Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
Biopolitika e Isa Mustafës
Publikuar më 04 mars, 2015 në orën 10:54 ( ) Salih Mehmeti | Opinion |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në kabinetin e Qeverisë së Isa Mustafës nuk janë veç ministrat e Listës ‘Srpska’ ata që bëjnë riprodhimin e fjalëpërfjalshëm të fjalorit të Beogradit. Nuk mbesin prapa as ministra si Blerand Stavileci, fodullëku i të cilit shkon aq larg sa fyen krejt shoqërinë. Që të jemi më të saktë, para disa dite në një emision të transmetuar në KTV, Blerand Stavileci që mban postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ndër të tjerash, do t’i jap liri vetës sa t’i akuzojë familjet shqiptare se nuk dinë të bëjnë planifikim familjar (?). Në vijim të deklaratës së tij, ministri i Zhvillimit Ekonomik këshillon që dikush që ka 300 euro të ardhura nuk duhet të krijojë familje shtatë-anëtarëshe!

Kjo deklaratë, përveç që e pështirë moralisht, sipërfaq edhe një anë tjetër papërgjegjësie. Ndihmat edhe ashtu të vakëta sociale me të cilat mbahen me mijëra familje të vobekta, ministri Stavileci i ndjeson sikur të jepeshin nga xhepi i tij. Po të kishte minimumin e njerëzillëkut, ministri Stavileci do të duhej të ngriste pikëpyetje mbi tërë ngrehinën e politikave të padrejta qeveritare që nuk i sigurojnë vendit as për së afërmi mirëqenie. Në rrethana normale, përkushtimi i fismë i Qeverisë për planifikim familjar nuk do të duhej të ishte në deklarime të tilla që kullojnë arrogancë e snobizëm. Përkushtimi i Qeverisë në këtë çështje kardinale të shoqërisë, duhet të jetë me përkrahje të fortë në formë shtesash e alimentacionesh për të porsalindurit dhe nënat. Nuk duhet t’i ik mbamendjes tonë fakti që është partia, pjesë e të cilës është edhe Blerandi, ajo e cila në legjislacionin e vitit 2007-2010, ka avokuar me zell pervers shkurtimin e pushimit të lehonisë. Krejt kjo sikur të jep përshtypjen se Qeveria e Isa Mustafës ka një qasje biopolitike karshi shoqërisë, të cilën e ndjeson thjesht si tepricë humane. Përderisa, vende të tjera në zhvillim i kushtojnë kujdes skrupoloz nxitjes së lindshmërisë, Kosova vazhdon të qëndroj ligsht e më ligsht në këtë drejtim. Ministri, Blerand Stavileci e të gjithë ata që rezonojnë me dashakeqësi ndaj shtimit të lindjeve, duket se burim frymëzimi e kanë Thomas Malthus-in, klerikun ekscentrik anglez i cili nga lartësitë e arrogancës, shprehej kundër rritjes së popullsisë angleze. Kuintesenca e traktatit biopolitik ‘Ese mbi parimet e popullsisë’ është ideja absurde e Malthusit se shtimi i klasës punëtore rrit problemet ekonomike si varfërinë dhe papunësinë, në kushtet kur rritja tejkalon kapacitetet prodhimtare të tokës. A nuk është veprimi i Qeverisë disi malthusian? Përderisa, kapacitetet prodhimtare të tokës, përfshirë edhe damarët mineralogjik të vendit, përpjesëtohen për t’u privatizuar, ajo çka mbetet është arroganca e privatizueseve ndaj qytetarëve të zhveshur që cilësohen si tepricë njerëzore. Shkrimtari natyralist amerikan, Jack London dikur kishte shkruar novelën distopike ‘Pushtimi i paparë’ (The Unparalleled invasion). Kjo novelë tejçon frikën ireale të një pjese të amerikanëve të fillim shekullit XX, të cilët i druheshin shpërthimit demografik të Kinës dhe pushtimit kinez të Perëndimit. Të shastisur nga fuqia e pandalshme e Kinës, në novelën e Londonit, shtetet perëndimore sendërgjojnë një luftë biologjike të shkatërrimit të popullsisë kineze. Në fakt, ideja që shpalos shkrimtari amerikan është e qartë. Operimi me koncepte biologjike përligj luftën biologjike, ashtu sikundër shtetet armiqësore me të cilat shqiptarëve u ra shorti të fqinjërojnë, flasin qe një shekull për “bombën demografike shqiptare”. Edhe mileu intelektual serb në shekullin XIX, duke filluar nga Jovan Cvijiqi, Spiridon Gopçeviqi, Vladan Gjorgjeviq, nxisnin sentimentet kundërshqiptare të bashkohësve, duke i kërcënuar me fantazmën e shpërthimit demografik të shqiptarëve. Kjo, me kalimin e kohës, do të bëhej gur miliar i historiografisë serbe. Të gjitha skenaret që përftohen nga rravgime të tilla, parafytyrojnë skena të tilla ku shqiptarët falë rritjes demografike i mbivendosen elementit sllav. Kosova, Sanxhaku i Novi Pazarit, rajonet e Moravës së Epërme e deri poshtë në Vardar e Pollog, sipas kësaj paradigme, u kolonizuan nga një shkulm emigrimi i shqiptarëve malësor. Pak rëndësi për historianët serbë kishte nëse ky skenar disonant kishte farë sensi – qëllimi i tyre quhej i realizuar përderisa kjo paradigmë do të përbrendësohej shpejt nga opinioni serb. Objektifikimi biologjist i një populli e dehumanizon dhe e desubjektivizon atë, duke e legjitimuar çfarëdo dhune ndaj tij. Në këtë dritë nuk duhet të shihet i çuditshëm as propozimi i Vojsllav Sheshelit në vitet e 90-ta, i cili publikisht bënte thirrje për shpërhapjen e virusit SIDA në mesin e kosovarëve. Kjo ide çnjerëzore do të natyralizohej aq shpejt nga opinioni serb i cili qysh nga fundi i viteve 80-ta kishte përbrendësuar frikën nga gjoja shpërthimi demografik i shqiptarëve. Këtyre kambanave qysh prej viteve të 90-ta e deri me sot vazhdojnë t’i bijnë si politika ashtu edhe mediumet serbe. Po t’i lexosh parashikimet futuristike që bëheshin në shtypin serb në vitet e 90-ta, sot do të duhej që Nishi të frymonte shqip. Sidoqoftë, realiteti është krejt i kundërt meqë elementi shqiptar në Kosovë është rralluar ndjeshëm prej migrimeve gjatë viteve 90-ta. Aktet e fundit të kësaj drame eksodi edhe sot e kësaj dite vazhdojnë. Mediumet në Kosovë shpesh përkthejnë nga serbishtja artikuj të futurologëve serbë se gjoja shqiptarët në një të ardhme të afërt do t’i tejkalojnë serbët e plakur, aq sa kjo krijon një galdim shpërthyes tek shqiptarët, duke e galvanizuar ndjenjën e pasivitetit në pritje të një të ardhmeje mesianike. Sidoqoftë, pak e dinë se politikat me cilësorin ‘bio’ zanafillojnë qysh në kohën e UNMIK-ut, i cili në bazë të përllogaritjeve vetjake e vlerësonte numrin e popullsisë në Kosovë si 1.9 milionë. Shumë vite me vonë, regjistrimi i quajtur ‘i pavarur’ do të manifakturonte shifra edhe më të ulëta të numrit të popullsisë në Kosovë. Emërues i përbashkët i këtyre rropatjeve është që shqiptarëve t’u ngulitet një përmasë e zvogëluar e tyre, duke e përligjur papërfillshëmërinë e tyre politike në rrafshin rajonal e ndërkombëtar me gjoja numrin e vogël. I njëjti tregim me pak ndryshime ndodh edhe në Maqedoni. Derisa shtypi senzacionalist sllavo-maqedonas tund kambanat e alarmit për bomba demografike të shqiptarëve, pjesë të tëra të Shkupit po pikëzohen me ndërtime të rrokaqiejve e ndërtesave shumëkatëshe në të cilat vendoset popullata sllavo-maqedonase. Teksa gogoli i “bombës demografike shqiptare” gjezdis nëpër titujt e medieve, hapësira jetike e shqiptarëve në Maqedoni është copëzuar, shkërmoqur e brydhur si mos më keq. Kompaktësia etno-gjeografike e shqiptarëve në Maqedoni është katandisur në një shumësi të pafundmë komunash të vogla e të mëdha. Në emër të decentralizimit, biopolitika e VMRO-DPMNE qysh nga viti 2001 ka dizajnuar komuna rurale me shumicë maqedonase, duke u siguruar atyre lidhje me njëra tjetrën, përderisa rajone shqiptare si Kumanova, Dibra e Shkupi janë pjesëzuar në komuna rurale, duke dobësuar peshën politike të elementit shqiptar. Nëse bëjmë një shpalim retrospektiv të historisë shqiptare del që vitaliteti ynë gjithnjë ka ngadhënjyer karshi skemave armike, të cilat e kishin institucionalizuar asgjësimin e shqiptarëve në strategema shtetërore. Por, deklarimet e tilla si të Blerandit e të shefit të tij, kryeministrit, Isa Mustafa sjellin një sprovë të re në historinë e re shqiptare. Për të parë është një Qeveri me shumicën e ministrave shqiptarë, por që e ndjeson popullin si kategori “numër” dhe “turmë”. Mbase kjo nuk është aq rastësore përderisa kredoja ideologjike me të cilën frymëzohen politikanët aktual është ajo, sipas të cilës, qytetarët e Kosovës janë subjekte për aq sa janë numra të konvertueshëm në vota. Ky funksion u njihet vetëm një herë në katër vite e pastaj fillon qasja biopolitike e Qeverisë, e cila në vend të qytetarëve të cilëve duhet t’u shërbejë, sheh vetëm numra e qenie biologjike.

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Salih Mehmeti
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 43 vizitorë
Lexuar: 793 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Akuza e Milaim Zekës e ngjashme me atë të ...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:11
Lufta në Kosovë tregoi se atë e zhvilluan të varfërit, fshati dhe vegjëlia e qytetit. Ishin ata që rrokën armët e u sulën kundër robërisë me a...
Gazetaria dhe propaganda: Kontribut për vet...
E premt, 16 prill 2021 - 00:33
Ka kohë që në hapësirën shqiptare, më ndjeshëm sidomos në Kosovë, gazetaria është shndërruar në instrument të propagandës së partive e klan...
Shpirti i racës tonë duhet të na bashkojë...
E premt, 16 prill 2021 - 00:26
Përçarja kur atdheut i kërcënohet rreziku nga fqinjë gjakpirës është armiku ynë më vdekjeprurës. Ne duhet t`i premtojmë njëri-tjetrit vëllaz...
MEMORANDUM PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIK...
E merkur, 14 prill 2021 - 22:22
AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE NË NJU-JORK, SHBA, MË 14 PRILL 2021, MIRATOI: MEMORANDUMIN PËR MBYLLJEN E MISIONIT TË UNMIKUT...
Unë e dua stuhinë dhe kam frikë nga heshtj...
E hn, 12 prill 2021 - 18:57
Shqipëria është kapur nga „Partia e horrave dhe hajdutëve“, banditët e së cilës të gjithë janë për skllavëri, për çdo të keqe, për çdo...
më shumë nga - Opinion »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi