Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Ne do të jemi parzmore e kombit!
Publikuar më 23 dhjetor, 2014 në orën 20:22 ( ) Afrim Morina | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në çdo fundvit duhet bërë vështrimin analitik për gjithë vitin, nga kënde të ndryshme, në të gjitha fushat, për të parë se si kaloi dhe a ka pasur mundësi të jetë më mirë. Viti që shkoi, ishte vit tensionesh në gjithë hapësirën kombëtare, e sidomos pjesa e dytë e vitit.

Kuvendarët në ethe të frikës për paga

Në pjesët e dytë të vitit patëm bojkotin e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë londineze, ku kuvendarët pa shikuar interesin e gjithë kombit, e panë të rrugës t’i përfillin mendimin e mediokritetit, gjoja se do të jetë e detyruar shumica t’i përulet. Kur e panë se mund të rrezikoheshin në ndërprerjen e pagave, pakica e kuvendarëve, filluan të mos përfillin mendimin e liderit nën hije dhe t’i përgjigjen zërit të portofolit, sepse obligimet familjare po dalin më të shenjta se ato shtetërore. Obligimet familjare po dalin edhe më të shenjta se ato kombëtare. Pra, qytetari duhet t’i vërë gishtin kokës, kur t’i qaset arkës së votimit, për të parë se kë e favorizon me dhënie vote, kandidatin që në ndërdijen e Tij është çështja kombëtare, në të gjitha fushat e jetës, apo kandidatin që lufton për mbushjen e portofolit dhe të jetë servil i partisë, e i pushtetit. Kuvendarëve të tillë, çfarë janë shumica, iu duhet vetëm Partia, deri në pozicionin, si shumicë për ndonjë post ministri, zëvendës ministri, në ndonjë dikaster, e, udhëheqës i ndonjë grupi kuvendarësh, etj., ndërsa si pakicë, për të siguruar vendin e kuvendarit, dhe mundësisht për të hyrë në ndonjë komision kuvendarësh, e rrallë edhe në ndonjë pozitë, ku kërkohet çelësi partiak.
Anakronike ishte edhe fushata mbështetëse për çerdhen e mbjelljes, përpunimit dhe trafikimit të drogës në Llazarat, të cilën pa turp e bënte PD- ja dhe Salihu vet, duke i quajtur kriminel e përfitues ndërmarrësit e aksionit. Po, me të vërtetë ishin përfitues, sepse shpëtoi i gjithë kombi nga batakçinjtë politik e trafikantët e drogës.
Kuvendarët e PD-së u ngritën edhe kundër ndarjes së zonave zgjedhore, sepse ndarja e vjetër i favorizonte në shumë plane, një nga ato ishte edhe Himara, ku me apo pa vetëdije ia kanë lënë pakicës greke, për të krijuar një bazë jo të ligjshme dhe sa herë të ju teket të bllokojnë aksin rrugor që lidh të dyja skajet e Shqipërisë përreth bregdetit Adriatik dhe të Jonit. Mirëpo, edhe miratuesit i kanë pasur favoret e veta në politikë të brendshme, sepse hoqën një njollë të zezë të kombit dhe ç’fuqizuan programin e Magaloidesë së Bollanos, e misionarëve që ngrenë kokën në Athinë.
Në këtë gjashtëmujor ndodhen edhe festat e çlirimit të qyteteve nga nazizmi gjerman, e bashkëpunëtorët e tyre, por edhe çlirimi i kryeqytetit – Tiranës. Këto ngjarje e tronditën skenën politike shqiptare, por më të çmendur ishin ata ose bijtë e atyre që kishin luftuar çlirimtarët dhe ishin radhitur në taborin e pushtuesit. Më të çmendur në këtë fushatë ishin edhe ata të cilët i kanë pasur të gjitha favoret në kohën e Enver Hoxhës dhe ishin ngritur duke krijuar humnera për bashkëpunëtorët apo konkurrentet politikë, por edhe ata që pas lufte ishin rekrutuar në taborin e atyre që pranuan ndarjen e Shqipërisë londineze, e më së miri e dinë ata të cilët kaluan nëpër portën e Beogradit e Athinës, në shtetet e perëndimit apo edhe në Kontinentin Amerikan, e Australian. Të gjithë këta u tmerruan, sepse iu duk se u ringjall Enver Hoxha dhe ua bënte me gisht secilit që kishte luftuar kundër çështjes kombëtare. U tmerruan edhe ata që kishin investuar për dhjetëvjetësha, për të vrarë moralisht Enver Hoxhën dhe që investimi i tyre kishte shkuar kot.
Kjo sjellje më tepër i ka shkaktuar dëm qytetarëve, që së paku kanë mundur të përcjellin, përbrenda kuvendit mos kënaqësitë dhe nëse ka qenë nevoja edhe të mbështetën edhe në demonstrim, sepse zëri i arsyes kurrë nuk mund të mbulohet, sa do që pushteti të tregohet i vrazhdë, e i fuqishëm.
Politikbërësit e Shqipërisë londineze duhet të ndërgjegjësohen për historinë kombëtare dhe nuk duhet lejuar që historinë të na shkruajnë të huajt, që kanë nëpër duar vetëm pamflete politike të kohës së “demokracisë”. Historia nuk njeh rregulla të lojës ndryshe nga ajo që ka ndodhur, prandaj nuk guxojmë të ndalemi me tridhjetë faqe të përmbyllim luftën çlirimtare e cila ka zgjatur pesë vite. Të merresh me këtë temë dhe me një hapësirë kaq mjerane, ke përdhunuar historinë, ke përçmuar gjakun e derdhur, ke mohuar realitetin kohor, kur kihet parasysh, se pamfletet politike të kohës dhe pamfletet politike të sundimtarëve e mbrojtësve të tradhtarëve, marrin mbi gjysmën e materialit. Prandaj duhet krijuar ekipe shkencore, nga shkencëtarët tanë, të cilët nuk na mungojnë, të merret arkiva dhe të hulumtohen edhe arkivat tjera, jashtë truallit shqiptar dhe të thuhet e vërteta, ndryshe do të rehabilitohen dhe do të na dalin dalzotës së kombit esadistët, zogollët dhe kolona e pestë në krye me Koçi Xoxën.

Qytetari i shndërruar në numra

Po ky gjashtë mujorësh ndodhi edhe në Kosovë! Kjo ndodhi për shumë arsye. Ndodhi, siç i thonë një fjale të urtë “për inat të resë më vdektë djali”. Po, pasi të vdes djali, çka!? Pra, s’është me rëndësi me kë lidhi kumbari, me rëndësi, se në darkën e kumbarës, do të jem në sofrën e parë, si kumbar më! Nuk vranë mendjen dhe nuk i thirrën ndërgjegjes, se me kë po lidhnin kumbarin. Ata të cilët e kanë njohur sistemin titist, madje edhe atë milosheviqjan, ka qenë dashtë të dinë, se ekzekutuesit politik i kanë takuar KOS-it, shumë më perfide se sa UDB-ja, i cili ka përpi edhe Gjeneral, sepse kjo e dyta iu ka nënshtruar të parës dhe mendimi se “SHIK- u ka qenë më i rrezikshëm se UDB- ja!!!”, nuk e kap logjika, kur dihet se vetëm viteve të tetëdhjeta janë përpunuar mbi gjashtëqind mijë (600 000) shqiptar nga UDB- ja, shifra zyrtare. Janë vrarë në çeli burgu veprimtarët e çështjes kombëtare, janë vrarë në shtetet e perëndimit veprimtarët e çështje kombëtare, janë vrarë nëpër rrugët e Kosovës demonstrues shqiptar, etj. Këto shifra janë vetëm për vitet tetëdhjeta, pa iu referuar të kaluarës dhe asaj çfarë ndodhi viteve të nëntëdhjeta, por regrut të tillë pati edhe në radhët e UÇK-së. Ka qenë dashtë logjikisht të merren disa gjëra në konsideratë, për hiç tjetër, të paktën për gjakun e derdhur nga bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Sidoqoftë, dalzotësit e kombit gjatë viteve të pushtimit, iu nënshtruan KOS-it dhe UDB-së, vetëm e vetëm të kenë grazhdin plotë, e të kanë emrat në historinë e përgjakur të kombit, por historia është hakmarrësja më e madhe, sa të detyron të vjellësh gjithë atë që e ke ngrënë, sepse nuk është përtypur mirë.
Të dy taborët në fillim kalkulonin me numra, së pari të kuvendarëve, e nuk u shkonte ndërmend, se edhe përllogaritësit llogaritnin veten në kuadër të numrave të tërësishëm. Ata nuk shkonin për të llogaritur edhe secili kuvendar për të parë sa numra i kishte, që ia mundësuan të flet në “emër” të qytetarëve. Se ishte bërë nën moton, e cila u tha më lartë, dëshmoi edhe fakti, se nuk kishte program ekonomik dhe segmente tjera programore. Ata i kishte mbajtur një fletë e bardh dhe tri nënshkrime në të, plus një aneks, me katër nënshkrime, e në anën tjetër, unë dhe pakicat. Serioziteti i bllokut u pa që kur morën përgjigjën nga Gjykata Kushtetuese, ku tash nuk dinte kush kë e përfaqësonte, kush në emër të kujt fliste, por në fund u ndan dhentë e dhitë. Krejt në fund filluan pëshpëritjet e VLAN-nit, se kush kë e tradhtoi dhe se cili ishte ai apo ky tjetri dhe harruan se kishin rehabilituar një kriminel të kohës së përndjekjes së shqiptarëve, të kohës ku serbët para faktorit të jashtëm arsyetoheshin me shqipfolës që na përfaqësonin, prandaj edhe trajtohej lëvizja kombëtare si terroriste. Ky, Isa Mustafa, e pasuroi edhe më tepër biografinë me vendin e “merituar” si Ministër i Financave në Qeverinë Bukoshi dhe ishte i “përndjekur”, ndërsa ministrat që ky i financonte ishin në Kosovë edhe pse ua burgosën vartësit e tyre: ai i punëve të Brendshme dhe i Mbrojtjes, thua se nuk dinte Millosheviqi se ku ndodhej për t’ia heq flamën, siç i vrau vëllezërit Gërvalla, Kadri Zekën, Enver Hadrin etj., por këta kryenin detyrën që u kishte caktuar Rrahman Morina, thënë shqip, Serbia, sepse ai e kishte dhënë lejen për funksionimin e LDK- së. Millosheviqi e dinte, se Ministri i financave në Qeverinë Bukoshi, nuk do të ndante mjete për luftëtarët e lirisë dhe këtë mund ta argumentojmë me taborin tjetër, fondin “Vendlindja thërret”, të cilët ndiqeshin kudo, brenda e jashtë vendit.
Qytetari, më tepër se kurrë, ka mundur për ta vërejtur, se pa marrë parasysh kualifikimin, portofolin, vendbanimin, është numër, që të shumtën e herës e humb vlerën, sepse nuk është vlera e numrit e njëjtë, ka numra që kanë vlerë më të madhe, e ka edhe numra që kanë vlerë më të vogël.
Numri na doli edhe për fëmijët e veteranëve, dëshmorëve e invalidëve të luftës, për regjistrim. Kalkulusit e bënë gabim llogarinë, sepse edhe dëshmori, po të ishte gjallë, do ta refuzonte këtë lojë numrash, pra duhet edhe të gjallët ta refuzojnë dhe mos të lënë që të jenë pjesë e numrave kalkulues, për t’i dhënë mundësinë dikujt të thirret në emër të tyre. Secili dëshiron që të ketë cilësi në familje, kjo cilësi arrihet me punë, por ky numër ka qenë e nevojshme të kalkulohet për sigurimin e jetës së studentëve, bursë, banim, ushqim, literaturë, e jo të shndërrohen në sasi, bartës të indekseve, për të ia ndërpre shkollimin e mëtejmë të merituarve.
Në fund u zgjodh edhe logjika e numrit, fituan ata që kishin numra sasior, tash “luaje macë krytë e bullit”. Pra, këtë kokë bualli nuk mund ta lozin dhe zhvendosin nga kolltuku ata që ishin përcaktuar në kalkulim me numra, e nuk i shikonin në thellësi problemet, por u përcaktuan për të mos zgjedhur mjete, për të qenë të parët. Këtë situatë duhet marrin në dorë ata të cilët, nuk ditën për asnjë moment të përkulën para parasë, kolltukut, emrit etj, që llogarit i bënin përmes cilësisë dhe nuk ishin të pajtuar të bënin aleanca me dreqin e të birin. Nëse nuk veprohet me përkushtim, kësaj harte të Kosovës, që sot na reklamohet, sepse marrëveshja me Maqedoninë na e ka rrudhur pak, do t’i heqin edhe pjesë tjera në bashkëbisedim me Serbin e Malin e Zi dhe çështja e bashkimit do të jetë vetëm një dëshirë politike e kahershme, që kishin “nostalgjikët”, e, që politika shkencore e bënë të realizueshme, prandaj duhet përveshur punës dhe vitin tjetër të krijohet një parzmore meritore për pengimin e lojës së ndytë dhe realizimin e së mundshmes - bashkimin.

Lojërat e ndyta të sllavo maqedonve

Gjatë gjithë vitin sllavo maqedonët kanë provokuar gjithë shqiptarët kudo që janë, ndërsa të gjithë kanë heshtur, vetëm duke i bërë thirrje për fqinjësi të mirë. Fyerja e fundit është prezantimi i emblemës së re për këtë shtet monstrum, prandaj duke e ditur se çka është monstrumi, krijuan edhe aferën mostra, që na përkujton Lazar Mojsovin, për një shtab ushtarak në Kosovë, e cila sot gjallon te sllavo maqedonët dhe te malazezët, si kujdestare për të burgosur e nëpërkëmbur shqiptarët.
Në Maqedoni u eksperimentua me shqiptarët përmes Enciklopedisë, u eksperimentua me shqiptarët me sheshin “Shkupi 2014”, u eksperimentua edhe me mësimin e gjuhës maqedone, në shkollat fillore për fëmijët shqiptarë, u eksperimentua edhe me ngritjen e kishës në Kala. Pasi eksperimentet patën sukses, sepse heshti politika shqiptare, filluan të kalojnë në veprime. Vrasja e Harunit me shokë, procesi “Mostra”, etj, tejkaluan eksperimentet, tejkaluan logjikën e veprimit, tejkaluan sepse u kishin marr erë në qafë shqiptarëve, siç thotë një proverb shqiptare. Pasi i fituan këto beteja, del çështja e emblemës, se për flamur as që kishin konsultuar palën shqiptare dhe ne heshtëm, e heshtim ende, duke e ditur se dielli ishte simbol i shqiptarëve. Politika shqiptare e ndarë në dysh, kundër dhe për miratimin e emblemës, dërgon sinjale ogurzeza për shqiptarët e në gjithë truallin kombëtar.
Nënshtrimi i politikës kombëtare nga një shtet monstrum, nga një komb i shpifur, thotë shumë. Ky duhet të jetë kushtrim për vitin tjetër dhe të mos harxhojmë energji, në asnjë fushë të jetës, për të mbrojtur këtë kreaturë, por le të eci politika në binar kombëtar, se vet ata nuk janë të interesuar për fuqizimin e shtetit, për mirëqenien e qytetarëve, për barabarësi qytetare, për respektim kulture, për respektim të historisë, dokeve dhe zakoneve, me një fjalë, për të respektuar një komb, më të vjetrit në Evropë. Kreaturës i mungon emancipimi politik, se kombëtar nuk ka se si të ju mungojë, kur këtë nuk e kanë dhe në këtë logjikë dëshirojnë të përdorin kohën e mesjetës, por edhe të dominimit ekonomiko ushtarak, për të imponuar ndërrimin me dhunë të etnitetit shqiptar, kur dihet se këto forma janë të vjetruara, janë jashtë kohore dhe në fund të fundit, nuk e kanë asnjërën nga këto dy mekanizma të përmendura më lartë. Nga kjo përfundojmë, pse shqiptarët të shtrijnë qafën, pse shqiptarët të lejojnë të ecin mbi trupin e tyre, pse shqiptarët lejojnë përçmimin në të gjitha fushat?! Pra, vitin tjetër duhet të ndërgjegjësohemi dhe gjithë ata që mbështesin këtë politikë mesjetare, pa kurrfarë force ekonomike, ushtarake, historike, t’i hedhim në shportën e mbeturinave.

Zyrtarët ndërkombëtar dhe ndërgjegjja e kuvendarëve

Zyrtarët ndërkombëtar, në gjithë hapësirën kombëtare shqiptare dhe ata të cilët janë të angazhuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare, edhe pse të pjesshme, duhet të jenë më të ndërgjegjshëm, duhet të përfillin politika parimore, sidomos ato shtete që kanë njohur realitetin shqiptar, në të gjitha shtetet, kudo që janë dhe të mos luajnë me historinë tonë, të mos përdhosin të kaluarën tonë, të mos nëpërkëmbin njerëzit që kanë bërë historinë kombëtare, të mos bëjnë ndasi diplomatike për “hir” të kohës e sistemit shoqëroro politik, por të mundohen të na respektojnë vlerat kombëtare, historinë tonë ashtu siç ka ndodhur dhe të mos përzihen në fushata elektorale, hapur, të orienton masën apo edhe liderthit politik për politika pansllaviste, se kjo nuk do t’i ndihmonte asnjërës palë, por do të krijoj hendekun edhe më të thellë dhe detyroheni të dëgjoni zërin e kombit, jo përmes kuvendarëve, jo përmes artikulimit të liderëve politik, në medie të informimit apo sheshe të qyteteve, por atë zë, që sa herë ka ardhur në përfundim ndërgjegjja kombëtare, se kombi është në rrezik, ka dal pa ndrojtje dhe në këtë mbrojtje do të përballeni me politikën e shtetit të cilin përfaqësoni. Sa më të dinjitetshëm të jeni ju, aq më shpejtë do të zgjidhet çështja shqiptare dhe Ballkani nuk do të jetë vatër e luftës me përmasa edhe më të mëdha, si ajo që ndodhi në kapërcyellin e ndërrimit të shekujve.
Nëse jeni ambasador, luajeni rrolin e përcaktuar nga shteti të cilin edhe përfaqësoni, nëse jeni diplomat, luajeni rrolin e shtetit të cilin përfaqësoni, nëse jeni prokuror, luani lojën e ndërgjegjësimit, në bazë të konventave ndërkombëtare, në bazë të ligjeve ekzistuese, me moton askush mbi ligjin, pra t’i leni me një anë supozimet dhe aktakuzat që nuk i kap logjika, nëse jeni gjykatës, të përfillin etikën e paraparë në ligje, të paraparë në konventa ndërkombëtare dhe po ashtu me moton askush mbi ligjin, nëse jeni ndërmjetësues i çfarëdo sfere jete, duke u mbështetur në emancipimin politik dhe politikën që përfaqësoni, nëse jeni investitor të kontrolloni aty ku është i domosdoshëm investimi, e jo të merreni me përfitime nga taksapaguesit e juaj.
Misioni që keni duhet të jetë i shenjët, se gjitha shpenzimet i keni nga taksapaguesit e juaj e tonat, mbrojeni shtetin, se pak shtete janë që nuk kanë dëshirë të na mbështesin, edhe pse i frikohen bashkimit të kombit shqiptar, por po të bëhej një analizë e thukët, kjo do të dilte edhe në të mirën e mbështetësve të politikës aktuale.

Ne

Ne nuk e kemi ndërmend të jemi vetëm vrojtues të rrjedhave e politikës. Ne nuk do të jemi anemik në lojën që bëni. Ne nuk do të heshtim asnjëherë, por të gjitha të palarat do t’ua qesim në shesh dhe kombi do të flet, me zërin më të fuqishëm, për të vendosur për të ardhmen. Ne, misionarët e kombit, do të jemi në çdo pore të jetës, në çdo këndë diplomatik, në çdo hap jete, jo vetëm të juaj, por edhe të atyre që krekosën me votën e qytetarit, sepse do të flas edhe ai qytetar, që deri dje, ka heshtur dhe i ka mbështetur verbërisht. Ne do të jemi përsëri parzmore e kombit, sepse rreziku sa vjen e shtohet nga loja e pistë e të dyja palëve.

Prishtinë, 22. 12. 2014

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Afrim Morina
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 49 vizitorë
Lexuar: 800 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi