Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Debati per Skenderbeun
Publikuar më 18 janar, 2009 në orën 01:32 ( ) Të ndryshme |
Rrit madhësinë e shkronjave
Debatet e sotme mbi Skënderbeun janë vazhdim i debatit të vjetëm mbi identitetin. Në emër të çmitizimit sulmet mbi Skënderbeun u shtrinë edhe mbi ata që kanë mbrojtur një identitet të qendrueshëm të shqiptarëve: mbi gjuhëtarë, historianë, shkrimtarë.
Çmitizuesit gjithmonë kanë theksuar se nuk ekziston një thelb i qendrueshëm kombëtarist, se vetëm shqiptarët që i kanë trutë të kripur me mite, pranojnë një gjë të tillë, pra nuk ka identitet të qëndrueshëm, e pra dhe Skënderbeu s’ka qenë kurrë ndonjë figurë që përfaqëson ndonjë identitet të tillë etj. Atë e kanë mitizuar historianët dhe letrarët e fantaksur.

Po ndalem te romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, roman që në debatet e fundit mbi Skënderbeun, u cilësua si roman që mitizonte Skënderbeun. Të shohim si mitizohet Skënderbeun në romanin “Kështjella”.

Në faqen 113, të romanit “Kështjella”, botimi i parë, Tiranë 1970, shkruhet: “Ne mund t’i pushtojmë kështjellat e tyre, por në fund të fundit ato një grumbull gurësh janë… sa gjëra të ngatërruara vijë pas luftës. Ose të marrim gjuhën e tyre… sa e vështirë është të thyesh diçka në konstruktin e kësaj gjuhe…” Kështu flet kryeveqilharxhi, një nga personazhet e romanit. Në faqen 110 ai pohon: “Padishahu i madh ka njerëzit e vet që i studiojnë të gjitha… Ata janë specialistë për shkombëtarëzimin e popujve…”. Në roman flitet dhe për sjelljen e ca zakoneve që do ta rrënojë këtë popull nga brenda, për ngritjen e minareve në vend të kryqeve, për ndërrimin e veshjeve të grave… për ndryshime në konstruktin e gjuhës… për heqjen e rritjes natyrale të popullsisë, se, siç thotë kryeveqilharxhi, “Goditja më e fortë kundër një populli është ajo që i bëhet të ardhmes së tij.” (fq 109).

Portreti i Skënderbeut në këtë roman që e përflasin çmitizuesit tanë, është përshkruar në faqen 112:

“Nga pamja është i zakonshëm… ato ditë Skënderbeu kishte qenë, siç duket, i ftohur. Ai fliste me zë të ngjirur dhe shallin, me të cilin kishte mbështjellë grykën, nuk e hiqte as gjatë bisedimeve.

- Me shall rreth grykës, - tha si përgjumshëm kronikani. – Çudi pra, kaq i zakonshëm.”

Ky është portreti i Skënderbeut në romanin “Kështjella”. Nuk është “mbreti i bukur si petriti”, siç e portretizon Naimi, as “madhështor, me mjekër të gjatë e të dredhur, hundëshkabë” si tek Noli i vitit 1926.

Kadareja e ka ditur se përmbi kështjellat dhe heronjtë, qoftë dhe të një kryeheroi si Skënderbeu, në historisë e një populli më e rëndësishmja është ruajtja e identitetit të tij. Shqiptarët në kohën e ndeshjes së tyre me osmanllinjtë kanë qenë popull me një identitet të formuar dhe luftuan për ta mbrojtur atë edhe pasi u pushtuan dhe u rrënuan kështjellat e tyre. Romani “Kështjella” kësaj ideje i mëshon dhe jo skënderbejadës: turqit otomanë donin t’i vrisnim të ardhmen këtij vendi, ta shkombëtarizonin atë. Kështu pas tyre dhe komunistët…

2.

Debati i fundit për Skënderbeun, siç e thamë, të ngjan me debatin e një a dy viteve më parë, me debatin për identitetin dhe qytetërimin shqiptar. Rreth këtij diskutimi palët ndahen përsëri: modernistët, të majtët, qytetarët e botës, ata që besojnë tek të qenit qytetarë të botës, idhtarë të mendimit rreptësisht shkencor, përplasen me ata që e duan historinë, atdhetarinë qoftë dhe me mitet, qoftë dhe me thesaret e një kulture tradicionale.

Të quajturit modernistët kanë shumë vërejtje mbi këtë kulturë, mbi personalitetet e saj, mbi shkencën dhe letërsinë e mëparshme të saj. Sipas tyre, kjo trashëgimi i ka fajet për gjendjen e sotme, gjendje me një krizë të qartë të kombëtarizmit nga varfëria dhe prapambetja e sotme. Sigurisht, si të afërt me disa nga eksponentët e komunizmit, modernët, idhtarët e qytetarisë botërore, u volit më shumë që fajin t’ia vënë kombëtarizmit, kulturës, traditave shqiptare. Në këtë pikë ata kanë përkrahjen e një situate të krizës së kombëtarizmit pas rënies së komunizmit. Si duket, fajet për prapambetjen e shqiptarëve nuk i ka komunizmi, por kultura shqiptare, kombëtarizmi në përmbajtjen e tij.

Sa për ta skicuar lehtë historinë e mendimit çmistifikues tek ne, kjo kulturë e luftës me mitet nisi pas pavarësisë së shtetit shqiptar. Deri atëherë rilindasit kishin prodhuar mitet e atdheut të bukur, e atdheut parajsë, e gjuhës shqipe si gjuhë perëndish, e shqiptarit trim dhe bujar, e gruas shqiptare punëtore dhe pa cene, etj. Kur u formua shteti, parrulla e të diturve ndryshoi: tani që e bëmë Shqipërinë, të bëjmë shqiptarët. Konica, inicuesi i frymës kritike, për herë të parë e pa shqiptarin lakuriq, me shumë cene e të meta të rënda. Këtë frymë ndoqi dhe Fishta i publicistikës dhe i satirave. Noli qe rilindës në shumë drejtime, por luftoi për një shtet demokrtatik me institucione perëndimore. Parrulla e tij qe: Yxhym t’i vëmë shqelmin feudalizmës.

Pas këtyre neoshqiptarët me Branko Merxhanin dhe Vangjel Koçën luftuan ta modernizonin kombtarizmin e shqiptarëve.

Vala e tretë e çmitizimit vjen me komunistët shqiptarë, për këta gjithçka e kaluar ishte reaksionare, duhej filluar nga viti zero. Në ndryshim nga mendimi çmitizues i mëparshëm që donte një Shqipëri të modernizuar në mentalitet dhe në institucionet e saj, por duke e ruajtur kulturën tradicionale, komunistët donin rrafshimin e gjithçkaje në kulturën identitare, për të krijuar Shqipërinë e re, jetën e re, njeriun e ri.

Vala e katërt e çmitizuesve janë këta të sotmit, të cilët dhe se nuk kanë krijuar figura të formatit të Konicës, Fishtës, Branko Merxhanit, duke pasur hapësirë në supermediat e sotme, i përcjellin mendimet e tyre më gjerësisht.

3.

Sigurisht çmitizuesit e sotëm, idhtarët e idesë së qytetarizmit botëror, nuk janë komunistë. Madje ata e identifikojnë komunizmin me kombëtarizmin dhe kështu kombëtarizmi bëhet edhe më i pambrojtshëm. Por ata ruajnë filozofinë bazale komuniste, atë çfarë ishte themeli i tij: të jesh e kundërta e çdo kombëtarizmi, në emër të internacionalizmit. Ruajnë dhe filozofinë e tij të modernes, të më së përparuarës, të besimit te arsyeja, te shkenca, te çmitizimi, te mohimi i botës së vjetër, i tradicionales, në emër të së resë, përparimtares. Kësisoj ata e quajnë veten dhe progresistë, si e kundërta e asaj që të jesh tradicionalist. Pra mendimit komunist ata i heqin vetëm kombëtarizmin, të cilin edhe vetë komunizmi e pëdorte si butafori në shfaqjet e tij dhe si demagogji, a si perde, si tym syve për synimet jo kombëtariste të tij.

Teza kryesore e progresistëve, në emër të vështrimit kritik të të gjitha trashëgimive tradicionale, është se nuk ka një kombëtarizëm të ngulur me rrënjë në thellësi të kohërave. Si të tillë ato figura të traditës kombëtariste që letërsia, shkenca, folku i kanë sjellë si mite të mëdha historiko-kulturore, si shenja kryesore të mitit më të rëndësishëm për çdo kulturë, të mitit të të parëve, të etërve, me të cilët pasardhësit identifikohen, pikërisht këta duhet të rrëzohen e të rrënohen. Ata po se po, por edhe ato figura shkencore apo artistike që na i kanë përcjellë figurat historiko-mitike me veprat e tyre. Jo rastësisht në qendër të sulmeve të tyre vihen Skënderbeu, gjuha shqipe, historia, institucionet tradicionale të shqiptarëve. Për pasojë edhe disa nga figurat e njohura të lëvrimit të kombëtares, si: Kadare, Çabej, Buda, rilindasit.

Më i mprehtë dhe më sarkastik bëhet fjala e progresistëve kur flitet për mitet. Pa, pa, pa… këtu ata bëhen të tmerrshëm, nuk të falin. Po ç’t’i bësh që në botë ka vende shumë të njohura dhe më një histori tragjike mijëravjeçare që i duan mitet. Shkoni e u thoni hebrenjve hiqni dorë nga mitet tuaja. Nga Moisiu, Abrahami, Davidi dhe Solomoni etj. Ata këto mite i mbajtën gjallë, u dhanë identitet, i mbajtën me frymë edhe gjatë holokaustit dhe pas gati dymijë vjetësh pa atdhe, i rikthyen në Tokën e premtuar. Festat, porositë e Moisiut, psalmet e Davidit, sinagogat ata i morën me vete kudo. Këtu është kyçi i identitetit të tyre.

Çmitizuesit deri tani nuk kanë dalë vetëm kundër Nolit dhe Konicës, të cilët me gjithë frymën e tyre tërësisht novatore në kulturën shqiptare, inicues të kritikës së miteve të Rilindjes, nuk hoqën dorë nga Skënderbeu, gjuha dhe kultura shqiptare, madje prodhuan disa nga vlerat më të shquara në këto fusha. Dhe ata ishin figurat intelektuale që çdo kulturë në botë do të donte t’i kishte si pasuri të saj.

4.

Në fund të fundit, nuk kam asgjë me progresistët a internacionalistët veç asaj që ata po shfaqen si autoritaristë, si përjashtues të gjithë të tjerëve, duke na i shfaqur pikëpamjet e tyre si paraja më e fundit e mendjes në botë e duke na thënë se kombëtarizmi është autoritarist. Kjo botë ka vend dhe për ata që janë tradicionalistë, idealistë, krijues mitesh, ndjekës të racionalizmit, të pozitivizmit ala Ogust Komte etj. Një nga poetët më modernë italianë të shekullit XX, nobelisti S. Kuazimodo, e quante poetin, veten, krijues mitesh (shih poezinë “Epitaf për Bice Donetin”). Edhe Hollivudi ka mitet e tij të mëdha.

Ndonjë nga progresistët, nga më të zellshmit miterrënues, të habit dhe me zellin si mitekrijues, psh ai mitizon një shkrimtar, e quan atë “të gjallë, të gjallë e mal mbi male”. Dhe kjo etje mitizuese të habit kur këtë e bën një çmitizues. Por mbase çmitizuesin dhe shkrimtarin i bashkon që të dy zelli për të rrëzuar mitin e Skënderbeut, të cilin shkrimtari i mitizuar prej çmitizuesit e quan hajdut kuajsh. E kjo na çon te një hulli tjetër: me këta çmitizuesit e Skënderbeut bashkohen dhe dumbabistët, rudimentet e turkoshakërisë në mendimin tonë në këto vitet e fundit. Dumbabistët e sotëm e akuzojnë Skënderbeun si renegat të baba Sulltanit. Për çudi një cilësim të tillë të Skënderbeut e bën dhe ndonjë shkencëtar i përkthyer nga progresistët dhe i promovuar prej tyre si fjala e fundit e shkencës. Shumë çudira gjen te këta progresisto-jokombëtaristët. Janë çmitizues dhe thurin mite, janë progresistë, por bashkohen me turkoshakët, janë për hapjen, për progresin, por duke përjashtuar këdo që nuk i pëlqen ata, e shfaqen veten tërësisht si autoritaristë, janë kundër komunizmit, por ruajnë prej tij filozofinë e çmitizimit të tradicionales.

5.

Historianët e qytetërimeve na thonë se ekzistojnë tiparet thelbësore të një identiteti, të cilat përcaktojnë fizionominë e një populli edhe në ndryshimet që me kohë mund të vijnë. Këto tipare janë shfaqur me shkrim, për herë të parë, në një letër që athinasit ua bënin spartanëve kur i ftonin të bashkohen me ta në luftën kundër persëve në shekullin e pestë para erës së re. Këto tipare kyçe identitare sipas athinasve të shek. V janë: gjaku, gjuha, feja, mënyra e jetesës.

Në rastet e pushtimeve të gjata qytetërimi rrudhet e rrëgjohet, sa thua zhduket, por në rrethana të favorshme ai ringjallet, se, siç thotë F. Braudel, nganjëherë për identitetin një mijë vjet kanë vlerën e një episodi të vetëm. Kështu hebrenjtë u kthyen në identitetin e tyre pas mijëra vjetësh, kështu dhe spanjollët e islamizuar pas Rekonquistës, u kthyen më me forcë te identiteti i tyre.

Puna e Kadaresë me letërsinë, e Çabeut me gjuhën, e Aleks Budës dhe e sa e sa të tjerëve si këta, që punuan për identitetin e shqiptarëve nuk mund të hidhet poshtë se disa të quajtur progresistë a çmitizues vetëm se kanë akses në media, duan t’i hedhin poshtë. Ata na kanë mësuar se gjaku, gjuha, feja, mënyra e jetesës ishin gjërat e përbashkëta të shqiptarëve që kur ata e krijuan identitetin e tyre. Shqiptarët kanë një histori të gjatë, kanë një përvojë të vetën në ruajtje të këtij identiteti. Dhe ata mund të krenohen për këtë identitet që kaloi nëpër sprova shumë të rënda.


Sadik Bejko


Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 17 vizitorë
Lexuar: 3,489 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Duam Përgjegjësi
E mart, 23 mars 2021 - 21:08
Isha duke e shikuar mbrëmë një intervistim të një ish Komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje mund të thosha për atë kohë,edhe le...
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të ...
E diel, 21 mars 2021 - 15:45
40 vjetori i të diplomuarëve të parë të Fakultetit të Stomatologjisë, Dr. Drita Mulliqi Përteshonit dhe Hajdar Përteshonit Poliklinika 3L, hist...
NUK MË DHIMSEN KËTO VITE TË JETËS SIME, Q...
E enjt, 18 mars 2021 - 00:04
JAM NË VITIN E 50-të, TË VUAJTJEVE TË JETËS SIME DHE, PO I ARRIJ TË SHTATËDHJETAT! PO, A E DINI SE, PO VUAJ JO NGA NATYRA E AS NGA ZOTI, POR, PO VUA...
NJË FOTO-KUJTIM ME SHOKËT E MI TË IDEALIT ...
E premt, 12 mars 2021 - 23:55
Mërgimi është një plagë e rëndë, e hidhur, tepër e përmallueshme! Mërgimtari ka mall të pashlyer për vendlindjen, për tokën, ku u lind e u rr...
NJË KËRKESË IMJA SPONTANE PËRBALLË PROFE...
E merkur, 10 mars 2021 - 20:01
Lajm i hidhur qe për mua dhe jo vetëm për mua, vdekja fizike e profesorit të nderuar atdhetar, Zejnullah Gruda! Profesorin e nderuar, pata fatin që t...
më shumë nga - Të ndryshme »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi