Ballina
Lajme
Opinion
Intervista
Histori
Kulturë
Të ndryshme
English
Galeria
Libri i miqve
Dërgo lajme
Kush jemi ne?
Kontakti
 
RSS Furnizuesi
RSS Furnizuesi
   
 
VRASJE E INSKENUAR E USHTARIT SHQIPTAR
Publikuar më 04 shtator, 2017 në orën 00:13 ( ) Beqir Elshani | Histori |
Rrit madhësinë e shkronjave
(Me rastin e 30-vjetorit të vrasjes së Aziz Kelmendit)

Një ndër krimet më të rënda po aq edhe tronditëse, që arriti deri te aktivizimi i lëvizjes serboçetnike për ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtetin jugosllav, ishte vrasja e ushtarit 20-vjeçar, Aziz Kelmendit, i cili u vra më 03.09.1987 në kazermën ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë në Paraqin, qytet në jug të Beogradit. Ushtari shqiptar, Aziz Kelmendi, ishte në prag të zhveshjes së rrobave ushtarake, që ishte një ditë e madhe e përfundimit të obligimit ushtarak, të cilën çdo ushtar e pret me gëzim për kthim në vendlindje.

Të gjitha mjetet mashtruese me anën e sloganit "vëllazërim-bashkim" për shkrirjen e shqiptarëve në Jugosllavi ishin sosur, ndaj shovinistët serbë u morën me vrasjen e ushtarëve shqiptarë me plumb prapa shpine në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ). Për të thyer moralin e popullit shqiptar, APJ do të sakrifikonte jo vetëm katër ushtarët jugosllavë në kazermën e Paraqinit, por edhe me qindra ushtarë të tjerë jugosllavë, vetëm se vetëm që të arrinte deri te heqja e Kushtetutës së Kosovës (1974), që ishte njësi e federatës jugosllave dhe ishte një hap i madh drejt shkëputjes nga kolonizimi serb dhe bashkimin me shtetin amë - Shqipërinë. Këtë synim e kishte parasysh qeveria jugosllave, prandaj vepronte me të gjitha mjetet diplomatike, ushtarake e policore. Sepse vdekja më e mirë për shqiptarët ishte në fushëbetejë kundër kolonizatorit serb për çlirimin e Kosovës, se 100 vjet burgosje, torturim e vrasje në të gjitha organizatat kriminale të pushtetit jugosllav – prej policisë komunale deri në armatën jugosllave. Ngjashëm porsi ushtar Aziz Kelmendi, përndryshe nxënës shembullor në gjimnazin e Prizrenit, në rrethana fort misterioze, qysh pas përfundimi të Luftës së Dytë Botërore, ishte vrarë edhe sekretari i PKJ në Kosovë, Miladin Popoviqi, në zyrën e tij të punës, për të cilin me kohë ishte kurdisur vrasja mësuesit të popullit, Haki Taha. Prandaj për të ardhur deri te Masakra e Shqiptarëve më 6 maj 1945 në Tivar dhe zbatimi i Elaboratit të Vasa Çubriloviqit për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga Kosova, OZNA së pari u mor me vrasjen e Miladin Popoviqit, i cili ishte pengesë e diplomacisë vrastare serbe. Konkretisht, derisa shumë vende të Europës në Luftën e Dytë Botërore synim kishin çlirimin e vendit nga fashizmi gjerman, Jugosllavia kishte dy synime: çlirimin nga fashizmi gjerman dhe pushtimin e tokave shqiptare të Shqipërisë Etnike, edhe më keq ndarjen e Shqipërisë Administrative në mes dy vendeve të mirënjohura fashiste Serbi – Greqi.

Ushtar Kelmendi ka mbetur figura më e ndritshme në historinë kombëtare dhe ndërkombëtare për shkatërrimin e Armatës Terroriste të Jugosllavisë, meqë shteti udhëhiqej kryesisht nga krerët e neofashizmit serb dhe ishte gishti i UDB-ës jugosllave. Prandaj vrasja e ushtar Azizit nuk ishte çështje vetjake e familjes Kelmendi nga Prizreni, por ishte sinjal i paralajmërimit të despotizmit serbosllav se kështu do të vepronin me të gjithë ushtarët shqiptarë. Për çudi akuzat që ia kishin bërë organet policore të SPB dhe Gjykata Komunale, tani në vend se APJ të merret me edukimin dhe kalitjen e ushtarëve shqiptarë, ajo vazhdonte të merrej me torturimin e tyre deri në pushkatim me diagnozën “vetëvrasje”. Jo vetëm kaq, sepse nëse gjatë shërbimit në APJ ushtarët shqiptarë i dënonte gjykata ushtarake e APJ-së fill pas vuajtjes së burgut dhe kthimit në gjirin familjar i dënonin gjykatat komunale, ato nuk të linin të qetë, tani me një proces të montuar me motive nacionaliste, siç veprohej në mbarë Jugosllavinë Fashiste, organet e gjykatës i dënojnë përsëdyti.

Kur shumica e eprorëve serbë në kazermë në mënyrë raciste urrenin ushtarin shqiptar, i kishin të gjitha mundësitë që rekrutët shqiptarë t'i provokonin duke marrë në pyetje të shpeshta, t'i detyronin të pastrojnë nevojtoret dhe të bëjnë kujdestari. Duket qartë që gjykatësit bëheshin ujq para ushtarëve shqiptarë, por dele para ushtarëve serbë. Nuk ka asnjë dyshim që shkaktarë të përgjimit nga oficerët e KOS-it në garnizonin ushtarak ishte “mbrojtja popullore” në komunat e Kosovës, e cila për çdo ushtar shqiptar dërgonte karakteristikën politike, përjashtim bënin vetëm rekrutët serbë, qoftë edhe hajdutë e kriminelë. Sipas kësaj do të thotë se Armata Popullore e Jugosllavisë ishte krijuar jo për mbrojtjen e Jugosllavisë Socialiste dhe Federative, por pikërisht për të terrorizuar shqiptarët në Kosovë. Asnjë shtet fqinj nuk e sulmonte Jugosllavinë, përkundrazi ishin jugosllavët që ndërhynin në të gjitha vendet fqinje.

Pa dyshim se kështu i kanë torturuar të gjithë shqiptarët, që pikësynim kishin çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe jo të vriten për hesapet e Jugosllavisë Fashiste, që kurrë nuk i ka dashur bijtë dhe bijat shqiptare. Prandaj atdhetarët në mërgatë kurrë nuk janë pajtuar me jetën luksoze të Europës Perëndimore, por vazhdimisht kanë vepruar në shërbim të Kosovës Republikë, siç thotë Andon Zako Çajupi, ku është balta më e ëmbël se mjalta. Ishte një kohë e vështirë kur serbomëdhenjtë në bashkëpunim me kolaboracionistët shqiptarë e dhunojnë flamurin kombëtar kuqezi, duke ia hequr yllin nga balli, që gjithashtu ishte shenjë e paralajmërimit të sulmit kundër popullit të Kosovës; ishin vitet e rënies heroike duke luftuar kundër forcave të mëdha ushtarake e policore çetnike: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha; që fill pastaj vazhdoi me vrasjen e ushtarëve shqiptarë, të cilët i kthenin në arkivol me diagnozën ”vetëvrasje”.
Projekti për inskenimin e vetëvrasjeve të ushtarëve shqiptarë nuk ishte spontan, por ishte vazhdim i vrasjes së tyre 50 vjet me radhë, domethënë ishte projekt i përpunuar dhe i organizuar mirë një kohë të gjatë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Prandaj më 3 shtator 1987 (në orën 03:05 të natës), në garnizonin ushtarak të APJ-së në Paraqin, agjentura ushtarake serbe vret katër rekrutë (dy boshnjakë, një kroat dhe një serb), fill pas masakrës shpallet vetëvrasja e ushtar Aziz Kelmendit, i cili ishte në përfundimit të shërbimit ushtarak. Dihet se agjentura serbe së pari ka vrarë ushtar Aziz Kelmendin, pastaj me pushkë automatike ka masakruar katër ushtarë në dhomën e fjetjes, duke plagosur edhe pesë të tjerë. Qëllimi i skenarit ishte shumë i qartë, i ngjante djegies së Parlamentit Gjerman “Raistagut” në Berlin në vitin 1933 nga ana e nazistëve gjermanë në krye me Adolf Hitlerin, të cilët i fajësuan komunistët gjermanë; metodë që shumë mirë e dinte agjentura serbe dhe e zbatoi kundër popullit shqiptar. Figurativisht, flaka e ndërtesës së Parlamentit Gjerman ishte paralajmërim i ardhjes së Gjermanisë naziste, kështu vrasja e ushtarëve “jugosllavë” çoi pluhur të madh duke paraqitur si shembull i politikës shqiptare të gjenocidit kundër serbëve. Dihet që për të ardhur deri te Lufta e Dytë Botërore, Partisë Naziste i duheshin shtatë vjet pas djegies së parlamentit gjerman, prandaj për të fituar shkakun e sulmit të popullit shqiptar dhe heqjen e Kushtetutës së Kosovës, së pari APJ terroriste sajoi vrasjen e ushtarëve në kazermën ushtarake Paraqin. Tekembramja, nëse ushtar Azizi e ka bërë “vrasjen”, atëherë duhej të merrej parasysh gjendja e tij psikologjike, faktor që në shumë vende të botës ushtarët revoltohen nga ndonjë zënkë dhe me pushkë automatike vret shokët e tij dhe në fund bën vetëvrasje. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në ShBA, kur shoferi ushtar, pas largimit nga detyra, në shenjë zemërimi vret shokët e pafajshëm në oborr, pastaj veten, mirëpo jo natën në gjumë. Prandaj nëse edhe ushtar Azizi ka vrarë katër ushtarët dhe ka plagosur pesë të tjerë, duhej të zbuloheshin rrethanat që e kanë shtyrë të bëj një gjë të tmerrshme, fill pastaj të merren masa edhe ndaj eprorëve ushtarakë për mungesën e disiplinës ushtarake dhe për keqedukimin e tyre. Duket qartë që vrasja e ushtarëve të pafajshëm ka qenë inskenim nga krerët e pushtetit jugosllav, me synim për të ardhur deri te gjenocidi dhe lufta e përgjakshme kundër popullit shqiptar. Nuk ka asnjë dyshim që Serbia derdhte lot krokodili për tre ushtarët joserbë, (dy boshnjakë dhe një kroat). Pastaj, ku e gjente APJ forcën diplomatike të mashtronte prindërit kinse djemtë e tyre i ka vrarë shqiptari, kur dihet që ushtarët e plagosur e kanë parë oficerin serb. Pastaj ushtarët ishin të arsimuar dhe mund t’i kuptonin fort mirë lojërat e oficerëve serbofashistë. Në anën tjetër, përvoja kriminalistike na mëson se zënkat apo grindjet spontane të ushtarëve apo të nxënësve zakonisht ndodhin ditën - gjatë aktivitetit të tyre, jo natën kur të gjithë njerëzit flenë.

Ministria e Mbrojtjes Jugosllave paralajmëroi solemnisht kinse armiku shqiptar ka filluar të zbatojë metoda të reja të çrregullimit. Duket qartë që "krimin" individual të ushtar Kelmendit e shndërruan në "krim" të përbashkët të mbarë popullit shqiptar, synimi i të cilëve ishte lufta kundër popullit shqiptar dhe heqja e Kushtetutës së Kosovës në vitin 1974. Këtë shpikje strategjike më së miri e argumenton edhe deklarata e kryetarit të RFSJ-së, Llazar Mojsov, për zbulimin e shtabit kontrarevolucionar të shqiptarëve, qëllimi i së cilës ishte ardhja deri të gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë. Shumica e serbëve që u ndanë nga funerali i ushtarit serb, shkuan drejt varrit të ultrashovinistit, Aleksandar Rankoviq, u betuan për hakmarrje dhe bërtitën me parullën: ”Shqiptarë, jashtë nga Jugosllavia”. Përfundimi tregon se me anën e këtij inskenimi gjakpirës, shovinistët serbë kërkonin ringjalljen e kohës së Rankoviqit për zhdukjen e popullit shqiptar. Kështu Sllobodan Millosheviqi e shfrytëzoi rastin dhe zgjidhet kryetar i Lidhjes Komuniste të Serbisë. Ky shkatërrues i fundit kishte dalë si pasojë e gabimeve të mëdha vite me radhë të politikës jugosllave në krye me renegatin, Josip Broz Tito, ku si rezultat i tyre lindi kryefashisti serb - Sllobodan Millosheviq. Prandaj kumtoj se vrasja misterioze e ushtarit shqiptar, Aziz Kelmendit, ishte plan i përpunuar për të arritur deri te masakrimi i popullatës shqiptare si dhe ndjekja nga trojet e tyre. Për ta kuptuar obskurantizmin e ish-pushtetit jugosllav, më së miri mund të shikohen filmat e kinematografisë amerikane, sepse atë demaskim që bënin në shtetet kapitaliste nuk mund ta bënin dot në Jugosllavinë socialiste. Nuk ka asnjë dyshim se në kurriz të ushtarit shqiptar - Kelmendit, vrasjen e katër ushtarëve me kombësi të ndryshme gjatë natës në gjumë më 3 shator 1987 e ka kryer oficeri i rafinuar serb në bashkëpunim me udbën famëkeqe, për të cilin kanë dëshmuar ushtarët e plagosur. Duhet pasur parasysh edhe faktorin psikologjik, të cilin fortë mirë e njeh enciklopedia ushtarake, se në kohën prej orës tre dhe katër të mëngjesit njeriu e ka vështirë të jetë i vëmendshëm dhe i qartë, pikërisht në këtë kohë, një vit më parë (më 26.04.1986), kishte shpëthyer edhe Qendra Bërthamore në Çernobil, e cila banorët i zuri në gjumin e thellë, që në popull njihet si koha e ujkut grabitqar.

Që skenari serb pati sukses, u pa se menjëherë pas masakrës në kazermën ushtarake në Paraqin, serbët kërkuan hapjen e frontit të luftës kundër shqiptarëve të paarmatosur. Në qytetet serbe dyqanet shqiptare u thyen, dhe argatët shqiptarë në Beograd, Paraqin, Velevë e në Suboticë u rrahën, gjithashtu një vogëlushit, përndryshe bir i bukëpjekësit shqiptar, ia nxorën dy sy prej ballit. Ky ishte kulmi i urrejtjes shqiptare nga ana e Serbisë, prej nga APJ me një ushtri tepër të madhe heterogjene po aq edhe të fuqishme, që një kohë të gjatë ishte investuar nga buxheti i mbarë vendit dhe tani priste vrasjen e shqiptarëve, sipas sloganit shovinist: ”Do vrasim, do therim, kush me neve nuk do!”, të cilën serbët e këndojnë një kohë të gjatë. Një përkrahje e ngjashme fashiste kishte ndodhur edhe në Francë, në vitin 1934 ishte formuar organizata fashiste “Rinia Patriotike dhe Aksioni Francez”, natyrisht që si emër ishte i bukur “Rinia patriotike”, mirëpo qëllimi i programit ishte vrasje e popujve të pafajshëm, prandaj masa popullore franceze iu kundërpërgjigj me anën e demonstratave dhe formave të fuqishme. Duket qartë, një gjë e tillë kurrë nuk kishte ndodhur në ish-Jugosllavi. Të gjitha këto ngjarje të më pastajme tregojnë se skenari i vrasjes së katër ushtarëve dhe e ushtar Aziz Kelmendit në prag të përfundimit të shërbimit ushtarak ishte inskenuar dhe studiuar në qarqet fashiste të APJ e LKJ-së. Pastaj si çdo kryengritës shqiptar ka qenë i burgosur për veprimtari atdhetare – Kosovën Republikë, me anën e së cilës nga organet komunale i është përcjellë karakteristika në garnizonin ushtarak për mbikëqyrje policore. Që skenari është përgatitur nga qarqet shoviniste serbe më së miri tregon edhe libri i diplomatit jugosllav, Millosh Cërnjanskit, i cili shkruan se çdo shqiptar i shkolluar është armik i Jugosllavisë, prandaj me këmbëngulje policore kërkonte mbylljen e Universitetit të Prishtinës, që ishte vatër e diturisë dhe emancipimit të popullit shqiptar.

Shkrimtarët shkruajnë se bëhen 100 vjet gabime në pushtet, mirëpo në pushtetin ish-jugosllav nuk janë bërë 100 vjet gabime, por 100 vjet terror ndaj popullit shqiptar. Derisa në shumë vende të botës arrin të zbardhet dënimi i padrejtë ndaj i të akuzuarëve, një gjë e tillë kurrë nuk ndodhi në ish-Jugosllavi dhe as që do të ndodhë në Serbinë e sotme vrastare për zbardhjen e dënimit me pushkatim të ushtar Aziz Kelmendit dhe dënimin e shokëve të tij ushtarë. Kështu kjo makineri e fundit e vrasjes së kurdisur solli në këmbë fashizmin serb në krye me Sllobodan Millosheviqin. Prandaj ardhja e kryekriminelit serb në pushtetin jugosllav nuk ishte befasi, por ishte një aktivitet i politikës së çetnikëve serbë, të cilët punonin me programin e tyre kundër popullit shqiptar. Vlen të përmendim patologjinë fashiste, të cilët serbët e këndonin në rrugët e Beogradit: “Do t’i vrasim, do t’i therim, kush me ne nuk vjen”, dhe më vonë euforia serbe do të kërkojë të zbatohet programi i Vasa Çubrilloviqit për dalje në detin Adriatik, prej nga prijësin e tyre serboçetnik do ta thërrasin: “Ec përpara Sllobodan, n’koft nevoja deri në Tiranë.” Ky veprim tregon se lufta në ish-Jugosllavi, për shfarosjen e popujve tjerë joserbë – shqiptar, kroatë boshnjakë e hungarezë, ka qenë e programuar. Si zakonisht, asnjë gazetar kroat a slloven, që njiheshin si vende më të zhvilluara e më të emancipuara, nuk mori guxim të shkruante realitetin e tragjedisë në kazermën ushtarake të Paraqinit, të cilën e kishin inskenuar çetnikës serbë. Nëse në Gjermaninë e Hitlerit, shumë më të fuqishme, kishte me dhjetëra shkrimtarë, politikanë e veprimtarë përparimtarë - internacionalistë që kundërshtonin fashizmin gjerman, një veprim të tillë nuk e bëri asnjë shkrimtar apo veprimtar në ish-Jugosllavi, sidomos nga Kroacia e Sllovenia. Kështu fashizmi serb pa pengesa ndërkombëtare nisi të ngjitej shkallëve të luftës së përgjakshme për masakrimin e popujve joserbë në Ballkan.
Nuk ka asnjë dyshim që APJ ishte vrasëse e pesë rekrutëve ushtarakë (dy boshnjakë, një kroat, një serb dhe një shqiptar). Prandaj peshqit e mëdhenj të Armatës Terroriste të Jugosllavisë që në kabinetet e tyre kanë ujdisur vrasjen e ushtarëve në dëm të popullit shqiptar për synime fashiste, duhet të dalin para organeve të gjykatës ndërkombëtare në Hagë për vrasjen e djemve të pafajshëm, ashtu siç kanë dalë edhe oficerët gjermanë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Procesin e Nurembergut në vitin 1946. Nëse Gjykata Ndërkombëtare nuk e zbaton dënimin, atëherë do të mbetet përgjegjëse morale e historike për mosmbrojtjen e ushtarëve të pafajshëm, sidomos të ushtarit shqiptar – Aziz Kelmendi, që së bashku me katër ushtarë tjerë ra viktimë e makinerisë së fashizmit jugosllav. Një gjë dihet, ashtu siç e urrente fashizmi gjerman popullin hebre, e urrente fashizmi jugosllav popullin shqiptar, sepse rinia e madhe shqiptare ishte ardhmëria e Kosovës Kombëtare Shqiptare për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga çizmja jugosllave.
Pavarësisht çka shkruan shtypi serb për ushtar Aziz Kelmendin, të cilin e ngarkon me krime të kurdisura, me armët dhe me oficerët, po ashtu në kazermën e tyre, meqë gjithmonë pushtuesi tradicionalisht i ka mundësitë e veta, që së pari të gjejnë njeriun për të viktimizuar, pastaj e zbatojunë krimin e fabrikuar një kohë të gjatë në kabinetin e udbës gjakatar, ushtar Aziz Kelmendi mbetet hero i popullit shqiptar, ashtu siç kishte mbetur oficeri francez, Alfred Drajfus, por që Azizi nuk pati fatin të dënohet si Drajfusi, dhe në fund me anën e gjykatës dhe ndonjë shkrimtari të guximshëm, i sojit Emil Zola, të shfajësohet, dhe fill pastaj të turpërohet pushteti i egër i Armatës Popullore të Jugosllavisë. Prandaj sot shumë rrugë në qytetet e Kosovës dhe shkolla fillore mbajnë emrin e Aziz Klemendit, për nderimin dhe kujtimin e qëndresës fisnike të ushtar Azizit, i cili u vra për të mos u vra kurrë populli shqiptar.

Suedi, 3. 09. 2017

Vërëjtje: Artikujt e botuar në albaniapress.com nuk shprehin domosdoshmërisht mendimet e stafit moderues!
 
 
Vlerësimi juaj për lajmin
I keq I dobët I mirë Shumë i mirë I mrekullueshëm
 
Beqir Elshani
Shkrimet e tjera të këtij autori
Vlerësimi:
Jep vlerësimin tënd
Është vlerësuar nga 52 vizitorë
Lexuar: 1,009 herë
Versioni për printim Dërgoje tek miku/mikja juaj Shtoje këtë artikull në listën e favoritëve
 
 
Fuqitë ushtarake të palëve ndërluftuese g...
E shtun, 17 prill 2021 - 01:20
Lufta e Kosovës, paraqet ndeshjen ushtarake të qartë të demokracisë perëndimore, ku edhe ne Shqipëtarët aspirojmë më në fund të integrohemi dhe...
ENVER HOXHA TË SHPALLET KOMANDANT NDERI I U...
E premt, 16 prill 2021 - 00:41
RIBOTIM Duke u bazuar në fakte të pamohueshme sipas veprimtarisë së brezit të Enver Hoxhës dhe dokumenteve origjinale të pamohueshme origjinale n...
Skenari i rrezikshëm, për ndarjen e tokave ...
E mart, 13 prill 2021 - 22:00
Letër publike, Kolonel Dilaver Goxhajt I nderuari Shpëtim Golemi, po të drejtohem me nofkën e luftës, si Zëvendës Komandant i Shtabit të Përgji...
Një sqarim i detyruar për luftimin në Kosh...
E diel, 11 prill 2021 - 19:40
Si përherë, edhe në 9 prillin e vitit 2021 u përkujtua me madhështi të madhe, si asnjë luftim tjetër i UÇK-së, “fitroia” e një “beteje” ...
Arsyet e bombardimit të Jugosllavisë nga N...
E premt, 09 prill 2021 - 22:49
Në përgjithësi është trajtuar nga burime të ndryshme dhe arsye të ndryshme janë theksuar, disa herë edhe kontradiktore a të kundërta mes burimev...
më shumë nga - Histori »
 
 

© 2024 AlbaniaPress.com :: Agjensia Informative Shqiptare Ballina | Moti | RSS | Kontakti
Të gjitha të drejtat e rezervuara Programimi dhe dizajnimi i faqës: Arlind Nushi