| Kush ishte Bogdan Bogdanoviç? |
| Publikuar më 08 korrik, 2010 në orën 00:41 ( ) |
Fehmi Ramadani | Opinion | |
|
|
|
Pas vdekjes së disidentit dhe humanistit
Jetën e disidentit dhe humanistit të madh serb Bogdan Bogdanoviç e karakterizojnë gjashtë momente kryesore: 1946, demobilizimi i tij nga ushtria jugosllave, 1981 braktisja e tij nga Akademia serbe e shkencave, 1990 dëbimi nga Universiteti i Beogradit, 1993 largimi nga Beogradi për në Vjenë të Austrisë dhe kërkim strehimi politik, 1999 nënshkrimi i tij në peticionin e intelektualëve botëror për bombardimin e Serbisë gjatë luftës së Kosovës dhe gjatë tërë jetës së tij nga regjimet serbe ishte i kërcënuar me likuidim dhe vdekje
Jeta dhe veprimtaria
Atëbotë, të paktë ishin ata intelektualë dhe humanistë serb, që kishin guximin të kundërviheshin nacionalizmit serb, veçmas regjimit të egër të Millosheviqit, i cili pas Plenumit të 8 të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë në vitin 1988 kishte marrë hov të madh zhvillimi. Ky regjim, për veç urrejtjes dhe luftës ndaj popujve të ish-Jugosllavisë, në shënjestër të tij kishte edhe luftën dhe urrejtjen ndaj shtresave të mirëfillta intelektuale që kundërshtonin këtë politikë fashiste. Regjimi shovinist i Millosheviqit hallkë në sy kishte jo vetëm intelektualët e kombeve tjera, por edhe të nacionalitetit serb, siç ishin Bogdan Bogdanoviç, Jevrem Bërkoviç, Mihajllo Kovaç, Sonja Biserko, Natasha Kandiç, Nenad Çanak, Ivan Gjuriç, Zagorka Golluboviç, Millan Nikoliç, Çedomir Jovanoviç, Sllavko Çuruvija (i vrarë gjatë bombardimeve në vitin 1999), etj.
Edh pse, numri i tyre ishte simbolik, por kjo tregon se në frymën e popullit serb kurrë nuk ishin shuar zërat e arsyes që kundërshtonin të keqen e regjimeve të kohës, të cilat më vonë do të prodhojnë tragjedi të shumta ndër popujt e ish-Jugosllavisë.
Padyshim, kjo arsye kishte rrënjët e mëhershme në patriotët dhe humanistët e vërtet serb, si Dimitrije Tucoviqit, Svetozar Vukmanoviqit, etj, në raport me fqinjët, veçmas me shqiptarët që kishin pikëpamje liberale dhe mbështetnin idenë e vetëvendosjes së popullit shqiptarë. Një mendim të tillë kishin edhe këta intelektual, por edhe shumë të tjerë, të cilët nuk guxonin haptas të shprehen për shkak të reprezaljeve të mëdha ndaj tyre. Por, nga kjo nuk u frikësua Bogdan Bogdanoviç, ky intelektual dhe humanist i madh serb, i cili më 18 qershor 2010 në Vjenë të Austrisë, në moshën 87 vjeçare kishte ndërruar jetë.
Kundërshtar i nacionalizmit serb
Bogdan Bogdanoviç ishte një arkitekt, ndërtues, artist, filozof, profesor dhe kryebashkiak i Beogradit, por në radhë të parë ishte një njeri human dhe kundërshtar i madh i nacionalizmit serb dhe regjimit të Millosheviqit. Ky njeri mund të konsiderohet si disident i vërtet dhe së bashku me Jevrem Bërkoviçin, një intelektual dhe humanist malazez, të cilët pas ardhjes në pushtet të Millosheviqit kishin kërkuar strehim politik jashtë këtij shteti. Bogdanoviç ishte i pathyeshëm dhe nuk iu kishte nënshtruar diktateve politike të regjimeve komuniste në ish-Jugosllavi dhe për këtë kishte vuajtur mjaft. Ai gjatë vitit 1981 ishte kundër politikës nacionaliste serbe dhe manipulimit të saj në Kosovë. Ishte kundër reprezaljeve serbe që bëheshin ndaj njerëzve të Kosovës. Ai ishte ithtar i ndarjes së qetë në mes popujve të Jugosllavisë, kundër luftës dhe shkatërrimit të saj. Ai ishte kritik i madh i pseudo-nacionalistëve serb, të cilët nga Beogradi nxitnin situata të pakëndshme në Kosovë. Edh pse vetë kishte jetuar rreth 17 vjet në Mitrovicë kurrë nuk kishte urrejtje ndaj shqiptarëve. Filozofia e tij jetësore ishte filozofi humane dhe njerëzore.
Bogdan Bogdanoviç kishte lindur në Beograd në vitin 1920 dhe ishte pjesëmarrës i Luftës Nacional Çlirimtare të vitit 1941-45. Gjatë kësaj lufte ishte plagosur dhe për këtë arsye ishte dekoruar me çmimin “Urdhri për Trimëri”, por më vonë regjimi i Titos e kishte demobilizuar edhe pse kishte gradën toger dhe kurrë më nuk i kishte shërbyer këtij regjimi. Edhe ndaj këtij regjimi ishte kritik, po nuk kishte pësuar reprezalje sikur në kohën e nacionalistëve serb.
Prof.dr.Bogdan Bogdanoviç ishte profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Beograd dhe nga viti 1970 ishte dekan i këtij Fakulteti. Ai ishte autor i një sërë monumentesh kushtuar viktimave të luftës së dytë botërore, por edhe autorë i disa veprave, si arkitektonike, por ishte eseist dhe shkrimtar.
Ai ka shkruar rreth 25 libra dhe tekste të ndryshme të botuar në revistat më prestigjioze ndërkombëtare si, "El Pais", "Die Zeit", etj.
Ky njeri në vitin 1981 kishte dhënë dorëheqje nga Akademia Serbe dhe kurrë më nuk kishte mbështetur politikën e tyre. Një kohë të gjatë ishte bojkotuar nga profesorët dhe kolegët e tij të Universitetit në Beograd, por ky nuk mërzitej shumë për ta. Vetëm gjashtë vjet më vonë ishte ndër themeluesit dhe anëtarët e parë të Akademisë Ndërkombëtare të Arkitekturës.
Ndërsa, nga viti 1982 deri 1986 ishte zgjedhur kryebashkiak i Beogradit, kurse më vonë falangat e Millosheviqit e kishin larguar nga Universiteti, por edhe nga jeta shoqërore e politike. Më vonë Bogdanoviçi kishte hapur një shkollë private për arkitekturë në Mali Popoviç, por regjimi kriminal i Millosheviqit nuk e la rahat dhe ia kishte mbyllur shkollën. Kjo torturë çnjerëzore e një regjimi të egër e kishte detyruar që në vitin 1993 përfundimisht të braktisë qytetin e tij të lindjes Beogradin dhe të migroj në Vjenë të Austrisë, ku kishte kërkuar strehim politik. Ai thoshte se intelektualët më të mëdhenj serb, si Vuk Karaxhiç, Branko Radiçeviç, etj, kishin jetuar në Vjenë dhe jo në Karpate të Rusisë, sepse kultura serbe synim parësor qysh atëherë kishte Evropën dhe kulturën e saj. Ai mburrej me vendimet e këtyre intelektualëve. Një fat të tillë kishte pasur edhe një intelektual tjetër dhe mik i madh i shqiptarëve, shkrimtari malazez Jevrem Bërkoviq, i cili në kohën e regjimit të Millosheviqit kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri.
Bogdan Bogdanoviç për veprat e tij kishte marrë dy herë çmimin e “Tetorit” në Beograd, por ishte edhe fitues i çmimit “Herder”. Ndërsa, për merita të veçanta, si njeri dhe humanist i madh evropian, më 12 mars 2003 kishte marrë çmimin e artë të qytetit të Vjenës.
Bogdanoviç kishte shkruar mjaftë libra, por ato janë botuar kryesisht në Austria, Hungaria, Kroacia, Republikën e Çekisë, etj. Ai pas konfrontimit me nacionalizmin serb dhe me diktatorin Millosheviq kishte shkruan librin “Kutia e gjelbër” dhe aty shpjegon të gjitha peripecitë e tij gjatë kësaj periudhe. Deri në momentin e vdekjes kishte jetuar me bashkëshorten në Vjenë të Austrisë.
Lajmi për vdekjen e tij
Lajmi për vdekjen e Bogdan Bogdanoviçit në Serbi, nuk kishte pasur ndonjë jehonë të duhur. Mediumet serbe kishin dhënë disa informata të shkurta për vdekjen e tij, por nuk kishte ndonjë informim më të analizuar për jetën dhe veprimtarinë e tij politike, arkitektonike dhe humaniste. Nuk ishte mbajtur as Akademi Përkujtimore, apo ndonjë mbledhje komemorative. Meqenëse, për katër vjet ishte kryebashkiak i Beogradit, qytetit dy milionësh në Ballkan, në Këshillin bashkiak të këtij qyteti kishte vetëm një informatë të zakonshme për vdekjen e tij. Sot e kësaj dite, ky njeri edhe për së vdekuri është injoruar nga politika e këtij vendi. I vetmi njeri që kishte dërguar një telegram ngushëllimi familjes së tij ishte kryebashkiaku i tanishëm i Beogradit Dragan Gjillas. Kurse, politikanët e këtij vendi nuk kishin treguar interesim të shprehin ndonjë telegram ngushëllimi për të afërmit e tij. Kjo tregon, se mediokriteti i politikës serbe ende është i madh, edhe pse i ndjeri tërë jetën e tij kishte luftuar kundër këtij mediokritetit dhe primitivizmi politik. Në këtë vend ende nuk ka fituar ideja e tij për një politikë me demokraci të mirëfilltë dhe vlera të larta humane dhe njerëzore. Ky vend ende mbahet peng në duart e nacionalistëve dhe shovinistëve serb, kundër të cilëve ishte Bogdanoviçi dhe ishte i përkushtuar me tërë qenien e tij.
Ndërsa, në mediumet e rajonit kishte informata të theksuara për vdekjen dhe veprimtarinë e tij, kurse në Prishtinë pak më shumë kishte informuar gazeta “Koha ditore”, e cila kishte dhënë një përshkrim më të theksuar. Politikanët dhe intelektualët e Kosovës, por as të Shqipërisë nuk e kishin pa të udhës që familjes së tij t’i shprehin respektin dhe ngushëllimin për të. Ai ishte serb, por lufta e tij kundër të keqes që kishte zënë fill, sidomos pas viteve 1980 në gjirin e popullit të tij nuk kishte të ndalur dhe ishte e pakompromis, por edhe mbështetja ndaj shqiptarëve nuk mungonte, sepse kishte të bënte me regjime të egra. Ai gjatë kohës së luftës në Kosovë (bombardimeve në vitin 199) ishte nënshkrues i peticionit për bombardimin e Serbisë së bashku me shumë intelektual dhe humanist botëror. A nuk tregon kjo se çfarë vërtet ishte ky njeri? Kush e kishte këtë guxim kaq të madh intelektual e njerëzor që të kërkohet nga NATO-ja të bombardohet vendi i tij i lindjes? Kjo nuk do shumë shpjegim! Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë, pse së paku familja e tij nuk u ngushëllua. Politika shtetërore e Kosovës duhet të jetë në kontakt të përhershëm me intelektualët dhe humanistët e mirëfilltë serb, sepse Serbia është shteti fqinjë i Kosovës dhe domosdo në një të ardhme të afërt duhet vënë kontakte normale me intelektualët dhe njerëzit e mirë të këtij vendi.
Në fund, kryebashkiaku i dikurshëm i Beogradit, por edhe disidenti dhe humanisti Bogdan Bogdanoviç ishte një njeri që për njerëzit, përveç urave dhe monumenteve të ndryshme arkitektonike kishte ndërtuar edhe ura miqësie, bashkëpunimi, mirëkuptimi, mbështetje dhe kishte përcjell një frymë krejt humane dhe dashamirësie ndaj popujve tjerë të ish-Jugosllavisë. Ky njeri kishte shpirt të madh, ishte kundër të këqijave që i bëheshin popujve joserbë, edhe pse deri në momentet e fundit të jetës së tij në Vjenë kërcënohej vazhdimisht me vdekje. Por, përkundër të gjitha këtyre peripecive, vdekja i kishte ardhur nga Zoti dhe jo nga kriminelët e regjimeve serbe. Hiri i trupit të tij në muajin shtator të këtij viti do të prehet në varrezat e reja të Beogradit.
|
Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues! |
| Vlerësimi juaj për lajmin |
 |
 |
 |
 |
 |
| I keq |
I dobët |
I mirë |
Shumë i mirë |
I mrekullueshëm |
|
|
|
|
|
|
|
| |
|
| Është vlerësuar nga 36 vizitorë |
| Lexuar:
1,855 herë
|
|
|
|
|
|
|