Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Beqir Elshani: ANEKDOTA
Publikuar më 01 shkurt, 2015 në orën 22:16 ( ) Beqir Elshani | Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
1. FJALA „ATEIST"

- Arditë, çka do të thotë fjala „ateist"? - pyeti arsimtari nxënësen.

- Ateist do të thotë njeriu që nuk beson (…) në qeveri, - u përgjigj nxënësja.

- Po dihet që babain e ke të papunë, - plotësoi shoqja e bankës.

2. FJALA „MULTIETNIK"
- Sokol, çka do të thotë fjala multietnik? - pyeti arsimtari nxënësin.
- „Multietnik" është një lloj ilaçi i fortë, të cilin e ka prodhuar një finlandez, (emri i tij nuk më kujtohet), dhe më së shumti përdoret në vendin tonë, - u përgjigj nxënësi.
- A është i dobishëm ky ilaç? - vazhdoi të pyes arsimtari.
- Natyrisht që për pakicat është i dobishëm, mirëpo për shqiptarët është i dëmshëm, - plotësoi tjetri.

3. KORRUPSIONISTI DHE HAJDUTI

- A kanë dallim korrupsionisti me hajdutin? - pyeti një qytetar.
- Po. Korrupsionisti derën e automobilit zyrtar e hap me telekomandim, kurse hajduti me kaçavidë, - u përgjigj tjetri.

4. TOKËZIMI I LIBRAVE

"Lexues të nderuar, para se të lexoni librat e kalemtarëve, duhet të bëni tokëzimin me tel, në mënyrë që të mos ju godet rrufeja", - shkruante në shtypin ditor.
- Nuk është keq, kështu duhet vepruar edhe ndaj premtimeve të kota të ministrave, në mënyrë që të përballojmë rrezikun, - tha qytetari i revoltuar.

5. LOKAL ME QIRA

"Lëshoj Sallën e Parlamentit me qira derisa të formohet qeveria. Pagesa bëhet sipas marrëveshjes. Lokali është me ngrohje qendrore dhe gjendet në qendër të Prishtinës", – kështu e lexoi shpalljen i biri.
- Nuk i besohet… Po qe se papritur formohet qeveria, të hedhë në rrugë, - ndërhyri babai tregtar.

6. QEVERIA ME RROBA TË REJA

- I dashur, po vjen qeveria e re në Kosovë! - tregoi bashkëshortja duke hyrë në dhomë.
- Jo, oj grua, qeveria është e njëjtë, mirëpo rrobat i ka të reja. Ashtu siç është bija jonë e njëjtë, mirëpo rrobat i ka të reja, - ia ktheu me nervoz bashkëshorti.

7. MATRAPAZI I SHKOLLUAR

Dy veta bisedojnë për korrupsionin në qytet.
- A ka dallim matrapazi i shkolluar me matrapazin e pashkolluar? - pyeti i pari të dytin.
- Për nga zeja janë njësoj, mirëpo për nga veprimi ndryshojnë. Matrapazi i shkolluar nuk mashtrohet dot as me raki, kurse ai i pashkolluar mashtrohet me një llokum, - kështu ia sqaroi i dyti.

8. DRITAT ELEKTRIKE

- Baba, a është mirë të fiken dritat elektrike natën, - pyeti i biri babain e tij.
- Edhe mirë edhe keq! Për njerëzit që punojnë e studiojnë është keq; kurse për përtacët dhe hajnat që vjedhin, është mirë, - tregoi babai.

9. PUSHKA DHE FLAMURI

- A e do Hashim Thaçin? – e pyeti njëri shokun e tij veteran.
- Për pushkën që e ka mbajtur gjatë luftës në UÇK, ia puthsha dorën; për flamurin që na ka sjellë, iu thaftë dora, - ia ktheu me zemërim veterani i luftës.

10. PËRVOJË NË PREMTIME

- Zotëri Thaçi, pse populli voton vazhdimisht për ty, - e pyeti një gazetar, me rastin e votimit në mandatin e tretë.
- Sepse kam përvojë në premtime, prandaj popullit i pëlqejnë… - ia ktheu me buzëqeshje Hashim Thaçi.

11. VOTA PËR UJË

- Nëse votoni për mua, do të siguroj ujë të pijes, - tha njëri nga pjesëmarrësit në prag të fushatës parazgjedhore, dhe masa e përshëndeti me duartrokitje të përzemërta.
- Nëse votoni për mua, do t’i lutem zotit për shi, - tha një tjetër kandidat.
- Nuk ta jap votën, …shiu m’i dëmton qerpiçët, - ia ktheu një fshatar.

12. PROFESORI THERANDAS

- Profesor, a e dini pse rinia po ik prej fushës, bagëtisë dhe pleqve? - pyeti gazetari profesorin therandas në pension.
- Po. E para, sepse nuk duan të djersiten; e dyta, sepse nuk duan erën e bajgës dhe e treta, sepse nuk duan të kujdesen për prindërit që i kanë rritur, - u përgjigj flakë për flakë profesori me përvojë pedagogjike.

13. KRYEDERRI DHE KRYETHIU

- Si quhet kryetari i vendit? – pyeti i pari të dytin.
- Quhet Kryederr, - tregoi i dyti.
- Po, kryeministri si quhet? – vazhdoi të pyes i pari.
- …Kryethi, - u përgjigj i dyti.
- Më duket se emrat janë të ngjashëm… - tha me habi i pari.
- Po, meqë edhe në veprimtari janë të tillë.

14. I DEHUR ME SHPRESA

- Zotëri, jeni i dehur me alkool, ndaj duhet t’ju ndihmojnë të afërmit për të shkuar në shtëpi, - e këshilloi pronari i kafenesë.
- Jo, nuk jam dehur me alkool, por me shpresa të kota të qeverisë. Dikur thoshin veç le të largohet Ramiz Alia prej pushtetit, pastaj Kosova bashkohet me Shqipërinë, - tha qytetari i dëshpëruar.

15. TRE KUSHTE

- I ke tre kushte: shatin, lopën dhe librin: cilin prej tyre do të zgjidhje? – e pyeti babai të birin rinosh.
- Baba, ke harruar të përmendësh automobilin, - ia ktheu i biri përtac.

16. NDËRMJET DY VENDEVE

- Sekretari amerikan tha që Ukraina do të jetë urë ndërmjet Rusisë dhe Europës, - tregoi një gazetar ukrainas.
- Çka do të thotë lajmi anglisht? – pyeti kolegu i tij
- Do të thotë që Rusia do të ndërtojë urën mbi Ukrainë për t’u lidhur me Europën.
- Teknika bën çudira, kurse diplomacia bën të mbrapshtën, - ia ktheu i dyti.

17. LUTJE PËR SHI

Për shkak të thatësisë së madhe një kohë të gjatë, fetarët janë lutur aq shumë për shi, saqë tani vendet ballkanike janë në hall prej vërshimit të ujit. Qielli është si kompjuter, të gjitha lutjet i ka konsumuar një kohë të gjatë, dhe papritmas ka shpërthyer me shira të stuhishme.
- Nganjëherë edhe fetarët po e teprojnë me lutje për shi, prandaj po ndodhin vërshimet, - tha një qytetar.

18. VEPRIM I MBRAPSHTË

- A e di pse po vërshojnë lumenjtë dhe po përmbytet vendi? – pyeti një qytetar fqinjin e tij.
- Për shkak se një kohë të gjatë nuk ka rënë shi, prandaj po bie me vrull, - u përgjigj tjetri.
- Jo, për shkak se burrat po martohen me burra, prandaj po pëson populli i shkretë, - ia ktheu i pari.

19. DALLIMI NË MES PULËS DHE LOJTARIT

- Ku është dallimi në mes pulës që bën vezë dhe lojtarit që shënon gol? – pyeti njëri shokun e tij.
- Dallimi është se kur pula e bën vezën, kakarisë për prodhimin e saj, kurse lojtari kur e shënon golin, brohorit publiku, - u përgjigj tjetri.

20. BISEDË PRANGASH…

Dy sociologë bisedojnë.
- Përpara vetëm Perandoria romake ka prodhuar më shumë pranga dhe zinxhirë për skllavërimin e popujve se mbarë bota sot, - kështu tha sociologu i parë.
- Sot nuk ka nevojë të prodhohen shumë pranga dhe zinxhirë, meqë çdo fëmijë në botë po lind skllav, - u përgjigj i dyti.

21. …HAXHI APO STUDENT?

Dy pleq shëtisin në qendër, pranë tyre kalojnë 3-4 djem me mjekër.
- Janë haxhi apo studentë këta djem…? – pyeti i pari të dytin.
- Mjekroshë janë, - ia ktheu i dyti me ironi.

22. LLAFAZANI KËRKON PUNË

Një mërgimtar lajmërohet në entin suedez për punësim, aty gjendet përkthyesi shqiptar.
- Profesioni juaj, ju lutem? - e pyeti referentja për punësim, të cilën ia komentoi përkthyesi shqiptar.
- Jam profesor, shkrimtar, aktivist… - u përgjigj mërgimtari.
- Zonjë, ky dëshiron të bëhet ministër, - kështu ia komentoi përkthyesi, kur pa që mërgimtari po dilte prej temës.

23. KOLLTUKU I KRYETARIT

- Në anije gjenden kryetari me gruan e tij dhe kapiteni i anijes, ndaj papritmas përmbyten në det; çka duhet bërë? - pyeti njëri fqinjin e tij.
- Duhet shpëtuar gruan e kryetarit, sepse kryetari dhe kapiteni i anijes dinë të notojnë, - u përgjigj i dyti.

24. KUSH BLUAN I PARI?

- Kush bluan i pari në mulli, ai që shkon i pari, apo ai që është më i vjetër? – pyeti daja nipin.
- Bluan ai që shkon i pari, - u përgjigj nipi.
- Jo, bluan miu, - ia ktheu daja.

25. BUZËKUQE NË VEND TË LIBRAVE

- Kam falimentuar me librarinë, askush nuk blen libra, prandaj do të shesë buzëkuqe për vasha, - u ankua librarja tek po bisedonte me fqinjën.
- Padyshim që do të fitoni, meqë buzëkuqet po i përdorin edhe djemtë, - ia ktheu fqinja.

26. KËSHILLA E GJINEKOLOGUT

- Një shtatzëne shkon te gjinekologu në vizitë, ndaj mjeku i tha: - Zonjë, fëmija jote në bark po flet.
- Çka po thotë, doktor? - pyeti shtatzëna me habi.
- Po ju lutet të mos pini duhan, se i pengon!
- Ku di fëmija im nëse unë pi duhan? – kundërshtoi me inat shtatzëna.
- Si jo, ai është më inteligjent se ti, - ia ktheu gjinekologu.

27. UJKU NË VATH

- Në vath gjenden 100 dele, kur ujku sulmon një dele, sa dele mbesin? – pyeti daja nipin e tij.
- Pyetje e lehtë, mbesin 99 dele, - u përgjigj nipi.
- Asnjë dele… të gjitha ikin, - tregoi daja.

28. LUANI APO GOMARI

- Baba, është më i mirë luani apo gomari? - e pyeti i biri babain.
- Luani është i mirë në fotografi, kurse gomari në fushë, - u përgjigj babai.

29. KALLËZUESI HOMOGJEN

"Shtetin e kanë vjedhë, e vjedhin dhe do ta vjedhin", kështu është paraqitur shembulli i fjalisë, në të cilin kallëzuesi në fjali është homogjen, që janë shkruar në kohën e kryer, në të tashmen dhe në kohën e ardhme të mënyrës dëftore, veta e tretë shumës dhe këta janë kryesisht ministrat, duke përfshirë edhe rojtarin e ndërtesës së kuvendit, të cilit duhet dhënë së pakut ndonjë pulë apo dele.

- Ky shembull gramatikor më pëlqen, askund nuk flitet për vrasje, - tha qytetari pas leximit të shembullit.

30. BISEDË ME ZOTIN

- Baba, sot fola me zotin! – tregoi i biri entuziast.
- Çka të tha, bir? - pyeti babai.
- Në fillim fola shqip, mirëpo zoti nuk më kuptoi, pastaj fola gjermanisht dhe zoti më tha: "Mëso, puno dhe lute Zotin", - plotësoi i biri.
- Ndryshe me ty, unë kam folur shqip me Naim Frashërin, dhe ai më tha: "Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë", - ia sqaroi babai.

31. DALLIMI NË MES QENIT DHE GOMARIT

- Gjysh, dëshiroj të di, ku është dallimi në mes qenit dhe gomarit? – pyeti nipi kureshtar.
- Dallimi është se kur njeriu ecën me qenin, qeni ecën para, kurse gomari prapa. Prandaj, derisa qenit duhet shtrënguar litarin që të mos vrapojë, gomarin duhet tërhequr me kapistër për ta detyruar të ecën, - tregoi gjyshi me përvojë.

32. NË HOTELIN PËR KAFSHËVE

Një qytetar e zë nata në Prishtinë, ndaj drejtohet në hotelin për kafshë.

- Dëshiroj një dhomë për fjetje, - tha qytetari.
- Ky është hotel për kafshë, jo për njerëz, - tregoi hotelisti i kafshëve.
- Më falni, u ngatërrova! Unë erdha si gomar, mirëpo papritur u shndërrova në njeri, – tha qytetari duke ia kthyer shpinën hotelit të kafshëve.

33. ARSIMTARI TE DREJTORI

- Zotëri drejtor, në klasë kam një nxënës të çuditshëm, sa herë që shikon ndonjë femër të zhveshur në internet, nuk thotë "sa e bukur", por thotë "sa e tmerrshme". Duket se i mungon gjykimi, - kështu u ankua arsimtari i informatikës para drejtorit.
- Nuk do të ishte keq që ti të ulesh në bankën e tij, kurse ai të bëhet arsimtar, - ia ktheu drejtori që e kuptoi hipokrizinë e arsimtarit.

34. UEFFFAAA!

- Ç’është shkurtesa UEFA? – pyeti drejtuesi i lojtarëve para fillimit të ushtrimeve për ndeshjen kampionatit europian.
- Uefffaaa është pasthirrmë… me anën e së cilës euforia serbe fiton pikët në futboll, - u përgjigj njëri prej lojtarëve të ekipit.

35. VAJI I FOSHNJËS

- Doktor, foshnja ime qanë tërë kohën, - u ankua një nënë serbe për foshnjën që nuk i ndalej vaji.
- Mbase është nervoz, prandaj jepni një biberon që t'i ndalet vaji, - e këshilloi mjeku.
- …As biberoni nuk ndihmon. Do t'i ndalet vaji vetëm kur UEFA ia jep fitoren Serbisë në ndeshjen futbollistike kundër Shqipërisë.

35. PREMTIME TË BUKURA

- "Ne do të punojmë për popullin dhe për zhvillimin e Kosovës. Do të ndërtojmë infrastrukturën dhe do të zbutim papunësinë", - kështu tha kryeministri i Kosovës në teve.
- Grua, a është sot 1 prill? - pyeti bashkëshorti gruan e tij.
- Jo, i dashur, sot është 1 dhjetor, - tregoi bashkëshortja.

37. MUNGESA E GUXIMIT

- A di pse deputetët shqiptarë nuk e mbrojtën Kushtetutën e Kosovës në ish-Jugosllavi? – pyeti njëri fqinjin e tij.
- Sepse mungonte përkrahja në parlament, - u përgjigj fqinji.
- Jo, jooo, nuk kishin bythë, - kundërshtoi fqinji me revoltë.

38. LOPËT ANKOHEN

Lopët ankohen se në fushë nuk po ka mjaftë barë për të kullotur, prandaj gazetari i pyeti nëse është shkaku i thatësisë.
- Jo, nuk është shkaku i thatësisë, por për shkak se edhe njerëzit po e kullosin barin tonë, prandaj shpeshherë kthehemi të uritur, - thanë lopët me zemërim.

39. LAJM I PAPËRCAKTUAR

- Redaksi e nderuar! Në lajmin e djeshëm keni shkruar "Rrezik nga qentë në Kosovë", prandaj duhet sqaruar nëse qentë janë me dy këmbë apo me katër këmbë", - kështu shkruante në komentin e një lexuesi.

Redaksia në fillim kërkoi falje për pakujdesinë dhe shtoi se fjala është për qentë me katër këmbë, jo për qentë me dy këmbë.

40. BURGU LUKSOZ

- Çka do të thotë emri Luksemburg? – pyeti i pari të dytin.
- Luksemburg është qytet dhe shtet në Europën qendrore, - u përgjigj i dyti.
- Jo. Luksemburg do të thotë burg luksoz me kushte shumë të mira për hajdutët, - ia ktheu i dyti.

41. LAJMI I PAQARTË

"Nga 96 veta sa ishin gjithsejtë, 56 prej tyre shkuan për Haxhi…", - shkruante në lajmin televiziv.
- Nuk dihet nëse është fjala për votimin e deputetit në Parlamentin e Kosovës, apo për shkuarje në Qabe, - menduan shikuesit televiziv.

42. PYETJE MËSIMORE

- Kush është Garsia Lorka? - e pyeti arsimtari nxënësin.
- Është lojtar i Madridit, arsimtar, - u përgjigj nxënësi.
- Po, Marko Pollo kush është? - vazhdoi të pyes arsimtari.
- Trajneri i skuadrës së futbollit, - u përgjigj tjetri me nxitim.

43. KËSHILLA E PSIKOLOGUT

- Psikolog, më ndihmoni, jam i zoti në muzikë, por i dobët në fizikë, - u ankua një nxënës, kishte hallin e mësimit.
- Djalosh, që të bëhesh i aftë në fizikë, duhet të merresh me punë fizike, pastaj edhe muzika do të pëlqejë, - e këshilloi psikologu.

44 FJALËT NË INSTAGRAM

- Ku është dallimi në mes maces shqip dhe katy anglisht në google?
- Kur në instagram shkruan fjalën mace, dalin e macet shtëpiake, kur e shkruan fjalën katy, dalin femrat e zhveshura.

45 AFËRDITA E ZEUSIT

- Bija ime është më e bukur se Afërdita? – kështu tha një nënë që mburrej me bukurinë e bijës së vet.
- Mos xhelozo ndaj Afërditës, sepse zemërohet Zeusi, - ia ktheu fqinja.
- Ende qenka gjallë Zeusi?! - pyeti me habi e para.

46 GJINIA E FËMIJËS

- Është djalë apo vajzë? – pyeti i pari të dytin.
- Fëmijë është.. – tha i dyti.
- Unë mendova në gjininë e fëmijës, - ndërhyri i pari.
- Nuk jam pedofil të shikoj organet gjenitale, - kundërshtoi i dyti.

47. GJINIA FEMËRORE

- Si mund të kthehet fjalia e gjinisë femërore në gjininë mashkullore "Në qeverinë e re do të ketë më shumë femra?" - pyeti një deputet kolegun e tij.
- Shumë lehtë, "Në qeverinë e re do të ketë më shumë meshkuj," - u përgjigj kolegu i tij.

48. VALLËZIM NË TRIBUNË

- Ç’vallëzim po bëjnë këto femra të zhveshura? – pyeti një shikues kur pa shfaqjen në tribunë.
- Po i rrahin vithet njëra tjetrës, - tregoi i dyti.
- Jo, po i shpëlajnë trutë, - tha i treti duke ia kthyer shpinën tribunës së përdalë.

49. PASQYRA NË TELEFON

- Çka marrin vajzat me vete kur të shkojnë në pushime? – pyeti një grua fqinjën.
- Marrin buzëkuqet, pasqyrën dhe telefonin, - u përgjigj fqinja.
- Jo. Marrin buzëkuqet dhe telefonin, meqë pasqyra gjendet në telefon, - plotësoi e para.

50. FËMIJA QUHET MOBILTELEFON

- Sa fëmijë ke? - pyeti njëri mikun e tij.
- Kam një djalë, quhet Mobiltelefon, - u përgjigj i dyti.
- Emër i çuditshëm… megjithatë u trashëgoftë! – uroi i pari duke mos kuptuar që miku e kishte fjalën për aparatin telefonik.

Suedi, dhjetor 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 35 vizitorë
Lexuar: 961 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi