Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Mumtaz Dhrami: Monumenti i Enverit në Gjirokastër peshonte 50 tonë
Publikuar më 08 mars, 2009 në orën 11:16 ( ) Intervista |
Rrit madhësinë e shkronjave
Mumtaz Dhrami (Artist i Popullit)

Artistët çdo fillim të krijimtarisë së tyre e lidhin me vendlindjen. Kjo retrospektivë në kohë çdo të sillte për lexuesin e “Telegraf”?

Unë kam lindur në Gjirokastër në 10 nëntor 1936. Gjirokastra është qytet i çuditshëm. Për të është shkruar dhe shkruhet vazhdimisht. Kush e ka parë dhe nuk është magjepsur nga të veçantat e bukurisë së Gjirokastrës. E shtrirë në shpat mali, mes grisë së gurit dhe kaltërsisë së qiellit, në mes me kalanë madhështore, para syve përcillet një bukuri disi e veçantë. E thënë më thjesht Gjirokastra të mahnit me bukurinë e saj, me romantikën e saj, me ashpërsinë e saj.

Pra në këtë qytet filloi Mumtazi të ideojë, të ardhmen drejt skulpturës, atë të një profesioni shumë të vështirë, por po kaq dhe të bukur?
Po! Në Gjirokastër. Punimet e para si të thuash ishin ato me baltë. Në Kërcullë kishte një baltë të kuqe interesante. Me atë unë englendisesha, duke krijuar figura të çfarëdoshme, që vinin në imagjinatën time fëminore. Më vonë fillova të bëja vizatime të ndryshme nga të revistave si dhe shtëpi të ndryshme karakteristike të Gjirokastrës sidomos atë të Zejkatëve. Këtë shtëpi e kam vizatuar disa herë në fëmijëri. Bëja dhe vizatime rrugicash. Kështu u lidha me Shtëpinë e Pionierit, ku ishte një Niko Nasto, amator që bënte afishe, pllakate të mëdha, por që kishte ide për pikturë dhe drejtonte rrethin e pikturës në qytet. Duke zmadhuar pllakate të ndryshme apo duke bërë vizatime të ndryshme dalëngadalë brenda meje u kristalizua dëshira për të bërë vizatime.

Në çfarë figurash konkrete morën formë këto piktura?
Në malet rreth e rrotull Gjirokastrës shihja shumë imazhe figurash të përçudnuara, diku re në fluturim, diku si figura kafshësh, bishash, diku si figura njerëzish, pra figura, gjëra të ndryshme që trazonin botën time, fantazinë time.

Kush ju nxiti për të konkurruar për pikturë?
Ishte një moment i veçantë hyrja ime në Lice. Ka qenë ndërhyrja e të afërmit tim Zihni Sako, që më nxiste, pasi shihte vazhdimisht pikturat e mia. Një ditë ai mi mori vizatimet dhe ja tregoi Abdurrahim Buzës, piktorit tonë të nderuar. Sa i pa vizatimet piktori i madh tha që ky djalë të vijë në konkurs në Lice. Por unë nuk mund të shkoja pasi nuk më linte drejtori i gjimnazit (pra kisha filluar mësimet në gjimnaz). Por unë duke pikturuar në rrugët e Gjirokastrës më pa një ditë Bedri Spahiu (ish -ministër i Arsimit). Ai pasi më lavdëroi unë i qava hall duke i thënë se nuk më le drejtori i gjimnazit të futem në konkurrim në Liceun Artistik. Ishin ndërhyrjet e tyre që unë të shkoja dhe të konkurroja në Lice.

Cilët kanë qenë bashkëmoshatarët e tu që janë dalluar për vizatime apo skulpturë?
Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq
Trebickën, Sotir Kosta etj., ndërsa mësues kam pasur Abdulla Cangonjin dhe Kel Kodhelin. Ata kanë qenë mësuesit e mi në këtë periudhë, deri në mbrojtjen e diplomës.

Cila kaq qenë puna juaj e diplomës?
Puna ime e diplomës në 1956-ën, ka qenë një kompozim i një prindi me një fëmijë. Ka qenë paksa letrareske, ku një vajzë e vogël vjen nga shkolla me një libër në dorë dhe i tregon babait që ishte farkëtar se çfarë ka mësuar në shkollë. Ishte 1 metër e 20 cm, pra më pak se ajo natyrale. Ishte një kompozim i mirë. Nga viti 1956-‘57, punova në kooperativën e porcelanit, si modelist bashkë me Hektor Dulen, Skënder Pukën (një piktor i mirë, i talentuar) nxënës i Odise Paskalit.

Kur filloi krijimtaria juaj e vërtetë?
Viti 1957, ishte viti që filloi krijimtaria ime e mirëfilltë. “Vajza me shall” ishte vepra që unë u ekspozova në Ekspozitën Kombëtare. Ishte si punë konkurrsi. Ishte një ditë e veçantë për vetë faktin se po dilja në një përballje publike, kur dihej se aty kishte shumë piktorë dhe skulptorë të afirmuar.

Po pas Liceut si i vazhdoi studimet Mumtazi?
Pikërisht pas këtij ekspozimi apo konkursi më doli e drejta e studimit, në Leninigrad (San Petërbug). Vazhdova studimet nga viti 1957 deri në vitin 1961 kur u ndërprenë marrëdhëniet. Pas këtij momenti unë kthehem në atdhe. Jo vetëm unë, por të gjithë studentët shqiptarë që studionin në BS. Studimet e mëtejshme i vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë, Institut, i cili në atë kohë ishte sistem 3- vjeçar.
Në atë kohë në Institut po realizonin diplomën Sali Shijaku, Agim Zajmi, Zef Shoshi, etj…që kishin lënë studimet në BS. Në këtë kohë kishin mbrojtur diplomën Shaban Hadëri, Kristaq Rama që kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad dhe kishin lënë emër të mirë. Ne që ishim brezi i ri dhe brezi i fundit në BS u munduam ta ruanim reputacionin e tyre (ata kishin shkuar në moshë të madhe në shkollë).


Ndonjë detaj nga Leningradi ? Pra tashmë dhe ju do të mbronit aty diplomën e Institutit?
Unë kisha bërë një skulpturë të Çerçiz Topullit të gdhendur në dru. Akademia ishte një shkollë e fortë, por aty kishte dhe një muze të pasur që ne e vizitonim shpesh ku shihnim skulptura gjigante dhe shumë të bukura. Aty kishte vepra të Rodenit, vepra të klasikëve, të egjiptianëve, impresionistëve francezë. Ishte një shkollë e dytë e vyer. Akademia kishte kufizimet e veta për vetë ideologjinë, interpretimin e natyrës dhe lirisë, pra deri diku krijimtaria ishte e cunguar. Puna e parë që bëra ishte paksa ndryshe, pasi mësuesja ime Kristina kishte studiuar në Itali, pra ne ishim të shkollës italiane. Portreti im i parë në Leningrad në mermer ishte i një vajze. Ishte skulpturë e një natyre impresioniste jo i ngurtësuar. Ata e vlerësuan, por ishte jashtë mënyrës së tyre d.m.th e ndjenë influencën e Rodenit në përpunimin e mermerit. Studentët e akademisë ruse nuk i kishin këto influenca. Pra principet e shkollës së tyre ishin ndryshe, më të ngurta, më të mbyllura.
Pedagogët ishin të shkëlqyer. Pedagogu im Mihail Anikushin ka qenë autori i monumentit të Pushkinit. Ai para muzeut rus në Leningrad (San Petërburg), kishte bërë dhe një ansambël monumental për betejën para Moskës, me reliev me grupe skulpturorësh. Tashmë ai skulptor ka vdekur.

Si vazhdoi rruga juaj në Institut?
Në Institut pas diplomës unë u angazhova si asistent pedagog, pastaj pedagog. Diplomën e mbrojta me një projekt monument të Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Çerçizi me pushkë dhe Mihali me pushkë dhe me libër, u vlerësua nga pedagogët e atëhershëm. Por nuk u publikua. Lartësia ishte 2 m. Në Institut gjeta miq të mirë koleg si dekan Vilson Kilica, pedagog Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi, Shaban Hadëri, etj… Më vonë Instituti u bë 5- vjeçar. Ky institut ka nxjerrë dhe po nxjerr kuadro të kualifikuar. Mjaft studentë janë kudo në botë Itali, Francë, Greqi, Amerikë që kanë gjetur veten dhe kanë dhënë rezultate edhe në aktivitete ndërkombëtare.

Tashmë mbi 50 vjet krijimtari, si e ndjeni veten?
Ne atëherë merrnim pjesë nëpër ekspozita duke u paraqitur denjësisht dhe me shumë përgjegjësi. Megjithëse kishim kufizime për vetë ideologjinë, ekspozitat kishin shumë kërkesa. Kishim ambicie pasi vinim nga shkolla të fuqishme. Tematika ishte e dhënë, nga realizmi socialist. Por duke punuar me cilësi ne me to përfitonim leje krijimtarie apo studio nga shteti. Pra duhet ta justifikonim punën dhe kërkesat përpara komisionit të ekspozitave. Pra ekspozitat të jepnin shansin dhe t’i duhej të jepje maksimumin duke ruajtur normat e realizmit socialist. Në këto ekspozita kam marrë pjesë me portretin e Çerçiz Topullit. Në 1962 kam punuar bashkë me Kristaq Ramën monumentin e Kristoforidhit. Është e para punë, që ishte në grup. Në 50 vjet janë me dhjetëra skulptura, monumente, relieve. Nuk i kam numëruar.

box

Puna e skulptorëve në grup
U bënë konkurse për “Monumentin e Pavarësisë”. U paraqitën shumë variante. Ne që ishim të një shkolle, Kristaq Rama, Shabah Hadëri dhe unë fituam konkursin, për të realizuar monumentin. U dhanë shumë ide dhe projekte, por Byroja politike pranoi këtë tonën. Po kështu në monumentin “Nënë Shqipëri” kemi qenë një grup realizues. Ishte punë e madhe. Edhe kjo në grup, ku paralelisht, në vitin 1972, realizuam monumentin “Nënë Shqipëri”. Pra dy nga monumentet më të rëndësishme ne i realizuam në grup. Ne që bëmë “Monumentin e Pavarësisë”, bëmë dhe “Nënë Shqipëri”. Pastaj me skulptorin Hektor Dule, Kristaq Rama, Shaban Hadëri (dhe unë) kemi realizuar relievin që është vendosur në fasadën e Kryeministrisë. Relievi zgjati një vit e gjysmë punë dhe është punuar në beton si dhe monumentin në qafën e Koçiut (Vlorë) kushtuar luftës së vitit 1920.

box
“Obelisku i arsimit”
Së bashku me Stefan Papamihalin dhe Ksenofon Kostaqin (dy skulptorë të talentuar) kemi realizuar “obeliskun e arsimit” të Gjirokastrës. Obelisku është 7 metër i lartë i ndërtuar me gurë me 100 e ca blloqe guri që janë marrë në Progonat. Një gurë i rrallë. Në fillim e bëmë në allçi. Për obeliskun është punuar dy vjet dhe sot ai ruhet pasi nuk ka ngjyrime politike. Pasqyrë e arsimit shqiptar.

Monumenti i Enver Hoxhës në Gjirokastër
Po është një nga punimet më të vështira dhe më me përgjegjësi. Nuk mund të luhej me figurën e Enverit. Për të realizuar këtë monument u bë konkurs. Morën pjesë shumë skulptorë. Ndoshta imi pati më fat dhe u cilësua më i miri. Ai ishte një punim që më ka kushtuar kohë dhe punë dhe lodhje të madhe. Ishte një punë e stërmundimshme. Ky monument u realizua në mermer. Pastaj gjatë punës mora dhe ndihmës. Mermeri i monumentit ishte i veçantë, special. Atë e morëm nga Italia. Ishin 5 blloqe mermeri që në fillim peshonin 80 ton. Ndërsa gjatë punës, heqjet e tepërta, bënë që monumenti të peshonte 50 ton. Për sigurimin e monumentit u punua akoma e më përgjegjësi. E lidhëm me shufra çeliku, që blloqet të rrinin si një trup. Pas rënies së sistemit komunist, monumentit ju thye hunda, veshët, pra nuk shihej më, thuajse u copëtua. Nuk dihet nëse ekziston pjesa tjetër. Vepra ngelet vepër. Ajo mund të hiqet, por jo të përçudnohet. Ajo është pjesë e historisë së një kombi.

Në Drilon kur punoja për monumentin e “Muzeut Kombëtar”
Kur po punoja për monumentin e tij në “Muzeun Kombëtar” një ditë i thashë: “Shoku Enver populli më thotë që na e bëj komandantin të bukur. Pra të duan sa më të bukur si në moshë të re. Ai m’u përgjigj. Çdo moshë ka bukurinë e vet më tha. Di frëngjisht më tha. Di pak i thashë. Dhe më recitoi një poezi që kishte bërë një vajzë e re për Viktor Hygonë. Hygoi ishte i moshuar dhe ajo e kishte bërë të ri. Unë nuk dua të më bësh si Mao Ce Duni hiq një rrudhë andej - këndej. Do më bësh si tollumbace. Ti bë realitetin. Çdo moshë ka bukurinë e vet. Figura skulpturë 4 metër në bronz ishte brenda tek hyrja përballë flamurit kombëtar i gdhendur në beton. Por e thyen atë është koka vetëm në galeri.
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 26 vizitorë
Lexuar: 4,701 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Isuf Bytyçi: Bashkëbisedim me Tomë V. Gash...
E diel, 27 dhjetor 2020 - 20:34
Tomë V. Gashi është avokat, që nga viti 1992, i cili kryesisht, ka punuar gjyqtar për çështje penale 5 vite! Para kësaj kohe, ka punuar në Prokur...
Klasa politike vendoste pushtetin personal pa...
E enjt, 04 qershor 2020 - 19:19
Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas ...
30 VJET NGA KRIMI SERB I HELMIMIT TË FËMIJ...
E shtun, 21 mars 2020 - 01:50
Dr. Shukri Gerxhaliu: “Kur është në pyete fëmija, populli e kombi unë jam i gatshëm të sakrifikohem”. Flet Dr.Gërxhaliu, doktori i cili tra...
KRAHËT E SHQIPES
E mart, 19 nntor 2019 - 03:25
Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“ ⁃ Kush është zonja. Ma...
Rexhep Qosja: Fitorja e Kurtit sjell shpresë...
E hn, 07 tetor 2019 - 19:51
Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parak...
më shumë nga - Intervista »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi