|
"Do të luajmë për të marrë tripikëshin edhe në Krujë." Kështu është shprehur për "Sportin shqiptar" kapiteni i Teutës, Xhevahir Kapllani, sipas të cilit kjo është rruga e vetme për të qenë pretendent për titull dhe për t'iu afruar Tiranës. Në një intervistë të tijën, Kapllani komenton fitoret e fundit të ekipit dhe rrugën e vështirë drejt kreut.
Cila është atmosfera pas fitores me Elbasanin?
Mendoj se ishte një fitore shumë e rëndësishme. Së pari, thyem mentalitetin që nuk dinim të fitonim në fushën tonë. Së dyti, treguam se jemi të fortë me rivalët dhe, së treti, siguruam një tripikësh që na shkëput pak nga rivalët e tjerë dhe na pozicionon direkt në luftë me Tiranën. Jam i kënaqur që në stadium ishte kthyer një pjesë e tifozërisë dhe kjo, për mendimin tim, ishte më e rëndësishmja.
Çfarë të kujton kjo Teutë që nuk mposhtet?
Më kujton vitin kur ne dolëm kampionë. Shpresoj që të vazhdojmë kështu dhe të jemi sa më realistë, pasi kampionati është i gjatë dhe se kemi beteja të mëdha përpara.
A është merita e mbrojtjes dhe juaja fakti që jeni ndër ekipet që kanë pësuar më pak gola?
Mendoj se është merita e të gjithë grupit. Nëse nuk do të kishte një mesfushë dhe një sulm që shtyn përpara, atëherë dhe gola do të pësonim më shumë.
Si e konsideroni mendimin e disa specialistëve, sipas të cilëve Starova ka ndërtuar një Teutë mbrojtëse?
Nuk më takon mua që të gjykoj se si e ndërton ekipin trajneri, por mund të them se Starova ka ndërtuar një Teutë të suksesshme dhe që luan futboll. Kjo është më e rëndësishmja. Pozitive është që ekipi tashmë beson dhe ka krijuar mentalitetin s'e mund të arrijë te titulli.
Si e parashikoni transfertën me Kastriotin në Krujë?
Pa dyshim që do të jetë një ndeshje e fortë. Krutanët kanë një ekip që luan fort futboll dhe këtë e tregoi edhe në ndeshjen me Partizanin, apo edhe me Apoloninë në fushën e kësaj të fundit.
Cili do të jetë objektivi në këtë takim?
Ne do të shkojmë për të fituar ndeshjen, por se sa do t'ia arrijmë, do ta tregojë fusha e lojës.
Ç'do të thotë për ju të luani në një fushë pa spektatorë?
Në fakt, futbolli e ka bukurinë kur ka tifozëri. Me Kastriotin kemi tradita të mira dhe them se edhe në një fushë me spektatorë do të fitonte më i miri.
Llambi Kallço / SportiShqiptar.com |