Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
SANIJE GASHI - ZONJA E MADHE E KULTURËS SHQIPTARE
Publikuar më 01 nntor, 2017 në orën 06:04 ( ) Kulturë |
Rrit madhësinë e shkronjave
PJESA E TRETE

2. Intervista dhënë gazetares Arieta Seferaj:
07.08. 2014

Ka kohë që emisioni KultArt është bërë një tribunë e gjallë e afirmimit të vlerave të kulturës shpirtërore të hapësirave gjithëshqiptare, e madje edhe e atyre në diasporë.
Kultura dhe arti i komunikimit përmes intervistave, është bërë gjithashtu edhe pjesë përbërëse e nderimit për gazetaren emblemë, sa herë që ky emision ka pasur në sfond Sanije Gashin.
Duke e zhvilluar bisedën e saj me zonjën Gashi, në një nga ish-lokalet me një ambient të veçantë tradicional-përballë Radio Kosovës, gazetarja Arieta Seferaj në mënyrë ekskluzive e ka fokusuar intervistën e saj tek libri Prishtina e fëmijërisë sime, të autores Sanije Gashi.

Duke e filluar ekspozeun e kësaj interviste me një konstatim sa të drejtë po aq edhe lakonik, gazetarja Arieta Seferaj ka përshkuar trajektoren e krijimtarisë publicistike të bashkëbisedueses së saj, në këtë mënyrë:
“Kujtimet e një publicisteje që talentin e saj e shkriu nëpër revista dhe gazeta, Sanije Gashi së fundi sjell për lexuesit edhe një monografi ekskluzive që flet për një pjesë të kaluar të qytetit të Prishtinës dhe për njerëzit që e jetuan atë kohë.”
Në një bashkëbisedim të shtruar e në të cilin biseda shpaloset palë-palë, autorja e librit ka komentuar lidhur me procesin krijues por edhe lidhur me kthimin në kujtesë - në vitet e fëmijërisë, si dhe lidhur me kontrastet e kundruara në prizmin dje dhe sot:
“Arieta, së pari ky libër është punuar me shumë përkushtim dhe pa mundim, por me një kënaqësi të veçantë që paraqet fëmijërinë time, të atyre njerëzve që kanë jetuar përpara, domethënë ka qenë një kthim një kujtesë, në kujtimet e dikurshme që kanë qenë plot-plot ngrohtësi, nga Prishtina e vjetër...
Domethënë ka qenë një kthim i imi mbrapa, me plot kënaqësi. E tani është një çështje krejt tjetër, sepse Prishtina e fëmijërisë sime ka ndryshuar shumë nga Prishtina e sotme.”
Duke e paraqitur sërish lëndën e këtij libri, gazetarja Seferaj nëpërmjet një ligjërimi me nuanca vjershërimi, në të vërtetë ka lënë për të kuptuar se publicistja Gashi ka shkruar një libër monument për Prishtinën:
“Përmes faqeve të kësaj monografie, e titulluar Prishtina e fëmijërisë sime, por dhe në rrëfimet e saj përplot me nostalgji, ne shohim sadopak Prishtinën e dikurshme dhe e ndjejmë frymëmarrjen e saj në atë kohë të frymëzuar me aromën e kasabasë së dikurshme, shushurimën e luleve, gurgullimën e dy lumenjve që gjarpëronin përmes këtij qyteti të lashtë, Prishtinës së vjetër e cila ishte qendër e Dardanisë ilire.”
Ndërkaq, publicistja është ndalur me thekse të veçanta tek titulli që rri si një emblemë në sfondin e librit, për të shfletuar pastaj një nga një e me një kujtesë gjithë lakmi periudhat e ndryshme nëpër të cilat ka kaluar Prishtina, si dhe duke risjellë në mbamendjen e njerëzve begatitë e shumta të cilat i ka pasur Prishtina.
Nuk do mend se një bashkëbisedim i tillë, një shfletim kujtimesh të gjalla e përplot parafytyrime të së kaluarës së qytetit, jo vetëm që e bëjnë për vete teleshikuesin, por edhe lënë mbresa të pashlyeshme tek të gjithë ata që kanë kënaqësinë për ta plotësuar kërshërinë e tyre për kryeqytetin e Kosovës:
“Shikoni, unë e kam emërtuar Prishtina e fëmijërisë sime, në fakt është Prishtina e fëmijërisë, e rinisë, e tani e moshës së shtyrë. Gjithçka që mund të kujtojë njeriu nga ajo kohë...

Për shembull Prishtina e ka pasur Vellushën, që ka ecur për qendër të Prishtinës, mes Unionit dhe Teatrit. E ka pasur lumin Reka, atëherë është quajtur Mëhalla e Rekës ose Deremahlesi, por ma vonë Prishtevka. Edhe ajo ka kaluar nga zona e Pazarit të Vjetër. Këta lumenj kanë qenë përplot ujë. Vellusha ka qenë, tregojnë, me plot rosa e rosakë. Dimrit kanë rrëshqitur njerëzit me ski, me saja, domethënë deri në 20-30 centimetra është bërë akulli në atë kohë. Mirëpo, me kohën u mbyll edhe Vellusha edhe Prishtevka (ose Reka) dhe u ndërtuan rrugët përmbi to. I mungojnë sot ata lumenj Prishtinës, i mungon ajo kohë, i mungon ai ujë. Prishtina ka qenë një ndër qytetet më të mëdha në Kosovë që e ka mbajtë me kopshtarë, me bashqevanxhi. Të gjitha kopshtet janë ujitur prej këtyre dy lumenjve. Mandej ka pasur edhe kroje shumë. Arkitekti Mustafa Shahini shumë mirë i përshkruan ato kroje, thotë se nga kroi i oborrit të tyre (e oborri i tij ka qenë tek Blloku i Parë, që është ndërtuar menjëherë pas vitit ’45), kanë marrë ujë 13 familje. Edhe pjesë të tjera të qytetit kanë qenë përplot kroje. Mandej kur është ndërtuar ujësjellësi i parë në fshatin Llukar, atëherë gradualisht janë mbyllur këto kroje dhe kanë filluar me çezmat e dikurshme. Sot për sot ekzistojnë në Prishtinë vetëm dy kroje ose shatërvane. Ai i Xhamisë së Madhe që ka ujë të vazhdueshëm, që shërbente për abdes të qytetarëve të vjetër, si dhe një tjetër që ndodhet në mes të Xhami Qarshisë dhe Muzeut të Kosovës. Edhe aty, thuhet se vie uji prej Gërmisë. Kroje të tjera nuk ka. Një është tek Normalja, por sa po funksion nuk e di. Prishtina do të thotë ka pasur edhe lumenj, edhe kroje, edhe bashqevanllëk, edhe gjelbërime.”
Në plotësim të këtij spektri kaq të gjerë, pyetja e radhës e shtruar nga gazetarja Arieta Seferaj ka përfshirë një dimension mjaft të rëndësishëm të Prishtinës, dimenisonin e qëndresës kombëtare dhe të përpjekjeve të parreshtura të brezave atdhetarë, për të cilët Prishtina u bë epiqendra e zhvillimeve të vrullshme:
“Cilët ishin intelektualët më të vjetër shqiptarë të kohës më të re të Prishtinës, se si u mbrojt qenia dardano-ilire e iliro-shqiptare, se si prej këtij qyteti u nisën kryengritjet çlirimtare nga këtu në drejtim të Prishtinës e cila ishte bërë pikëtakimi i të gjithë shqiptarëve nga e gjithë gjeografia kombëtare. Këto janë tema që trajton me seriozitet zonja Gashi.”
Duke e plotësuar edhe më këtë sfond, publicistja e penës që rrezaton dhunti dhe dritë, është ndalur tek emrat që kanë lënë gjurmë të pashlyera në sfondin me fushë gjaku:
“I kam paraqitur këto në libër. Kush i lexon do të kthehet pak prapa, do të kthehet edhe në kohën e ndërtimit të Gjimnazit të Ri. I vjetri ka qenë nja 200 metra më larg. S’di, ndoshta ju të rinjtë e dini. Mandej kam folur për njerëzit e asaj kohe, të atyre lagjeve, që kanë qenë me shumë rëndësi për qytetin.
Ta zëmë, flas për zotëri Iljaz Agushin, i cili ka qenë zëvendës-kryeministër i Shqipërisë. Në kohën kur Mustafa Kruja ka qenë kryeministër, ky ka qenë zëvendës i tij, ka qenë ministër i Punëve Botore, siç i kanë thënë atëherë. Një njeri që ka bërë shumë për Kosovën e për shqiptarët, domethënë për bashkimin e trojeve shqiptare. Ka qenë edhe kushërira e tij, Ifette Agushi, se në atë kohë s’kemi pasur poete. Ani pse s’e ka ditur gjuhën shqipe, ka shkruar turqisht. Ia kanë përkthyer në gjuhën shqipe, poezinë për Kosovën: Oj Kosovë, oj fushë krenare, etj. E keni edhe këtu (në libër). Në atë kohë ka vrapuar në Drenicë, në disa vende që të organizonte punë, sepse ka qenë anëtare e organizatës NDSH, organizatë e njohur përpara.”
Gjurmë kohësh e fate njerëzish sërish janë shfaqur në shpalim të kujtesës së publicistes emblemë. Janë ofruar kështu dëshmi për aq shumë padrejtësi gjithë egërsi ndaj atyre që pronat i kishin me tapi, por që nuk kishin pranuar të binin në ujdi me pushtuesit e ri:
“Prishtina ka pasur shumë njerëz të kamur, mirëpo pas vitit 1945, u është marrë ajo pasuri dhe janë shndërruar në objekte të ndryshme. Ta zëmë, shtëpia e gjyshit tim, aty ku edhe unë kam lindur, vendi ku është sot Kuvendi i Komunës, aty në vitin 1948 janë rrënuar disa shtëpi tonat, dhe është ndërtuar Kuvendi i Komunës. Pak më poshtë është prishur një shtëpi e Selatin Kelmendit, shumë i njohur, edhe ai ka qenë gazetar, dhe është ndërtuar Gjyqi i Qarkut sot. Edhe tek shtëpia e Sudi Efendisë, edhe tek mëhallët e Hasan beut, tek Divanjollët, janë shkatërruar ato shtëpi me qëllim që të ndërtojnë shtëpi të reja”
Duke shprehur për të satën herë ndjenjën e mirënjohjes dhe të falënderimit, të respektit të veçantë e të vlerësimit të drejtë për zonjën Gashi dhe për veprën e saj publicistike, gazetarja Arieta Seferaj me një elegancë të theksuar ia ka falur bashkëbisedueses së saj, epitetin aq të merituar të “kronistes së pasionuar dhe të frymëzuar”, për çka edhe meriton për t’u përgëzuar:
“Monografia Prishtina e fëmijërisë sime, ofron një tablo të qytetit të saj, të kryeqytetit tonë, siç e ka parë vetë ajo si fëmijë dhe njerëzit e asaj kohe. Autorja dhe publicistja Sanije Gashi ka zgjedhur rrugën e kronistes së pasionuar dhe të frymëzuar, ku ka vërejtur dhe piketuar bukuritë e natyrës, veçoritë dhe cilësitë e njerëzve, por edhe karakteristikat e një jete shumëngjyrëshe që ka frymuar tok me ta nëpër shekuj e dekada të tëra. Kësisoj monografia është një libër plot histori por edhe një begati për breza të tërë, të cilët dëshirojnë të dinë për historikun e kryeqytetit të vet.”

3. Intervista dhënë gazetares Lumira Kelmendi:
12. 03. 2016


Nuk është e rastësishme pse për intervistën me gazetaren emblemë, është zgjedhur Libraria “Dukagjini”. Kjo nuk është rastësi sepse rëndom në intervistat e saj me personalitetet e kulturës sonë, gazetarja Lumira Kelmendi parapëlqen sfondin e librave, sepse sfondi i librave prapa krahëve të bashkëbiseduesve, gjithmonë paraqet një sfond përjetësie, prandaj Borhesi pamjen e bibliotekës e përfytyronte si pamjen më besnike të parajsës.
Se kjo përzgjedhje nuk është rastësi, dëshmon edhe fakti se Sanije Gashi në librin e saj Prishtina e fëmijërisë sime, në kapitullin Mëhalla e Kullës së Sahatit - Gjimnazi që rrezaton kulturë, në pjesën Teqeja e Shehlerëve, në mes të tjerash ka shkruar edhe për bibliotekën mjaft të pasur të Sheh Mehmet Hafëz Efendisë:
“Në brendi të Teqesë, aty ku falet namazi, ndodhet biblioteka e sheh Mehmetit me libra të vjetër deri 700-vjeçarë, të shkruar në gjuhën arabe, turke (osmane), perse dhe frënge, si dhe dorëshkrime, që ende nuk janë zbuluar, edhe pse nuk janë të ndaluara për askënd, - thuhet në këtë shtëpi kulti. Vijnë njerëz të interesuar nga Turqia e nga Europa…”
Edhe në kapitulin Mëhalla e Divan Jollit. Shtëpitë e prishtinasve e dyqanet e hebrenjve, në pjesën ‘Biblioteka e qytetit, pronë e Sylejman Efendisë’, nëpërmjet shpalosjes së kujtimeve të arsimtares “Xhyzide (Hasani) Hasan Beu, 86 vjeçe, e familjes së njohur të bejlerëve prishtinas, mbesë e Sylejman Pashës”, shprehet dashuria për ato që Stefan Cvajg me të drejtë i quajti copëza të përjetësisë:
“Kjo shtëpi, e ndërtuar në kohën e mbretërisë serbe, me 1930, në funksion të bibliotekës së qytetit deri në ditët e sotme, të emërtuar “Miladin Popoviq”, ka qenë pronë e Sylejman Efendisë, i njohur për kohën, gjysh i Xhyzides dhe Melihasë.
Sylejman Efendia, intelektual, njeri i kamur, ka qenë baba i nënës sime, Naxhies, e cila ka dalë nuse nga kjo shtëpi. Ka qenë godinë e bukur, me shumë hapësirë, me dy palë ballkone e dy hyrje, me avllinë përpara! Mirëpo, me hyrjen e partizanëve, e mori hyqymeti! Objekti ndodhet edhe sot, me arkitekturë specifike.”

Gazetarja Lumira Kelmendi do ta fillonte ekspozeun e intervistës së saj me zonjën e madhe të kulturës shqiptare, duke numëruar një varg faktesh dhe arritjesh nga rrugëtimi gjysmëshekullor i ikonës së gazetarisë sonë:
“Gazetarisë ia kushtoi një jetë të tërë. Gjatë gjithë kohës u angazhua për të drejtat e grave, për jetë më cilësore, mbështeti arsimimin e tyre, ngriti dhe trajtoi tema me interes në dobi të gruas, intervistoi personalitete të njohura shqiptare, shkroi për përjetimet e rënda të grave shqiptare gjatë luftës së fundit, e të tjera. Kjo është pa dyshim zonja Sanije Gashi e cila për gjysmë shekulli karrierë la gjurmë të pashlyeshme në gazetari. Në këtë jubile ajo sërish është aktive duke sjellë para lexuesve librin Gjurmë ndër vite, ku kujton kohën e kaluar në profesionin jetësor, gjurmët e lëna në një rrugë jo të lehtë, ku era e harresës s’mund t’i pluhurosë.”
Duke folur për këtë libër dhe përmbajtjen e tij, publicistja Gashi përveç që përshkon në kujtesën e saj figurat eminente të letrave shqipe, ajo shpreh njëkohësisht edhe mirënjohjen ndaj tyre, duke i quajtur me të drejt ura lidhëse mes të djeshmes dhe të sotmes:
“Është libri im i fundit publicistik ku kam dashur të shënojë 50-të vjetorin e punës sime. Në këtë libër janë të përfshira të gjitha gjinitë gazetareske. Kam nisur me intervista, pastaj me udhëpërshkrime, me si ese - Fjala e kryeredaktores, si dhe kam përfunduar me opinionet e disa personave shumë të njohur, të shquar, që flasin për librat e mi - të tre. E kam nisur pikërisht me bardin e letërsisë sonë, Esad Mekulin. Po më duket këta të vjetrit pak janë lënë anash, pak janë harruar nga brezat e rinj! Kështu që, po ta lexosh një Esad Mekul do të mësosh shumë, edhe për atë kohë edhe për më vonë. Se unë e them edhe në fund të librit e edhe në fillim se, këto personalitete janë urë lidhëse, mes të kaluarës dhe të sotmes. Prej tij, unë them ka pasë njeriu çfarë të mësojë shumë. Leksionet e tij kanë qenë të mrekullueshme. Një njeri i urtë, një njeri i ngritur, një njeri i ditur. Ndoshta edhe ka qenë privilegj për mua që të jem në një njësi ku ka punuar edhe zoti Esad Mekuli, si kryeredaktor i revistës letrare - Jeta e Re. Në atë kohë unë isha gazetare e Zanit të Rinisë, të atëhershëm.
Vjen pastaj edhe Anton Pashku. Edhe ky pak në heshtje. Një shkrimtar i madh. Edhe nga bisedat me të, edhe nga ndejat me të, kam nxjerrë shkrimin që është botuar në këtë libër.”
Në sfondin e këtij bashkëbisedimi, publicistja emblemë ka shpalosur gjithashtu përvojën e saj mjaft të pasur lidhur me intervistat e zhvilluara me personalitete të ndryshme:
“Vijnë edhe njerëzit e shquar me të cilët kam bërë intervista, që i përmendët edhe ju, për shembull si rasti i helmimeve. Te ne thuajse edhe ajo periudhë u harrua. Çka hoqëm me ata shtatë mijë fëmijë. Erdhën për të marrë mostrat, për të bërë analizat: ka s’ka helmim. Erdhën edhe të Lubjanës, mirëpo në rrugë u zhdukën ato mostra, humbën! Erdhi dr. Benedeti nga Parisi dhe me ekipin e tij mori mostrat, u kthye në Paris dhe bëri analizat dhe doli botërisht: në Kosovë ka helmim. Edhe kjo s’duhet të harrohet.
Pastaj kam edhe çiftin Kadare, Helenën që e kam një mike jashtëzakonisht për qejfi.”
Tek ka përmendur kështu emra dhe intervista, ajo është ndalur në një moment të veçantë edhe tek një intervistë gjithashtu të veçantë sepse e veçanta në këtë rast lidhet me pendesën e njërës prej figurave me peshë në fatet e shqiptarëve.

Është mjaft domethënës fakti se përpjekja për zbërthimin e psikologjisë tejet enigmatike të Nexhmije Hoxhës nëpërmes një interviste (“Pendu-jo, dhimbje-po”), përkon aq shumë me thënien e Volterit për moskovitët në kohën e Pjetër Aleksejeviçit, carit të Rusisë: “Bënin rrëfim, por vetëm kur kryenin krime të rënda: atëherë u dukej e domosdoshme falja e mëkatit, por jo pendimi.”
Në komentin e saj lidhur me këtë çështje, autorja e librit Gjurmë ndër vite, është mjaft e drejtpërdrejtë:
Intervista me Nexhmije Hoxhën, që ka zgjuar një interesim për të mësuar se kush ka qenë, ç’ka qenë, ngaqë është njohur si grua shumë e ashpër, shumë e hekurt, kur ka bashkëpunuar me të shoqin, Enver Hoxhën. Kam kërkuar që ajo të jetë e sinqertë në ato biseda, në ato trajtime të njerëzve, në ato burgosje të kosovarëve kur sapo janë ndjekur nga UDB-a, kanë dalur në anën tjetër dhe janë burgosur menjëherë. Është munduar të flasi por, them, nuk ka qenë e sinqertë. E kam pyetur se - a jeni penduar për këto 45 vjet? Çfarë ka qenë regjimi i Hoxhës? Thotë: penduar - jo, dhimbje- po! Domethënë nuk dorëzohet!”
Ndërkaq, ashtu sikurse edhe në intervistën dhënë gazetares Shqipe Dervishaj, edhe në intervistën dhënë gazetares Lumira Kelmendi, publicistja Gashi ka shpalosur në hollësi spektrin e saj krijues:
“Kam edhe intervista të tjera me njerëz të shquar. Kam edhe udhëtimet e mia, në disa vende të Europës. Dhe pas asaj pasojnë edhe Letrat e kryeredaktores, që trajtojnë tema të ndryshme, si edhe opinionet e njerëzve të shquar për librat e mi.”
Në vijim të kësaj interviste, gazetarja Lumira Kelmendi është fokusuar gjithashtu në pjesën që ka të bëjë me emancipimin e femrës shqiptare, çështje kjo për të cilën zonja Gashi ka merita të veçanta:
“Gazetare, publiciste, editore, Sanije Gashi arriti të bëhej emër i njohur përmes shkrimeve që kishin për qëllim ngritjen e gruas shqiptare në çdo pikëpamje.

Ju keni dhënë kontribut të çmuar edhe në lartësimin e gruas shqiptare, ku me shkrimet tuaja sigurisht janë parë edhe dëshmitë e faktet që ju keni zbuluar në emancipimin e femrës në disa vende. Si e përshkruani atë kohë, sigurisht nuk ka qenë e lehtë në atë mentalitet në atë kohë t’i hyni kësaj pune dhe të arrini sukses sepse pastaj ato vajza kanë dalur të shkolluara me universitete.”
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, të shtruar me mjaft finesë nga gazetarja Kelmendi, autorja e librave publicistikë me vlera antologjike, ka dëshmuar sërish personalitetin e saj prej humanisteje dhe iluministeje, gjithmonë e vendosur, gjithmonë këmbëngulëse, gjithmonë e gatshme për ta çuar deri në fund flakën ndriçuese të dritës e të diturisë, pa dyshim bekimi më i shenjtë i Perëndisë që iu fal mendjes intelektuale shqiptare:
“Ky edhe ka qenë qëllimi i gazetarisë sime, që si grua, fillimisht si vajzë, i kam hyrë gazetarisë. Së pari ka qenë qëllimi im të ndikojë në zhvillimin e gruas, në emancipimin e gruas, sepse të emanciposh një grua do të thotë të emanciposh një shoqëri, se, po më duket meshkujt ende kanë paragjykime! Mirëpo unë me lloj-lloj brezash kam kontaktuar, qoftë në zonat rurale, qoftë në qytet. Në ato zona rurale është dashur përpjekje shumë më e madhe sepse aty pak lexonin, domethënë revista duhej të shkonte gjithkah që të mund ta lexonin ato vajza, që të mund të ndikonim në shkollimin e tyre - në ecjen përpara. Kështu që kur ndalet njeriu për kaq kohë, kemi arritur diçka. Unë (këtë) e lidhi shpesh me ballinën e këtij libri. Shikoni, kjo fotografi është bërë para 42 vjetësh. Këto vajza janë punëtore sezonale të Progresit të Prizrenit. Në atë kohë Fabrika Progres, kur vinte koha e vjeljes së perimeve, i merrte për tre muaj edhe vajzat e reja që kishin të bënin me përgatitjen e perimeve. Atëherë këto vajza të reja 12-13 vjeçare, 13-14 vjeçare vinin me shami dhe me dimi, kule u thoshin atëherë, se nuk i lenin prindërit ndryshe të dilnin. Dhe tani kur e bëjmë një krahasim për dyzet vjet me të sotmen, nuk hasim më në fshat vajza me shami ose me kule. Të gjitha janë me xhinse, të gjitha mundohen të shkollohen, por herë pas here kjo kohë pak i dëshpëroi, i zhgënjeu. Edhe nënat e tyre sapo u kthyen nga lufta, erdhën jo në dimi por në tuta, që edhe sot i veshin sepse ato janë liru prej asaj veshje të rëndë. Kështu që është një ndryshim shumë i madh për këto dyzet vjet, e gëzohem që sollëm sidomos te vajzat e reja. Domethënë, qëllimi i shkrimeve të mia, ka qenë që të ndikoj në emancipimin e femrës dhe në emancipimin shoqëror. Diku-diku ia kam arritur, por njeriu kur shkruan duhet të ketë edhe lexues. Ka mjaftuar një në familje të lexojë që t’ua përhapë edhe të tjerëve.”
Gazetarja Lumira Kelmendi e ka bartur kështu rrafshin e bisedës në sfondin e botimit të librave të bashkëbisedueses së saj, duke u fokusuar tek ajo që me të drejtë e ka quajtur si “tronditje shpirtërore”:
“Sanije Gashi me librat e saj pasqyron një realitet të hidhur në historinë e dhimbshme të Kosovës. Është autore e librave publicistikë: Histori të tmerrit 1998-1999, Ecje nëpër kujtesë, tregime jete të grave me karrierë; Ecje nëpër kujtesë (botimi i dytë i plotësuar), pastaj Prishtina e fëmijërisë sime, e të tjerë.
Këtu keni edhe librin tjetër që ia keni kushtuar rrëfimeve të grave gjatë trajtimit të luftës së fundit në Kosovë, dhe sigurisht këto përjetime kanë sjellë edhe tronditje shpirtërore edhe tek ju. Por si i keni përjetuar këto kur aq më tepër u është dashur të mblidhni dëshmi dhe t’i shkruani historitë e këtyre rrëfimeve të grave?”
Me peshën e fjalës së saj e në përgjigje të pyetjes së shtruar, publicistja e cila prirjen e saj krijuese e ka gërshetuar me përkushtimin e veçantë, ka përkujtuar përmasën e sfidës me të cilën është ndeshur ajo, dhe me të cilën rrjedhimisht mund të ndeshet gazetari:
“Për ta sajuar këtë libër unë kam filluar menjëherë pas luftës ‘99, në qershor, sapo janë kthyer të gjithë. Unë e di që së pari kam shkuar tek Nekibe Kelmendi. E dimë ngjarjen e Nekibes, e dimë vrasjen e të shoqit me të bijtë. Pas Nekibes kam shkuar tek zonja Sadije Agani, edhe asaj sapo i ishte ekzekutuar i shoqi. Mandej radhë pas radhe, qytet e fshat dhe të gjitha ato gra i kam dëgjuar me shumë vëmendje, çfarë thoshin për përjetimet e tyre, e kjo ishte shumë e rëndë edhe për gazetarin. Tek këto rrëfime, njeriu-gazetari është si aktori. Aktori po i hyri një roli duhet t’i hyjë me shpirt, ta përjetojë. Edhe gazetari: derisa e dëgjon ti, derisa ulesh e shkruan, hyn në jetët e tyre, e të hysh në jetën e këtyre të masakruarve, të djegieve, të likuidimit të fëmijëve të tyre, nuk ishte e lehtë. Domethënë pasonte një ose dhjetë ditë të mos jesh i qetë.”
Drama e përjetuar si “tronditje shpirtërore” është bërë kështu dramë e cila ka lënë pasojat edhe përgjatë procesit të intervistës që ka pasur publicistja Gashi, por e cila nuk është ndalur në misionin e saj për të shpalosur të vërtetën e madhe të një tragjedie të madhe:
“Unë pata edhe këto ditë një intervistë me një të dhunuar. Shumë vështirë më ka ardhur. Është dashur të rikthehem dhe t’i përjetoj edhe unë të gjitha përjetimet e saj. Ambasadori Walker, që e ka bërë parathënien, me shumë kënaqësi e seriozitet, a di çka më tha: Sanije, e para e punës përktheje në anglisht, mandej mundeni edhe në gjuhë të tjera. U përkthye në rumanisht, por tash është në përfundim të përkthimit në anglisht, që duhet të dali për dy javë. E kjo është një punë shumë e madhe, se ne e dimë çfarë na ka ndodhur por duhet ta dinë jashtë, ta arsyetojmë intervenimin e NATO-s, se ka pasë dilema: a bëri mirë a s’bëri mirë që hyri në Kosovë NATO?! Edhe ambasadori William Walker e përshkruan këtë, edhe ngjarjet e këtyre grave që janë të tmerrshme. Nuk është lehtë!”
Sërish, fjala e urtë dhe përvoja e pasur janë veçori të cilat bien në sy përgjatë gjithë intervistës, e në mënyrë të veçantë kur publicistja flet nga prizmi i dëshmisë se një ballafaqim me mentalitete të ndryshme të kohëve të ndryshme, e që as nuk ka qenë e as nuk është i lehtë:
“Njeriu gjatë gjithë jetës takon njerëz të ndryshëm, karaktere të ndryshme, huje të ndryshme. Me të gjithë duhet të ballafaqohesh. Njeriu, më së vështiri e ka me ata që bashkëpunon, nëse nuk janë aq të përshtatshëm. Mirëpo, unë them shpesh, njeriu s’mund t’ia përshtat vetes njerëzit e tjerë. Janë si janë, ashtu, me të gjitha teket, me të gjitha hujet, gjithë dembelinë, por edhe me të gjitha mirësitë. Kështu që nuk është lehtë, nuk është rrugë e lehtë.”
Duke ndjekur më tej kahjen e një shtegu të tillë të bisedës, gazetarja Lumira Kelmendi me të drejtë është ndalur në pyetjen e cila ka të bëjë me sakrificat e shumta, e në mënyrë të veçantë me një energji të pashterrshme tek kjo ikonë e publicistikës shqiptare:
“Po, gjatë krijimtarisë suaj ju keni hasur në shumë sakrifica dhe sfida, të cilat janë përcjellur me burgime, me hetime, me gjëra të tilla që nuk ka qenë të lehta për një gazetare si ju. Por ju si femër keni pasur guximin dhe keni vazhduar këtë rrugë. Prej nga kjo fuqi femre?”
Është sërish guximi dhe përkushtimi, është qëndrimi i palëkundur e gjithë kurajo ajo që e ka mbajtur të pamposhtur një veprimtare guximtare, një humaniste me parime dhe qëndrime të cilat aq shpesh e karakterizojnë një botë shpirtërore të pathyer, idealiste:
“Po, kur t’i hyjë njeriu një pune, duhet të jetë i matur dhe i guximshëm dhe ta bëjë punën me përkushtim, përndryshe do të dështojë. Kemi pasur faza të ndryshme gjatë jetës, edhe para okupimit, për të ta kontrolluar thuaj çdo radhë në shkrim, për të parë ç’po thuhet, ç’po fshihet në ata tituj - mes shkrimeve. Mirëpo ajo edhe më e rënda ka ardhur në kohën e okupimit. Atëherë je ndaluar, të është uzurpuar revista që e ke udhëhequr, je ftuar në polici ose te të UDB-ës, të cilët të kanë ndjekur, dhe kur u je dukur e papërshtatshme (kështu thoshin atëherë), të kanë marrë dhe të kanë burgosur, edhe ta kanë ndaluar medien. Kështu që njeriu duhet të jetë i fortë që t’i përballojë të gjitha. Kur t’i hysh një rruge, s’ka: shtrëngohu dhe përfundoje.”
Pasi ka përmendur shpërblimet dhe mirënjohjet për kontributin e zonjës Sanije Gashi në fusha të ndryshme, gazetarja Kelmendi i ka pri më tutje bisedës drejt librit për Prishtinën, duke shprehur kështu një konstatim tepër domethënës sa edhe të qëlluar:
“Gjatë karrierës së saj në gazetari u shpërblye me Medaljen për Punë, me Çmimin Gazetare e Shquar e Kosovës, me Mirënjohje Publike. Nga gratë parlamentare të Kuvendit Kosovës, nderohet me Çertifikatën: Mirënjohje për kontributin në zhvillimin e demokracisë. Më pas nderohet me Çmimin “Mbretëresha Teutë”, nga Klubi i femrave shqiptare në Kroaci. Në Panairin e Librit Prishtina 2014, Shoqata e Botuesve të Kosovës e nderon me Çmimin për vepër kapitale, për librin Prishtina e fëmijërisë sime. Po ashtu është fituese e Çmimit “Ramiz Kelmendi” për vitin 2015, në Festivalin e Letërsisë, FLOFEST në Orllan, si mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm 50-të vjeçar të gazetarisë dhe publicistikës në Kosovë.
Për ju është deklaruar se për Prishtinën keni bërë një kartë identiteti me librin tuaj që ia keni kushtuar Prishtinës, dhe e keni bërë Prishtinën që të jetë e paharruar edhe për gjeneratat e reja. Si ndiheni si një person që keni trasuar një rrugë për brezat e rinj?”
Nuk ka dyshim se një pyetje si kjo, e formuluar dhe e artikuluar me kaq elegancë, e ka nxitur sërish kujtesën e bashkëbisedueses për Prishtinën e fëmijërisë së dikurshme:
“Kjo ka ardhur pas një presioni shpirtëror. Domethënë, Libri i Prishtinës ka qenë një si relaksim, një lehtësim për gazetarin, për shpirtin. Këtu e kam bërë Prishtina e fëmijërisë sime, por në. këtu e kam jetën, këtu do të përfundoj. Ka qenë kënaqësi të shkojë prej lagje në lagje, prej mahalle në mahallë, të bisedoj me njerëzit e Prishtinës së moçme, që ende janë disa, se kanë ndërruar jetë të tjerët, dhe të përshkruaj atë jetë të atëhershme të Prishtinës dhe të prishtinasve, një histori komplete që edhe mori shpërblimin si vepër kapitale në Panairin e XVI-të të librit..”
E përkushtuar për ta çuar deri në fund ndjenjën e theksuar të nderimit dhe të falënderimit për rrugën e trasuar, gazetarja Kelmendi e ka lartësuar në mënyrën më të bukur kontributin e dëshmuar të publicistes Gashi:
“E përmendëm më herët librin Gjurmë ndër vite, që ju keni shkruar për njerëz që kanë lënë gjurmë, por në fakt, mund të themi pa modesti, që ju jeni ajo që po leni gjurmë në historinë tonë, me gjithë këtë veprimtari të pasur dhe që është me interes edhe për gjeneratat e ardhshme, por ndoshta edhe për të tjerët, për të huajt, siç e përmendëm më herët, që të njohin gjithçka që ka ky vend. Cilat janë fjalët tuaja me këtë rast?”
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Sanije Gashi ka dëshmuar për të satën herë se modestia është vetë madhështia e njeriut:
“Faleminderit, faleminderit! Ky do të ishte edhe vlerësimi më i madh se njeriu kur punon një kohë të gjatë, ta zëmë në gazetari, dëshiron që të lë gjurmë në profesion, e unë nëse lë sado pak gjurmë në gazetarinë kosovare, do të isha e lumtur. Njeriu asnjëherë nuk mund të kënaqet, nuk mund ta mbërrijë atë që dëshiron, por duhet të punojë deri sa ta mbajë shëndeti dhe memoria. Se, gazetaria, shkrimtaria, publicistika kërkon memorie të fortë.”
Me po këtë memorie, përherë të fortë e përherë të freskët, në intervistën dhënë gazetares Lumira Kelmendi, publicistja Sanije Gashi ka shprehur mendimet dhe gjykimet e saj për dukuri dhe fenomene të ndryshme të jetës sonë, ka bërë thirrje për t’iu kthyer sa më shumë librit, ka vënë në dukje përparësitë që ka interneti, ka shprehur vlerësimin e saj për stafin punues të revistës “Teuta”, ka çmuar lart përvojën jetësore, ka shprehur kënaqësinë se ka lënë gjurmë edhe tek brezat e ri, ka shprehur shpresën se ditë më të mira do të vijnë dhe se duhet të vijnë, dhe ka bërë thirrje që të bëjmë shumë më shumë për atdheun dhe për kulturën, gjithmonë përmes bashkimit të energjive pozitive dhe gjithmonë përmes përkushtimit, sinqeritetit dhe modestisë:
“Nuk më pëlqen vetëm të kritikoj, më shumë të lavdëroj. Por kemi ardhur në një fazë jete, në një periudhë pas luftës që shumëçka është degraduar, qoftë në gazetari qoftë në të tjera lëmi, ose në përgjithësi në jetën shoqërore. Vërtet ky popull ka bërë shumë, po në kohë të fundit nuk jemi të kënaqur me këtë çfarë po ndodhë. Nuk jemi të kënaqur edhe me kulturën, edhe me mos leximin. Thuhet se pak lexojnë, se kohën ua merr interneti. Po mirë, dalëngadalë duhet t’i kthehemi edhe librit, edhe internetit, e kompjuterit. Po them, tani nëse e bëjmë një krahasim: Ne atëherë kemi shkruar me makina mekanike shkrimi ‘taka-tuka’. Tani është kënaqësi të punosh! Vërtetë është kënaqësi: Lum ai që është shumë më i ri e që vazhdon. E ke internetin, e ke kompjuterin, e ke takimin me botën, me kë don ti kontakton. Kjo është një kënaqësi e madhe. Kënaqësia tjetër është në sajimin e revistave ta zëmë, me pamjen. Atëherë është bërë faqosja e revistës, ta zëmë, unë kam punuar në Zanin e Rinisë, në Kosovarja, tani në Teuta, që ka hyrë në vitin e 23-të të botimit. Them, ne nuk e kemi ditur si do të duket derisa ka dalë revista, çfarë do të jetë kolori. Tani është kënaqësi, e sheh para se të dali. Edhe kemi dizejnatorë shumë të ngritur, të shkolluar edhe jashtë. Dizejnatorja e Teutës, për shembull,është e shkolluar në Londër. Domethënë, merr me vete gjithë kulturën e tyre, gjithë punën, gjithë mundin, edhe përvojën. Përvoja është shumë punë e madhe. Unë them se s’ka libër në jetë që ta mëson atë që ta mëson përvoja jetësore. Kështu që tani këtë përvojë po ua lë brezave të ri. Unë po kënaqem kur po ju shoh juve gazetareve të reja, të afta, po kryeni punën me shumë sukses. Kjo është kënaqësi e imja. Domethënë se në gazetari po lë pas vetes gazetare dhe gjurmë. Edhe gazetaret e redaksisë i kam shumë të afta. E para e punës që unë e vlerësoj, është edukimi i tyre, mirësjellja e tyre, kultura e tyre, kështu që kjo të sjellë kënaqësi. Pastaj i hyjnë edhe punës me seriozitet.
Po qe se njeriu jeton me shpresa se do të bëhet më mirë, se do të bëhet më mirë edhe në kulturë, edhe në përgjithësi në jetën politike, në jetën shoqërore, urojmë të bëhet më mirë, si e dëshirojmë ose si e mendojmë, se gjithmonë ankohemi - ‘o s’po na jep asgjë vendi’, e ti?! Është një thënie e moçme: çka i dhe ti atdheut që të të japë atdheu ty? Duhet të ulemi të gjithë, të punojmë me sinqeritet, me përkushtim, me modesti. Modestia është kulturë, kështu që shpresoj se në të ardhmen do të jemi më mirë.”
Duke e shprehur në fund kërshërinë për të pritmet e një pene frytdhënëse si ajo e Sanije Gashit, gazetarja Kelmendi ka shprehur sërish konsideratën për publicisten shëmbëlltyrë:
“Po. Ju keni udhëtuar nëpër kohë me vepra, me kujtesën, me punën me përkushtim. Por, cili është vazhdimi? Çfarë mund të presim, që sigurisht ky udhëtim nuk ka përfunduar për ju, atë e shohim edhe nga vullneti juaj dhe nga gjithë këto fjalë që na i thatë deri tani, por cili do të jetë vazhdimi dhe çfarë mund të presim nga ju, zonja Sanije?”
Sërish një përgjigje që thekson me të drejtë vendosmërinë dhe sinqeritetin, si dy komponentë mjaft të rëndësishëm jo vetëm në jetë por edhe në krijimtari, e që kulmon me dëshirën dhe shpresën e madhe që një pasuri e tillë të jetë edhe trashëgimi tek të tjerët:
“Unë, mendoj të vazhdoj. I lutem Zotit që të më mbajë shëndeti - siç jam mirë, edhe memoria. Dhe kam në plan edhe projekte të tjera, gradualisht, që t’ua lë edhe juve gazetareve të reja.”
Ndërkaq, pyetjes së radhës e që rëndom në intervista të tilla me personalitete të kulturës, ka të bëjë me një porosi për brezat e ri: “Dhe cili do të ishte mesazhi ndoshta për gjithë brezat e ri, një porosi jo vetëm për librat dhe veprimtarinë, por në fakt edhe për tërë jetën sepse përvoja juaj sigurisht që trason një rrugë edhe për gjeneratat e reja.”, gazetarja e cila e ka gëzuar dhe gëzon edhe sot privilegjin e dritës së letrave, ka theksuar prapë seriozitetin dhe përkushtimin, mosanimin dhe respektin e ndërsjellë, porosi këto me shumë peshë dhe mjaft aktuale edhe për të sotmen por edhe për të pritmen tonë:
“Unë dëshiroj që brezat e ri t’i hyjnë më me seriozitet punës, më me përkushtim. Unë e përmendi shpesh Markezin, shkrimtarin që thotë se me gënjeshtra nuk bëhet gazetaria. Gazetaria kërkon sinqeritet, gazetaria kërkon punë pa u vu ndërskamca të tjerëve. Edhe unë për gazetarinë mendoj se një gazetar nuk duhet të merret me politikë. Le të merret por të mos hyjë në asnjë parti, që të mos anoj nga njëra. Unë pikërisht për këtë, në fillim kam punuar, veç gazetarisë edhe në Forumin e Gruas së Lidhjes Demokratike, mirëpo e kam parë që më e rëndësishme është t’i përkushtohem me shkrime asaj situate, asaj kohe të rëndë që e kishim. Pastaj më kanë thirrur edhe në Shoqatën Shqiptare të Gruas, Brovina e udhëhiqte. Mos, kam thënë, të lutem, se unë e lashë Lidhje Demokratike, që t’i përkushtohem vetëm gazetarisë. Të gjitha ato që bëheshin, unë i botoja. Mandej më kanë ftuar në Partinë Demokratike, ka ardhur Teuta Hadri, dy-tri herë në redaksi, që të shkoj te ata. I kam thënë ‘me çdo respekt’! Mirëpo, arsyeja është kjo: Gazetari duhet të jetë i pavarur dhe s’duhet të jetë i njëanshëm. Pastaj më kanë propozuar për deputete ADK-ja tek Edita Tahiri, një grua që shumë e respektoj... Me këtë dua të them se gazetari nuk duhet të bëjë mëkate, duke e ngritur njërin e duke e fyer tjetrin!”
Përfundimisht, një intervistë me sfond librash në Librarinë “Dukagjini” të kryeqytetit, në vete ngërthen edhe një sfond ku fjalët thurin buqeta lulesh për një profil emblematik gjysmëshekullor:
Lumira Kelmendi: Sigurisht, me punë arrihet çdo gjë. Zonja Sanije unë ju falënderoj shumë për kohën që gjetët. Ju falënderoj dhe ishte privilegj dhe kënaqësi në fakt të bëjmë këtë bisedë mjaft të frytshme, dhe shpresoj që të takohemi sërish, me projekte të tjera, qoftë me libra apo me gjithë ato synime që keni në të ardhmen.
Sanije Gashi: Faleminderit. Shumë, shumë faleminderit, dhe besoj se do të shihemi prapë, me botime të reja. Unë them ky libër (Histori të Tmerrit 1998-1999) tejet i rëndësishëm, do të dali për dy javë në gjuhën angleze. E, do ta marrin ambasadat tona, ambasadat e jashtme, lexuesit e ndryshëm, që të shohin vërtet çfarë ka ndodhur në Kosovë.
Lumira Kelmendi: Profesionin e gazetarisë, Sanije Gashi e nisi në shtator të vitit 1965, në revistën Zëri i Rinisë. Në vitin 1971, emërohet redaktore në revistën Kosovarja, që doli në dritë po atë vit, kurse më 1975, emërohet kryeredaktore e saj, dhe këtë revistë e drejtoi për 18-të vjet. Në maj të vitit 1994, tashmë gazetare me përvojë, themeloi revistën e parë të pavarur për gruan dhe familjen Teuta, e vetmja e këtij profili jo vetëm në Kosovë.”
Është e rrallë të gjesh një intervistë si kjo, ku modestia mundet po nga modestia, ku njëra bashkëbiseduese është po aq modeste sa edhe tjetra, dhe ku asnjëra nuk ia lëshon rrugën tjetrës për modestinë; ku njëri brez nderon tjetrin duke shprehur respektin reciprok, dhe ku brezi tjetër shpreh dhe shpalos sërish ndjenjën e mirënjohjes së pakufi.
Duke bashkëbiseduar kështu, që të dyja gazetaret shprehin sa modestinë po aq edhe kënaqësinë, sepse në modestinë ato shpalosin njëkohësisht krenarinë e tyre të ligjshme për sfondin e librave me dritë përjetësie.
Që të dyja, të përbashkët kanë Prishtinën si vendlindje, të përbashkët kanë edhe dashurinë për Gërminë, edhe përkushtimin për gazetarinë, edhe dhuntinë për intervistën, por gjithësesi edhe admirimin për Oriana Falaçin e Kristinë Amonpour…
Një ligjërim i shtruar, një bisedë sa e ngrohtë po aq edhe e drejtpërdrejtë, e shpalosur qartë, bukur dhe rrjedhshëm. Një gjuhë komunikimi me shtresime të shumta, një shkëmbim mendimesh e një shpalosje kujtimesh. Ca pyteje që në fakt dhurojnë ca buqeta lulesh, dhe ca përgjigje që shpalosin gjurmë kohësh në kalldrëme kujtimesh.
Nuk ka dyshim se kjo intervistë është e veçantë. Si e tillë, ajo mbetet e rrallë dhe e realizuar aq bukur, sa të duket sikur gazetarja Lumira Kelmendi e ka bërë këtë intervistë, pikërisht sipas parimit të madh të shprehur nga Volteri (në librin e tij Karli XII - Mbreti i Suedisë), se: “Virtyti i vërtetë imponon respekt.”
Gjithsesi, edhe sipas parimit të Viktor Hygosë, se virtyti ka një vello, dhe se vullneti gjen e liria zgjedh.
Me flatrat e fjalës shqipe, figura emblematike e publicistikës shqiptare, me librin e saj Histori të tmerrit 1998-1999, ka shkruar një testament: “Dita që për mua u bë emnesë.” Dhe se Testamenti i shkruar prej saj, është një Testament i shkruar me gjakun dhe lotët e një kombi, përballë një gjenocidi të paparë.
Në librin kushtuar simotrave të saj, të dijes e të kulturës, “Ecje nëpër kujtesë”, publicistja emblemë ka dëshmuar se kur nuk i ekspozohet dhunës mizore, gruaja shqiptare di të bëjë mrekulli e të arrijë majat e artit e të kulturës.
Në librin kushtuar Prishtinës (Prishtina e fëmijërisë sime), Sanije Gashi e ka shpalosur Prishtinën si një emblemë iliro-dardane, të bukur si Elikona ilire, të dashur si Etleva dardane.
Në veprën Gjurmë ndër vite, ajo ka dëshmuar se sa dorëlirë është treguar natyra për t’i falur dhunti penës, e cila do të kthehet gjithmonë tek Prishtina, për ta falënderuar për talentin e falur, për bujarinë e dëshmuar.
Nuk ka pra aspak dyshim se, virtyti ka për vello madhështinë e veprës, dhe se në këtë përzgjedhje, sërish sipas Hygosë: Biblioteka është një akt besimtarie.
Dhe vërtet, si të mos gëzojë respekt një gazetare veterane, një publiciste emblemë, një ikonë e vërtetë, një ideatore, një kryeredaktore dhe një editore e cila sa prijatare është njëlloj krenare për rrugën e trasuar, sa publiciste është po aq edhe humaniste.
Simotra e saj Musine Kokalari u frymëzua nga shkrimtarja suedeze Selma Lagerlof. Simotra e Musine Kokalarit, publicistja Sanije Gashi u frymëzua nga Oriana Falaçi. Në rrugën e gjatë të shtegut të dijes dhe të dritës, ajo hodhi hapa prej nismëtareje. La gjurmë të pashlyeshme në veprat kushtuar breznive orëmira, prandaj doajeni i gazetarisë shqiptare Ramiz Kelmendi, ishte i pari që me të drejtë e krahasoi me Parashqevi Qiriazin. Ai ia fali edhe epitetin aq të merituar: Oriana Falaçi shqiptare.
Ndërkaq, dhuntia e saj, përkushtimi dhe vepra e saj nuk ka se si të mos na e kujtojë thënien që la Fuajo:
Është i lumtur ai që i ngre një monument vendit të vet!
Kurse gazetaret Shqipe Dervishaj, Arieta Seferaj, dhe Lumira Kelmendi, secila veç e veç dhe që të tria së bashku, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tyre, respektin dhe admirimin e breznive orëmira për shëmbëlltyrën emblematike të publicistes Sanije Gashi, me intervistat e tyre si dhe me buqetat e fjalëve të tyre, shprehën atë që në një rast të veçantë do ta thoshte aq bukur dhe në mënyrë aq kuptimplote, mikja e madhe e Zonjë së Madhe të kulturës shqiptare, Helena Kadare:
Cila je moj bijë e dheut?
Jam stërmbesa e Skënderbeut!

fund

Xhemail Peci

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 29 vizitorë
Lexuar: 540 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
LEGJENDAT DHE NDIKIMI I TYRE NË JETËN SOCIO...
E enjt, 15 prill 2021 - 23:38
LEGJENDA Legjenda apo gojëdhëna është një tekst apo rrëfyes që tregohet në formë gojore nga populli. Zakonisht këto gojëdhëna, i kushtihen p...
NDËRMJETËSIME LETRARE
E mart, 13 prill 2021 - 22:06
Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI”, në prishtinë nxori nga botimi librin: “NDËRMJETËSIME LETRARE – për krijimtarinë e Arif Molliqit”, me autor S...
Lavdi jetës dhe veprës së Enver Shqiptarit...
E hn, 12 prill 2021 - 18:46
.
Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të polit...
E shtun, 10 prill 2021 - 18:39
(Gorki dhe Kadarea) Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. ...
Ja çfarë mendonte Faik Konica për Shqipër...
E premt, 09 prill 2021 - 00:54
Kush më mirë se Faik Konica mund të perifrazojë shqiptarët ashtu siå ato ishin dhe janë. Ai ishte jo vetëm një nga njerëzit më të ditur dhe më...
më shumë nga - Kulturë »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi