Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
MEHMET KONJUHI Krah për krah me Azem Galicën
Publikuar më 23 shtator, 2010 në orën 19:12 ( ) Prof. Bedri Tahiri | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
Në 85- vjetorin e rënies së heroit Mehmet Konjuhi

Kryeni detyrën ndaj atdheut për të cilin kurrë
s’duhet kujtuar se është derdhur tepër gjak,
se është luftuar sa s’duhet, sepse dashuria për
për të ia kalon çdo dashurie tjetër.
Marin Barleti

Mehmet Konjuhi
Cerberët e përtej Tunës, që kur kapërcyen Dardanelet, me vete bartën edhe gjithë dinakërinë e sojit të vet. Dhe, për çudi, atë e mbajtën vath në vesh tërë jetën e jetës. Madje, edhe kur u gjendem nën të njëjtin sundues, prore menduan për keq, menduan për t’u zgjeruar në të mirë të tyre. Çdo rast të mundshëm e shfrytëzuan deri në pakufi. Kështu veproi edhe princ Milani gjatë luftërave ruse-turke (1875- 1878).
Drama e hidhur e atyre viteve nuk harrohet dot. Vaji dhe kuja kishin mbuluar vendin. Edhe qielli lotonte në heshtje para asaj mynxyre tmerruese. Mbi gjashtëqind fshatra shqiptare, nga rrethi i Nishit, i Prokuplës, i Vranjës, i Kurshumlisë, i Leskovcit, i Pirotit etj. u dëbuan pamëshirshëm nga vatrat e tyre stërgjyshore. Fuqitë e mëdha bënin sehir me gjakftohtësi, se ashtu donte Ariu i madh i stepave. Të mjerët refugjatë, u degdisen keq e më keq gjithandej lugut të Llapit dhe Rrafshit të Kosovës. Si peng dashurie e kujtimi për dheun e të parëve, me vete bartën emrat e vendlindjeve të tyre. Në këtë vazhdë qëndrojnë edhe KONJUHËT…

Përherë me armë në dorë

Latif Konjuhi me të shoqen Zyhrën jetonte në anën lindore të Qyqavicës kreshnike, në Bellaqefc. Ai, si trembëdhjetë vjeçar, e kishte përjetuar atë dramë të hidhur kombëtare dhe paskëtaj kurrë nuk mundi të pajtohej me robëruesit gjakatarë. Ato momente të katrahurës ç’njerëzore kishin zënë rrënjë thellë në shpirtin e tij të pastër e të bardhë dëborë. Që atëherë edhe nuk e lëshoi armën nga dora. Ishte pjesëmarrës dhe ushtar aktiv i forcave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe dy djemtë e tij; Sahiti e Mehmeti, që në rini u përcaktuan për rrugën e madhe të lavdisë e të krenarisë…
Mehmeti u lind më 1895 në Bellaqefc. Për të qenë edhe nuk e pati shumë të vështirë të orientohet në kapërcyllët e kauzës sonë kombëtare. Shembullin e kishte në shtëpi. Nga rrethi familjar trashëgoi trimërinë, bujarinë, besnikërinë, atdhedashurinë dhe mençurinë. Arma qe lodra e parë e tij e fëmijërisë, nga e cila nuk u nda deri në vdekje. Artin luftarak e mësoi nga trima e strategë të shquar; nga Isa Boletini, nga Hasan Prishtina e nga Bajram Curri, në betejat e njohura të viteve 1912-13. Në luftën e njohur të Merdarit, vetë Hasan Prishtina e kishte caktuar komandant në frontin e Shalës. Ishte pjesëmarrës edhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.
Më 1916, kur shqiptarët dhe vetë Hasan Prishtina u mashtruan dhe pranuan të dërgojnë vullnetarë (gjynli)në frontet ruse, Mehmeti me disa shokë shkuan në Austri, por nuk qëndruan shumë. Një ditë vetë i gjashtëdhjeti ikën për në Turqi. Mirëpo, kur edhe atje tentuan t’i rekrutojnë, këta refuzojnë dhe ashtu këmbë ia mësyejnë Kosovës. Pas gjashtë muajsh arrijnë në vendlindje. Ishte viti 1917. Familja e Mehmetit tashmë ishte vendosur në Ropicë. Tokat arbërore i kishin okupuar zaptues të rinj, austrohungarezët dhe bullgarët.
Trimi sërish ngeli në mal dhe iu bashkangjit çetave çlirimtare. Në fillim veproi në çetën kreshnike të Azem Galicës. Mirëpo, më 1918, kur formohet Mbretëreia e SKS-së, luftëtarët e lirisë u shtuan, u mobilizuan dhe u riorganizuan. Mehmeti me të vëllanë Sahitin kaluan matanë Sitnicës dhe formuan çetën e tyre, ku bënin pjesë edhe vëllezërit bajqinofci: Rushiti ( Shyti), Hamiti, Salihu dhe Haliti.
Megjithatë, lidhjet me Drenicë përherë ishin në nivel dhe të pashkëputura. Ata mbanin mbledhje në rrethin e Vushtrrisë e të Llapit, por konakun më të sigurt e kishin Kullën e Hys Popovës, në të cilën prej kohësh valonte falmuri kuqezi.
Në kryengritjen e Përgjithshme, e cila shpërtheu në Drenicë dhe përfundoi në Llapushë, përkrah Azem Galicës, Sadik Ramës e Ramadan Shabanit ishte edhe Mehmet Konjuhi. Heroizmi i tij në rrethin e Podrimës nuk përshkruhet dot me fjalë. Kudo që shkonte e zhvillonte edhe një propagandë të fuqishme kundër shpërnguljeve që nga zullumi i paparë kishte marrë hov. Bashkëluftëtarët e tij tregonin se ai ishte trim i rrallë, ishte fjalëpakët dhe i qetë, i urtë dhe i dashur për shokët, por mjaft i ashpër dhe i rreptë për armiqtë. Edhe ndaj hafijeve dhe bashkëpunëtorëve të okupatorit ishte i pamëshirshëm.
Në këto luftime të përgjakshme Mehmet Konjuhi u shqua si prijës i talentuar ushtarak dhe organizator i zoti në mobilizimin dhe hedhjen në luftë të masave fshatare. Bijtë e Llapit dhe të Vushtrrisë me në krye Mehmetin, shkruan faqe të lavdishme në historinë e Shqipërisë,- shkruan Mexhit Kokolari në librin “Bijtë e shpatës shqiptare”, Tiranë, 1990, fq. 133-137.

Zona e lirë e Dumnicës

Pushteti serbosllav, i dirigjuar nga mjekërbardhi Nikollë Pashiqi, ndërroi taktikën karshi çlirimtarëve shqiptarë. Qysh moti ai e kishte lëshuar atë parullën e njohur se, ku nuk bënë punë plumbi, bën punë paraja. Dhe, duke e parë se ndryshe nuk po ia dilnin mbanë, zunë të lidhnin “besë” e të bënin “marrëveshje” me kryekaçakët. Paralelisht me Zonën e lirë të Drenicës, që më shumë njihet si Arbëria e Vogël e Azem Galicës, u krijua edhe Zona e lirë e Dumnicës e Mehmet Konjuhit.
Në të vërtetë, pushteti serb lejoi që Mehmeti dhe i vëllai Sahiti ta ngrisin një shtëpi kasollë në lagjen Zagorth dhe të jetonin të “lirë”. Ata nuk duhej të dilnin dhe të vepronin jashtë zonës, ashtu siç edhe ata nuk do të guxonin të hynin brenda, përveç në raste të caktuara dhe jo më shumë se katër veta. Pak më larg tyre e ngritën një kullë edhe vëllezërit Bajqinofci.
Por e gjithë kjo zgjati fare, fare pak. Kolonët serbomalazezë nuk pranin së ankuari të krali në Beograd. Mehmet Konjuhi, mu si Azem Galica në Drenicë, gjithë Rrafshin e Kosovës e ka bërë Shqipëri, ku ne nuk mund të jetojmë! Dhe, të pabesët harruan “besën”. Për fat, mbase qëllimisht, pak më parë ishte ndërruar edhe naçallniku që kishte lidh marrëveshjen dhe ky i riu sikur nuk obligohej prej saj…
Kështu, ende pa gdhirë mirë dita e 10 shkurtit 1924, forca të shumta nga Prishtina, nga Podujeva e nga Vushtrria mësyen drejt Zagorthit, që ende po flinte ëmbël. As nata pa hënë nuk po donte të bëhej dëshmitare e asaj zallamahie çmendëse. Xhandarët para, ushtria prapa. Në krye të të parëve kapiteni famëkeq Ilia i Zi, ndërkaq ushtrinë e udhëhiqte major Peroviqi. Me ta edhe një shpirtshitur, një Ali Bajgora.
Në orën 2 të paramëngjesit rrethohet shtëpia e Mehmetit dhe ajo e një fukaraje aty afër, e Musli Konjuhit. Kulla e bajqinofcëve nuk rrethohet. Atë natë te Mehmeti ishte mysafir me gjithë familje edhe Ajet Mulaku nga Cecelia.
Tek dera ishin afruar xhandarët dhe kërkonin dorëzimin e tyre. Mehmeti nuk ishte burrë që matej me hijen e mëngjesit. Nuk po ngutej fare. Edhe i vëllai Sahiti i qëndronte pranë. Tytat i kishin drejtuar në derë. Dhe, kur i dhanë zjarr, vranë Ilin bashkë me pesë xhandarë. Mirëpo rrethimi ishte i trefishtë. Lufta u ndez ashpër. Pas katër orësh Mehmeti plagoset rëndë. Plumbat e mitralozit të madh e kishin kapur në krahun dhe në kukëzën e djadhtë. Sahitin nuk e kishte marrë asnjë plumb, prandaj e merr Mehmetin në shpinë dhe e dërgon deri në malin e afërm. Në të kthyer vret mitralierin, por nuk arrinë të futet në shtëpi. Donte t’iu shkonte në ndihmë familjarëve dhe Ajet Mulakut, i cili kishte zënë pusi dhe nga brenda për një kohë kishte qëndruar si burrat. Edhe atë e kishin vrarë, por trupi i kishte ngelur varur në një ferrë, disi në këmbë dhe nuk besonin që nuk është gjallë…
Në anën tjetër, as bajqinovcët, edhe pse jashtë rrethimit, nuk munden të qëndronin e të bënin sehir. Nga kulla e tyre erdhën breshëri plumbash, sa që barbarët u detyruan t’ua kthenin topat. Mirëpo ata e kishin kanalin nëntokësor dhe u tërhoqen pa ferrë në këmbë.
Kriminelët e shfrenuar, kur morën vesh se luftëtarët e lirisë dolën jashtë rrethimit, u vërsulen egërsisht mbi gra e mbi fëmijë të pambrojtur. Pasi lagen shtëpinë me vajguri e urdhërojnë një ushtar të ri që t’ia jepte flakën. I gjori, ende nuk i kishin djersirë mustaqet dhe refuzoi. Dhe, të pashpirtët i ranë plumb në kokë. Vetë majori zemërzi ia dha flakën shtëpisë që të digjej me gjithë ç’kishte brenda. Mllefin shatazarak e shfryen edhe me thika e bajoneta, edhe me shqelma e me plumba.
Kjo ngjarje pati jehonë të madhe. Pas ca kohësh erdhi edhe një komision kinse për të vërtetuar gjërat, por kot, pos dy- tre trupave, të tjerët ishin bërë shkrumb e hi. Gazeta “HAK” shkroi dhe i dha me emër të vrarët, kurse Ferat Draga e ngriti zërin në Parlamentin e Beogardit. Sidoqoftë, deri sot shënimet më të plota i ka dhënë Abdullah Mulaku në “Vjetarin” nr. XXIV- XXV ( revistë e Arkivit të Kosovës, Prishtinë). Sipas tij, atë ditë u vranë, u masakruan apo u dogjen këta persona:

1. Musli Konjuhi 60 vjeçar
2. Rasim Konjuhi, i biri i Musliut, 22 vjeçar
3. Hashim Konjuhi, i biri i Musliut, 14 vjeçar
4. Hasa Konjuhi, gruaja e Musliut, 55 vjeçare
5. Ajshe Konjuhi, vajza e Musliut, 6 vjeçare
6. Zyla Konjuhi, gruaja e Mehmetit, 24 vjeçare
7. Sahare Konjuhi, gruaja e Sahitit, 40 vjeçare
8. Zyhra Konjuhi, vajza e Sahitit, 9 vjeçare
9. Sala konjuhi, gruaj e Beqë Pantës, 38 vjeçare
10. Ajet Zeka – Mulaku, 60 vjeçar
11. Rabie Zeka, gruaja e Ajetit, 55 vjeçare
12. Zarife Zeka, gruaja e Ukës, 40 vjeçare
13. Zejnepe Zeka, gruaja e Abdullahut,34 vjeçare
14. Sala Konjuhi-Zeka, gruaja e Abazit, 33 vjeçare
15. Azemine Zeka, gruaja e Muratit, 24 vjeçare
16. Ahmeti, djali i Ukë Zekës, 9 muajsh
17. Zeka, djali i Avdullahut, 10 vjeçar
18. Maliq Bajqinovci, 55 vjeçar
19. Ali Bajqinovci, 20 vjeçar
20. Rexhë Igrishta nga Dumnica, 55 vjeçar dhe
21. I biri i Rexhës (?).

Shërimi në Arbëri të Vogël

Beteja e Zagorthit të Dumnicës jehoi larg e larg. Trimat e gjakosur e me plagë shpirti për masakrën e paparë, u tërhoqën drejt Popovës, gjegjësisht drejt Kërshit të Sokolave, andej ku ishte dhe baza kryesore e kaçakëve. Në të vërtetë Sahiti dhe Haxhia i Jashar Shalës, që jetonte në Dumnicë, në fillim e strehuan në një shtëpi në Dumnicë të Epërme, në shtëpinë e Bajram Miftarit e të nesërmen me qerre kuajsh e dërguan te Kërshi i Sokolave. Gjakatarët serbë u vunë në ndjekjen e tyre, duke bërë presion e shantazhe edhe me familjet e mbetura gjallë. Pas pak Mehmetin e plagosur rëndë e kalojnë matanë Qyqavicës. E dërgojnë në Galicë, në qendrën e Arbërisë së Vogël të Azem Bejtë Galicës. Aty qëndroi derisa u shërua (dora e majtë i ngeli përjetë e paaftë), përmbi gjashtë javë. Një plumb nga këmba ia nxori vetë kapedani, Azem Galica, me metodën e malësorëve, plumbin me plumb.
Me të marrë veten, Mehmet Konjuhi kthehet në vendlindje dhe bashkë me çetën e vet, ku bënin pjesë edhe: Vëllezërit Bajqinofci, Beqë Konjuhi-Panta, Habib Lupçi-Menxhiqi, Sheqë Mirovci, Ukë Zeka-Mulaku etj. vepron hiç pa u ndalur gjithandej Llapit, Përmalinës e Shalës së Bajgorës. Lidhjet me çetat e Drenicës nuk i shkëputi për asnjë moment.
Ditën kritike, më 15 korrik1924, kur u rrethua Arbëria e Vogël e Azem Galicës, Mehmeti ishte larg, në Mavriq, por i kishte dëgjuar krismat e topave. Fill e kishte ditur ç’po ngjiste dhe me vrap kishte ngarendur andej. Por, kot, kur arriti në Qyqavicë ishte bërë vonë, çdo gjë kishte marrë fund. Kryekomandantin e gjeti të shtrirë në vig. O Zot, sa ndjeu dhimbje. Zuri të qajë në zë si fëmijë. Shumë e kishte dashur komandantin e vet. Ama edhe ai e kishte çmuar trim mbi trima. Bile, njëherë kur e kishin pyetur se a ka më trim se ti, ai pa u hamendur ia kishte kthyer: Po, ka si nuk ka, kur e kujtoi Mehmet Konjuhin, gjunjët më dridhen!
Po tashti?!!!
Dy trimat ballë për ballë. Njëri në këmbë, tjetri i shtrirë e i plagosur për vdekje. Gojët nuk u flisnin, se ishin ndryrë nga malli, nga dashuria, nga dhembja.
- Për hajr plagët, o Azem Galica!
- Qofsh me nder, o Mehmet Konjuhi!
- Na pri përpara, o Azem Galica!
- Vëlla Mehmet, pasi u bëmë bashkë me ty nuk kanë çka na bëjnë as krali as mbreti. Na priftë e mbara drejt Shqipërisë!
Qyqavica mbante vesh kujdesshëm kuvendimin e kreshnikëve. As shokët nuk po flisnin. Veç Shota, me gërshetat e palosur nën plisin e bardhë, ua ndërpreu rrjedhën duke ua dredhur nga një cigare me duhanin që vezullonte si këmbë sokoli…
Pas shtatë ditësh tridhjetë hije zvarriteshin nën dritën e zbehtë të hënës pesëmbëdhjetëshe. Ecnin, ecnin dhe pushonin. Ndaluan në Shkozë të Vërbocit, në Makërmal, në Abri, në Gjurgjevik…Kur arrijnë në malet midis Përçevës e Gllarevës, Azem Galica lodhet shumë. Sërish ndalojnë dhe pushojnë. Heshtje mbytëse. Askush asnjë fjalë. Edhe zogjtë e malit kishin pushuar këngën. Allçi tërfëllinte mnershëm. Trimi merrte frymë thellë dhe pasi ua kumton një amanet, ua lë edhe shëndenë. Fjala e burrit, pesha e gurit! Dhe, të lidhur në besa-besë, në fshetësinë më të madhe, e lëshojnë në shpellën enigmatike “Çuku që kërcet”. Lufta nuk duhej ndërpritur. As vdekja e kryekomandantit nuk duhej kuptuar kurrësesi! Andaj, pasi e lëshojnë një britmë lëmeritës ”O prite, prite Azem Galicën!, i shtrëngojnë armët për përleshje të reja. Një pjesë e tyre nisen për në Shkodër.
As atje nuk e ndalen veprimtarinë atdhetare dhe nuk i lëshuan armët nga dora. Herë pas herë kapërcejnë edhe këtej, duke u bërë tmerr për armiqtë e pabesë. Mehmet Konjuhi, Shotë Galica, Mehmet Delia e shumë kaçakë të tjerë nuk iu ndanë as Plakut të Maleve, bacë Bajramit, në luftë me mercenarët e tradhtarët e vendit.

Një fund i tmerrshëm

Jeta e kaçakëve në Shqipëri, sidomos pas përmbysjes së Revolucionit të Qershorit, nuk qe e kënaqshme. Mehmet Konjuhi nga Shkodra vajti në Tiranë, të plaku i moçëm Hasan Petrela, i cili i mbajti me fjetje e me ushqime. Ai jetonte atje por mendjen e mbante në Kosovë, ku për ditë e më shumë po rëndohej gjendja. Më së shumti e prekte fati i familjeve që dëboheshin për në Turqi. Ah, sa i përjetonte ato momente, me shpirt e me zemër! Sa nuk lojti menç kur mbi gjashtëdhjetë familje kishin mbetur në gjirin e Bosforit, sepse qeveria turke nuk po i pranonte. Nga Cana Beg Kryeziu e mori një çek të bankës shqiptare dhe turr e vrap nxitoi andej për t’u dalë në ndihmë…
Nga Vlora Mehmeti arriti në Stamboll dhe bëri çmos për shqiptarët e ikur. Shumë prej tyre arriti t’i kthente për në Shqipëri. Vetë u vendos të Sherif Hyseni- Muzaqi, të cilin e kishte nip të kushërinjve. Pas ca ditësh arriti në Bergam. Aty, në një kafe, takohet me Ali Bajgorën, spiunin që i kishte prirë rrethimit më 1924. Dreq o punë! Ai që nga ai rast kishte ikur për të humbur gjurmë. Dhe, ja sërish ballë për ballë! Mali me malin nuk piqen, se njeriu me njeriun po!
Sipas kujtimeve të Halit Konjuhit, dhënë Liman Rushitit më 21 nëntor 1976, e i cili u referohet rrëfimeve të Rrahman Selacit e Ramadan Konjuhit, Mehmeti pasi han bukë dhe pin kafe nuk e ndjen veten mirë. Pra e kishin helmuar dhe të nesërmen jep shpirt. Ishte fundi i vitit 1925…Sa keq! Atë që nuk arriti ta bëjë plumbi i armikut, e bëri dora e tradhtisë! Trupi i tij varroset aty në Bergam, bri rrugës, midis dy lisash.
Më 26 janar 1993, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha e dekoron me Urdhërin për veprimtari patriotike të klasit I, me motivacion:
“Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”.

Faksimile e Dokumentit tё Dekoratёs





















Teksti i Dekoratёs










































Sidoqoftë, një trim i tillë, si Mehmet Konjuhi, meriton më shumë! Sot, mbase është edhe më keq. Ka shenja se varri i tij është rrafshuar, pasi që është ndërtuar rruga e re.

Rrënjë të pakëputura…

Më rënien e Azem Galicës (këtë nuk e kuptuan kurrë armiqtë) Lëvizja Kaçake thuajse mori fund. Aty-këtu pati ndonjë përpjekje të vogël rezistence, por jo aq sa të shqetësohej kreu i tiranisë. Luftëtarët e këtyre çetave kur kaluan matanë kufirit nuk e patën fare të lehtë për të jetuar. Ata kryesisht u vendosen në Fier, në Kavajë, në Lushjnë, në Durrës dhe në Fushë-Krujë.
Edhe trungu i konjuhëve nga Tirana vajti e lëshoi rrënjë në rrethin e Fierit, pikërisht në fshatin Ura e Gurit. Sahit Konjuhi për së dyti krijoi familje (e para iu shua në betejën e Zagorthit). Ai u martua me Mihanën, me të bijën e Ahmet Selacit, i cili pas vdekjes së Mehmetit u kthye nga Turqia. Në të vërtetë Mihanja ishte e fejuara e Mehmetit. Këtyre dy bashkëshortëve u linden këta fëmijë: Haliti, Zyhraja, Mehmeti, Aliu, Latifi, dhe Nurija. Aty jetuan deri më 1941. Edhe sa qe atje ishte i angazhuar në lëvizjen përparimtare. Në kryengritjen e vitit 1938/ 39 që u organizua në Fier kundër klikës zogolliane, të cilën e udhëhiqte Myslim Peza, ishte shumë i zëshëm.
Këtë vit, ashtu si shumica e kosovarëve, edhe këta nisen për në Kosovë. Ecejakët e tyre qenë të mëdha, sa në fshatin Tërstenik, sa në Leqinë, sa në …Dhe, në fund u vendosen në Ropicë, në tokën e vet. Aty gjeten një shtëpi dydhomëshe, të ndërtuar nga çipçiu, nga Ahmet Beçuku, të cilën ia pagoi Sahiti ndershmërisht.
Rruga e tij jetësore sërish e shtruar me xhemba. Nuk shkëputej dot nga tradita e të parëve. Përherë në sy të pushtetarëve e të këlyshve të tyre. Sahiti në moshën pesëdhjetëvjeçare, pra më 1944, i lodhur e i dërrmuar nga hallet e jetës njerkë, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë në Ropicë, ku edhe varroset.
Populli ynë përvojëhidhur thotë se gjaku kurrë nuk bëhet ujë. Mbase e vërtetë. Konjuhët kudo që shkuan mbetën të tillë, arrë e forte. Brezi brezit amanet. Atë rrugë e ndoqi edhe Halit Konjuhi.
Halit Konjuhi u lind më 15 maj 1928 në Fier. Ishte fëmija i parë i Sahitit, nga i cili mësoi shumë për jetën e të parëve dhe luftërat e tyre heroike. Si katrembëdhjetëvjeçar përjeton rrugën e kthimit nga Shqipëria. Këtu iu nisen të zezat që nuk iu shqitën këmbësh deri në vdekje. Ujqëritë e veshur me lëkura qengji, pra partizanët, bën çmos që kjo familje të gjunjëzohet. Fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore pushteti okupues serb ua konfiskon gjithë pasurinë dhe i dëbojnë në Vushtrri. Edhe atje nuk iu ndalen maltretimet dhe zullumi në forma të ndryshme. Ama, kot. Haliti kalitej e bëhej djalë që nuk ia hante qeni shkopin. Përherë ishte në lëvizjet dhe oraganizatat ilegale, që luftonin për çështjen madhore të kombit.
Kur Informbyroja filloi arrestimin e njerëzve me influencë e me ide të qarta atdhetarie, emri i Halitit u gjend në listat e para.
-Ishte dita e Shën Mitrit. Haliti posa erdhi nga ndërrimi i tretë i Zveçanit ku punonte, kur disa njerëz të UDB-së, në krye me naçallnikun e quajtur “Çiça” u rrasen brenda me ashpërsi dhe duarlidhur e moren me vete. Nuk e dinim as kah e quan. Më vonë, nga një farë Sexhadi nga Mitrovica e kuptuan se e kishin dërguar ne Goli- Otok të Kroacisë,- rrëfen sot i vëllai, Aliu.
As prangat e rënda e torturat më çnjerëzore të Goli Otokut nuk e kishin lëkundur fare nga rruga e nderit dhe e lavdisë kombëtare. Përkundrazi, veçsa ishte kalitur e ishte frymëzuar edhe më shumë. Atje kishte takuar njerëz me ideale të larta e synime të qarta atdhetarie, si Kadri Halimin, Qamil Brovinën, Bajram Zekën, Zekë Ademin, Rexho Mulliqin, Ali Aliun, Ali Boletinin, Faik Pruthin, Ali Gjurdin, Omer Qerkezin etj. Për çudi, sërish ishte liruar në ditën e Shën Mitrit të vitit 1952.
Mynxyrat e jetës nuk kishin mbaruar. Më rëndë e pati më vonë, kur erdhi në Kosovë. O zot, sa keq! Njerëzit iknin prej tij. Askush, as shokët, as miqtë, as farefisi nuk i shkuan në shtëpi as nuk e përshëndesnin në rrugë. Zemërbardhi, të gjithë i kuptonte dhe i falte. Kishte ndonjë që edhe rrezikonte. Kështu veproi edhe Fahri Ragip Drenica, i cili midis qytetit e përqafi përmallshëm dhe i dëshiroi mirëseardhje.
Në vitin 1957 martohet me Lebibe Popovën nga Vushtrria, me të cilën pati pesë fëmijë; një vajzë, Kimeten dhe katër djem: Naimin, Sahitin, Latifin dhe Avniun. Kjo familje e gjerë jetonte në kushte të vështira ekonomike. Pasurinë nuk ua kthente shteti. Shumëherë e kërkuan por pa dobi. Madje njëherë kur kishte shkuar në komunën e Vushtrrisë për të kërkuar, e kishin burgosur. Kryeshefi i policisë, Luba Millojeviqi, i dirigjuar edhe nga kryeshefi i rrethit të Mitrovicës, Jovë Bajati, e dërgojnë në Prishtinë dhe e marrin për detyrë ta përcjellin vazhdimisht punën dhe sjelljet e tij. Sërish i priu fati. Në Prishtinë qëllon Rrezak Shala dhe e liron…
Pas ca ditësh sikur i buzëqeshi fati. Disa dashamirë i gjeten punë në Furrën e bukës në Prishtinë ( zejën e kishte mësuar në burg). Atje punoi deri në vitin 1963, kur edhe e hapi dyqanin privat në Vushtrri. As gjatë kësaj periudhe UDB-ja nuk e kishte lënë të qetë. Sa e sa herë e kishin kontrolluar shtëpinë e tij, ku hynin e dilnin njerëz liridashës e patriotë të njohur. Aty vinin Ali Boletini, me të shoqen Hyrije Hanën, vinte Bajram Zeka e Zekë Ademi, vinte Adem Demaçi etj. Të gjitha këto i përcillte fqinji i tyre serb, çetniku mjekërzi e zullumçari i madh, Bora Vukosavleviçi i Sllakovcit. Dhe, dita-ditës marrëdhëniet e tyre acaroheshin…
Edhe jeta e Ali Konjuhit ishte e shtruar me gjemba. Hoqi tё zitё e ullirit, por kurr; nuk iu nёnshtrua pushtetit serboasllav. Ai u martua me Fahrijen dhe pati kёta fёmijё: Samiun, Abdylin, Hysenin, mёRGIMIN, Shqipen dhe Mihanen.

Plumba për kriminelin

Ngjarjet në Kosovë kishin marrë rokullimën. Erdhi edhe viti 1968. Ca lëvizje studentore tundnin dheun nën këmbët e pushtetarëve kokëgdhe. Erdhi edhe Nëntori i kuq, Nëntori i Flamurit. Prishtina u zgjua nën britmat e fuqishme të demonstruesve. Në ballë të tryre edhe Halit Konjuhi.
-Edhe pse isha i vogël, si sot më kujtohet ajo ditë kur babai i tha nënës bjerma revolën se po shkoj për Prishtinë. Shkoi tek e motra, për konak, që të nesërmen te jetë i gatshëm,- kujton sot i biri, Sahiti. Ashtu e kishte lënë me organizatorët dhe ne nuk e dinim. Të nesërmen ngjau hataja. Rrugët e kryeqendrës u përgjaken. Ra edhe dëshmori i parë, nxënësi Murat Mehmeti. Shumë studentë, nxënës e punëtorë u plagosen, u rrahen, u burgosen.
Halit Konjuhi, ashtu i lodhur dhe i mërzitur, të nesërmen kthehet në Vushtrri. Në orën 12 zbret para shtëpisë së kulturës. Dhe, çasti pritur kaherë, erdhi. Përballë tij çetniku Bora, i cili zu ta provokonte;
-Si, ende je këtu?! Pse nuk ke shkuar në Shqipëri, atje është vendi yt?!
Këtij iu errësuan sytë. Toka sikur iu rrotulla. Papritur kapen fytas. Haliti dyzetvjeçar, paksa i drobitur edhe nga burgjet, e kishte të vështirë t’i përballonte dahpyllit të gjatë dy metra. Por, zhdërvjelltësia bëri të veten. Si vetëtima nxori revolen nga shoka dhe ia shkrehu. Plumbi i parë e mori në ballë shkaun sojzi. Edhe i dyti u ngul në trupin e tij të bëshëm dhe ngordhësira zu të shembej si lisi i kalbur. Edhe një të sharë të fëlliqur u mundua ta nxjerrë nga goja, por i ngeli në fyt…
-Unë posa kisha mbaruar mësimin dhe po prisja para dyqanit. Baba më pa dhe më tha merre Latifin (vëllanë më të vogël) dhe shkoni në shtëpi. Ai para nesh kishte shkuar në shtëpi. E vrava atë qen dhe tashti nuk po di a më shkue për Shqipëri, a me u dorëzua?- i tha nënës në ballkon. Nëse iku më nuk do t’ju shoh kurrë, kurse me u dorëzua ka shpresa që të shihemi prapë!- u përgjigj vetë mënjëherë.
-Kujdes fëmijët Lebibe! Kështu tha dhe u nis drejt dyqanit për t’u konsultuar edhe me axhën, Mehmetin. Sakaq, aty arrijnë edhe dy policë që ia kërkojnë dorëzimin dhe revolën. Jo, vetë do të vijë dhe do ta dorëzojë revolën u thotë atyre. Rrugës e takon edhe një oficër ushtrie, të cilin e merr si peng deri në polici. Kur kryeshefi i atëhershëm i policisë, Xhemail Hyseni e pyet për oficerin, ky me shaka i thotë këtë e kam truproje.
Në burgun e Prishtinës takohet me plot studentë e veprimtarë të çështjes kombëtare. Më shumë i ra të rrinte me Osman Dumoshin e me Afrim Loxhën.
Kriminelin e plagosur e dërgojnë në ambulancën e Vushtrrisë, por nuk e ndalojnë. Një mjek shqiptar (N. N) kur merr vesh të vërtetën, nga gëzimi kishte thënë: Ah, Halit Konjuhi ta hangsha gishtin!
Kur po bëhej gjykimi i Halitit, në Kosovë mbretëronte një gjendje tejet e rëndë politike. Atë ngjyrim përpiqeshin t’ia japin edhe ngjarjes. Po, po, se kishte ngjarë mu më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit. Bam andej, bam këndej dhe dënohet me 9 vjet heqje lirie. Mëqë aktakuza e ngarkonte për tre plumba u detyruan edhe njëherë ta nxjerrin kufomën dhe ta bëjnë ekspertizën. Kur u vërtetua se ishin vetëm dy plumba, vrimën e tretë ia kishin bërë vetë barbarët me tel të skuqur, dënimi iu zbrit në 7 vjet. Sërish edhe një ankesë dhe rigjykimi e zbret në 6 vjet.
Haliti, pos tjerash ishte edhe kokë katërqind derhemshe. Në një rast avokati Velko Guberina i kishte thënë Halitit në gjykatore se për ty nuk paska nevojë avokati, ai iu kishte përgjigjur: Ty nuk të kam që të më mbrosh, por që të më mundësosh ta marrë fjalën!
Vërtet, të gjithë ata që e kanë njohur pajtohen se Haliti ishte njeri me diapazon të gjerë e me një mbamendje të shkëlqyer, që gjithë ia kishin lakmi. Ishte shumë i ngritur kombëtarisht e moralisht, ishte i thjeshtë, i natyrshëm, komunikues, i shoqërueshëm dhe mbi të gjitha trim besnik e bujar.
Pas pesë vitësh, lirohet. Ishte viti 1974. Kësaj here shtëpia e tij mezi priste e përcillte mysafirët. Zakonisht e vizitonin ata që ishin të njëmendjeje me të, shokët e idealit. Një mysafir ishte i veçantë, që shpesh kthehej në dyqanin e tyre. Ishte Adem Demaçi, i cili për herë të fundit e kishte vizituar më 1975, pak para se të binte edhe vetë në burg…

Në rrugën e të parëve

Familjet atdhetare e në zë për të mirë e patën shumë të vështirë gjatë gjithë kohës së sistemit sllavokomunist. Farë e sojit të mallkuar bëri çmos, duke përdorë metoda e forma të ndryshme, që ato të eliminoheshin nga skena fare ose në njëfarë mënyre të gjunjëzoheshin, të turpëroheshin e të poshtëroheshin.
As djemtë e Halit Konjuhit nuk e patën fare të lehtë. Edhe ata ishin të papërshtatshëm për shoqërinë dhe për sistemin titist. I madhi, Naimi, që në rini u detyrua ta lë familjen dhe të marrë botën në sy. Me të mbaruar gjimnazin iku, sepse nuk donte të bëhej ushtar i Titos, i ushtrisë pushtuese.
Për të dytin, Sahitin, mos të flasim fare. Ai ishte halë në sy dhe çdoherë shikohej shtrëmbër. Qysh si ri, në aktivitet e lira, në SHKA “Rashid Deda”, u bë i tepërt për shumicën e atyre që nuk donin t’ia turbullonin ujin ujkut të pangopur. Por, ku pyeste dielli për shoshën?! Dhe, djaloshi sypatrembur i konjuhëve vazhdonte rrugën e të parëve, duke e prishur vazhdimisht “vëllazërim-bashkimin”.
Mjafton të rikujtohet rasti i Gojbulës. Shkolla jonë, QAMO-ja “Muharrem Bekteshi” (unë isha mësimdhënës), për vitet përfundimtare organizonte qitje me pushkë nga lënda e mbrojtjes dhe e sigurisë. Në të njëjtën kohë, ditën e fundit, edhe një shëtitje për të gjithë nxënësit e tjerë. Ishte viti shkollor 1979/80. Mbi dymijë nxënës ishin shprëndarë nëpër lëndinat e kodrave mbi Gojbulë. Ca loznin me top poshtë në fushë. Sakaq një serb i Gojbulës, i quajtur Jovica, nisi t’i shante e t’i fyente nxënësit shqiptarë. Sahitit i erdhi shumë rëndë dhe e kapi për fyti. Kërcen edhe një serb tjetër dhe përleshja vazhdon për disa minuta. Djaloshi, i gjakosur dhe i përbaltur deri në fyt, arrinë të dalë fitimtar…
Të nesërmen ç’të shohësh! Sikur kishte krisur qameti. Gjithë Komiteti Komunal në këmbë, sepse gojbuelasit ua kishin zënë derën që pa gdhirë. Nxënësi duhet të përjashtohet!-kërcënohshin i madh e i vogël. Dhe, rrëmuja nuk pushoi për disa ditë rresht, megjithatë u mbyll disi…
Pas mbarimit të shkollës së mesme regjistron Fakultetin ekonomik, por i vjen thirrja për në ushtri. Hajde botë, hajde! Ishte Pranvera studentore e vitit 1981. Për ushtarët shqiptarë krisi gazepi. Çdo ditë maltretime psikike e kërcenime me zhdukje fizike. Në mesin e tyre përherë edhe Sahit Konjuhi, që po shërbente në Zarë të Kroacisë. Pyetej e çka nuk pyetej. Pse Mehmet Konjuhi ishte kundër pushtetit tonë? Po babai yt, Haliti, pse ishte në Goli- Otok? Kush e ka vrarë Borën?...
Më 30 prill 1981 e lëshojnë në pushim vjetor. Posa vjen në Kosovë ia lëshojnë prapa përcjellësit tinëzarë. Një ditë policët ushtarakë e arrestojnë dhe e dërgojnë në kazermën e Prishtinës. Një oficir i sigurimit, njëfarë Selimi, e kishte rënduar që në fjalët e para, duke e quajtur: idiot, tradhtar, antijugosllav, enverist etj. Në fund e kishte liruar, me kusht që të punonte për ta dhe derisa të qëndronte në pushim t’u dërgonte informata për domonstruesit vushtrrias. Oh, sa ishin gabuar trutharët. Prit magar deri të dalë bar,- sikur u thoshte ai. Megjithatë, ajo i doli dardhë me bisht. Ata e gjeten dhe e morën përsëri. Kësaj here u treguan edhe më arrogantë, por pa sukses. Maltretimet nuk iu hoqen derisa mbaroi shërbimin…
-Pas kësaj erdhi një atmosferë false dhe njerëzit zunë të jetonin me iluzione,- rikujton ato ditë Sahiti. Babai vinte duke u lodhur. Më 23.11.1990 ndërroi edhe jetë, ndjesë pastë. Shkoi në atë botë paksa i gëzuar, sepse pa se edhe shqiptarët kishin nisur të vetëdijësohëshin.
Vitet e ’90-ta shënuan kthesë në historinë tonë. Megjithatë familja Haliti ishte në shënjestër të shkjeve vendorë. U detyruan të ndërrojnë vendbanimin, dolën te kisha. Më 13 shtator 1990 ndodhi ngjarja në Pollatë. Nga lart u erdhën lajme se edhe konjuhët janë në shenjestër…Aty edhe më keq, shumë serbë fqinjë ishin mobilizuar në polici. Një mbrëmje, dy prej tyre e takojnë Sahitin dhe, pa një, pa dy, zunë ta qëllonin me shqelma e grushte. E qëllonin dhe kërcënohshin duke i thënë se si guxon të jetojë në Kosovë, kur babai yt e ka vrarë Borën?! E qëllonin dhe e shanin duke ia mbajtur automatikin në gojë. Dhe, kur u lodhën, edhe ishin të pirë tapë, njërit, pahiri, i shkrehu automatiki dhe e plagosi veten…
Që atë ditë iu ka dashtur të jetojë nëpër miq e shokë, derisa më 2.04.1999 kalon në Tetovë…Edhe dy vëllezërit e tjerë, Latifi e Avniu, hoqën të zitë e ullirit, gjithë rininë e kaluan me maltretime, përndjekje, kërcënime e vuajtje.

Konjuhët sot?!

Po sot vallë, ku janë dhe si janë konjuhët e këtij trungu të lashtë më rrënjë të thella atdhetarie. Të gjallët dhe të pavdekshmit. A thua, kush kujt ia ka lakmi?!!!!
Të gjallët mbijetuan zezonën e luftës së fundit dhe sot gjallojnë gjithandej, në Vushtrri, në Prishtinë, në Fier, në Amerikë, në Suedi. Pasurinë e tyre, më mirë të themi të të parëve të tyre, e patën gllabëruar ujqërit e pangopshëm dhe as sot zor që mund të bëjnë ballë t’ua kthejnë. Sa sa hektarë në Kosovë e sa e sa të tjerë në Shqipëri. Ah, jo, më falni se gabova, të gjithë në Shqipëri, se një Shqipëri është, është ajo Shqipëria Etnike për të cilën luftuan, qëndruan dhe u sakrifikuan edhe ata vetë. Tapitë e etërve i mbajnë në gji e pasuritë shfrytëzohen nga të tjerët…
Të pavdekshmit mbase ndjehen edhe më keq. Po, po, keq sa s’bën! Mehmeti në Turqi, Sahiti në Ropicë e Haliti në Vushtrri. Të shpërndarë pikë e pesë ashtu siç i kishte degdisur edhe vetë jeta hileqare. Emrat e tyre, që populli përherë i mbajti në mendje e në zemër, sot figurojnë fare pak, për të mos thënë hiç, nëpër sheshe, nëpër rrugë, nëpër institucione. E pabesueshme, por më së e vërtetë. Ata që me gjakun e tyre nderuan shqiptarinë, sikur po ia lëmë pluhuritë të harresës.
Sa keq!!!
Tmerr!!!

Amaneti i brezave

Historia jonë në sprovë për ta treguar vetën së është e zonja të bëjë korrigjimin e gabimeve të veta. Tekefundit, ata meritojnë edhe më shumë. Në Zagorth, aty ku më 10 shkurt 1924 mbinë shumë lulëkuqe, duhet të shkëlqejë një MONUMENT përjetësie. Edhe trimi i trimave, Mehmet Konjuhi, i cili luftoi kundër tri parandorive të mëdha pushtuese, më mirë se kudo do të ndjehej këtu në Kosovë…

Dhe, sot, nё 85 vjetorin e vdekjes sё Tij, stёrnipi i Mehmet Konjuhit, njё veprimtar i palodhur i çёshtjes kombёtare, Abdyl Konjuhi, qё momentalisht jeton e vepron nё Amerikё, por mendjen dhe zemrёn i ka nё Kosovё, ёshtё i preokopuar me njё amanet tё brezave: zhvarrimin e eshtrave tё heroit kombёtar, Mehmet Konjuhit, nga Bergama e Turiqisё dhe rivarrimin e tyre nё Zogorth, aty ku mё 1924 mbrojti me gjak Zonёn e Lirё tё Dumnicёs. Ёshtё ky njё amanet i lёnё nga vetё heroi, i trashёguar pastaj nga tё tjerёt dhe sё fundi ai rёndon edhe nё shpirtin e Abdylit, i cili ёshtё kёmbёngulёs dhe sigurisht do t’ia arrijё qёllimit. Mirёpo, punёt e mёdha kombёtare nuk u takojnё vetёm familjarёve, ato u takojnё tё gjithёve, sidomos atyre qё ua kemi besuar pushtetin.

Koha shëron plagët,- thonë të mençurit!
Të shohim!



Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Prof. Bedri Tahiri
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 162 vizitorë
Lexuar: 15,883 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi