tij jetoi në fshatin Obri). Pas tre vjetësh kthehet në Galicë për të jetuar në shtëpinë që ia ngritën bashkëfshatarët. Me të po jetonte edhe e bija, Mihanja me dy vajzat: Rahimen dhe Zojën (I shoqi, Neziri, ishte vrarë në Braboniq).
Një natë Azemi e dërgoi Shotën në Galicë për t’u treguar që të ruhen se togjet ndëshkuese po shëtisnin nëpër fshatra, duke maltretuar e masakruar popullsinë e pambrojtur. Po atë natë, derisa Shota po çmallej me nënë Sherifen, barbarët hyjnë në Galicë dhe e rrethuan shtëpinë e tyre. Ato nuk u hutuan fare, por, ende pa aguar dita, ia filluan luftës. Dy gra, dy heroina, dy zana mali, luftonin kundër një bande kriminelësh. Siç tregon kënga, Sherifja u bën zë edhe galicasve:
Nana e Azemit po pisket
Po ku është Galica e shkretë?
Burrat e Galicës i rrokën armët dhe vrapuan drejt kullës duke iu përgjigjur.
Mos na e thuaj Loke qat fjalë
Nuk t’lamë vetëm sa t’jem gjallë.
Pas një lufte të rreptë armiku tërhiqet i turpëruar e me humbje të konsiderueshme. Të nesërmen arritën forca të reja dhe e dogjën shtëpinë e tyre (ishte hera e tretë që u digjej shtëpia) dhe disa të tjera që gjendeshin pranë saj.
Shotë Galica niset për në male, ndërsa ato për në Dubovc. U vendosën në kullën e Shaban Prebrezës. Shabani ishte nga Prebreza e Toplicës. Më 1887-88, kur mbi 600 fshatra shqiptare i ndoqën nga trojet e veta, erdhi e u vendos afër këtij Gjyteti të lashtë ilir. Me gurët e kalasë e ngriti kullën madhështore (vetë ishte mjeshtër) që populli e quajti “kulla me 70 dyer” e që gjendej në anën veriore të kalasë. Me to u bashkua edhe nëna e Zenel Lekut - Baicës, Sofia.
Armiku, këtë familje po e përcillte këmba- këmbës dhe një ditë arriti edhe atje. I morën dhe i nisën drejt fshatit. Edhe në Dubovc, nisi hataja. Pasi rrahën, plaçkitën, maltretuan dhe e dogjën thuajse tërë fshatin, e morën kryeplakun, Ramadanin dhe babanë e tij 93-vjeçar, Behram Sadikun, të cilët, pasi nuk treguan asgjë, i masakruan me bajoneta dhe I hodhën në zjarr. Familjen e Azemit e ndalën në hyrje të fshatit, në një mal bri rrugës, për t’i pushkatuar. Nënë Sherifja nuk trembej fare. Doli përballë tyre dhe duke u munduar t’i mbrojë vajzat e vogla, me zë të lartë iu drejtua gjakpirësve:
- Hë, çka po pritni more katila? Qëlloni more të pafytyrë! Para kralit tuaj jeni betuar se do ta zini të gjallë Azemin dhe do ta varni për bishtin e aeroplanit e duke e shëtitur mbi Drenicë t’ua shtini frikën të tjerëve. Jo, jo nuk keni zemër ju të ngjiteni maleve ku është djali im me shokë, po silleni nëpër katunde dhe merreni me gra e me fëmijë. Si nuk u vjen turp more të poshtër! Keni ardhur nga ana e botës dhe nuk na lini rehat në trojet tona stërgjyshore. Djalit tim tri herë ia dogjët shtëpinë, tri herë ia dogjët fshatin, por kot. Kurrë nuk do ta shtini në dorë. Kurrë, as të gjallë, as të vdekur. Ai ka dalë maleve për lirinë e këtij vend e liria nuk vritet...
Breshëria e plumbave ia preu fjalën. Tri gra ranë kokë më kokë mbi dy vajzat e mitura. Ato ishin alivanosur, por nuk i kishin prekur plumbat. Zoja e vogël 5 vjeçe, e ngriti kokën dhe nisi ta thërrasë të ëmën e vdekur. Një gjakpirës, i cili ishte caktuar roje pranë zjarrit të ndezur, e hetoi. E nxori thikën dhe e theri pamëshirshëm. Gjaku i saj i kuq u përzie me dheun e zi të tokës mëmë. Edhe Rahimja 7 vjeçe, erdhi në vete dhe lëvizi. Atë e kapi për krahu dhe e afroi ta djegë në zjarr. Mirëpo dora e tij e zezë hasi në diçka të fortë në krahun e saj të brishtë. Aty ishin 25 lirat, e kalit të shitur, që ia kishte lidhur e ëma. I habitur pas tyre e harroi vajzën, e cila e lëmeritur mori ikën malit.
Pas dy ditësh, të gjashtë kufomat i varrosën, duke i vendosur nga dy në një varr.
1. Sherifja, 1. Mihanja, 1. Behrami dhe
2. Sofia, 2. Zoja, 2. Ramadani.
Të nesërmen, aty erdhën Azemi e Shjota bashkë me Çetën e tyre kreshnike. Kjo tragjedi familjare i kishte pikëlluar shumë dhe I kishte prekur thellë në shpirt. Të gjithë shokët po qanin me zë. Azemi, pas një heshtjeje shtanguese, iu drejtua atyre:
“Shokë, mos qani se burrat nuk qajnë. Po ua jap besën se ata që kanë bërë krime dhe atyre që po bashkëpunojnë me ta do t’u kushtojë shtrenjtë kjo që po e bëjnë.
Shota u përkul mbi varrin e tyre, e mori një grusht dhe e u betua duke ua thënë këto fjalë: “Pusho e qetë Nëna Sherife! Pushoni të qetë ju motra e vëllezër! Pushoni të qeta ju zogjkat e mia të vogla se unë me dorën time do t’i marrë shpirtin atij krimineli, që ka urdhëruar të bëhet kjo masakër!”.
Rahimen e shashtisur në do ferra e kishte gjetur Hajrie Gërguri nga Brusniku, e cila e lajmëron Azemin. Ky e merr dhe e dërgon në Oshlan, te Veli Hyseni. Aty qëndron tri vjet. U rrit bashkë me Mehmetin, nip nga Tërstena, të cilin e dinte për vëlla. Më 1923 Shota e dërgon në Shqipëri, te axhallarët e saj, te Salihu e Mehmeti (Meti). Kur rritet, ata e martojnë me Nezir Selacin. Tash jeton në Mamurras të Fushë-Krujës. I ka katër fëmijë, dy djem (Azemin dhe Hashimin) dhe dy vajza (Mihanën dhe Sherifen).
Pas 70 vjetësh, më 1993, ajo sërish shkeli në tokën e Kosovës martire. Erdhi në Galicë për t’u çmallur me Azeminën dhe me dajat e nënës. Shkoi edhe në Kollë për ta vizituar të “vëllanë” Mehmetin, me të cilin edhe gjatë sistemit komunist, fshehurazi kishte mbajtur letërkëmbim. Dy javë qëndroi edhe në vendlindje, në Radishevën legjendare. Kur erdhi koha e ndarjes dhe u nis për në Shqipëri tha: “Tash, edhe nëse vdes, nuk më mbetet merak për asgjë”.
 Rahimja - mbesa e Azem Galicës
AZEMI E SHOTA NË SHKODËR
Në muajin shtator të vitit 1920, në livadhet e Duibovcit, te Kroi i Dakës, Azem Bejtë Galica mbajti një Kuvend me luftëtarët e Drenicës. Ai të pranishmëve iu drejtua me këto fjalë: “Vllazen, tash po afrohet dimni i egër. Anmiku gjatë dimnave e shton zullumin, sepse maleve âsht e pamundun të qëndrohet. Prandaj po vendosim që këtë dimën ta kalojmë në Shqipni, siç patëm veprue edhe vitin e kaluem. Po shihet se anmiku ka grumbullue forca të mëdha në Kosovë dhe populli do ta ketë vështir të na mbajë. Kështu e rrezikojmë popullin e pafajshëm. Në Shqipni do të kalojmë grupe-grupe”.
Të pranishmit u pajtuan dhe vendimi u miratua e u përhap në tërë Kosovën.
Organet shtetërore ishin njfotuar mbi vendimin e Lëvizjes që do të kalonin në Shqipëri. Ata u njoftuan edhe për grupin e parë që do të kalonte e ku bënte pjesë edhe Azemi. Kështu, me të gjitha forcat u angazhuan për t’i penguar në kalimin e kufirit. Dhe, vërtet kalimi u pengua për një kohë. U zhvilluan luftime të rrepta me qëllim likuidimi të grupeve të kaçakëve. Për herë të parë mbi malet e Qyqavicës fluturoi aeroplani luftarak nga eskadrila 32 e Shkupit, të cilën e drejtonte togeri Burmazoviq dhe hodhi bomba e shtiu me mitralozë mbi kaçakët.
Bombardimi nga ajri ishte risi për çetat dhe për një moment shkaktoi huti në shumicën e luftëtarëve, por nuk i zmbrapsi nga lufta çlirimtare. Në këto luftime pati shumë të vrarë, në mesin e tyre edhe trimi i njohur nga Taraxha, Azem Gjakja, shok i vjetër i Azem Bejtë Galicës. Por kjo luftë qe dështim për Serbinë, sepse nuk arriti ta fusë në dorë kryekomandantin e çetave kryengritëse, Azem Bejtë Galicën.
Pas shumë peripecishë, Azemi me grupin e parë kaloi në Shqipëri. Atje u prit mirë dhe u vendos në Shkodër. Sipas marrëveshjes, sapo të arrinte grupi i parë duhej nisur grupi tjetër për në Malësi. Shotë Galica, kësaj here me porosinë e Azemit, kishte mbetur në Kosovë. Ajo do të shkonte më vonë me çetat tjera, më vëllain e vet Metin, Fazli Beranin, etj. Deri në muajin dhjetor kaluan shumica e çetave.
Luftëtarët në Shqipëri u ndanë në grupe të vogla dhe u vendosën nëpër fshatrat e Malësisë së Madhe në Shkodër. Azemi dhe Shota u vendosën në shtëpinë e Sadik Ramës të Gjurgjevikut, i cili për nevojat e veta e kishte ndërtuar këtë shtëpi qëmoti. Aty qëndrojnë deri në muajin mars. Të tjerët u vendosën nëpër shteti të ndryshme e disa në godinën e Komitetit...
Ahmet Zogu, ministër i Punëve të Brendshme, me ndikimin e Cena bej Kryeziut dhe të Beogradit, nuk i priti mirë kosovarët. Ai, po të mos ishte masa e gjerë që i përkrahte, nuk do t’i pranonte fare. Aty luftëtarët e Kosovës jetonin shumë keq. Punonin punë të ndryshme për kafshatën e gojës dhe shpeshherë ishin edhe të rrezikuar.
Gjendja e popullit në Kosovë u vështirësua edhe më shumë. Banda çetnikësh shëtisnin lirisht nëpër fshatra duke bërë çmos mbi popullsinë e pafajshme e të pambrojtur. Bëhej presion mbi familjet kosovare që të shpërnguleshin. Më së tepërmi mundoheshin familjet e kaçakëve. Filloi edhe një masë e rrezikshme - internimi i familjeve nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi. Në vitin 1921 nisi dhe çarmatimi i sërishëm.
Në fillim të këtij viti, krahas vendimit për internimin e familjeve, u bë edhe amnestimi i atyre që kishin bërë “krime” deri në atë kohë. U bënë listat e kaçakëve që duhej dorëzuar ose përndryshe do t’u digjej shtëpia dhe për luftën më të vogël do të digjej tërë fshati. Kjo masë ndikoi negativisht në popull. U internuan shumë familje në Nish e gjetiu. Edhe këtu u krijuan llogore si p.sh. ai i Deviçit.
Në këtë kohë, nën presionin e këtyre masave represive, pat shumë kaçakë që u dorëzuan, por këta e pësuan keq. Edhe ata i dënuan dhe i burgosën. Kështu kjo formë u ndërpre shpejt.
Organet shtetërore, për t’i likuiduar kaçakët bënin edhe shantazhe. Kështu Ramadan Maliqi nga Braboniqi, i njohur më shumë si Dan Deroci, bashkëpunëtor i ngushtë i Azemit, ishte shantazhuar me vendimin e organeve shtetërore nr. 2650 të datës 27.II.1920, më 5000 dinarë.
Dhe, nuk shkoi kohë e gjatë e ky plan do të relizohet. Hasan Çuta, daja i Ramadanit, ishte shkruar hafije (spiun) dhe ishte betuar se do ta likuidojë nipin e vet. E heton se ai po rrinte në malet e Oshlanit. Një ditë shkon e merr atë dhe e çon në Melenicë. Natën shkon në stacionin e Vidishiqit dhe e lajmëron. Atë natë patën qëlluar vetëm tre xhandarë: Bajram Haliti nga Selaci, Kasum Gërdovci nga Llapi dhe Hut Bojku nga Druari, të cilët detyrohen ta rrethojnë dhe ta likuidojnë në gjumë. Dan Deroci, para se të vdiste e vret spiunin Hasan Çutën dhe thotë:
Nuk po më dhimet deka që po vdes
T’ma vrajshin trimat se pata dert
Po m’vranë t’pabestë si me m’hangër qent’...
Kjo vrasje qyqare e gëzoi shumë Ceroviqin, i cili urdhëroi që kufomën e tij t’ia sjellin në Mitrovicë, dhe të lidhur për bishtin e kalit, sikurse trupin e Hektorit, që e patën zvarritur rreth mureve të Trojës, e endën nëpër rrugët e qytetit ku kishin dalë për ta parë serbë e malazezë.
Të gjithë këto ngjarje që u zhvilluan në Kosovë brenda muajve janar - shkurt 1921, Azem Bejtë Galica i përcillte me shqetësim të madh. Atje shpesh takohej me anëtarët e Komitetit të Kosovës dhe me udhëheqësit e Lëvizjes Demokratike; me Hasan Prishtinën, Hoxhë Kadriun dhe Luigj Gurakuqin. Ata bisedonin për gjendjen e vështirë që po mbretëronte në Kosovë dhe mënyrën e gjetjes së një rrugëdaljeje nga ajo gjendje. Njëherë, kur Zogu po e pëngonte Lëvizjen dhe po i ndiqte udhëheqësit e saj, Azemi qe caktuar për ta likuiduar atë. Për shkaqe historike kjo nuk u bë, por megjithatë ai iu pat kërcënuar. “Nji kime floku t’kres me m’ja luejt Hasan Prishtinës e Bajram Currit, që besa tanë bejlerët bashkë me princin e tyne Zogun, kam me i varë nëpër rrugë”.
Gjatë qëndrimit në Shkodër Azem Bejtë Galica i bëri dy fotografi monumentale: njërën me Nusen e Maleve- Shotë Galicën dhe tjetrën me një pjesë të shokëve të çetës së vet legjendare (ata që dolën në Shqipëri në grupin e parë, mungonte edhe Shota).
Konsuli francez i asaj kohe në Shkodër, pasi mësoi për jetën dhe luftërat e Shotës dhe pasi shikoi foton, e quajti “Zhan D’ Arka shqiptare” dhe me këtë titull u botua edhe në gazetën e Parisit ‘Le Petit Parisien” nr. 1071, dt. 28. 5. 1921.
 Çeta Kreshnike e Azem Galicës ( Shkodër, 1920 )
Në foton e dytë janë: Azem Bejtë Galica, Emin Lati, Mursel Ahmeti, Rrok Qubreli, Sadik Miftari, Shaban Prekiqi, Beqir Lahu, Sadik Prekiqi, Ajet Bala - Koshutova, Adem Miftari dhe Sinan Çitaku.
Fotografimin e këtyre e ka bërë mjeshtri dhe atdhetari i njohur shkodran, Kel Marubi, në Shkodër, në fund të tetorit të vitit 1920.
Në muajin mars, ende pa u shkrirë mirë bora, ata do të kthehen në malet e Kosovës, për ta vazhduar rezistencën e armatosur. Menjëherë në fshatin Baincë u grumbulluan çetat dhe bënë planet për luftë frontale.
FORMIMI I ZONËS SË LIRË NË JUNIK
Ashtu siç e përcillte gjendjen në Kosovë Azem Bejtë Galica nga Shkodra edhe organet serbe e përcillnin çdo lëvizje të tij drejt Kosovës. Ende pa arritur mirë në Drenicë u caktuan njerëz për të ndërmjetësuar në bisedime me organet e pushtetit. Naçallniku i rrethit të Zveçanit i dërgon në Galicë dy vetë: Mehmet Aliqin (Hoxhë Banjskën) dhe pop Angjelko Neshiqin. Ata e ftuan Azemin që të dorëzohet, por ai nuk pranoi.
Edhe disa herë të tjera është provuar të bisedohet me Azemin, por pa sukses. Vetë Ceroviqi u angazhua dhe e ftoi në Mitrovicë. Kësaj here në emër të tij shkuan dy shokët më besnikë dhe më trima të çetës: Fazli Berani i Klinës së Mesme dhe Bajram Delia i Tërnavcit. As ata nuk lidhën kurrfarë marrëveshje. Mu këto ditë, për ta ruajtur popullin nga masakrat dhe për t’ia lehtësuar punën Lëvizjes, me sugjerimin e Azemit, Mursel Ahmeti, i biri i Ahmet Delisë, dorëzohet te naçallniku i Zveçanit. Ai emërohet kryeplak në Prekaz dhe kështu edhe e ruante popullin, edhe e ndihmonte Lëvizjen.
Çetat liridashëse kishin filluar t’i konsolidonin radhët. Ato u mëkëmbën, u kompletuan, u përtërinë me luftëtarë të rinj dhe filluan të veprojnë. Azemi me çetën e vet kaloi në rrethin e Istogut. Miliq Kërstiqi u zotua se shpejt do ta likuidonte. Ai me çetnikët e vet dhe me xhandarët e rrethit u vu në ndjekjen e tij. Në një përleshje, që u bë në fshatin Qubrel, u vranë shumë çetnikë, ndërsa çeta doli pa humbje. Ata u hakmorën në popullsinë e pafajshme, në gra, pleq e fëmijë.
Në verën e vitit 1921 Shotë Galica vendosi ta dërgojë në vend betimin e dhënë pranë varreve të të pushkatuarve në Dubovc. Vendosi ta vrasë naçallnikun që kishte bërë zullume në gra dhe në fëmijë. Ajo, një natë, pa e lajmëruar Azemin, me dy vëllezërit e vet, Mehmetin dhe Salihun, me Rifat Banjskën e Mehmet Delinë, të ndihmuar edhe nga Ilaz Lushta, ia mësynë Mitrovicës. E veshur me rroba grash (i kishte thënë se gratë shqiptare do t’ia marrin shpirtin) i hyn brenda në shtëpi dhe me duar të lidhura e nxjerr jashtë qytetit. Kur arrijnë në Shipol ia numëron shtatë herë në lule të ballit, duke i thënë:
Naçallnik, he fytyrzi
Boll ke dalë shpi për shpi
Boll me gra ke ba mahi
Ke vra f’mi tuj pi n’gji
Tash po sheh grua me sy
E djeg veten të vret ty
Rrept po qet Shota allti
Dekun n’tokë e ka shtri.
Për këtë akt heroik Azemi e përgëzoi dhe njëkohësisht e këshilloi që herave të tjera duhej konsultuar para se të ndërmerrte ndonjë aksion i tillë i rrezikshëm.
Nën presionin e Fuqive të Mëdha, dhe të luftërave të pandërprera në Kosovë, në muajin dhjetor 1921, u formua e ashtuquajtura “Zona e lirë e Junikut”. Ky territor i lirë përfshinte këto fshatra: Junik, Mulliq, Batushë, Brovinë, Ponoshec, Bobaj- Boks, Popoc, Shishman e Koshare. Në të u vendos pushteti nga ana e popullit vendës, nga shqiptarët dhe gëzonte autonomi të plotë.
Në vjeshtën e vitit 1921, Azem Bejtë Galica martohet me Zojën, bijën e Shaban Cekut nga Kostërci. Dasma qe e madhe sa nuk harrohet. Ajo s’qe dasmë, por Kuvend, tubim i madh i çetave të Drenicës. Aty u lidh besa për luftëra të reja në rrugën e pavarësisë dhe çlirimit të Kosovës. Mbi 5000 luftëtarë shkuan krushq për ta marrë nusen e kryetrimit. Me ta shkoi edhe Shota. Hyri në qerren e nuses. Atje ua qesin shenjën dhe kur nuk e qëllon askush, ajo zbret nga qerrja dhe e qëllon me të parën. Kjo dasmë u bë në kullën e Shaban Prebrezës, në Dubovc. Pas vrasjes së familjes së Azemit, organet serbe kishin marrë vesh se ku kishin qenë të strehuar, shkojnë e djegin shtëpinë, duke ia masakruar 16 anëtarë të familjes. Të tjerët bashkë me të zotin e shtëpisë (Shabanin) ikën për në Turqi.
Pasi u formua “Zona e lirë e Junikut” shumica e çetave kaçake kaluan atje. Ishte dimri i vitit 1921. Edhe çeta e Azemit u vendos atje. Me veti i kishte edhe dy gratë: Shotën dhe Zojën.
Azem Bejtë Galica, siç është parë edhe nga kërkesat e tij, drejtuar Qeverisë serbe, ishte dashamirës i madh i arsimit. Sa shumë e çmonte mençurinë! Thuhet se Skënderbeu, kryoxhakut e vente Kokë Malqin, si plak të mençur, afër tij Lekë Dukagjinin, si burrë të Kanunit e në vendin e tretë ulej vet. Azem Galica, ndërkaq, në vend të madh e qitke Ramadan Shabanin, si mendar, ngat tij Hasan Prishtinën, si dijetar e të shkolluem e në vend të tretë u ungjke vet. Megjithatë, në Drenicë, zakonisht thuhej: Ku t’ungjet Azem Bejta, është vendi i madh ( Lexo: Dr. Mehmet Rukiqi: “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”).
Kryetrimi e donte shkollën dhe librin në përgjithësi, veçmas atë në gjuhën amtare. Këtë më së miri e vërteton letra e një mësuesi serb, Milivoje Bozovica, i cili i mësonte nxënësit shqiptarë, në gjuhën serbo-kroate, në shkollën fillore të Turiçecit. Ai shkruan: “Njëherë, papritmas pas Luftës së Parë Botërore, shkova për ta vizituar vëllanë, i cili atëherë punonte nëpunës i komunës në Runik. Në katundin Qubrel, papritmas njerëz të armatosur dolën nga mali, më lidhën dhe filluan të më maltretojnë. Kur erdhi Azem Bejta më pyeti kush jam e çka jam. Unë ia thashë të vërtetën se jam mësues fshati. Ai pastaj urdhëroi të më zgjidhin dhe m’u drejtua:
- Ne, miku im, nuk jemi kundër mësuesve, por kundër borgjezisë serbomadhe. Merre kutinë dhe mbështille një cigare. Pastaj më uroi udhë të mbarë dhe suksese të mëdha në shkollë”.
Në “Zonën Neutrale të Junikut”, me nisiativën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Azem Galicës u hap shkolla për të rritur. U sollën shumë libra shqipe dhe abetare. Shumica e luftëtarëve mësuan shkrim-lexim. Ndër nxënësit më të dalluar ishte edhe Shota, e cila për gjashtë muaj mori dëftesë për klasën e tretë. Ajo u thoshte shokëve: “Jeta pa dije është si lufta pa armë”.
Popullsia e kësaj zone dhe e fshatrave përreth, si gjithmonë u tregua mikpritëse dhe bujare. Me ushqime, veshmbathje e gjësende të tjera i ndihmonin luftëtarët e çetave, që e kishin arritur numrin mbi 2000 veta. Aty zhvillohej një jetë interesante. Herë pas here çetat bënin lëvizje jashtë “Zonës së lirë”. Azemi dhe Shota shpesh kalonin edhe në Drenicë për ta vështruar gjendjen. Ata e përgatitnin popullin për një kryengritje të përgjithshme, që do të fillonte posa të krijoheshin kushtet.
Ditë e shënuar do të mbetet ajo kur gruaja e dytë e kryetrimit, Zoja, lindi djalë. E tërë “Zona e lirë” kishte festë dhe ditë gëzimi. Të gjithë e përgëzonin Ademin e vogël (e pagëzuan në emrin e vëllait të vogël të Azemit, që u plagos në Obri dhe vdiq në Gradicë). Mirëpo pas tre muajve vogëlushi vdes.
Për qeverinë serbe dhe qeverinë zogiste “Zona e lirë e Junikut” ishte bërë halë në sy. Ajo qëndronte si një arrë e fortë midis tyre, andaj duhej zhdukur sa më parë. Ato bënin plane për ta likuiduar Lëvizjen Nacionalçlirimtare që po vepronte në të. Për t’ia arritur qëllimit më lehtë i kishin përvetësuar disa njerëz me ndikim në ato anë, si Sali Bajraktarin dhe Beqir Vokshin.
Beqir Vokshi ishte anëtar i Komitetit të Kosovës, bashkë me Azem Bejtë Galicën, mirëpo kishte rënë nën ndikimin e armikut. Ky fuste përçarje në popullsinë e asaj ane dhe ua topiste ndjenjat luftarake e atdhedashëse. Me një fjalë kaloi në anën e forcave zogiste. Hasan Prishtina dhe Hoxhë Kadriu ia tërhoqën vërejtjen por kot. Ai jo që nuk u kthye në rrugën e mbarë, por edhe më tutje vazhdoi në dëm të Lëvizjes. Atëherë njerëzit e Azem Bejtë Galicës, më 1922, afër Krumës dalin dhe e vrasin. Kjo vrasje shkaktoi telashe të mëdha dhe po mos të ndërhynte Shota do të shkaktohej luftë vëllavrasëse.
Edhe Sali Bajraktari i Junikut ishte lidhur me qeverinë borgjeze të Beogradit. Më 20 korrik 1922 e formoi “Këshillin Qeveritar” në Junik. Ky Këshill formoi një çetë prej 53 xhandarësh me detyrë që të ruajë rendin dhe qetësinë në vend.
Kjo qeveri, e shtyrë nga Beogradi dhe Tirana, u bëri thirrje kaçakëve dhe çetave që të largohen nga “Zona e lirë”. Momentalisht aty dalloheshin pesë çeta:
1. Çeta e Ker Sadrisë nga Rugova,
2. Çeta e Jusuf Mehaniqit,
3. Çeta e Ramë Bekës nga Ornabërda - Istog,
4. Çeta e Beqir dhe Zeqir Rexhës - Istog dhe
5. Çeta e Azem dhe Shotë Galicës- Drenicë.
Krahas pushtetit në ndjekjen e kaçakëve ishin vënë edhe shumica e bajraktarëve dhe e bejlerëve të vendit. Edhe ndonjë luftëtar i deridjeshëm i çetave kaloi në anën e Zogut. Kështu ndodhi edhe me trimin e njohur nga Mirdita, Zefin e Vogël, i cili që nga viti 1910 nuk e kishte lëshuar pushkën nga dora, në luftë kundër armiqve të ndryshëm. Tash u bë mik dhe shok i ngushtë i major Prenk Jakut, komandant në Krumë, që me të madhe i ndiqte kaçakët. Zefi edhe më parë, në Golaj, kishte qenë i porositur ta vrasë Azemin. Një ditë, pas provokimeve të rënda, Azem Bejtë Galica e vret Zefin në male të Golajve.
Gjendja vështirësohet edhe më shumë. Forca të mëdha të të dy qeverive po e ngushtonin rrethin në “Zonën e lirë”. Dhe pas luftërave të shumta me zogistë e serbosllavë, “Zona e lirë e Junikut” u shua. Në të së pari hynë zogistët e ata pastaj ua dorëzuan serbëve, më 21.II.1923. Kështu nisi zezona për banorët e asaj ane, që për dy-tri vjet i kishte mbajtur kaçakët. Çetat u shpërndanë nëpër territoret e veta.
vijon... |
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Është vlerësuar nga 91 vizitorë |
Lexuar:
11,323 herë
|
|
|
|
|
|
|