Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Vetëvendosje! ishte mundësia më e mirë
Publikuar më 26 gusht, 2013 në orën 10:12 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Azem Zekaj, përfaqësues i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) për rrethin e Luzernit në Zvicër, pas bashkimit me Lëvizjen Vetëvendosje! ka thënë se qëllimi kryesor i këtyre dy lëvizjeve është të ndryshojë në mënyrë rrënjësore gjendja politike dhe sociale në Republikën e Kosovës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Zekaj ka thënë se Vetëvendosje! ishte mundësia më e mirë për të bashkëpunuar.
“Duke i parë të gjitha partitë e tjera, mënyrën se si punojnë dhe çfarë rezultatesh arrijnë, Lëvizja Vetëvendosje! ishte mundësia më e mirë për të arritur atë që ne ende s’e kemi arritur”, është shprehur Zekaj. Në këtë kontekst, Zekaj ka thënë se bashkimi me Vetëvendosje!-n nuk do të thotë fundi i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). “Vlen të nënvizohet se bashkimi me Lëvizjen Vetëvendosje! për LPK-në nuk do të thotë fundi, por forcë përpara!”, ka deklaruar ai. Zekaj ka thënë se nuk ka dashur të “shkrihen” në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), pavarësisht se figurat kryesore të saj dikur kanë qenë pjesë e kësaj lëvizje. Ai ka thënë se figurat kryesore të LPK-së, tani pjesë e PDK-së, nuk janë duke e menaxhuar si duhet pushtetin. “Figurat kryesore të PDK-së morën në dorë një pushtet jostabil dhe nuk ditën ta menaxhojnë. E lanë veten të komandohen deri edhe për çështjet më të rëndësishme. Ishin pikërisht këto pasiguri të tyre që kanë krijuar këtë gjendje emergjente”, ka theksuar Zekaj.

“Epoka e re”: Z. Zekaj, pse vendosët që LPK-ja ta përmbyllë aktivitetin e saj politik duke u shkrirë në Lëvizjen Vetëvendosje!?

Zekaj: Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) nuk e ka filluar dje aktivitetin, kështu që as nuk mund ta përmbyllë në një çast të tillë. LPK-ja duke ndjekur me shqetësim të madh të gjitha zhvillimet politike e shoqërore në vend vendosi të bashkohet me Lëvizjen Vetëvendosje! duke e parë atë si forcën që mban në lëvizje politikën sot.

“Epoka e re”: Në opinion ende ka dilema: Jeni shkrirë apo jeni bashkuar me Vetëvendosje!-n?

Zekaj: Dilemat janë të bazuara në përvojën me partitë e vogla, të cilat ende pa u forcuar mirë janë shkrirë në partitë e mëdha. Vlen të nënvizohet se bashkimi me Lëvizjen Vetëvendosje! për Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) nuk do të thotë fundi, por forcë përpara.

“Epoka e re”: Pas arritjes së marrëveshjes me Vetëvendosje!-n, si do të përfshihet anëtarësia e LPK-së në strukturat e VV-së?

Zekaj: Anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) do t’u nënshtrohen procedurave të rregullta brenda Lëvizjes Vetëvendosje!, si bashkëpunëtorë të denjë për t’i çuar përpara të gjitha qëllimet e përbashkëta.

“Epoka e re”: Mendoni se keni vepruar drejt duke u bashkuar me VV-në, duke pasur parasysh rolin e fuqishëm të LPK-së në çlirimin e Kosovës?

Zekaj: Faktikisht, duke parë të gjitha partitë e tjera, mënyra se si punojnë dhe çfarë rezultatesh po arrijnë, Lëvizja Vetëvendosje! ishte mundësia më e mirë për të arritur atë që ne ende s’e kemi arritur. Mos të harrojmë se, përveç punës madhore që kërkohet brenda në vend, kemi përgjegjësi të mëdha për çdo centimetër tokë jashtë kufirit.

“Epoka e re”: Dega e LPK-së në Zvicër e ka kundërshtuar bashkëpunimin me VV-në. A ka pasur pajtim brenda në LPK për bashkim në Vetëvendosje!?

Zekaj: Sa i përket kësaj çështje ekzistojnë fakte e dokumente për pajtimin paraprak, pas dy vjetësh bisedime, të cilat mbështeten edhe nga komunikata e fundit e lëshuar nga LPK-ja për sqarimin e çdo paqartësie.

“Epoka e re”: Sa ka përputhje programi i LPK-së me atë të Vetëvendosje!-s?

Zekaj: Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje! kanë lindur në kohë të ndryshme, por në të njëjtat rrethana, për ta nxjerrë popullin nga vuajtja e tejskajshme nënpushtuse. Të dyja forcat kanë punuar e do të punojnë gjithmonë për t’i dhënë popullit një jetë në prosperitet.

“Epoka e re”: LPK-ja asnjëherë nuk iu ka nënshtruar procesit zgjedhor pas luftës në Kosovë. Sa keni elektorat? Mund të na jepni një përqindje?

Zekaj: Është paksa absurde të flasim tani për përqindjen e elektoratit. Siç thoni dhe vetë, Lëvizja Popullore e Kosovës nuk ka marrë kurrë pjesë në zgjedhje. Një gjë është e qartë, elektorat i LPK-së janë të gjithë aktivistët politikë të orëve të para që kanë besuar e besojnë në idealet shekullore të shqiptarëve.

“Epoka e re”: Figurat kryesore të PDK-së dikur kanë qenë pjesë e LPK-së. Pse nuk vendoset të shkriheni në këtë subjekt politik?

Zekaj: Është e vërtetë, por figurat kryesore të PDK-së morën në dorë një pushtet jostabil dhe nuk ditën ta menaxhojnë. E lanë veten të komandohen deri edhe për çështjet më të rëndësishme. Ishin pikërisht këto pasiguri të tyre që kanë krijuar këtë gjendje emergjente, ku dhe ne si organizatë “mëmë” vendosëm të ndërhyjmë pa u bërë vonë për të gjithë.

“Epoka e re”: Shpeshherë veprimet politike të VV-së janë kundërshtuar jo vetëm nga vendorët, por edhe nga ndërkombëtarët. Mendoni se Vetëvendosje! duhet ta ndërrojë kursin politik?

Zekaj: Ju si gazetarë duhet ta mbani mend se si jemi quajtur ne para 30 vjetëve, si u quajtën e trajtuan çlirimtarët e kundërshtarët e pushtetit të kaluar. Kush është ai që mendon, se për t’i mbrojtur interesat e bizneseve të politikanëve të korruptuar, apo për të marrë më të mirë ndonjë zyrtar të huaj, Lëvizja Vetëvendosje! duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta bërë Kosovën atë për të cilën kemi luftuar një jetë të terë.

“Epoka e re”: Çfarë synimesh keni brenda Lëvizjes Vetëvendosje!?

Zekaj: Ta mbajmë në lëvizje politikën, ta nxisim përmirësimin e gjendjes shumë të dobët ekonomike e sociale në vend dhe të dalim së bashku në zgjedhjet e ardhshme për t’i ndryshuar rrënjësisht rrjedhat politike në të mirë Kosovës.

“Epoka e re”: Si jeni duke i parë proceset e gjithëmbarshme në Republikën e Kosovës, punën e Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës?

Zekaj: Ne si Lëvizje Popullore e Kosovës qëllimin për çlirim dhe mëvetësi e kemi arritur. Kjo Qeveri, ky kuvend i Republikës sonë u mundësuan vetëm pas punës, përpjekjeve, sakrificave dhe luftës sonë. Sikur gjithçka të shkonte siç duhet, në të mirë të popullit, nuk do të kishte lindur nevoja të aktivizoheshim për t’i bashkuar forcat me Lëvizjen Vetëvendosje!

Kush është Azem Zekaj?

Azem Zekaj ka lindur në Komunën e Burimit në vitin 1968. Zekaj ka qenë ish i burgosur politik. Po ashtu, Zekaj ka qenë aktivist i orëve të para për liri, azilant politik në Zvicër. Në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) Zekaj është angazhuar si kryetar i këshillit të rrethit Luzern dhe Zug. Azem Zekaj ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftërat çlirimtare në Kosovë dhe Maqedoni.

Gazeta Epoka e Re (Lirim GECI)

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 91 vizitorë
Lexuar: 1,623 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi